Foto ilustruese

Sot 1 qershori, festa dedikuar buzëqeshjeve të fëmijëve në të gjithë botën! Ministrja e Shëndetësisë: Zgjerojmë programet për shëndetin e fëmijëve në shkolla

1 Qershor 2022, 07:15| Përditesimi: 1 Qershor 2022, 15:07

  • Share

Sot është dita ndërkombëtare e fëmijëve. Kjo ditë, 1 qershori, është një festë e madhe e dedikuar tërësisht buzëqeshjeve dhe lumturisë së vogëlushëve kudo në botë. Por nuk është vetëm një ditë festive, por edhe në një ditë sensibilizimi, për t'i thënë jo dhunës dhe abuzimit ndaj fëmijëve.

Teksa falenderoi shkollat dhe stafet mjekësore për angazhimin për dy programet  me rëndësi në shëndetin e fëmijëve, atë të shikimit dhe kujdesit oral, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se këto programe kombëtare në shkolla lehtësojnë edhe prindërit nga kontrollet rutinë që duhet të kryenin për fëmijët e tyre. 

Në fakt 1 qershori e ka origjinën nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina. Dita e fëmijëve u vendos në datën 1 qershor, sepse në këtë datë është mbajtur Konferenca Botërore e Mirëqenies së Fëmijëve në Gjenevë, në vitin 1925. Në të njëjtën ditë, përkoi që konsulli i përgjithshëm kinez në San Francisko mblodhi së bashku një numër të konsiderueshëm fëmijësh jetim kinezë të celebronin në festivalin e “Anijes së Dragoit”.

Dy vjet më pas Festa e 1 qershorit filloi të festohet në të gjithë botën.

Vendet të cilat e festojnë Ditën Botërore të Fëmijëve më datën 20 nëntor e bëjnë këtë në përkujtim të Deklaratës për të Drejtat e Fëmijëve miratuar nga ana e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 20 nëntor të vitit 1959. Në Shqipëri, Kosovë dhe mbarë botën, kjo ditë u kushtohet fëmijëve, me organizime dhe aktivitete të larmishme. Shumë vende të botës e kanë pranuar atë si festën ndërkombëtare të fëmijëve dhe realizojnë festime të cilat kanë si qëllim të rrisin vëmendjen në drejtim të mirëqenies së tyre.

Kjo ditë lumturon fëmijët dhe prindërit e tyre kur shohin se fëmijët me buzëqeshjen e tyre të ëmbël. Pra, të gjithë fëmijët kanë të drejta të barabarta. Për festën e fëmijëve kanë reaguar dhe Ministrja e Shëndetësisë, Ministrja e Arsimit dhe kryeministri Edi Rama. Ministrja Ogerta Manastirliu tha se do të vijojnë programet për shëndetin e fëmijëve në shkolla. 

Ora 18:31
Kryemadhi bëhet nostalgjike, poston foto të saj kur ishte e vogël dhe i recitonte Enver Hoxhës


Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi për 1 qershorin është bërë nostalgjike për fëmijërinë e sajd he ka publikuar edhe një foto, teksa ka qenë në Kopësht, teksa recitonte vjershën e dedikuar për Enver Hoxhën.  

"Ne jemi lule të bukura të nënës Shqipëri! Partia, xhaxhi Enver na ka gjithnjë në gji"  shkruhet mbi foton e publikuar nga Kryemadhi.

Ajo ka gjetur që në këtë ditë të kujtojë edukatoret e saj.

"Ja dhe unë duke recituar, në 1 Qershor 1978. Me respekt për edukatore Dianën, Engjëllushën, Melitën dhe të gjithë personelin e Kopështit nr.9 në Tiranë.  Foto e marrë nga Revista Yllka", shkruan Kryemadhi.

Ora 15:01
Sot 1 Qershori, Rama: Thumana e Rilindur, destinacion për aktivitete sportive e kulturore! Lë pas një herë e mirë të shkuarën

 

Sot është 1 Qershori dhe fëmijët e Thumanës janë në shkolla të rindërtuara për të vijuar mësimin si më parë. Kryeministri Edi Rama ka ndarë disa fotografi nga aktivitetet e organizuara gjatë ditës së sotme me rastin e festës së 1 Qershorit në Thumanë.

