TIRANË- Bashkimi Europian ka mbështetur iniciativën për krijimin e Parkut Kombëtar të Vjosës. Ambasadori i BE-së në vendin tonë, Luigi Soreca shkruan se do të ndjekin nga afër konsultimet duke bërë thirrje që të dëgjohet zëri i ekspertëve.
“Ne mbështesim iniciativën për krijimin e Parkut Kombëtar Vjosa. Bashkimi Europian vazhdon ta ndjekë këtë çështje nga afër së bashku me Ambasadat e BE, në konsultim me autoritetet e Shqipërisë. Është thelbësore që zëri i komuniteteve lokale dhe ekspertëve të mjedisit të dëgjohet.”, shkruan Soreca në reagimin e tij.
Postimi i ambasadorit Luigi Soreca
Kauza e Vjosës tashmë ka marrë zë jashtë Shqipërisë. Aktori i njohur Leonardi di Caprio ka mbështetur nismën për mbrojtjen e lumit të Vjosës në Shqipëri që nga viti 2019. Ai është shprehur kundër vendimit për të ndërtuar hidrocentrale në Vjosë, që është edhe një nga lumenjtë e 'egër' në Evropë. Di Caprio ka qenë aktiv vazhdimisht për çështjen e Vjosës, i cili ka reaguar edhe vitin që lamë pas në lidhje me deklaratën e kryeministrit Edi Rama më 25 shtator ku refuzoi zyrtarisht të japë leje për projekte HEC-esh në Vjosën e poshtme. Por, edhe këngëtarja Ellie Goulding i është bashkuar fushatës për mbrojtjen e lumit Vjosa nga HEC-et. Goulding është shprehur se këto ndërtime do të dëmtonin kultura të shumta dhe të larmishme të rajonit duke nxitur edhe ndotjen e shkatërrimin e klimës.
Lumi i Vjosës në Shqipëri është një ndër lumenjtë e fundit të egër dhe të pa prekur nga dora e njeriut, që ekzistojnë në Europë. Me një gjatësi prej 270 km, i ndarë në kanione, lumenj të ndërthurur, ishuj dhe gjarpërime të rrëmbyeshme, Vjosa lidh shtetet e Europës së bashku.