1 Maji është dita ndërkombëtare e punëtorëve. Pothuajse në të gjithë botën kjo ditë synon të kujtojë angazhimin e lëvizjeve sindikale për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës. Kjo ditë, ju referohet protestave të punëtorëve, për orar të punës 8 orë, për paga mesatare të garantuara, për pajisje mbrojtëse në vendin e punës.
Historia e 1 majit
1 Maji lidhet ngushtë me protestat e përgjakshme të dhjetëra mijëra punëtorëve të fabrikave të Çikagos në Amerikë, me 1 maj 1866, ku punëtorët kërkonin të drejtat e tyre në punë. Manifestimi masiv dhe madhështor u bë edhe një vit më vonë, në të njëjtin qytet më 1 maj 1867.
Në vitin 1886, një demonstratë e madhe ndodhi në Amerikë, ku punëtorët kërkonin tetë orë punë. Megjithatë, shpejt demonstrata doli jashtë kontrollit dhe në Çikago dhe shumë njerëz u lënduan. Ky incident u bë i njohur si Çështja Haymarket dhe shënoi fillimin e Ditës Ndërkombëtare të Punës.
Mbi 200 000 punëtorë, të mbledhur në sheshin qendror të Çikagos, do të nisnin grevat për të kërkuar të drejtat e tyre. Ndërkohë që gazetat do t’i vlerësonin ato si “absurde”. Vdekja e 7 policëve gjatë protestave, të nisura prej shumë ditësh, ishte shkaku i reagimit të Policisë së Çikagos ndaj lëvizjes së punëtorëve. Si pasojë e një bombe të hedhur nga forcat policore u vranë 8 udhëheqësit kryesorë të federatës së punëtorëve, duke e kthyer kështu majin në muajin e përkujtimit të përpjekjeve të punëtorëve për të fituar të drejtat e tyre.
Në vitin 1889, shumë parti socialiste në Evropë u mblodhën dhe vendosën të festojnë 1 majin si Ditën Ndërkombëtare të Punës.
Rëndësia e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve
Kjo ditë na ndihmon të njohim kontributin e punëtorëve dhe klasës punëtore në zhvillimin e shoqërisë dhe të vendit. 1 maji gjithashtu i nxit punëtorët të mësojnë për të drejtat e tyre dhe të ‘luftojnë’ për kushte pune më të mira.
Presidenti Bajram Begaj përcolli një urim për të gjithë qytetarët që punojnë, veçanërisht ata që kanë profesione të vështira. Mesazh urimi përcolli edhe kandidati për PS, Blendi Gonxhja teksa theksoi se në vend janë të punësuar mbi 1.3 milion njerëz.
Foto: Blendi Gonxhja
Kandidati i PS për Tiranën, Blendi Gonxhja në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, përcolli një mesazh urimi të gjithë qytetarët.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Gonxhja shprehet se kjo ditë është për të gjithë njerëzit që punojnë pa rreshtur për një të ardhme sa më të mirë të vendit tonë.
"1 Maji, një ditë që nderon të gjithë ata që me punë e përkushtim ndërtojnë Shqipërinë e së ardhmes. Kemi përmirësuar kushtet e punës dhe rritur pagat, por mbetet ende për të bërë. MEKI mbetet e angazhuar për më shumë mundësi punësimi dhe mbrojtje të të drejtave të punëtorëve", shkroi Gonxhja në Facebook, krah një foto teksa nënvizon se mbi 1.3 milion njerëz në vend janë të punësuar.
Foto: Bajram Begaj
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, sot, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, iu drejtua me një mesazh urimi të gjithë qytetarëve shqiptarë që jetojnë e punojnë me punë të ndershme.
Përmes një kartoline në profilin zyrtar në facebook, Presidenti uroi punëtorët për 1 Majin, duke nderuar dinjitetin e punës dhe në veçanti profesionet e vështira.
Kreu i Shtetit shprehu ndaj tyre falënderim për kontributin që japin në ekonominë e vendit.
“Urimet e mia në këtë 1 Maj për të gjithë njerëzit e punës! Sot ne nderojmë punën e vështirë e të ndershme dhe përkushtimin ndaj saj, nderojmë dinjitetin e punës dhe kontributin që punëtorët kanë në ekonominë shqiptare. Për të gjithë punëtorët: Faleminderit!” - shkruan Presidenti Begaj.
Komente