 “Thumana e Rilindur tani është kthyer edhe në destinacion për aktivitete sportive e kulturore duke lënë pas një herë e mirë të shkuarën”, shkroi Rama.

Në Thumanë ka marrë tashmë jetë qyteza e rindërtuar krejt e re, që u dëmtua nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit 2019 dhe tashmë shtëpitë e pallatet e reja i kanë dhënë një tjetër pamje.

Ora 12:48
Ministrja e Shëndetësisë: Shëndeti i pari, zgjerojmë programet për shëndetin e fëmijëve në shkolla për sytë dhe dentistrinë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, bashkë me Ministren e Arsimit Evis Kushi, Ministren e Rinisë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi dhe Drejtuesin e UNICEF për Shqipërinë, Dr. Roberto de Bernardi, kanë marrë pjesë në aktivitetin e zhvilluar në kuadër të 1 Qershorit, me fëmijë të të gjitha komuniteteve.

Duke uruar të gjithë fëmijët për festën e 1 Qershorit, Manastirliu tha se të gjitha institucionet janë bashkë për të siguruar mirërritje,  arsimim dhe një të ardhme më të mirë për të gjitha kategoritë e fëmijëve.

“Ne jemi këtu për të bashkuar forcat që e ardhmja juaj të jetë më e mirë. Ne ndoshta me të gjitha këto që po ndodhin nuk do jemi dot të aftë të parashikojmë cfarë do të ndodh në të ardhmen, por për një gjë jemi të aftë, jemi të aftë që të përgatisim fëmijët për t’u përballur me të nesërmen. Gëzuar 1 Qershorin”, - tha Manastirliu në mesazhin e  saj drejtuar fëmijëve.

Teksa falenderoi shkollat dhe stafet mjekësore për angazhimin për dy programet  me rëndësi në shëndetin e fëmijëve, atë të shikimit dhe kujdesit oral, Manastirliu tha se këto programe kombëtare në shkolla lehtësojnë edhe prindërit nga kontrollet rutinë që duhet të kryenin për fëmijët e tyre.

‘Kemi filluar një program të kujdesit për sytë në shkolla. Kujdesi shëndetësor në shkolla ka filluar të jetë jo vetëm nëpërmjet programve të vogla por edhe nëpërmjet programeve kombëtare. Ku të gjithë nxënësit në shkolla nga klasa e parë deri në klasën e nëntë të mundet të kontrollojnë shikimin. Gjiathashtu kemi  edhe një program të kujdesit për dhëmbët sepse aty mësojmë se si të kujdesemi për shëndetin oral, tek denstisti i shkollës fëmijët mund të marrin shumë shërbime të nevojshme dhe kështu edhe prindërit lehtësohen nga kontrollet rutinë që duhet t’u nënshtrohen fëmijët e tyre’, -tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu ka vënë theksin tek dita e sotme si tepër e rëndësishme për një mjedis të shëndetshëm, nga ku do të nisi të ndalohet me ligj përdorimi i qeseve plastike.

“Sot është një ditë e veçantë se 1 Qershori më të vërtetë është dita e fëmijëve por sot në 1 Qershor në bëjmë edhe një hap më shumë për shëndetin e fëmijëve dhe për një botë më të pastër, më të mirë duke hequr nga përdorimi qeset plastike”, - nënvizoi Manastirliu.

Në aktivitet kanë marrë pjesë edhe Ministrja e Arsimit Evis Kushi, Ministrja e Rinisë dhe Fëmijëve Bora Muzhaqi dhe Drejtuesi i UNICEF për Shqipërinë, Dr. Roberto de Bernardi të cilët kanë uruar fëmijët për festën e 1 Qershorit. Aktiviteti u realizua me organizatat e shoqërisë civile, me synim rritjen e ndërgjegjësimit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve.

