Sot 26 vite nga vrasja e deputetit Azem Hajdari, homazhe nga opozita! Çfarë i tha truproja Berishës në spital? Si ndodhi atentati i 12 Shtatorit 1998, detajet e panjohura

12 Shtator, 09:49| Përditesimi: 12 Shtator, 15:58

  • Share

Sot bëhen 26 vite (12 Shtator 1998) nga vrasja e deputetit demokrat Azem Hajdari afër selisë së PD-së, pas një konflikti që hetimet më shumë se politik e nxorën si një debat dhe sherr të nisur hershëm mes familjes Haklaj dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, për periudhën kur ishte kreu i PD-së në opozitë.

PD dhe opozita, së bashku me familjen mbajnë sot homazhe dhe përkujtimore te memoriali i “Pishtarit të Demokracisë”, për të kujtuar veprën e tij. PD dhe Berisha gjithmonë kanë akuzuar Partinë Socialiste dhe drejtuesit e saj në atë kohë si Fatos Nano apo Ilir Meta, ish-kreun e SHISH Fatos Klosi dhe ish-kryeparlamentarin Skënder Gjinushi.

Por hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda zbuluan se të përfshirë ishin Fatmir Haklaj, Jaho Mulosmani, Izet dhe Ismet Haxhia, si dhe persona të tjerë mbështetës. Gjatë një procesi që zgjati me vite, disa u vranë në ngjarje të tjera, si Fatmir Haklaj, e të tjerë u dënuan, më i fundit ish-badiguardi i Berishës, Izet Haxhia.

Ky i fundit akuzon diekt ish-presidentin se ishte i përfshirë në konflikte personale me Haklajt, duke kërkuar “kokën” e tyre dhe se fshihej pas vrasjes së një prej vëllezërve në Tropojë. Sipas Haxhisë, sebepi ishte një kasetë që disponohej nga Hajdari dhe që e kishte plaku i Haklajve, i cili kërkonte ballafaqim me Berishën.

Në disa përpjekje të dështuara për të zgjidhur problemin, konflikti duket se kulmoi mbrëmjen e 12 Shtatorit 1998.

Fatmir Haklaj, në atë kohë edhe ish-shef i Komisariatit Tropojë dhe miqtë e tij vendosen me makina para selisë së PD-së të armatosur. Hetimet treguan se ai që u doli për t’i zbutur apo ballafaquar ishte Azem Hajdari me truprojat e tij.

Izet Haxhia ka dëshmuar se para se të dilte, Hajdari ishte në zyrën e Berishës. Sipas tij Haklaj po kërkonte të vriste pikërisht Berishën, por pas bisedës në zyrë duket se ose ka urdhëruar Hajdarin të dalë të ballafaqohet ose ky i fundit mori vetë përsipër këtë çështje, mister ende i pazgjidhur.

Në debat e sipër sipas dosjes hetimore, Fatmir Haklaj vret Hajdarin.

Por më parë kishte qenë Jaho Mulosmani që kishte qëlluar truprojën Besim Çerja, që i kishte kapur automatikun Haklajt duke ia bllokuar. Fatmiri bën qitje të pakontrolluara dhe plagos truprojën tjetër Zenel Neza dhe mikun e tij, Naim Çangu. Më pas vret edhe deputetin Hajdari dhe largohen nga vendngjarja.

Momentet e errëta që lidhin ish-kryeministrin me ngjarjen janë zhdukja e një telefoni dhe bisedës së kryer që Hajdari ka bërë atë ditë, sipas Izet Haxhisë, sekretarja e PD-së që ka qenë dëshmitare e momenteve para se Hajdari të dilte dhe dyshohet se ka pasur dijeni për momentet e fundit.

Një nga pikat e errëta të pasngjarjes, Berisha në spital duke dëgjuar dhe regjistruar me diktofon truprojën e plagosur

Gjithashtu Genc Pollo, në atë kohë sekretar i përgjithshëm i partisë, që ka qenë në seli dhe dyshohet se di detaje për momentin kur Berisha mësoi se Haklajt ndodheshin para selisë.

Por ajo që errësoi më shumë dinamikën dhe hetimet ishte shkuarja e Berishës në spital për të takuar truprojën e Hajdarit, të plagosurin Zenel Neza, duke i vënë veshin afër gojës, bërë pyetje, dëgjuar përgjigjet e panjohura publikisht dhe madje regjistruar me diktofon, kaseta e të cilit nuk dihet se ku ndodhet.

Berisha e dëgjoi dëshminë e Nezës para hetuesve në spital dhe menjëherë pas kësaj deklaroi vrasjen politike, por vetë nuk dëshmoi kurrë në Gjykatë. Mister se çfarë truproja e plagosur i tha atij dhe fjalët që u shkëmbyen gjatë përplasjes. Izet Haxhia këmbëngul se dialogu ka pasur të bënte me kërkimin e Berishës dhe jo Hajdarit, teksa ky i fundit ka nisur dhe debatin me fjalë të ashpra mes palëve.

A.Q//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?