Sot 555 vite nga vdekja e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti! Rama: Çdo të hënë, procesi mësimor do të nisë me Himnin e Flamurit! Begaj, Nikolla e Veliaj homazhe në varrin e Skënderbeut

17 Janar 2023, 07:27| Përditesimi: 17 Janar 2023, 16:33

  • Share

Përkujtimi i 555 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Sjkenderbeu, përpos aktiviteteve të ndryshme historike, është bërë edhe përmes  një video të veçantë ku nxënësit e shkollave të ndryshme të vendit shfaqen duke kënduar himnin e flamurit. Videoja u postua në Facebook nga kryeministri Edi Rama, i cili bëri të ditur se këtej e tutje himni kombëtar do të këndohet në të gjitha shkollat e ve ndit në fillim të çdo jave.   

Nga Memoriali Skënderbe në Lezhë, në 555-vjetorin e vdekjes së hetoit tonë kombëtar, presidenti Bajram Begaj dha një mesazh ndaj zyrtarëve të Britanisë së Madhe dhe gjuhën diskriminuese ndaj shqiptarëve.

"Gjergji Kastrioti ishte mbi të gjitha një shqiptar si të tjerë në mote e sot, që kanë në zemër dashurinë për këtë tokë, kanë besim në cilësitë e tyre dhe dinë të arrijnë suksesin për vete e për të tjerë. Këto shqiptarë janë në Shqipëri e kudo në botë edhe atje ku zyrtarë të lartë duan të zgjidhin dëshpërimin e tyre ditor, duke i rënë në qafë emrit të shqiptarëve", tha Begaj.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla në një mesazh në 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut tha se nderimi më i madh për Heroin Kombëtar është të zbatojmë testamentin e tij

"Arkitekt i unitetit dhe kohezionit të shqiptarëve në luftën kundër pushtuesve, në të fundit fjalim të tij Ai na la një porosi të madhe:  “S’ka asnjë shtet aq të fuqishëm dhe aq të shëndoshë që të mos shembet, kur i lëshon vendin mërive dhe grindjeve", tha Nikolla.

Homazhe në nder të Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu kreu edhe kryebashkiaku Erion Veliaj, pranë memorialit të tij në Sheshin “Skënderbej”.

Pasi mbrojti lirinë e popullit dhe kombit shqiptar për 25 vjet me radhë Gjergj Kastrioti Skënderbeu vuri themelet shtetit shqiptar në Kuvendin e Lezhës.  

Gjergj Kastrioti lindi më 6 maj 1405 dhe ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit dhe i princeshës Vojsava, fëmija i fundit midis 4 djemve dhe 5 vajzave. Ai më pas u mor peng nga ushtria otomane pas thyerjes së të atit nga Sulltan Murati më 1421 dhe u dërgua në oborrin e Sulltanit në Adrianopojë.

Gjergj Kastrioti ka hyrë në histori si një strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte ushtrinë osmane, më të organizuarat dhe më modernet e kohës së vet. Si një burrë i madh shteti, ai udhëhoqi luftën për pavarësi të kombit shqiptar kundër pushtuesit osman, si dhe punoi për bashkimin politiko-shtetëror të popullit shqiptar.

Me Kuvendin e Lezhës Gjergj Kastrioti Skënderbeu vuri themelet shtetit shqiptar. Për 25 vjet me radhë Skënderbeu mbrojti lirinë e popullit dhe të vendit të vet dhe lufta e tij pengoi përhapjen osmane drejt Evropës, për çka fitoi mirënjohjen e Shteteve Evropiane dhe të Papatit të Romës që kur ka qenë gjallë dhe shumë më tepër pas vdekjes.

Emri i Skënderbeut ka qenë burim frymëzimi për rilindasit, shembull i ndritur për t’u pasur në betejat e ndryshimeve për t’i kthyer popullit lirinë, dinjitetin, bashkimin e hapur, rrugën e përparimit. Në figurën e pavdekshme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, populli shqiptar kurdoherë ka shembullin dhe simbolin e bashkimit, të vëllazërimit, të lirisë, të atdhedashurisë, të harmonisë e të demokracisë.

Në janar të vitit 1468 Skënderbeu u sëmur gjatë zhvillimit të një Kuvendi të thirrur nga ai, në të cilin ishin të ftuar të gjithë princat shqiptarë. Ai vdiq në moshën 63-vjeçare më 17 Janar 1468 në Lezhë.

Vepra dhe figura e Skënderbeut kishte përmasa dhe rëndësi evropiane. Ai u vlerësua lart nga personalitetet e shquara evropiane të kohës. Këtë e dëshmon edhe fakti se për Skënderbeun është shkruar një literaturë e shumëllojshme, prej qindra vëllimesh, të botuara në shumë gjuhë dhe në të katër anët e botës. Ndër autorët shqiptarë janë Marin Barleti, Fan Noli, Sabri Godo, Fatos Daci.

Ora 14:16
555 vjetori i vdekjes së Skënderbeut, Meta: Kryeheroi kombëtar, përcaktoi përkatësinë tonë europiane

1669120891_Screenshot3.jpg

Kryetari i partisë së Lirisë, Ilir Meta ka përkujtuar 555 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut të cilin e konsideron si ‘kryehero kombëtar’ dhe si përcaktuesin e përkatësisë europianëve të shqiptarëve.

