VIDEO/ Sot 13 vite pas krimit shtetëror të 21 janarit, plaga që vetëm drejtësia mund ta mbyllë! Familjarët e viktimave: SPAK të nisë hetimet

21 Janar, 08:28| Përditesimi: 21 Janar, 08:51

  • Share

Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika. 4 protestues të pafajshëm u vranë 21 janarin e vitit 2011 në bulevard, përpara kryeministrisë të udhëhequr nga Sali Berisha në atë kohë, me Ilir Metën zv.kryeministër.

13 vite më pas, për 4 jetët e humbura, ende nuk është vendosur drejtësi.

Hetimi i Prokurorisë çoi si të pandehur për vrasjet e protestuesve para kryeministrisë, ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendin dhe përgjegjësin e njësisë speciale, Agim Llupo.

Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt ndodhën nga pakujdesia dhe dënoi në vitin 2013 Ndrea Prendin me 1 vit burg, si dhe gardistin Llupo me 3 vite, tashmë prej kohësh, të dy njerëz të lirë. 

E vetmja vrasje që është ende çështje e hapur për drejtësinë shqiptare, është ajo e Aleks Nikës, e cila prej rreth 4 vitesh ‘fle’ në sirtarët e Prokurorisë së Tiranës.

Vrasja e protestuesit nga Lezha mbetet ende pa autor pasi drejtësia shqiptare s’ka mundur të faktojë se nga cila armë u qëllua. Predha që iu hoq viktimës nga trupi në Turqi, ishte shtypur e dëmtuar në atë masë sa ishte bërë e pa ekspertueshme. E njëjta predhë që e la të vdekur Aleks Nikën është dërguar për ekzaminim në Itali. Edhe vrasja e Hekuran Dedës është ende pa autor.

Dosja “21 janari” ka mbërritur në Gjykatën e Lartë. Të bindur se gardës iu dha urdhër për të qëlluar dhe përgjegjës për këtë krim janë Sali Berisha, kryeministër e Lulzim Basha si ministër i Brendshëm i kohës, familjarët e Aleks Nikës nuk e kanë ndalur betejën për hetimin e dosjes së “21 janarit” nga SPAK.

Dy shkallë të drejtësisë, Gjykata e Apeli i Posaçëm ia rrëzuan njëra pas tjetrës kërkesën, por familjarët s’u ndalën dhe bënë rekurs në Gjykatën e Lartë duke kërkuar që të urdhërojë SPAK-un të nisë hetimet.

Për të ndërmarrë hapa të mëtejshëm në lidhje me dosjen 21 janari, kreu i SPAK, Dumani ka deklaruar se është një pritje se çfarë do të dalë nga hetimet e Prokurorisë së Tiranës, për të cilën nga ana tjetër, familjarët e Aleks Nikës thonë se nuk ka bërë asnjë veprim për të zbardhur ngjarjen.

Në pritje që Gjykata e Lartë të shprehet mes stokut të dosjeve të pluhurosura, një thirrje ulëritëse ndaj SPAK-ut vjen nga Gjykata e Strasburgut, e cila me vendimin e nëntorit 2023, e bën këtë përvjetor të 13-të të 21 janarit, ndryshe nga të mëparshmit. Me vlerësimin se 21 janari është krim shtetëror që duhet hetuar si i tillë, për të nxjerrë përgjegjësit e vërtetë, ata që urdhëruan gardën të shtijë me armë ndaj turmës së protestuesve, SPAK është përballë sfidës për t’i dhënë fund pritjes së pafundme për drejtësi për vrasjet e katër të pafajshmëve.

Sot në qeveri, figurat më të larta të Partisë Socialiste, protagonistë të protestës opozitare të 13 viteve më parë, me ngritjen e institucioneve të reja të pavarura pas reformës në drejtësi, në bllok kanë bërë thirrje që SPAK të marrë çështjen në dorë si vrasje shtetërore.

Një nga të plagosurit gjatë protestës së 21 janarit, është edhe gazetari Fatos Mahmutaj i cili në intervista të shumta nga Bruksel është shprehur i bindur se urdhrin e ka dhënë ish-kryeministri i asaj kohe, Sali Berisha.

Për SPAK mbetet detyrë dhe sfidë për besimin e qytetarëve në drejtësi, të zbulojë kush dha urdhrin për tu qëlluar mbi turmën apo kush fshiu serverët e kryeministrisë për të mos pasur asnjë provë për vrasësit e tyre.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?