Ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim dhe ambasadori i BE Luigi Soreca ditën e sotme kanë takuar kreun e KED, Ervin Pupe.
Takimi është njoftuar nga vetë ambasadorët përmes postimeve në "Twitter". Soreca teksa shpreh mbështetjen e BE-së, ai deklaron më tej se është e rëndësishme që KED të procedojë me vakancat e mbetura në Gjykatën Kushtetuese sapo Gjykata e Lartë t’i ketë hapur.
“Takova Kryetarin e Këshillit të ri të Emërimeve në Drejtësi, z. Ervin Pupe, së bashku me ambasadoren e SHBA në Shqipëri. Unë e përgëzova Këshillin e ri, i urova sukses në punën e tyre dhe konfirmova mbështetjen e fortë të BE-së, përfshirë edhe ndihmën tonë teknike. Është e rëndësishme që sapo Gjykata e Lartë të ketë hapur vakancat e mbetura për Gjykatën Kushtetuese, KED do të jetë gati të procedojë, në mënyrë që të sigurojë funksionalitetin e plotë të GJK sa më shpejt të jetë e mundur në muajt e ardhshëm”, shkruan Soreca.
Edhe ambasadorja Yuri Kim lidhur me takimin ka shkruar se duke punuar bashkë KED, Presidenca dhe Parlamenti bënë të mundur që Gjykata Kushtetuese të ishte funksionale nga fundi i 2020.
“Duke punuar bashkë, KED, Presidenca dhe Parlamenti arritën ta bënin funksionale Gjykatën Kushtetuese nga fundi i 2020. Tani është koha që Gjykata e Lartë të arrijë kuorumin në mënyrë që të mbushen vendet vakante në GjK dhe vetë Gjykata e Lartë të jetë tërësisht funksionale. Le të ecim përpara, hap pas hapi", shkruan KIm.
Tashmë, shkruan më tej Kim, ka ardhur koha që të arrihet kuorumi në Gjykatën e Lartë, për të mbushur vendet vakante në Kushtetuese.