Pas suksesit me albumin “Anima Rara” dy vite më parë, Ermonela Jaho u përzgjodh sërish ndër si një ndër 26 fitueset e jurisë së Çmimeve Ndërkombëtare të Muzikës Klasike (ICMA). Kësaj here, sopranoja e njohur shqiptare nderohet si “Artistja e vitit”, në një listë ku u nominuan mbi 391 prodhime artistike e një sërë artistësh, Si qëllim kryesor juria e këtij çmimi ka filtrimin e muzikës më cilësore dhe ajkës së artistëve që e jetësojnë atë.
Në motivacionin që shoqëron çmimin Jaho vlerësohet për bukurinë unike të zërit të saj të lavdishëm, të udhëhequr nga siguria dhe shkëlqimi vezullues.
“Jaho magjeps me estetikën e saj të pastër vokale. Por kjo është vetëm njëra anë e artit të madh të këngëtares, pjesa tjetër lidhet me praninë e saj teatrale elektrizuese. Janë të paktë këngëtarët që arrijnë në një shkallë kaq të lartë, të identifikimit të roleve me ta. Dhe kjo me një vërtetësi kaq totale dhe një emocion thellësisht prekës. Me të dalë në skenë, Jaho hedh tej si një mantel personalitetin e saj dhe mishëron personazhin që duhet të interpretojë”, shkruhet në vlerësim.
Ndarja e këtyre çmimeve do të mbahet në Poloni gjatë Forumit Kombëtar të Muzikës në 21 prill, e shoqëruar nga një mbrëmje gala të udhëhequr nga drejtori muzikor Giancarlo Guerrero.
Jaho aktualisht po interpreton në skenat më prestigjiose, si Opera Nacionale e Parisit, apo Teatri Metropolitan i Neë York-ut në SHBA. Këtë vit ajo pritet të vijë dhe në Teatrin e Operas, ku është anëtare bordi me disa masterklase, për artistë të rinj, brenda e jashtë vendit.