Foto arkive

Sociale

Sot 7 marsi/ Mesazhe falenderimi dhe lule për mësuesit! Më pak nxënës, por më shumë ngarkesë për ta! Rama: Mirënjohje për dijen që kultivojnë

7 Mars, 07:23| Përditesimi: 7 Mars, 13:26

  • Share

TIRANE- Sot, mësuesit në të gjithë Shqipërinë festojnë 7 marsin.

Kjo ditë festohet në të gjitha shkollat e vendit me aktivitete të shumta në shenjë falënderimi për mësuesit për punën që kryejnë në edukimin e brezit të ri.

Në këtë ditë, nxënësit përcjellin mesazhe falenderimi, por dhe kartolina, lule apo dhe dhurata për mësuesit.

Edhe kryeministri Edi Rama, përmes rrjeteve sociale përcolli mesazhin e mirënjohjes për mësueset e mësuesit, “që me durim dhe përkushtim mbjellin e kultivojnë farën e dijes tek fëmijët e Shqipërisë”

Sipas Monitor në dekadën e fundit zhvillimet demografike e kanë përmirësuar ndjeshëm raportin nxënës për mësues sidomos vitet e fundit. Të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin shkollor 2023-2024 një mësues në para-universitar mësoi mesatarisht 11.4 nxënës, nga 18.9 në vitin 2000 dhe 16.1 në vitin 2010.

Faktet tregojnë se rënia e numrit të nxënësve për mësues nuk e ka përmirësuar as cilësinë e arritjeve mësimore dhe as ngarkesën për trupën arsimore.

Shqipëria mori rezultate shumë të dobëta në Vlerësimin ndërkombëtar të Nxënësve (PISA) që u krye me 2022. Në matematikë ata morën 368 pikë, 69 pikë më pak se në testin e 2018 dhe 21 pikë më pak se më 2012. Në letërsi morën 358 pikë, 47 më pak se më 2018 dhe 35 më pak se më 2012. Edhe në shkenca rënia ishte e ngjashme.

Nga ana tjetër mësuesit pohojnë se ngarkesa në punë, që nuk ka lidhje me mësimdhënien, është rritur ndjeshëm.

‘Dita e mësuesit’ pëkujton hapjen e Mësonjëtores së Parë Shqipe më 7 mars 1887 në Korçë, një ngjarje me rëndësi madhore në përpjekjet e popullit shqiptar për të krijuar shkollën e vet kombëtare.

Ora 13:25
7 Marsi, Spiropali: Pas çdo historie suksesi ka pasur një mësues që ka nxitur ambicien dhe ka forcuar besimin

 

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka uruar mësuesit për festën e 7 Marsit. Përmes një video-mesazhi Spiropali shprehet se pas çdo historie suksesi ka pasur një mësues që ka nxitur ambicien dhe ka forcuar besimin.

Më tej kryetarja e Kuvendit nënvizon se  do të vazhdojnë të rrisin investimet për arsimin dhe edukimin qytetar.

Mesazhi i plotë:

Thënia e Konfucit “Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit janë të pamatshme”,  është një mësim universal për të gjitha kohërat. Pas çdo historie suksesi, ka pasur një mësues që ka ndezur kureshtjen, ka nxitur ambicien dhe ka forcuar besimin.

Mësuesit nuk janë thjesht profesionistë, por misionarë, të cilët, mbi të gjitha, motivojnë e frymëzojnë. Sepse të mësuarit është çelësi më i rëndësishëm për progresin, mirëqenien dhe zhvillimin.

Prandaj nëse dëshirojmë t’u japim shumë shanse fëmijëve tanë, t’u japim më parë një shans mësuesve të Shqipërisë. Atyre që punojnë jo për t’u pasuruar, por për të ndërtuar jetët e fëmijëve tanë, që frymëzojnë me modelin dhe shembullin e tyre.

Prandaj ne nuk kursehemi, dhe nuk do të kursehemi, të rrisim, siç edhe kemi rritur, pagat e mësuesve. Të përmirësojmë, siç edhe kemi përmirësuar, kushtet në shkollat në çdo qytet e fshat të vendit.

