politika uron 7 marsin/ Rama me fjalët e Konfucit! Meta nostalgjik, radhit mësuesit në ballë të 'Pranverës kuqezi'

7 Mars 2020, 09:27| Përditesimi: 7 Mars 2020, 15:29

  • Share

TIRANË -  Në ditën e dedikur mësuesve, nuk kanë munguar urimet nga klasa politike e vendit tonë. Kryeministri Edi Rama uroi mësuesit në ditën e 7 Marsit, përmes një shprehjeje të filozofit kinez, Konfucit: "Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë".

Presidenti Ilir Meta nuk la pas edhe politikën, kur tha se mësuesit janë në ajkën e elitës së intelektualëve shqiptarë që sipas tij sot janë vënë në "ballë të pranverës kuqezi. 

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, njëjtë si bashkëshorti i saj, presidenti Ilir Meta, u bëri thirrje mësuesve të ngrihen për të ardhmen e fëmijëve, në këtë mision që sipas saj duhet të jenë të gjithë bashkë. 

Urimet për 7 Marsin nuk kanë munguar as nga kryetari i PD-së Lulzim Basha, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

“Dita e Mësuesit” mbledhi bashkë në Mësonjëtoren e Parë Shqipe në Korçë, mësues në pension, për t'i nderuar për kontributin e tyre në arsim.

Ora 12:20
7 marsi në 'Mësonjëtoren e parë shqipe'/ Shahini nderon mësuesit në pension për kontributin e tyre

1583580075_besashahinimesonjetorja.jpg

Dita e Mësuesit” ka mbledhur bashkë në Mësonjëtoren e Parë Shqipe në Korçë, mësues në pension.

Në publikimin e saj në rrjetin social facebook, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Besa Shahini, duke uruar fillimisht të gjithë mësuesit për 7 Marsin, u shpreh:

“Të dashur mësues, Gëzuar 7 Marsin! Këtë vit u mblodhëm tek “Mësonjëtorja e Parë Shqipe” dhe përkujtuam sakrificën e themeluesve të shkollës shqipe, por edhe të gjithë mësuesve që erdhën pas tyre, për të ruajtur dhe kultivuar gjuhën e kulturën tonë. Shprehëm mirënjohjen tonë për mësuesit pensionistë nga e gjithë Shqipëria, ndërsa ata ndanë me ne këshilla të vyera për rrugën që kemi përpara”. 

Ndërkohë, ajo u shpreh edhe për faktin se rezultatet arsimore po përmirësohen sipas saj falë punës së mësuesve tanë.

“Sot, sfidat e arsimit shqip janë të ndryshme nga çfarë kanë qenë ato të themeluesve të shkollës shqipe, por nuk janë më të vogla. Na jep kurajo fakti që rezultatet arsimore po përmirësohen me shpejtësinë më të madhe nga të gjitha vendet pjesëmarrëse në testin “PISA”. Kjo, falë punës së palodhur të mësuesve tanë. Faleminderit nga zemra! – e mbyll postimin e saj Ministrja Shahini.

Ora 10:33
Ruçi: Mësuesit, legjionarë të heshtur të dijes

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, uroi sot mësueset dhe mësuesit e Shqipërisë, me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit.

“Urime e mirënjohje kolegëve të mi mësues. Unë jam krenar që kam qenë dhe jam njeri prej jush. Festa e mësuesve është festa e të gjithë shqiptarëve, nxënësve e prindërve. Mësuesit janë legjionarë të heshtur të dijes. Misioni i tyre është i pakrahasueshëm. Dijet janë rruga e qëndrueshme drejt të ardhmes e mirëqenies. Prandaj gjithnjë e më shumë vëmendje e burime për shkollën dhe arsimin”, shkruan në mesazhin e tij Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Ora 10:19
Basha: Kushte të pafavorshme për mësuesit, premtoj se ditë më të mira do të vijnë

Në urimin e tij për 7 marsin, lideri demokrat Lulzim Basha kujton mësuesen e tij të parë, ku teksa thotë se ata puojnë në lushte të pafavorshme, u premton se ditë më të mira do të vijnë.

"Është kaq e natyrshme që çdo 7 mars sjell ndër mendje mësuesen e klasës së parë. Dhe po kështu të çdo mësuesi dhe pedagogu që ka qenë pjesë e jetës dhe e dijes në çdo hap që kemi hedhur si nxënës dhe studentë.

Ndaj sot dua t'ju uroj nga zemra festën të gjithë arsimtarëve në Shqipëri, të gjithë mësuesve që përtej çdo vështirësie janë përçuesit e përkushtuar dhe të pazëvendësueshëm të dijes tek fëmijët dhe të rinjtë tanë. 

Për lodhjen e përditshme, kushtet shumë herë të pafavorshme të mësimdhënies dhe dinjitetit njerëzor, ata meritojnë të festojnë sot 7 marsin me urimin, shpresën dhe premtimin se ditë më të mira do të vinë për arsimtarët tanë", shkruan Basha.

Ora 09:58
Edhe Kryemadhi thirrje mësuesve si Meta: Të bëhemi të gjithë bashkë për fëmijët, ngrihuni!

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, njëjtë si bashkëshorti i saj, presidenti Ilir Meta, u ka bërë thirrje mësuesve të ngrihen për të ardhmen e fëmijëve, në këtë mision që sipas saj duhet të jënë të gjithë bashkë. Edhe presidenti Ilir Meta më herët në një urim për 7 marsin, tha se mësuesit janë në ballë të 'pranverës kuqezi', siç ai quan valën anti-qeveritare që mund të pasohet nga protesta të tjera pas tubimit të 2 marsit.

