Sot 5 Maji, Dita e Dëshmorëve të Kombit që kanë dhënë jetën e tyre për liri, demokraci, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo shqiptari. Në nderim të kësaj dite Presidenti i Republikës, Ilir Meta, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi i shoqëruar nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Bajram Begaj, zhvilluan homazhet shtetërore te Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut. Në një ceremoni të veçantë edhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha bëri nderimet e tij në Varrezat e Dëshmorëve. Ndërkohë që përmes një postimi në rrjetet sociale ka përkujtuar këtë ditë të veccantë edhe kryeministri Edi Rama.
Dita e Dëshmorëve e ka origjinën në 5 maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 e deri me 1945, shteti shqiptar nuk krijoi një status ligjor për dëshmorët e Atdheut. Gjatë luftës Nacional-Çlirimtare, nisen përpjekjet e para, për të nderuar dëshmorët e rënë në fushat e betejave. Pas çlirimit, më 28 gusht 1945, kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, miratoi ligjin Nr. 109 “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”.
Ky ligj sanksiononte trajtimin e familjeve të patriotëve që kishin luftuar e rënë për atdheun edhe para Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, në kohën e Rilindjes Kombëtare, në luftërat për pavarësi, duke shënuar kështu përpjekjen e parë për një ligj integral për dëshmorët e Atdheut. Përpara krijimit të shtetit shqiptar, populli i kujtonte dëshmorët dhe mbante gjallë legjendat e tyre, nëpërmes këngës epike, dhe trashëgimisë të historisë të tyre nga brezi në brez.
Në kohën e komunizmit, 5 Maji u bë traditë. Ishte ditë e shënuar. Tiparin dallues të kësaj dite e përbënin vizitat në varrezat e dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe vizitat në familjet e dëshmorëve. U ndërtuan varreza dëshmorësh në çdo qendër rrethi. Shqipëria, përpos 26 të tillave që ishin në qendrat e rretheve, pati dy të tjera, krejt të veçanta e që u përkisnin dy fshatrave martire, Kuçit të Kurveleshit dhe Pezës së Tiranës. Ndërsa në këtë të fundit përuleshin e nderonin gjithë udhëheqja e partisë dhe shtetit, si në 5 maj, ashtu dhe në 16 shtator, ditën e Konferencës së Pezës, në Kuç, si rregull shkonin nxënësit e shkollës së fshatit dhe familjet e dëshmorëve.
Në nderim të kujtimit të të rënëve për lirinë e vendit çdo vit në Varrezat e Dëshmorëve kryhen homazhe nga krerët më të lartë të shtetit shqiptar çdo vit. Edhe sot pritet të ketë homazhe në nder të tyre.
Në mbarë vendin janë kryer homazhe në nderim të të rënëve në Luftën Nacional- Çlirimtare. Edhe ky 5 Maji e gjeti të ndarë politikën, ku nëpër ceremoni morën pjesë vetëm socialistët. Në Shkodër nuk munguan as simbolet komuniste apo akuzat për kryebashkiaken e djathtë.
Veteranët në Shkodër kanë përkujtuar 5 Majin, ditën e Dëshmoreve. Ashtu si çdo vit tjetër politika ka qene e ndarë ku munguan përfaqësuesit e opozitës dhe të bashkisë. Të pranishëm në ceremoni, krahas Prefektes Majlinda Angoni dhe dhe Kryetarit të qarkut ishin edhe idhtarët e diktatorit Hoxha, të cilët nderuan me simbolet e komunizmit.
Anëtarja e këshillit bashkiak Dhurata Tyli dhe Zamir Llazani, Kryetari i Shoqatës së veteraneve Zamir Llazani hodhën akuza ndaj kryebashkiakes Ademi.
Në Durrës përfaqësues të veteranëve të luftës, kryebashkiakja Sako, prefekti Nasto dhe deputetë të qytetit kryen homazhe në Mauzoleumin e Dëshmorëve. Të pranishmit kanë parakaluar përpara pllakave përkujtimore të heronjve dhe dëshmorëve të Durrësit.
Nën tingujt e bandës frymore të qytetit,u kryhen homazhe dhe u vendosën kurora me lule pranë memorialit dhe varrezave ku prehen të rënët në qytetin e Beratit. Në ceremoni morën pjesë drejtues të pushtetit vendor, familjarë të dëshmorëve dhe veteranë të LANÇ, ndërsa kanë munguar përfaqësuesit e së djathtës.
