Këto ditë rikthimi në auditorë për pedagogët edhe studentët e masterit të Fakultetit të Muzikës në Universitetin e Arteve kanë qenë të veçanta. Ata janë duke, punuar për diplomën në ambientet e rikonstruktuara. Nga afër takojmë sopranon Eva Golemi, e cila na rrëfen këtë rikthim si pedagoge, ku së bashku me studentin e saj, Glerson Hoxha janë duke zhvilluar prova me këngën “Non ti scordar di me”, të shkruar nga Ernesto de Curtis.
“Kemi punuar tërë këtë kohë online me studentët, por ndryshe është kontakti fizik. Unë jam më shumë se e lumtur, se më kanë munguar studentët, sikundër më ka munguar dhe opera. Ambientet e UA janë rikonstruktuar, shpresojmë që të rikonstruktohet edhe salla e saj, që të jetë e nivele superiore. Duhet të bëjmë një punë shumë intensive, që në provimin e korrikut të dalë sa më mirë. Ne kemi edhe mungesë tenorësh edhe dëshira ime është që t’u bashkohet artistëve në TKOB, si të gjithë talentet e rinj”, rrëfen sopranoja Golemi.
Studenti i masterit, Glerson Hoxha, mes emocioneve na rrëfen ëndrrat e tij për të ardhmen.
“Dëshira ime është që të vijoj këtë rrugë që kam nisur”, rrëfehet Hoxha.
E vetmja dëshirë e madhe për Eva Golemin, e cila prej katër muajsh ka qëndruar larg skenës për shkak të pandemisë COVID 19, është rikthimi para publikut në teatrin e operës së rikonstruktuar
“Karantinën e kam kaluar si të gjithë, por jam marrë shumë me art. Më ka bërë të reflektoj shumë. Operën e kam parë të rikonstruktuar. Jam shumë e lumtur dhe pritshmëritë i kam të mëdha. Shpresojmë që sa më shpejtë të performoj në atë sallë”, shprehet Eva Golemi.
Sopranoja Eva Golemi gjatë karantinës ka realizuar për publikun nga shtëpia disa videomesazhe me këngë të njohura.