“Në 555-vjetorin e kalimit në përjetësi të Kryeheroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, “shqiptarit më të gjallë ndër shqiptarët e gjallë” nderojmë sot kujtimin dhe veprën frymëzuese të simbolit tonë më përbashkues në mbrojtje të lirisë, dinjitetit njerëzor dhe identitetit tonë kombëtar. Përcaktuesi vendimtar i përkatësisë tonë europiane, Heroi ynë Kombëtar dhe i Europës së Bashkuar do të mbetet përherë krenaria, frymëzimi, fuqia dhe lavdia jonë!”- shkruan Meta.

Ora 13:08
Kryebashkiaku Veliaj homazhe në nder të Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu

1673957363_veliaj.jpg

Sot më 17 janar shqiptarët përkujtojnë 555 vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu. 

Në këtë ditë edhe Bashkia e Tiranës organizoi homazhe në nder të figurës së Skënderbeut. Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj ka vendosur një kurorë me lule në nderim të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut, pranë memorialit të tij në Sheshin “Skënderbej”. 

“Në 555-vjetorin e vdekjes, nderojmë Heroin Kombëtar, Gjergj Kastrioti SKËNDERBEU! Përulemi me respekt para veprës së tij!” – shkruajti ditën e sotme Veliaj. 

Pasi mbrojti lirinë e popullit dhe kombit shqiptar për 25 vjet me radhë Gjergj Kastrioti Skënderbeu vuri themelet shtetit shqiptar në Kuvendin e Lezhës. 

Ai vdiq në moshën 63-vjeçare më 17 Janar 1468 në Lezhë.

Ora 13:00
555 vjetori i vdekjes së Gjergj Kastriotit, Begaj vendos kurorë në memorialin 'Skënderbe' në Lezhë: Nuk është legjendë por hero

Në një aktivitet përkujtimor organizuar nga Bashkia Lezhë, Presidenti i Republikës në fjalën e tij tha se historia e kombit shqiptar është ajo e qëndresës pavarësisht përpjekjeve të shteteve të tjera për të krijuar ndasi.

“Historia e kombit shqiptar është ajo e arritjeve, qendresës, dhe e ringritjes përpos gjeopolitikës, përpos paragjykimeve, përpos dasive të kërkuara me insistim nga shtete shumë më të fuqishme. Jeta e Gjergj Kastriotit na kujton origjinalitetin e forcën e një populli autokton, pa orekse për territore që nuk i përkasin, por i palëkundshëm nga trojet e veta”- u shpreh Begaj.

 Duke shfrytëzuar këtë datë përkujtimore Presidenti theksoi se Gjergj Kastriot Skënderbeu nuk është një vetëm një legjendë por një hero të cilit shqiptarët gjithmonë do t’i jenë mirënjohës.

“Jeta e Gjergj Kasriotit tregon suksesin e besimit tek vetvetja, pa i lakmuar askujt asgjë. Gjergj Kastrioti Skënderbeu nuk është një legjendë, është një hero, por mbi të gjitha është një e vërtetë. Gjergj Kastrioti, është Heroi ynë Kombëtar dhe ne i jemi mirënjohës për luftën, përpjekjet, sukseset dhe shembullin. E shqiptarët dinë të jenë mirënjohës. Por, Gjergj Kastrioti ishte mbi të gjitha një shqiptar si të tjerë në mote e sot, që kanë në zemër dashurinë për këtë tokë, kanë besim në cilësitë e tyre, dhe dinë të arrinë suksese për vete e për shumë të tjerë. Këta shqiptarë janë në Shqipëri e kudo në botë,” nënvizoi Presidenti Begaj.

Ora 08:57
555 vjetori i vdekjes së Skënderbeut, Rama e Kushi: Çdo të hënë, procesi mësimor do të nisë me Himnin e Flamurit

Në përvjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka postuar një video të veçantë të realizuar nga shkolla të ndryshme në 12 qarqet e vendit.

Me këtë dite, kryeministri Edi Rama bën të ditur se  duke nisur nga java e ardhshme, çdo të hënë në të gjitha shkollat e vendit, para nisjes së procesit mësimor do të këndohet Himni i Flamurit.

“MIRËMËNGJESI dhe me Himnin e Flamurit që këndohet nga të gjithë nxënësit e shkollave sot, në ditën e 555-Vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti SKËNDERBEUT, si edhe me vendimin që kështu do të këndohet himni në çdo shkollë, në krye të çdo jave të re mësimore, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Kushi.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 18/01/2023 01:57

    Te vjen keq qe shqiptaret kujtojne me teper diten e vdekjes se ate te lindjes.Sikur t'i pyesesh njerezit ne rruge,shumica e dine 17 Janarin,por nuk besoj t'a dine te gjithe ditelindjen 6 Majin.

    Përgjigju
  • keli: 17/01/2023 13:28

    shqipniii shqipniii

    Përgjigju
  • Milos: 17/01/2023 12:39

    Hahahahaha po greket e kujtojn pervjetorin e vdekjes e heroit te tyre

    Përgjigju
  • titi: 17/01/2023 11:02

    lavdi heroit tone

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?