Ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova

Sot 16 vite pa Ibrahim Rugovën, amaneti i fundit që la për Kosovën: Mos e prishni miqësinë me SHBA-të! Osmani: Udhërrëfyes se si punohet për shtetin

21 Janar 2022, 09:44| Përditesimi: 21 Janar 2022, 21:08

  • Share

Sot shënohet 16-vjetori i vdekjes së ish-presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ky i fundit ndërroi jetë më 21 janar të vitit 2006, pas një beteje me kancerin në mushkëri. Ai u dërgua në banesën e fundit me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.

Në përvjetorin e 16-të të vdekjes së tij do të bëhen homazhe në Velani. Ndërkaq në ora 14:00 në Gjilan do të mbahet edhe një ceremoni përkujtimore. Para se të vdiste, Rugova kishte lënë amanet, që Kosova të mos i prishë miqësitë me vendet e fuqishme në radhë të parë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe që të kishte kujdes nga disa vende të tjera.

Në përvjetorin e parë të vdekjes së Ibrahim Rugovës, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e dekoroi Rugovën me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës.

Kush ishte Ibrahim Rugova?

Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë të Komunës së Istogut. Më 10 janar 1945, komunistët jugosllavë ia pushkatojnë të atin, Ukë Rugova dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave që po depërtonin gjatë Luftës së Dytë Botërore në krahinën e Rugovës. Ibrahim Rugova mbaroi shkollimin e mesëm në Pejë më 1967. Diplomoi në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prishtinës më 1971.

Rugova qëndroi gjatë një viti akademik (1976-77) në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Ibrahim Rugova mori doktoratën në letërsisë në Universitetin e Prishtinës më 1984. Më 1996, Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Kosovës. Po në këtë vit ai u shpall doktor nderi i Universitetit të Parisit VIII në Paris.

Autor i dhjetë librave, Dr. Ibrahim Rugova ishte në nismëredaktor në gazetën e studentëve “Bota e re” dhe në revistën shkencore “Dituria” (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Pastaj për afro dy dekada, Dr. Rugova punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës si hulumtues i letërsisë. Për një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës “Gjurmime albanologjike”, që e nxirrte ky Institut.

Dr. Rugova është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës më 1988, e cila u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare që po kundërshtonte sundimin komunist serb/jugosllav në Kosovë. Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Dr. Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989 kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë që e sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.

LDK-ja u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit, edhe pse në ndërkohë u shfaqën në skenë dhe parti e grupe të tjera. Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, LDK-ja, në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, përmbylli kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës.

Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës mbajtur në fund të shtatorit të vitit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhjet presidenciale në Republikën e Kosovës më 24 maj 1992.

Presidentja e Kosovës, Vosa Osmani ka përkujtuar sot në 16-vjetorin e vdekjes së tij, Ibrahim Rugovën, ish-presidenti historik i Kosovës. Osmani shkruan në rrjete sociale se Rugova është fytyra e shtetit dhe do të ndjekin këshillat e tij për vendet mike me Kosovën.

Ora 21:06
Meta përkujton Ibrahim Rugovën: Ideatori i realizimit të pavarësisë së Kosovës

Presidenti Ilir Meta ka përkujtuar presidentin Ibrahim Rrugova.

“Sot kujtojmë ditën kur Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova kaloi në përjetësi 16 vite më parë. Ideatori dhe vizionari i realizimit të projektit të lirisë, pavarësisë dhe përcaktimit euroatlantik të Kosovës do kujtohet me nderim si modeli më i mirë i urtësisë, durimit dhe largpamësisë në interesin më të mirë të popullit dhe vendit”, shkruan Meta.

Ora 17:15
Rama përkujton presidentin Rugova: Në çdo vit që kalon ylli i tij rritet në qiellin e kujtesës sonë kombëtare

Kryeministri Edi Rama ka përkujtuar sot ndarjen nga jeta të presidentit Ibrahim Rugova.