Të vazhdojmë të rrisim investimet për arsimin, shkollimin, edukimin qytetar dhe formimin shkencor. Mësuesit e kthejnë këtë investim me përkushtimin, talentin dhe dashurinë e tyre për vajzat dhe djemtë e Shqipërisë.

Gëzuar 7 Marsin, mësuese dhe mësues, të dashur, të urtë e të respektuar! Mirënjohje pa fund për ju, mësues të së kaluarës, mësues të sotëm dhe të ardhshëm të Shqipërisë!

Ora 12:24
7 Marsi, Presidenti Begaj uron mësuesit: Një nga profesionet më të rëndësishme e më fisnike në shoqërinë tonë

Foto: Bajram Begaj

Presidenti Bajram Begaj, zhvilloi sot një pritje të veçantë në nderim të mësuesve në pension, që kanë shërbyer në arsim ndër vite dhe në zona të ndryshme të Shqipërisë.

Kreu i Shtetit kremtoi me ta Ditën e Mësuesit, që përkon me hapjen e së Mësonjëtores së Parë Shqipe, duke ndarë mbresat personale nga ndikimi i mësuesve ne jetën e tij, ndërsa përcolli edhe mesazhe për arsimtarët e rinj në lidhje me sfidat më të cilat po përballet shoqëria shqiptare sot.

Presidenti uroi festën e 7 Marsit, duke shprehur mirënjohje dhe vlerësim për mundin, përkushtimin dhe kontributin që mësuesit shqiptarë kanë dhënë në përgatitjen dhe formësimin e brezave duke përçuar dije, edukim e frymëzim për realizimin e ëndrrave.

Kreu i Shtetit kujtoi vështirësitë dhe sakrificat e tyre ndër vite, duke i falënderuar edhe në emër të çdo nxënësi për përmbushjen e detyrës në misionin fisnik të mësuesisë, për durimin, dashamirësinë dhe përkushtimin.

“Kjo festë e bukur në nderim të njerëzve fisnikë që kanë shërbyer gjithmonë si model frymëzimi për urtësinë dhe dedikimin duhet të jetë dhe një ditë reflektimi për angazhimin tonë për të vlerësuar dhe mbështetur  mësuesit  në shoqëri”, u shpreh Presidenti Begaj, teksa theksoi se një shoqëri që vlerëson mësuesit është shoqëri e ndërgjegjshme, pasi vetëm me edukimin cilësor të brezave ndërtohet një e ardhme e begatë dhe e qëndrueshme”.

“7 Marsi, - u shpreh Presidenti  na kujton sakrificën e madhe që na është dashur të bëjmë ndër shekuj për konsolidimin e institucioneve të nxënies dhe shkollimit, si dhe edukimin e brezave me gjuhën e bukur shqipe”.

Po ashtu Begaj e cilësoi këtë ditë si moment kujtese të vazhdueshme për ndikimin e pamohueshëm që mësuesit kanë në jetën e gjithsecilit, në shoqëri dhe në të ardhmen e brezave.

Duke iu referuar realitetit të sotëm, ndryshimeve në teknologji, Presidenti i Republikës e vlerësoi këtë si një mundësi të re për mësim, por njëherazi theksoi se asgjë nuk e zëvendëson bashkëjetesën njerëzore të nxënësit me mësuesin.

 “Një kompjuter mund të ofrojë informacion, por nuk mund të mësojë vlerat e jetës, të qytetarisë dhe jetesës në komunitet. Një algoritëm mund të analizojë të dhëna, por nuk mund të frymëzojë një fëmijë të ëndërrojë. Mësuesi është dhe do të mbetet faktori kyç në arsimim. Ai është ura mes dijes dhe formimit të karakterit, është udhërrëfyes i përdorimit të drejtë të teknologjisë bashkëkohore, nxitës i zhvillimit personal dhe frymëzues për të ndryshuar botën”, tha ai.

Përballë sfidave të reja me të cilat përballet shoqëria, Presidenti i Republikës theksoi faktin se mësuesi është dhe do të mbetet një figurë model, edhe pse sot është sfidë e madhe të jesh në këtë profesion, kur fëmijët po rriten në një botë me burime të shumta informacioni, përfshi dhe ato të rrejshme, apo në epokën e rrjeteve sociale, ndikimi i të cilave sjell edhe pasoja. 

Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës këshilloi mësuesit të ushtrojnë përgjegjësinë e tyre në misionin e vështirë, duke i shërbyer brezave të ardhshëm dhe vendit, ndërsa i inkurajoi ata të forcojnë themelet e arsimit cilësor.

“Shqipëria, ka nevojë për mësues që nuk vendosin vetëm nota, por nxisin dijen, ëndrrat dhe ndihmojnë në ndërtimin e një shoqërie me mendim kritik dhe vlera të forta demokratike e patriotizmi. Ne duhet të jemi një komb që lexon, një komb që studion, një komb që ecën përpara me forcën e mendjes dhe etjen për dijen. Në këtë betejë, mësuesit janë në vijën e parë.

Nuk mund të kemi një Shqipëri të fortë pa një arsim cilësor dhe nuk mund të kemi një arsim cilësor pa mësues të vlerësuar, të mbështetur, të trajtuar dhe trajnuar mirë. Nëse duam një të ardhme më të mirë, duhet të fillojmë me ata që kontribuojnë për qytetarët e ditur të së ardhmes: mësuesit”, përfundoi Begaj.

Ora 11:43
Meta uron nga burgu mësuesit: Mirënjohje për misionin tuaj të ndritur në përçimin e dijes!

Foto: Ilir Meta me nxënës

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka përcjellë sot një mesazh nga burgu për të gjithë mësuesit. Ai shpreh mirënjohje për punën e tyre teksa nuk lë edhe pa përmendur zgjedhjet e 11 majit.

Në shkrimin e tij të publikuar në Facebook, Meta shprehet se me fitoren e “Aleancës për Shqipërinë Madhështore”, Arsimi do të marrë mbështetjen që meriton!

Shkrimi i plotë i Metës:

Gëzuar 7 Marsin të dashur mësues, pedagogë dhe profesorë shqiptarë!

Mirënjohje të thellë për misionin tuaj të ndritur në përçimin e dijes, vlerave qytetare dhe kombëtare!

Mjerisht jo pak nga ju keni qenë të detyruar të lini vendin dhe të shkoni në emigracion për shkak se qeverisja e korruptuar dhe armike e dijes dhe e shkencës jua ka bërë jetën të padurueshme ndaj 7 Marsi ju gjen sot në mërgim kur duhet të ishit pranë nxënësve dhe studentëve dhe të merrnit prej tyre urimet e merituara.

Për fat të keq shumë shkolla dhe universitete janë mbyllur dhe po mbyllen për shkak të politikave të dështuara të një Qeverie injorantësh, qe e urren Arsimin.

Arsimi është themeli i së ardhmes dhe një nga pesë prioritetet madhore të Partisë së Lirisë për 4 milion shqiptarë plus!

Më 11 Maj, me fitoren e “Aleancës për Shqipërinë Madhështore”, Arsimi do të marrë mbështetjen që meriton! Buxheti për Arsimin do të rritet ndjeshëm, rrogat e mësuesve dhe pedagogë do të dyfishohen dhe paga e 13-të do të bëhet realitet me ligj!

Nuk do të ketë më kërcënime me vendin e punës apo presione politike për t’i shndërruar në patronazhistë, por vetë dinjitet dhe mbështetje për arsimtarët!

Shqipëria Madhështore do të ndërtohet mbi themelet e dijes, duke mbështetur arsimin si zgjidhjen e vetme për të ndalur shpopullimin dhe për të sjellë të rinjtë në shkolla dhe auditore!

Ora 09:48
7 Marsi/ Veliaj letër urimi mësuesve nga burgu: Do kisha dashur që këto fjalë zemre t’ua shkruaja nga zyra! Padyshim që do të vij i ndershëm, kemi ende shumë punë të mira për të bërë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nuk ka munguar as këtë vit në traditën e tij të urimit për Ditën e Mësuesit.

Pavarësisht situatës ku ndodhet, ai u ka dërguar një letër të gjithë mësuesve, duke i falënderuar për kontributin e tyre dhe duke u shprehur mirënjohje për punën e palodhur në edukimin e brezave.

