Ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca, ditën e sotme i ka dorëzuar raportin e Komisionit Evropian, kreu të Partisë Demokratike, Lulzim Basha me të cilin zhvilloi edhe një takim.
Soreca ka theksuar se roli i opozitës është thelbësor në monitorimin e zbatimit të rekomandimeve të përfshira në Raport, duke shtuar se gjatë takimit së bashku me Bashën kanë diskutuar edhe çështje që lidhen me Partinë Demokratike.
"Sot isha i lumtur të dorëzoja raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë, kryetarit të PD-së, Lulzim Basha.
Roli i opozitës është thelbësor në monitorimin e zbatimit të rekomandimeve të përfshira në Raport. Ne patëm një diskutim të plotë edhe për PD-në…”, shkruan ambasadori i BE në rrjetin e tij social twitter.
Pas kryedemokratit Basha, ambasadori i BE-së, Luigi Soreca i dorëzoi raportin vjetor të Komisionit Evropian, presidentit Ilir Meta.
Meta është shprehur se funksionimi i institucioneve demokratike, respektimi i të drejtave themelore dhe sundimi i ligjit mbeten prioritete parësore për Shqipërinë dhe procesin e saj të anëtarësimit në BE, duke shtuar se duhen përpjekje të shumëfishta që ky proces të ecë më shpejt.
Përmes rrjetit të tij social Facebook, presidenti ka shkruar se ruajtja e perspektivës evropiane për Ballkanin Perëndimor është kyç për paqen, stabilitetin dhe mbizotërimin e sistemit demokratik, si alternativa më e mirë e qeverisjes.