"Sot është dita e mësuesve të Shqipërisë, influencuesve më të rëndësishëm në edukimin e brezit të ri dhe formësimin e të ardhmes së kombit tonë. Ndërsa misioni i tyre i përditshëm shkon te edukimi i fëmijëve, zotimi im për të gjitha familjet shqiptare është kthimi i Shqipërisë në vendin ku mësuesi që ka në duar edukimin e brezave do jetë më i fortë dhe i respektuar, se ai që në duar ka pushtetin apo armët e krimit. 

Të dashur mësues, unë besoj te ju dhe misioni juaj! Sot duhet të bëhemi të gjithë bashkë për të ndihmuar fëmijët tanë. Ngrihuni, hiqni pluhurin nga vetja dhe filloni përsëri nga një perspektivë e freskët. Besoni te profesioni juaj dhe duajeni atë. Zgjoni pasionin që keni për lëndën tuaj ose për të mësuar dhe për të dhënë dije! 

Mençurojini dhe ndihmojini brezat të rriten me dashuri. Ngrihuni çdo ditë dhe bëni atë që bëni më mirë. Ju do të ndikoni te ata, që të bëhen më të mirë se sa e imagjinoni ndonjëherë. Mësojini fëmijët se ata nuk janë as “djaj “dhe as “engjëj”, ndoshta disa nuk janë aq shumë të zot dhe nuk shkëlqejnë, por ata janë e ardhmja jonë dhe meritojnë gjithë besimin dhe përkujdesjen tonë. 

Unë besoj te ju mësuesit e mi! Ju të heshturit gjer në dhimbje, të mëdhenjtë gjer në madhështi!  Gëzuar festën, ju të mirët mësues! Gëzuar nga mot!"

Ora 09:51
Xhaçka vlerëson profesorin që përgatit brezat e ushtarakëve: Faleminderit për shërbimin!

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka urimin e 7 marsit ia ka dedikuar profesorit më të vlerësuar në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes.

"Profesor Agim Sulaj është një prej pedagogëve më të vjetër dhe të vlerësuar në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes. Këtë 7 mars, përmes tij dëshiroj të uroj dhe të shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë pedagogët në uniformë që me shumë përkushtim kanë kontribuar në përgatitjen e brezave të tërë ushtarakësh dhe që nga viti i ardhshëm do të rikthehen në auditorët e Akademisë së Forcave të Armatosura, tashmë si një institucion i arsimit të lartë. Faleminderit për shërbimin", shkruan Xhaçka.

Ora 09:31
Meta nostalgjik për mësuesit e tij: Janë në ballë të pranverës kuqezi!

1583417217_fotometa.jpg

Presidenti Ilir Meta uroi mësuesit në ditën e tyre, duke veçuar urimin për mësuesen e tij të parë, Lenin, e të tjerët me radhë gjatë shkollimit. Por nuk ka lënë pas edhe politikën, kur thotë se mësuesit janë në ajkën e elitës së intelektualëve shqiptarë që sipas tij sot janë vënë në "ballë të pranverës kuqezi", siç Meta i referohet nismës anti-qeveritare që ka ndërmarrë, vënë në 'jetë' përmes tubimit të 2 marsit.

"Gëzuar 7 marsin, Ditën e Mësuesit! Gëzuar këtë ditë nderimi të madh për çdo mësues, pedagog dhe profesor shqiptar, dhe shumë sukese në misionin fisnik të mëkimit të dijes, vlerave qytetare, atdhetare e patriotike! Një urim dhe një falenderim të veçantë kam sot për mësuesen time të parë Lenin, mësueset e mia tek "Kongresi i Lushnjës", "Fan Noli" dhe "Sami Frashëri", Kadrie Dibra, Kasiani Nikolla, Afërdita Saraçi, Dolorez Cipo, Mirjana Hoxhasi, Nafie Ciu, Ana Papa, Fatmira Kocani, Enis Terhati, Edmond Gega e shumë të tjerë, si dhe për të gjithë profesorët e pedagogët e mi të dashur të cilët i kujtoj me shumë respekt dhe nostalgji. Nderim përjetë dhe mirënjohje gjeneratave të mësuesve shqiptarë që me sakrifica sublime u vunë në ballë të lëvizjeve kombëtare, jo vetëm për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë, por edhe për demokratizimin e saj, duke i prirë zhvillimit, emancipimit dhe demokratizimit të vendit! Faleminderit edhe të gjithë mësuesve, pedagogëve e profesorëve të nderuar që së bashku me ajkën e elitës së intelektualëve shqiptarë janë vënë sot në ballë të PRANVERËS KUQEZI! Lavdi përjetë atyrë që dhanë jetën për gjuhën tonë të shenjtë! Të mos harrojmë kurrë amanetin e Petro Nini Luarasit: "Mblidheni gjakun tim që ta përdorin fëmijët për të shkruar shqip!", shkruan Meta.

Ora 09:30
Rama: Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë

Kryeministri Edi Rama uroi mësuesit në ditën e 7 Marsit, përmes një shprehjeje të filozofit kinez, Konfucit: "Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë".

G.M./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 08/03/2020 00:14

    Une dua te kujtoj sot me mirenjohje mesuesen time te pare znj.ALIQI GJINARI ne shkollen <<Emin Duraku>> ne Tirane /klasa e pare-1980.Shume faleminderit.

    Përgjigju
  • Arbëri: 07/03/2020 10:46

    Flliqësirat, likja dhe monky duhet sa më shpejt të fyten në kafaz...përndryshe u qelb tërë vendi

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?