‘Në këtë ditë të ngarkuar emocionale të vitit, kujtojmë edhe njeriun e madh të historisë së Kosovës, udhëheqësin më atipik ndër të shquarit e historisë sonë, presidentin e parë të shtetit tjetër të pavarur të shqiptarëve, Ibrahim Rugovën, i cili u nda nga jeta sot e 16 vjet më parë, por në çdo vit që kalon ylli i tij rritet në qiellin e kujtesës sonë kombëtare.’- shkruan Rama,

Ora 16:29
16 vite pa presidentin Ibrahim Rugova, Basha: Simboli i përpjekjeve të Kosovës për pavarësi

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka përkujtuar sot presidentin Ibrahim Rugova.Me anë të një postimi në ‘Facebook’, Basha ka shprehur vlerësime për figurën e liderit historik të Kosovës, i cili mbush sot 16 vite që është ndarë nga jeta.

‘Përulje me mirënjohje kombëtare, shqiptarit që udhëhoqi lëvizjen më të madhe paqësore të Europës moderne. Ne përulemi me mirënjohje të thellë kombëtare në këtë përvjetor të ndarjes nga jeta, para emrit dhe veprës së përjetshme të Ibrahim Rugovës, simbolit të përpjekjeve të Kosovës për pavarësi dhe shqiptarit që udhëhoqi lëvizjen më të madhe paqësore të Europës moderne. Arkitekti i pavarësisë së Kosovës mbetet frymëzim për çdo shqiptar që e ka të shenjtë interesin kombëtar. Trashëgimia e tij politike dhe intelektuale, shndrin si arritja më e madhe e një lëvizjeje politike paqësore, e mishëruar sot në shtetin e pavarur të Kosovës.’- shkruan Basha.

Ora 09:53
16 vite nga vdekja e Ibrahim Rugovës, Vjosa Osmani: Udhërrëfyes se si punohet për shtetin! Do zbatojmë këshillat e tij

1630589532_1630582965vjosaosmani800x4501600x360.jpeg

Presidentja e Kosovës, Vosa Osmani ka përkujtuar sot në 16-vjetorin e vdekjes së tij, Ibrahim Rugovën, ish-presidenti historik i Kosovës. Osmani shkruan në rrjete sociale se Rugova është fytyra e shtetit dhe do të ndjekin këshillat e tij për vendet mike me Kosovën.

"Kur ai foli për shtetin e pavarur të Kosovës, realizimi i idesë dukej jo vetëm i vështirë, por edhe i largët. Ai ishte njeriu që trasoi hapat e bërjes së shtetit, duke shndërruar trinomin: liri, pavarësi dhe demokraci në boshtin e aktivitetit për Kosovën shtet. Që të trija u bënë realitet bashkërisht me shtetin e Kosovës.

Sot, në 16-vjetorin e ikjes në amshim, e kujtojmë me respekt dhe përulësi atin themeltar të shtetit të Kosovës, presidentin historik, dr.Ibrahim Rugova. Ai jo vetëm që punoi për shtetin e Kosovës, por jetoi me këtë ide. Rugova kishte vizion për Kosovën atëherë, por edhe për Kosovën tash.

“Vizioni im është të kemi një Kosovë të pavarur, demokratike, me një shoqëri politikisht tolerante dhe me një ekonomi solide, të integruar në Bashkimin Evropian, NATO dhe t’i vazhdojmë marrëdhëniet tona të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, kishte thënë në një nga deklarimet e tij me bindjen e plotë se “pavarësia e Kosovës duhet dhe do të njihet plotësisht”.

Emri i presidentit Rugova është përbrendësuar në secilin damar të shtetit. Fytyra e shtetit është ai. Shtetin do të vazhdojmë ta mbajmë me miq, siç këshillonte ai, e Rugovën do ta mbajmë si udhërrëfyes se si punohet për shtet."-shkruan Osmani.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Heroi: 21/01/2022 16:37

    Per 21 Janarin??? Apo qe deshe!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?