Ishte 2 korriku i vitit 1990, kur mijëra qytetarë shpërthyen portat e ambasadave perëndimore në Tiranë, duke kërkuar liri dhe një të ardhme jashtë regjimit shtypës. Kjo ngjarje shënoi aktin më të guximshëm të revoltës publike ndaj diktaturës komuniste dhe paralajmëroi fundin e një epoke.
Por edhe pse regjimi komunist shqiptar po shembej, Sigurimi i Shtetit vijonte të funksiononte me të njëjtin mekanizëm frikësimi, ndjekjeje dhe infiltrimi.
Dokumentet arkivore të 25 korrikut 1990 tregojnë se regjimi e konsideronte krizën e ambasadave si një kërcënim të madh dhe ndërmori masa të menjëhershme për ndjekjen e qytetarëve të larguar.
Sipas dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, pjesë e fondit arkivor të Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (1944÷1991), afro 4.795 qytetarë hynë në ambasada dhe rreth 3.163 do të largoheshin drejt Gjermanisë Perëndimore.
“Ky është veprim i kryer nga një masë njerëzish me pakënaqësi politike e me pikëpamje kundër pushtetit popullor, njerëz të degjeneruar vjedhës e aventurierë, huliganë e vagabondë që janë dënuar disa herë, njerëz të papunë e me mendimin për tu punësuar jashtë shtetit, njerëz të pakënaqur nga të ardhurat ekonomike, të rinj të paformuar e të gënjyer nga shokët e tyre si dhe njerëz që kanë të afërm dhe të njohur jashtë shtetit”., - shkruhet në këto dokumente.
Në dokumentet sekrete të dosjes, dallohet qartë, frika e pushtetit komunist se kjo masë njerëzish do të shndërrohej në kontingjent armiqësor, që do të përdorej nga kundërshtarët politikë për të goditur regjimin.
"Në Shqipëri ata kanë njerëzit e tyre, familjet, farefisin dhe shokët që në tërësi bëhen me dhjetra mijëra persona. Edhe në këtë rast duhet evituar që përmes tyre, armiku i jashtëm apo i brendshëm, të gjejë një shtresë apo grupe të favorshme penetrimi e veprimtarie kundër popullit e atdheut tonë."- shkruhet në këto dokumente.
Sigurimi i Shtetit, planifikoi dhe mbikqyrjen e refugjatëve, përmes infiltrimit të agjentëve dhe jashtë kufijve.
Agjentët me pseudonimet “6761”, “6759” dhe “1472” u aktivizuan për të: mësuar rreth trajtimit që autoritetet gjermane po u bënin refugjatëve, për të identifikuar tendencat për krijimin e partive politike, për të evidentuar elementët e armiqësuar dhe intelektualët që mund të shfrytëzoheshin, për të gjetur lidhje të mundshme me shërbimet e huaja të zbulimit.
Një prej urdhrave në dokument kërkonte “qoftë edhe duke paguar diçka, të siguroni filmimin e refugjatëve në kampe, kushtet e punës dhe të jetesës, duke theksuar anën negative të problemit.”
Ata kërkonin edhe aktivizimin e “miqve të Shqipërisë”, përfshirë kosovarë e simpatizantë të regjimit për të ushtruar presion mbi refugjatët, si dhe ndjekjen e figurave të emigracionit të vjetër si Leka Zogu, Zef Camaj, Ndue Gjokmarkaj etj., për të mësuar mbi interesat dhe kontaktet e tyre me të ikurit.
Plani i Sigurimit nuk ndalej te ndjekja. Ai synonte edhe kontrollin e çdo përpjekjeje për organizim politik në diasporë, zbulimin e “nxitësve dhe organizatorëve” të 2 korrikut, ndikimin mbi kampet e refugjatëve dhe rekrutimin e elementëve për interesa të Sigurimit.
Dokumentet e korrikut 1990 janë një dëshmi e qartë se kontrolli i regjimit nuk mbaronte në kufi. Edhe pas arratisjes, shqiptarët mbeteshin objekt i ndjekjes, manipulimit dhe frikësimit të organizuar nga një sistem që refuzonte të rrëzohej në heshtje.
Komente

Ky ishte akti ma i turpshëm që kishte parë bota
Përgjigju