Si sot 134 vite më parë në qytetin e Korçës u hap Mësonjëtorja e Parë Shqipe, një ngjarje me rëndësi madhore në përpjekjet e popullit shqiptar për të krijuar shkollën e vet kombëtare.
Kështu dita e 7 Marsit, është kthyer në një festë për mësuesit dhe arsimtarët dhe festohet në të gjitha shkollat e vendit me aktivitete të shumta në shenjë falënderimi për mësuesit për punën që kryejnë në edukimin e brezit të ri.
I pari që ka uruar mësuesit në këtë ditë të shënuar për të gjithë, ishte kryeministri Edi Rama. Ai ka publikuar një video me urimet e disa prej mësuesve, përmes së cilës janë theksuar vlerat, rëndësia dhe misioni i rëndësishëm i figurës së mësuesve.
Urimin e saj ka shprehur edhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi duke thënë se politika dhe shoqëria duhet të bëjë më shumë për mësuesit që janë aseti më i vyer i shoqërisë tonë.
Edhe presidenti Ilir Meta e nisi mëngjesin e tij me një fotografi të rralë të Mësonjëtores së parë Shqipe, përmes së cilës ka uruar të gjithë mësuesit për veprën dhe misioni ne tyre.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ishte sot e pranishme dhe përshëndeti në takimin “Nxënësit për Mësuesit”, kushtuar 7 Marsit, Festës së Mësuesit, organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Ministria e Arsimit dhe e Sportit.
Në këtë takim morën pjesë anëtarët e Parlamentit të Nxënësve, mësuese e mësues nga të gjitha qarqet e vendit, deputetë, përfaqësues të institucioneve të arsimit, drejtues shkollash etj. Ishte gjithashtu e pranishme edhe Ministrja e Arsimit Evis Kushi.
Kryetarja e parlamentit të nxënësve, Ester Ndreka, e cila hapi këtë takim, u uroi mësueseve e mësuesve festën e 7 Marsit dhe shprehu mirënjohjen e të gjithë nxënësve të Shqipërisë për mësuesit e tyre, për përkushtimin në mësimdhënie dhe edukimin qytetar e komunitar.
Kushi falënderoi Kryetaren e Kuvendit për organizimin e këtij aktiviteti të bukur. Duke përshëndetur mësueset dhe mësuesit e pranishëm.
“Ju na frymëzoni të gjithëve, jo vetëm nxënësit, por edhe ne si edhe prindërit dhe të gjithë shoqërinë me misionin, dijet dhe përkushtimin tuaj”, tha Nikolla.
Nikolla, pasi u uroi nxënësit e mësuesit me rastin e 7 Marsit, i ftoi pjesëmarrësit të shprehin dashurinë e solidaritetin me nxënësit dhe mësuesit e Ukrainës, të cilat detyrohen të ndërpresin mësimet dhe jetën normale për t’u shpëtuar goditjeve të raketave dhe tankeve ruse.
“Nxënësit dhe mësuesit e Ukrainës dëshirojnë të mësojnë në paqe dhe jo mes tmerrit e tragjedive të luftës”, theksoi Lindita Nikolla.
Duke shprehur vlerësimet e saj për shkollën dhe mësuesit, Nikolla se asnjë institucion nuk i ka shërbyer më shumë vendit tonë se shkollat.
“Asnjë institucion nuk i ka shërbyer Shqipërisë më shumë sesa arsimi, shkolla dhe mësuesit, me dijet, largpamësinë, përkushtimin, shpesh edhe vetëmohimin. Asnjë figurë profesionale nuk ka mundur të meritojë titullin e nderuar të misionarit, siç e kanë merituar mësueset dhe mësuesit e Shqipërisë.
Asnjë institucion dhe asnjë profesionist nuk ka jetuar dhe nuk jeton njëkohësisht po aq sa me pulsin e problemeve të mëdha të shoqërisë, edhe me preokupimet e përditshme të familjes dhe njerëzve, sa shkolla dhe mësuesit. Asnjë institucion dhe asnjë profesionist nuk është skalitur në kujtesën e kombit dhe në kulturën kombëtare, sa shkolla dhe mësuesit.
Këto të vërteta i ka përjetuar secili prej nesh, në jetën e vet. I kam jetuar edhe unë gjatë periudhës si nxënëse e studente dhe u jam thellësisht mirënjohëse mësueseve, mësuesve dhe pedagogëve të mi. Dijet, dashuria dhe përkushtimi i mësuesve janë frymëzimi më i madh në jetën time”, tha Nikolla.
Në ditën e 7 Marsit, festës së mësuesve, ministrja e Arsimit Evis Kushi ka uruar arsimtarët për këtë ditë të veçante duke u shprehur mirënjohjen e thellë për të gjithë ato.
'Sot është 7 Marsi, dita për të shprehur falënderimet dhe mirënjohjen e thellë për të gjithë mësuesit tanë! Së bashku me Kryetaren e Kuvendit, Znj. Lindita Nikolla mblodhëm disa mësues me përvojë të gjatë në fushën e arsimit, nga të gjitha bashkitë e vendit, për të ndarë me ta dhe të gjithë mësuesit kudo që ndodhen urimet në këtë ditë të veçantë. Gëzuar 7 Marsin, të dashur mësues'- shkruan Kushi.
Në këtë 7 Mars, veç urimeve, mësuesit e shkollave të Tiranës morën edhe një letër falenderimi nga kryebashkiaku Erion Veliaj. Në mesazhin e tij, ai u shpreh mirënjohjen për punën dhe sakrificën e tyre në edukimin e brezit të ri.