“Të dashur mësues,

Ja ku erdhi 7 Marsi dhe pavarësisht vendit ku ndodhem, s’mund të rrija pa ju uruar Gëzuar Ditën e Mësuesit, ndonëse do të kisha dashur që, këto fjalë zemre, t’ua shkruaja, si çdo vit, nga zyra ime, në krye të punëve të qytetit.

Vite më parë, Pjetër Arbnori, me një shkrim imcak mbi fletë cigaresh, që i nxori fshehurazi nga burgu, i shkroi nënës: “Ti mos u mërzit se unë do të vij e ti do të më pritësh shëndosh e mirë. E randësishme asht se unë do të vij i ndershëm në shtëpi...”

Me të njëjtat fjalë dua t’ju drejtohem edhe unë, Ju “nënave” të dyta, siç ju kemi konsideruar gjithnjë. Padyshim që do të vij i ndershëm, se kemi ende shumë punë për të bërë. Se janë të mira punët që kemi nisur, kemi bërë e do të bëjmë akoma, ndaj s’ka pengesë të na ndalojë për t’i çuar deri në fund”, thekson ai.

Në letrën e tij, Veliaj siguron se do të rikthehet për të vijuar punën e nisur. Ai përmend 45 shkollat e reja të ndërtuara në Tiranë, duke shprehur angazhimin e tij se transformimi i sistemit arsimor do të vazhdojë edhe më tej.

“Mësuesit e mi, mësuesit tanë, mësuesit e brezave, duke u përulur si gjithnjë para Jush, duke nderuar përpjekjet, mundin, punën tuaj të paçmuar, nga këtu ku jam padrejtësisht, ju shoh nëpër korridoret, klasat, laboratorët, bibliotekat, palestrat plot dritë dielli të shkollave që së bashku i bëmë për Ju dhe nxënësit që udhëhiqni drejt jetës. Përfytyroj ndjesinë pozitive që krijojnë 45 shkollat e reja e të shumta, si dita me natën, me ato brenda të cilave ju është dashur të jepni mësim më parë. Njëherësh ju premtoj se do të vijojmë me më shumë shkolla të reja. Se planet i kemi bërë për t’i përmbushur.

Ka hyrë sakaq një vit i rëndësishëm për kryeqytetin”, deklaron ai.

Pavarësisht sfidave, kryebashkiaku shprehet krenar për mbështetjen që u ka dhënë mësuesve ndër vite dhe garanton se angazhimi për arsim cilësor do të vijojë.

Veliaj kujton me krenari përzgjedhjen e Tiranës për të mbajtur kurorëm e Kryeqytetit Mesdhetar të Kulturës dhe Dialogut 2025.

“Me votë unanime, na është vënë kurora e Kryeqytetit Mesdhetar të Kulturës dhe Dialogut 2025. Na është vënë pas kurorave të tjera, që i kemi mbajtur me dinjitet; pas provave që kemi dhënë, pas sukseseve që kemi dëshmuar, pas punëve të mira që i kemi bërë bashkë.

Pengesat janë bërë për t’u kapërcyer! Ju vetë i edukoni fëmijët me besime të tilla. Ju, krijuesit e qytetarëve të denjë të së nesërmes, gjë për të cilën meritoni veç mirënjohje. Krenar që ju kam qëndruar në krah, duke ju ofruar mbështetjen për përmbushjen e misionit tuaj. Krenar, teksa ju uroj festën, dëshiroj t’ju dëshmoj mbështetjen e përhershme edhe në vazhdim.

 Gëzuar 7 marsin” thekson Veliaj.

Ora 09:40
7 Marsi, Manastirliu uron mësuesit: Mirënjohje për përkushtimin ndaj fëmijëve tanë

Foto: Ogerta Manastirliu me mësues ditën e 7-Marsit

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka uruar sot mësuesit për festën e 7 Marsit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Manastirliu shpreh mirënjohje për punën e tyre.

“Me mirënjohjen për të gjithë mësuesit, që me durim dhe përkushtim mbjellin dhe kultivojnë farën e dijes tek fëmijët tanë, ju uroj Gëzuar 7 Marsin!”, shkruan Manastirliu në rrjetet sociale.

S.G/Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Grupi i PS në listë të hapur, përveç drejtuesve politikë, si ju duket?