VLORË - "Yje mbi Kaninë" kanë ndriçuar mbrëmjen e 31 gushtit kalanë e Kaninës.
Ermonela Jaho, Saimir Pirgu dhe Timo Flloko u bënë bashkë në një event ku poezia dhe muzika klasike ngritën në këmbë publikun në një mbrëmje magjike.
Koncerti “Yje mbi Kaninë”, me regjisore dhe producente Vera Grabocka, solli pranë publikut vlonjat dhe jo vetëm, aktorin dhe mjeshtrin e fjalës artistike Timo Flloko, si dhe virtuozët e muzikës klasike nga skenat botërore, sopranon Ermonela Jaho, e cila i bashkohet për herë të parë këtij eventi, dhe tenorin Saimir Pirgu, të shoqëruar nga Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar, nën dirigjimin e Jacopo Sipari di Pescasseroli.
Një ditë më parë, në një dalje publike, artistët vlerësuan pjesëmarrjen në event:
“Është një kënaqësi për mua si Timo, si artist, të kem nderin, të kem fatin, sigurisht, të luaj me këta artistë të mëdhenj, me Ermonelën dhe Saimirin, me të cilët rrallë të takon fati që t’i kesh në një program, në një shou siç kemi ne”, u shpreh Flloko.
“Është diçka magjike për vendin, për kontekstin, e sidomos të performosh me ikonat e Teatrit Shqiptar e të televizionit gjithashtu”, tha Jaho.
“Ky bashkëpunim na çon në një dimension tjetër që ne nuk jemi mësuar, se gjithsecili është në zanatin e vet, bën punën e vet dhe nuk është kollaj të ndërthuren dy artet. Prandaj, jemi shumë të emocionuar”, shtoi Pirgu.
Muzika klasike dhe poezia u ndërthurën kështu në një mbrëmje gala, me të ftuar personazhet më të njohur të jetës publike. Arie të njohura, duete dhe poezi kumbuan në muret e lashta të kalasë së Kaninës.
Nata e 31 gushtit në kalanë e Kaninës, duke takuar muzikën, artin dhe historinë, përcolli tek spektatori emocione të një mbrëmjeje të paharruar.
Komente
