Dita e Dëshmorëve e ka origjinën në 5 maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në nderim të kësaj dite Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ministri i Jashtëm Igli Hasani, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, kryetarja e komanduar e bashkisë Tiranë, Anuela Ristani dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu zhvilluan homazhet shtetërore te memoriali 'Nënë Shqipëri', Tiranë.
Kreu i Shtetit nderoi veprën e tyre sublime për atdheun, ndërsa përcolli një mesazh të veçantë për të rinjtë.
“Më 5 Maj, Ditën e Dëshmorëve, përulemi para guximit dhe sakrificës së atyre që dhanë gjithçka për çlirimin e Shqipërisë. Vlerat e tyre, trimëria dhe përkushtimi ndaj lirisë janë trashëgimi e shenjtë. Ne e kemi për detyrë t’i përcjellim brezit të ri këtë flakë atdhedashurie, duke nderuar përjetësisht kujtimin e tyre’, shkruan Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në profilin e tij në Facebook.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale shkroi: " Të paharrueshëm dëshmorët e atdheut".
Nën tingujt e bandës frymore dhe këngëve partizane, në Fier, Vlorë, Durrës, Berat etj., u kryen homazhe në varrezat ku prehen të rënët në Luftën e Dytë Botërore.
Pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 e deri më 1945, shteti shqiptar nuk krijoi një status ligjor për dëshmorët e Atdheut. Gjatë luftës Nacional-Çlirimtare, nisën përpjekjet e para, për të nderuar dëshmorët e rënë në fushat e betejave.
Pas çlirimit, më 28 gusht 1945, kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, miratoi ligjin Nr. 109 “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”.
Ky ligj sanksiononte trajtimin e familjeve të patriotëve që kishin luftuar e rënë për atdheun edhe para Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, në kohën e Rilindjes Kombëtare, në luftërat për pavarësi, duke shënuar kështu përpjekjen e parë për një ligj integral për dëshmorët e Atdheut. Përpara krijimit të shtetit shqiptar, populli i kujtonte dëshmorët dhe mbante gjallë legjendat e tyre, nëpërmes këngës epike, dhe trashëgimisë të historisë të tyre nga brezi në brez.
Në kohën e komunizmit, 5 Maji u bë traditë. Ishte ditë e shënuar. Tiparin dallues të kësaj dite e përbënin vizitat në varrezat e dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe vizitat në familjet e dëshmorëve. U ndërtuan varreza dëshmorësh në çdo qendër rrethi. Shqipëria, përpos 26 të tillave që ishin në qendrat e rretheve, pati dy të tjera, krejt të veçanta e që u përkisnin dy fshatrave martire, Kuçit të Kurveleshit dhe Pezës së Tiranës. Ndërsa në këtë të fundit përuleshin e nderonin gjithë udhëheqja e partisë dhe shtetit, si në 5 maj, ashtu dhe në 16 shtator, ditën e Konferencës së Pezës, në Kuç, si rregull shkonin nxënësit e shkollës së fshatit dhe familjet e dëshmorëve.
Në nderim të kujtimit të të rënëve për lirinë e vendit çdo vit në Varrezat e Dëshmorëve kryhen homazhe nga krerët më të lartë të shtetit shqiptar çdo vit.
Në qytetin e Elbasanit është mbajtur ceremonia e homazhit të dëshmorve të atëdheut. Familjarë dhe qytetarë të Elbasanit sot nderuan me buqeta dhe kurora me lule individëve që sakrifikuan jetën e tyre për një liri që e gezojmë me krenari të gjithë dhe ata efektiv të policisë që ndërruan jetë në detyrë.
Ceremonia u mbajt në varrezën e dëshmorëve teksa homazheve ju bashkua dhe grupi i PS në Elbasan. Për kryetaren e LANÇ Zhulieta Graceni kjo datë është tej mase e rendësishme për të gjithë kombin shqiptarë, pasi të rinj dhe të reja mbrojtën trojet me gjakun e tyre. Graceni shpreh mirnjohje për organizimin e krijuar, pasi qyteti Elbasani ka kryer një rol tej mase të rëndësishëm në luftën nacional çlirimtare.
Gjithashtu dhe ish koloneli Syria Kaso përkujton deshmorët e qytetit të Elbasanit, ku një prej tyre është dhe vëllai i tij. Ai përcon një mesazh tek brezi i ri që duhet ti duan dhe ti rrespektojnë dëshmorët, dhe të njihen me veprat e tyre.
