Sot 554 vite nga vdekja e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu! Homazhe në Lezhë e Tiranë! Meta: Do na udhëheqë gjithmonë në përpjekjet për liri dhe dinjitet kombëtar

17 Janar 2022, 09:16| Përditesimi: 17 Janar 2022, 15:04

  • Share

Sot më 17 janar shënohet përvjetori i 554 i vdekjes së Heroit Kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Homazhe i janë bërë Heroit tonë në Lezhë, ndërsa kurorë me lule kanë “veshur” bustin e tij në zemër të Tiranës.

Për rastësi ose jo, në këtë datë të shënuar për kombin, vendin e vizitoi Presidenti i Turqisë, Regep Tayip Erdogan. Në axhendën e Erdogan nuk ishte një takim me presidentin Ilir Meta, i cili 17 janarin ia dedikoi homazheve në vendvarrimin e Skënderbeut në Lezhë.

Kujtojmë se kjo ditë përkon me vizitën zyrtare të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan në Shqipëri. Ai do të kryejë një sërë aktivitetesh, por duket se nuk e ka listuar në agjendë një takim me homologun e tij shqiptar edhe pse do të qëndrojë deri në orën 6 të pasdites në Shqipëri.

Meta publikoi edhe një video me një episod nga një film, ku shihet Skënderbeu duke luftuar me turqit

Memoriali është varri më madhështor i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i cili vdiq në 17 Janar të 1468-ës, dhe u varros në Lezhë, aty ku ai kishte themeluar “Besëlidhjen e Lezhës” në mars të 1444-ës.

Gjergj Kastrioti ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit dhe i princeshës Vojsava, fëmija i fundit midis 4 djemve dhe 5 vajzave. Ai më pas u mor peng si nizamë pas thyerjes së të atit nga Sulltan Murati më 1421 dhe u dërgua në oborrin e Sulltanit në Adrianopojë.

Vepra dhe figura e Skënderbeut kishte përmasa dhe rëndësi evropiane. Ai u vlerësua lart nga personalitetet e shquara evropiane të kohës. Këtë e dëshmon edhe fakti së për Skënderbeun është shkruar një literaturë e shumëllojshme, prej qindra vëllimesh, të botuara në shumë gjuhë, dhe në të katër anët e botës. Ndër autorët shqiptarë janë Marin Barleti, Fan Noli, Sabri Godo, Fatos Daci.

Ora 14:10
554-vjetori i vdekjes së Skënderbeut, Lezha homazhe pranë memorialit të Heroin Kombëtar

Pranë Memorialit të Skënderbeut në Lezhë janë kryer homazhe në përkujtim të 554 vjetorit te kalimit ne amshim të heroit tone kombëtar.

Ne këtë ceremoni lokale morën pjesë kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu dhe ambasadori austriak Christian Steiner.

Ra në sy mungesa e zyrtarëve të lartë apo deputetëve, të cilën ndodheshin në ceremoninë e pritjes së Presidentit turk Erdogan në Laç.

"Dua të përshëndes ambasadorin austriak është mik i hershëm i Shqipërisë është një ditë e jashtëzakonshme 554 vjet më parë ka vdekur Skënderbeu një njeri i cili nuk ka koment që mund të them me fjalë ne por që gjithë bota e ka pasur dhe e ka si simbol kundër regjimit otoman", u shpreh kryebahskiaku.

"Po të analizohet me kujdes lufta e popullit shqiptar ishte luftë e drejtë".

Presidenti i vendit Ilir Meta, ka mbërritur në Lezhë pas përfundimit të këtij aktiviteti.

Meta ka kryer nderime, duke vendosur një kurorë me lule pranë vendvarrimit të Skënderbeut nga ku deklaroi se heroi kombëtar përcaktoi identitetin evropian të kombit.

Ora 13:35
554-vjetori i vdekjes së Heroit Kombëtar, kurora lulesh ‘veshin’ statujën e Skënderbeut në zemër të Tiranës

Në 554-vjetorin e vdekjes së tij në të gjithë Shqipërinë po nderohet figura e Heroin tonë Kombëtar.

Me kurora lulesh është mbushur statuja e Skënderbeut, e cila ndodhet në zemër të Tiranës.

Kurorën e tij ka çuar edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj si edhe kryetarja e Këshillit bashkiak Romina Kuko.

 

Ora 09:37
Meta përkujton 554 vjetorin e vdekjes së Skënderbeu me pjesë nga filmi ku lufton me turqit: Do na udhëheqë në përpjekjet për liri dhe dinjitet kombëtar

Presidenti Ilir Meta ka përkujtuar 554-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastritot Skëndërbeun me një episod nga filmi për Heroin tonë Kombëtar teksa ai lufton me turqit.

Meta shkruan në Facebook se Skënderbeu do të na udhëheqë gjithmonë në çdo përpjekje për liri, sovranitet dhe dinjitet kombëtar.

554-vjetori i vdekjes së Skënderbeut përkon me vizitën zyrtare të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan në Shqipëri. Ai do të kryejë një sërë aktivitetesh, por duket se nuk e ka listuar në agjendë një takim me homologun e tij shqiptar edhe pse do të qëndrojë deri në orën 6 të pasdites në Shqipëri.

“Kryeheroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, krenaria dhe fuqia, trimëria dhe guximi, frymëzimi dhe lavdia jonë e çdo epoke, do të mbetet përjetë shqiptari më i gjallë ndër nesh!

Vepra e pavdekshme e simbolit më përbashkues, që përcaktoi përkatësinë tonë europiane do të na udhëheqë gjithmonë në çdo përpjekje për liri, sovranitet dhe dinjitet kombëtar.”, shkruan ai.

 

 

 

J.GJ.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?