Zgjedhjet parlamentare ishin një test Shqipëria e kaloi me sukses. Kështu deklaroi ambasadori i BE-së Luigi Soreca, teksa u shpreh se janë plotësuar të gjitha kushtet për të mbajtur Konferencën Ndërqeveritare, ku pritet të merret dhe vendimi për çeljen zyrtare të negociatave.
"Sa i përket Bashkimit Europian, ne mund të themi se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet për të mbajtur Konferencën Ndërqeveritare. Shtetet anëtare do të marrin vendim në javët në vijim,ne mendojmë se ka ardhur koha që ky vendim të merret dhe ne vazhdojmë të besojmë se BE-ja nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor".
Soreca citoi raportin e OSBE/ODIHR, kur tha se 25 prilli kaloi pa probleme, ndërsa parregullsitë e pretenduara nga opozita duhet të ndjekin rrugën institucionale.
"Ne konsideronim provim ditën e zgjedhjeve, pra mënyra se si do të shkonte dita e zgjedhjeve dhe në fakt raporti paraprak i OSBE/ODIHR e tha qartë: Dita e zgjedhjeve ka ecur në mënyrë të rregullt, pa probleme. Pra për ne test ishte dita e zgjedhjeve! Shumë e rëndësishme ishte se si do të zbatohej Kodi Zgjedhor. Ndërsa për opozitën e kam thënë dhe do e përsëris që çdo parregullsi duhet të ndiqet në mënyrë institucionale".
Ambasadori i BE në Soreca ashtu si në rastin e shpalljes “Non Grata” të ish presidentit Sali Berisha, nuk ka pasur koment për komisionin parlamentar për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.
‘Nuk kam një koment për këtë çështje të brendshme të Shqipërisë.’- tha Soreca.
Këto komente politike Soreca i ka bërë nga Përmeti ku ndodhej në kuadër të turit të “Javës së Europës. Ai vizitoi panairin me punime të të rinjve vendas, produkte artizanale dhe takoi zyrtaret lokale.
Gjatë vizitës në Përmet, ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca është surprizuar nga një e re. Ajo i ka marrë mikrofonin Sorecës dhe i ka thënë se në të ardhmen e sheh veten si prokurore për të dhënë kontribut në forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.
“Momenti i ditës në # Përmet ishte kur kjo vajzë e re mori Mikrofonin dhe më tha: “Për 15 vjet e shoh veten si prokurore për të dhënë kontributin tim në forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri”. Me të rinj të tillë të përkushtuar Shqipëria ka një të ardhme të ndritur përpara”, shkruan Soreca.
Postimin e ambasadorit e ka shpërndarë edhe ambasadorja Yuri Kim dhe shkruan “Bravo”.