Ora 12:42
Sot 1 qershori, Meta: Një ditë e veçantë feste dhe gëzimi

Presidenti Ilir Meta ka uruar fëmijët për festën e 1 qershorit.

 “Gëzuar 1 Qershorin të gjithë fëmijëve! Një ditë e veçantë feste dhe gëzimi që na kujton sot rëndësinë dhe misionin tonë për t’u garantuar një jetë në paqe dhe në lumturi, mirëqenie, më shumë kujdes shëndetësor, arsim cilësor, një mjedis më të sigurt dhe më të ndjeshëm që nuk lejon abuzimin e tyre, mundësi dhe shanse të barabarta për të realizuar ëndrrat e tyre shumëngjyrëshe drejt sukseseve në të gjitha fushat e jetës. Çiltërsia, kreativiteti dhe energjia pozitive e tyre duhet të jetë udhërrëfyesi për të ndërtuar vizionin tonë për të ardhmen.  Gëzuar festën dhe 1 Qershor qoftë çdo ditë e fëmijëve tanë”, shkruan Meta.

Ora 12:10
Sot 1 qershori, Gledis Nano: Detyrë dhe përgjegjësi e jona t'i mbrojmë fëmijët, t'i udhëzojmë dhe t'i duam me gjithë fuqinë tonë, janë thesaret më të mëdha që kemi

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka uruar fëmijët me rastin e festën  së 1 qershorit, duke kujtuar përgjegjësinë e të gjithëve për t’i mbrojtur, t’i udhëzuar dhe për t’i dashur të gjithë fëmijët.

“Falë fëmijëve, bota fiton shkëlqimin më reflektues, që i përngjason rrezeve të diellit, nëpërmjet të cilave lind e nesërmja me dritën e saj, zërat e hareshëm dhe me dashurinë pa kushte. Është detyrë dhe përgjegjësi e jona t'i mbrojmë, t'i udhëzojmë dhe t'i duam me gjithë fuqinë tonë fëmijët, sepse ata janë thesaret më të mëdha që kemi.   Në ditën e tyre, i uroj përzemërsisht pjesës më të mirë të vendit tonë, Gëzuar 1 Qershorin, ditën e fëmijëve, këtë ditë, e cila, qoftë edhe për një çast, na rikthen të gjithëve në fëmijëri, në kohën kur gjithçka shfaqet me ngjyrat e së vërtetës”, shkruan Nano.

Ora 09:44
Ministrja e Arsimit uron 1 qershorin, thirrja për mësuesit: Të shtojmë përpjekjet për t’i falur nxënësve sa më shumë përkujdesje dhe arsimim cilësor

1654069659_Capture.JPG

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka uruar fëmijët për festën e 1 qershorit dhe i ka bërë thirrje mësuesve që të shtojnë përpjekjet për t'i falur nxënësve më shumë përkujdesje dhe arsim cilësor.

"Bashkë me urimin për fëmijët kam edhe një thirrje për të gjithë mësuesit tanë, ju që i ndiqni që në hapat e parë nxënësit dhe keni një ndikim të jashtëzakonshëm në jetën e tyre. 

Mbrojtja dhe sigurimi i një të ardhmeje sa më të mirë është përgjegjësia jonë e përbashkët, prandaj le t’i shtojmë përpjekjet për t’u falur nxënësve sa më shumë përkujdesje, dashuri, arsimim cilësor e të barabartë, ashtu siç ata e meritojnë.

Fëmijë të dashur, faleminderit që i jepni dritë jetës sonë!", shkroi Kushi.

Komento

Komente

  • Viçidoli: 01/06/2022 20:45

    More ku janë këta analisto-opininistët e medias,se kur një ish veteran me foton e E.Hoxhës u pasqyrua në media për ditën e çlirimit këta dhe e ashtuquajtura opozitë bënë namin ,sot që teta Mona me zë e figurë reciton dhe pasqyron nastalgjinë për atë kohë të gjithë heshtin,hipokrizi mediatike deri në pështirosje.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?