5 Maji është përkujtuar dhe në qytetin e Fierit ku janë vendosur kurora me lule në obeliskun e varrezave te deshmoreve. Merrnin pjesë zv/ministri i Mbrojtjes, Petro Koci, kryebashkiaku Armando Subashi dhe deputetë të PS-së. Në nderim të dëshmorëve u bënë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të rindërtuara në qytetin e Kukësit.
Më 5 maj, ditën e “Dëshmoreve të Atdheut” ambasada amerikane në Tiranë, ka nderuar kujtimin e të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e Shqipërisë. Në postim nënvizohet se duhet kujtuar gjithmonë, guximi, përkushtimi dhe sakrificat e tyre.
“Në Ditën e Dëshmorëve Shqiptarë nderojmë kujtimin e të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e Shqipërisë. Le të kujtojmë gjithmonë guximin, përkushtimin dhe sakrificat e tyre”, shkruhet në postimin e ambasadës.
Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka përcjellë një mesazh pas homazheve që kreu tek Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut. Xhaçka shpreh mirënjohjen dhe respektin për të gjitha ata që dhanë gjakun për atdheun dhe e vendosën Shqipërinë në anën e duhur të historisë.
"Mirënjohje e respekt pafund për të gjithë ata djem e vajza, burra e gra që me gjakun e jetës dhe tyre e vunë Shqipëria në një tjetër e duhur për historinë. Nuk mjafton të përulemi përpara sakrificës së tyre. Ata dhanë jetën për këtë vend, për një Shqipëri më të mirë, dhe nuk ka mënyrë më të mirë të denjë për t'i respektuar dëshmorët në këtë ditë e çdo ditë, sesa duke punuar fort për ta bërë realitet Shqipërinë që ata ënderruan", shkruan Xhaçka.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi i shoqëruar nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Bajram Begaj, zhvilluan sot homazhet shtetërore te Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut me rastin e 5 Majit.
Presidenti Ilir Meta në një prononcim të shkurtër për mediat, tha se kjo është një ditë e rëndësishme jo vetëm për të kujtuar të rënët për lirinë e vendit por edhe për tu angazhuar për të bërë më shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët.
"Sot në këtë ditë kaq të rëndësishme në historinë tonë, në ditën e Dëshmorëve dhe të heronjve, në ditën kur udhëheqësi i rinisë antifashiste Qemal Stafa dha jetën për lirinë e Atdheut kujtojmë jo vetëm Qemal Stafën por edhe Margarita Tutulanin, Vojo Kushin, Perlat Rexhepin dhe gjithë e gjithë bijtë dhe bijat më të mirat e kësaj toke që bënë sakrificat më sublime për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë. Sot është dita jo vetëm t'i nderojmë këta heronj dhe heroina të popullit tonë por njëkohësisht që angazhohemi që të bëjmë shumë më tepër që qytetarët shqiptarë të gëzojnë të gjithë liritë që u takojnë në vendin e tyre, në mënyrë që Shqipëria të ketë vendin që i takon sa më shpejt në Bashkimin Evropian dhe sidomos që të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë të kenë një të ardhme evropiane këtu në Atdheun e tyre", tha Ilir Meta.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha nderoi dëshmorët e atdheut në ditën e veçantë të përkujtimit të tyre. Zoti Basha vendosi kurora me lule në monumentin “Nënë Shqipëri”, tek Varrezat e Dëshmorëve”, si dhe u përkul me nderim përpara Heroit të Demokracisë Azem Hajdari. Zoti Basha vendosi lule edhe në nderim të 22 intelektualëve të pushkatuar pa gjyq nga diktatura komuniste pas bombës në ish ambasadën sovjetike, në simbol të nderimit të opozitarizmit dhe shprehjes së lirë.
Po sot kryetari i PD vendosinje kurore me lule në nderim të kapiten Feti Voglit, i cili ra në krye të detyrës në Afganistan, në një mision të Shqipërisë si anëtare me të drejta të plota në NATO. Basha bëri homazhe edhe para efektivëve të policisë të rënë në krye të detyrës në luftë kundër krimit, si dhe vendosi lule ne varrin e Dëshmorit te Atdheut Skerdilajd Llagami, i cili vazhdoi angazhimin çlirimtar edhe me UÇPMB-në, e më vonë edhe me UÇK-në në luftën në Maqedoni, ku edhe ra trimërisht në moshën 32 vjeçare, në malësinë e Tetovës.
