Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, kreu i PL Ilir Meta e ka cilësuar gjendjen e punëtorëve në Shqipëri si dramatike dhe të përkeqësuar nga politikat e qeverisë aktuale.
Kryetari i Partisë së Lirisë akuzon qeverinë se ka braktisur punëtorët, duke i lënë në një marrëdhënie shfrytëzimi, pa kontrata të rregullta, pa sigurime shëndetësore apo kontribute pensioni.
'Sot, më 1 Maj, të gjithë ne nuk mund të harrojmë kurrë se me punën, mundin dhe energjinë e tyre, punëtorët kanë një kontribut thelbësor për zhvillimin, mirëqenien dhe përparimin e vendit, si dhe për përballimin e situatave më të vështira ekonomike, me të cilat Shqipëria është përballur ndër vite. Por, mjerisht, edhe ky 1 Maj i gjen punëtorët në Shqipëri me nivelin më të ulët të pagës në Ballkan dhe në Europë.
Mjerisht, edhe fuqia punëtore më e kualifikuar largohet masivisht, për shkak të kushteve të këqija të punës, mungesës së vlerësimit të meritokracisë dhe mungesës së shpresës. Puna e keqpaguar, me orë të gjata, pa kontrata të rregullta dhe kontribute pensioni, pa sigurim shëndetësor dhe të drejta për pushim me pagesë, e zhvesh punëtorin nga dinjiteti dhe e vendos në një marrëdhënie shfrytëzimi. Kjo është një situatë kritike, për të cilën Narkoqeveria nuk bën asgjë, sepse i urren dhe i përbuz punëtorët’, shkruan ai.
Meta thotë se programi i partisë që ai drejton do të garantojë shpërblim dinjitoz për punëtorët, mbështetje për prodhimin vendas dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
‘Me Programin e Shqipërisë Madhështore, ne i japim fund dramës së shpopullimit, por edhe shpërblejmë në mënyrë dinjitoze punën dhe njerëzit e punës, mbështesim me forcë meritokracinë, mbështesim dhe subvencionojmë në mënyrë të jashtëzakonshme prodhimin vendas, garantojmë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe një Shqipëri si fuqi eksportuese. Në Shqipërinë Madhështore, 1 Maji do të jetë realisht një ditë feste dhe jo më një ditë trishtimi’, tha ai.
Komente