Qyteti i Elbasanit mbetet një ndër vatrat më të nxehta të patriotuzmit ndër vite duke nxjerrur individë që kontribuan në krijimin e shtetit shqiptar dhe mbrojtjes së tij, ajo që veçohet mbetet Normalia e Elbasanit.
Në Berat është kremtuar sot 5 maji, Dita e Dëshmorëve. Me një ceremoni në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, janë përkujtuar sot dëshmorët, ata që dhanë jetën në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare.
Në ceremoni ishin të pranishëm drejtues të pushtetit vendor,përfaqësues të besimeve të ndryshme fetare,veteranë,pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve,pasardhës të tyre,drejtues e efektivë të policisë së shtetit,qytetarë etj.
Nën marshet e bandës frymore të qytetit u bënë homazhe dhe u vendosën kurora pranë memorialit kushtuar dëshmorëve dhe në varret ku prehen të rënët e luftës.Në fund të ceremonisë,të pranishmit kaluan në heshtje pranë varreve ku prehen dëshmorët e atdheut,në shenjë mirënjohje dhe respekti ndaj tyre.
Për të përkujtuar aktin sublim të punonjësve të Policisë të rënë në krye të detyrës, drejtues dhe efektivë të DVP-së Berat,familjarë të policëve të vrarë dhe të pranishmit në ceremoni, kryen homazhe edhe në varret ku prehen 7 efektivët e Policisë së Beratit,të vrarë në krye të detyrës.
Ndërkohë, 5 Maji, Dita e Dëshmorëve, u përkujtua edhe në Vlorë. Buqeta dhe kurora me lule janë vendosur nga autoritetet vendore, familjarë të dëshmorëve dhe veteranë pranë lapidarit që nderon të rënët në Luftën e Dytë Botërore. Kjo është një ditë për të kujtuar dëshmorët dhe sakrificat e tyre për një Shqipëri të lirë.
Kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, prefekti Plator Nesturi dhe kryetari i Këshillit të Qarkut, Ervis Mocka, theksuan se në ditë të tilla është e rëndësishme që kjo sakrificë të përkujtohet dhe të vlerësohet edhe nga brezat e rinj.
"5 Maji është dhe do të mbetet një ditë madhore kujtese dhe nderimi për mijëra e mijëra shqiptarë patriotë dhe mijëra të rinj e të reja, që nuk kursyen as jetën për Lirinë e Atdheut."
Kështu deklaron kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili ndodhet në qeli, me rastin e Ditës së Dëshmorëve.
"5 Maji është dhe do të mbetet një ditë madhore kujtese dhe nderimi për mijëra e mijëra shqiptarë patriotë dhe mijëra të rinj e të reja, që nuk kursyen as jetën për Lirinë e Atdheut. Sot është edhe një ditë e madhe frymëzimi për të ndërtuar një të ardhme më të mirë të Shqipërisë dhe për të qenë gjithmonë vigjilentë në mbrojtje të Lirisë, Sovranitetit dhe Pavarësisë nga kushdo uzurpator i çdo forme e lloji që ai të shfaqet. Sot është dita e kujtimit të amanetit të Martirëve, për të ndërtuar një Shqipëri të begatë, të drejtë dhe Europiane për të gjithë shqiptarët. Lavdi të përjetshme Dëshmorëve të paharruar të Atdheut",-shkruan Meta.
Edhe në qytetin e Fierit është përkujtuar sot 5 Maji , Dita e Dëshmorëve. Politika, veteranët dhe të afërmit e Dëshmorëve kanë nderuar të rënët për liri. Nën ritmet e bandës frymore dhe këngëve partizane janë zhvilluar homazhe dhe janë vendosur kurora me lule në obeliskun kushtuar Dëshmorëve.
Në fjalën e tij Kryetari i Veteranëve të LANÇ Fier, Sokrat Konomi, ka vlerësuar kurajon, patriotizmin dhe sakrificën e atyre që dhanë jetën dhe u martirizuan për atë që ne gëzojmë sot, lirinë.
Mes të pranishmëve binin në sy dhe kandidatët për deputetë në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit.
Dita e Dëshmorëve të Kombit u përkujtua edhe në qytetin e Lushnjës. Veteran të luftës, familjarë të dëshmorëve dhe përfaqësues lokal vendosën kurora me lule dhe bënë homazhe në varrezat e dëshmorëve, në nderim të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit.
E pranishme në këto homzhe ishte edhe kryetarja e bashkisë Eriselda Sefa.
Varezat e dëshmorëve të qytetit të Lushnjës janë rikonstruktuar së bashku me varrezat e nacionalistëve të rënë gjatë luftës.
Komente
