I dërguari i Posaçëm i BE për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen do të vizitojë këtë të hënë Kosovën, vizita e tij e parë që kur mori këtë post dhe zëvendësoi Miroslav Lajçak.
Sorensen do të pritet nga presidentja Vjosa Osmani në orën 09:45 ndërsa më pas është parashikuar që të mbajë një takim me kryeministrin në detyrë Albin Kurti në orën 10:30. Pas takimit me Kurtin, emisari i BE-së do të takohet edhe me zëvendëskryeministrin në detyrë, Besnik Bislimi.
Sorensen viziton Kosovën për vazhdimin e dialogut me Serbinë, i cili ka “ngecur” prej muajsh. Ndër temat e para që do të mund të diskutohen është edhe zbatimi i Deklaratës për të Pagjeturit, për të cilën palët kishin rënë dakord por takimi i fundit në Bruksel në nivel të ekspertëve dështoi.
Vizita e Sorensen shoqërohet me deklarata dhe mesazhe të rëndësishme në lidhje me angazhimin e BE-së në proceset politike dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Komente