Basha ishte i shoqëruar nga 5 përfaqësues të PD, Edmond Spaho, Flamur Noka, Gazment Bardhi, Belind Këlliçi dhe Jorida Tabaku.
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në Ditën e Dëshmorëve të Atdheut ka një mesazh.
Përmes rreshtave të dedikuara për këtë ditë të rëndësishme, Ruçi shpreh respektin dhe nderimin për dëshmorët.
Kryetari i Kuvendit shkruan se ndihet krenar që kontribuoi që Kuvendi i Shqipërisë të përmirësonte ligjin “Për statusin e dëshmorit të atdheut”, për të respektuar e nderuar më shumë dëshmorët, veprën, vlerat, familjet dhe pasardhësit e tyre..
Mesazhi i Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi:
“Çdo 5 maj, Shqipëria, si të gjithë kombet e qytetëruar nderon dëshmorët e saj. Respekti dhe nderimi për dëshmorët është shenjë e pjekurisë dhe fuqisë së një kombi. Respekti për të kaluarën është një investim për të ardhmen.
Sot përulem me respekt para dëshmorëve që ranë për pavarësinë e Shqipërisë.
Para patriotëve që kanë dhënë jetën për mbrojtjen e integritetit territorial, trojeve, lirisë e pavarësisë së atdheut.
Para 28 mijë dëshmorëve partizanë që dhanë jetën për çlirimin e Shqipërisë. Sot kujtoj vizitën në familjen e pasardhësve të njerit prej tyre, i cili me kursimet e fituara nga jeta në mërgim bleu një maliher dhe doli malit partizan.
Përulem para kujtimit të luftëtarëve partizanë të huaj që ranë për çlirimin e Shqipërisë.
Para dëshmorëve të Shqipërisë që dhanë jetën duke luftuar për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.
Para oficerëve e policëve dëshmorë të rënë në krye të detyrës, të cilët i kujtojmë e nderojmë bashkë me fëmijët dhe familjet e tyre.
Para vajzave e djemve të Shqipërisë që kanë dhënë jetën gjatë misioneve paqeruajtëse të NATO-s, në mbrojtje të lirisë së popujve të tjerë dhe të mbrojtjes së paqes e sigurisë nga terroristët.
Para dëshmorëve të kohës sonë që kanë rënë në krye të detyrës për mbrojtjen e jetës së qytetarëve nga krimi dhe mbrojtjen e pronës publike nga fatkeqësitë natyrore.
Çdo kohë ka dëshmorët e saj dhe ne i nderojmë ata duke punuar çdo ditë për idealet e tyre, për Shqipërinë.
Dëshmorët nuk janë më fizikisht. Por me ne janë idealet dhe vepra e tyre. Nuk janë më nënat e dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, por janë mbesat, nipat e stërnipat e tyre. Janë fëmijët e oficerëve dhe policëve të rënë në krye të detyrës. Janë fëmijët, nënat, motrat e vëllezërit e vajzave e djemve të rënë për lirinë e kombeve të tjera, të rënë në luftën kundër terrorizmit e krimit, në luftën për mbrojtjen e qytetarëve dhe pronës publike.
Unë ndjehem krenar që kontribuova që Kuvendi i Shqipërisë të përmirësojë ligjin “Për statusin e dëshmorit të atdheut”, për të respektuar e nderuar më shumë dëshmorët, veprën, vlerat, familjet dhe pasardhësit e tyre.”,
Kryeministri Rama e nis ditën me një urim për 5 Majin, ditën e “Dëshmorëve të Atdheut” duke publikuar foto të monumentit “Nëna Shqipëri”.
“Mirëmëngjes Shqipëri. Respekt përjetësisht”, shkruan kryeministri Rama.
Presidenti Ilir Meta, me rasatin e Ditës së Dëshmorëve nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook”, shpreh mirënjohjen dhe respektin për Dëshmorët e Atdheut të çdo epoke.
“Sot është dita e Qemal Stafës dhe e mijëra të rinjve dhe të rejave, që dhanë jetën për Lirinë e Shqipërisë. Lavdi e përjetshme, nderim, respekt dhe mirënjohjen më të thellë Dëshmorëve të paharruar të Atdheut, të çdo epoke”, shkruan Meta.