Sot bëhen 27 vite nga vrasja e deputetit demokrat Azem Hajdari afër selisë së PD-së më 12 shtator 1998. Në nderim të tij, kreu i PD-së, Sali Berisha dhe eksponentë të tjerë zhvilluan homazhe pranë monumentit të Azem Hajdarit në qendër të Tiranës.
Duke folur për mediat, Berisha tha se Azem Hajdari është i "gjallë" se kurrë në idealet e shqiptarëve që aspirojnë lirinë dhe dinjitetin njerëzor.
"Idealet e Azem Hajdarit, sot janë më kushtruese, më ftuese se kurrë që nga viti 1990 e gjer në këtë moment, mbasi Shqipëria është zhytur sot në formën më të shëmtuar të diktaturave, që është diktatura e drogës, krimit dhe vjedhjes së shqiptarëve. Sot pluralizmi për të cilin Azem Hajdari dhe studentët liberatorë ecën drejt sakrificave sublime, për rivendosjen në Shqipëri të pluralizmit, defakto është i shtypur, i dhunuar. ", tha ai.
Më tej, shënjestroi qeverinë duke thënë se sot nuk ekziston vota e lirë.
"Sot është një ditë betimi do të thosha për çdo demokrate e demokrat shqiptar, për çdo deputete dhe deputet të PD, për çdo drejtuese dhe drejtues të kësaj partie dhe mbështetësit e saj, që të ngrihemi për të shpëtuar Shqipërinë, për të çliruar Shqipërinë, për të shpëtuar pluralizmin, për të shpëtuar votën e lirë, për të rikthyer votën e lirë, për të shpëtuar fjalën e lirë. Dhe njëherë të gatshëm për çdo çmim, për çdo sakrificë, mbasi liria ka çmim, liria dhe dinjiteti kërkojnë sakrifica.", tha ai.
Në vitin '90, Azem Hajdari ishte një prej figurave kryesore të lëvizjes studentore që çoi në rrëzimin e diktaturës komuniste. Ai është kryetari i parë i PD-së dhe një prej figurave që dominuan jetën politike të vendit deri në 12 shtatorin e vitit 1998 kur mbeti i vrarë para selisë së PD.
Lajm në përditësim...
Kreu i PL-së, Ilir Meta ka përkujtuar Azem Hajdarin në 27 vjetorin e vrasjes së tij. Në një postim në rrjete sociale, Meta shkruan se lidershipi i Hajdarit mbetet një frymëzim për lirinë e demokracinë. Ai thotë se do të mbeten gjithmonë mirënjohës ndaj tij.
“Lidershipi, guximi dhe vepra e paharruar e Azem Hajdarit mbeten frymëzim i pashuar për këdo që është gati të mbrojë me çdo sakrificë Lirinë, Demokracinë dhe Pluralizmin Politik.
Përjetë do t'i jemi mirënjohës Heroit të Demokracisë, Liderit të Lëvizjes Studentore, që me shembjen e mureve të izolimit çeli një epokë të re për Shqipërinë duke sjellë lirinë, pluralizmin e demokracinë, vlera të shenjta që më shumë se kurrë duhet t'i ruajmë si sytë e ballit!
AZEM TI JE GJALLË!”, shkruan Meta.
Komente