“Përulem përpara jush, përpara përkushtimit tuaj! Ju nderoj për punën, lodhjen, mundin që ju takon ta mbani mbi supe dhe që e mbani me dinjitet, siç jam përulur gjithnjë, me nderim, edhe përpara mësuesve të mi, që më morën për dore dikur. Kësaj here, bashkë me nderimin, dua t’ju them se më keni në krah. Sepse janë të përbashkëta, siç është e arsyeshme, përpjekjet tona në rrugëtimin e formimit të qytetarëve të së nesërmes”, shkruan ai.
Teksa shpreh përkushtimin e Bashkisë së Tiranës, Veliaj siguron se, edhe pas 14 shkollave të reja që u hapën vitin që lamë pas, do të ndërtohen shkolla të tjera. “Shumë prej jush kanë mundësinë e drejtpërdrejtë ta prekin përkushtimin tonë, mbështetjen tonë, punët që kemi bërë. Mund ta prekin te 14 shkollat e reja që hapëm përgjatë një viti. E dini mirë se sa hijshëm u qëndrojnë ato shkolla të reja e plot dritë emrave të Lasgush Poradecit, Qazim Turdiut, Vaçe Zelës, Kristo Frashërit, Hasan Voglit… E kemi bërë tashmë premtimin dhe do ta mbajmë: shumë shkolla të reja do të hapim në vijim. Të tjerë prej jush kanë mundësinë e drejtpërdrejtë të vërtetojnë se vëmendja jonë është e njëjta, si për shkollat e qendrës dhe ato të periferisë. Kuptohet nga shkollat “Feti Fanaj”, “Agron Hysenlliu”, “Myrvete Peza”, “Murat Toptani”. Për ne s’ka rëndësi “ku”, por “kujt” ia ofrojmë përkushtimin. Dhe ata janë nxënësit, të gjithë njëlloj të vlefshëm, si për ju, edhe për ne”, nënvizon ai.
Veliaj thotë se shkollat e reja sot janë dhe Qendra Komunitare në shërbim të komunitetit pas mësimit. “Të gjithë bashkë keni mundësinë ta vërtetoni se shkollat e Tiranës nuk janë më godina, dyert e të cilave hapen në mëngjes e mbyllen me zilen e orës së fundit të mësimit. Shkollat, sot, janë Qendra Komunitare, ku koha e qëndrimit mbi libra vijon me veprimtari sportive, kulturore, shoqërore… ashtu siç është më e mira për nxënësit. Siç këshillonte Linkolni, i cili mëtonte që mësuesi t’i mësonte të birit jo vetëm librat, por edhe jetën”, shprehet kreu i Bashkisë.
Në mbyllje të letrës së tij, kryebashkiaku Veliaj i siguron mësuesit dhe mësueset e kryeqytetit se ai dhe Bashkia e Tiranës do të jenë gjithnjë në krah të tyre. “Tashmë e dini se Tirana është Kryeqyteti Evropian i Rinisë. Qendër graviteti e atyre kryeqytetarëve që ende ju i mbani për dore për t’i udhëhequr nëpër rrugët më të mira, ku duhet të ecin. Ja pra, sa shumë arsye kam të këmbëngul se jemi një skuadër e me të njëjtin përkushtim shohim në të njëjtin drejtim. Të dashur mësues, E kujtoni mirë, me siguri, përgjërimin Linkolnit baba për kolegun tuaj. “Ai fëmijë është i vogël dhe i mirë, ai është biri im”, - i shkroi ai. Unë do t’ia ndryshoj pak fjalët, por jo thelbin: Ata fëmijë janë të vegjël, të tjerë janë të rinj. Janë të mirë. Janë fëmijët tuaj, fëmijët tanë. Dhurojuni më të mirën! Mua, më keni në krah”, thekson Kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Letra e plotë: Të dashur mësues,
Teksa jam ulur t’ju shkruaj, më shfaqet letra e shumënjohur e Linkolnit.
Ai i drejtohet mësuesit të papërcaktuar të të birit, që është në moshën për t’i hyrë aventurës më të jashtëzakonshme të jetës së një njeriu; një aventurë e panjohur, por e bukur dhe magjike.
Djali im është ende i vogël, duhet edhe pak sa të vijë koha e t’jua dorëzoj, t’jua lë që ta merrni për dore e t’i mësoni gjërat që duhet të dijë, siç thoshte Linkolni, butësisht.
Por, përpara se të vijë ajo kohë, kam të tjera gjëra për t’ju thënë, duke qenë se ju i keni marrë sakaq për dore nxënësit, që i kanë hyrë aventurës më të madhe të jetës.
Përulem përpara jush, përpara përkushtimit tuaj. Ju nderoj për punën, lodhjen, mundin që ju takon ta mbani mbi supe dhe që e mbani me dinjitet, siç jam përulur gjithnjë, me nderim, edhe përpara mësuesve të mi, që më morën për dore dikur. Kësaj here, bashkë me nderimin, dua t’ju them se më keni në krah. Sepse janë të përbashkëta, siç është e arsyeshme, përpjekjet tona në rrugëtimin e formimit të qytetarëve të së nesërmes.
Shumë prej jush kanë mundësinë e drejtpërdrejtë ta prekin përkushtimin tonë, mbështetjen tonë, punët që kemi bërë. Mund ta prekin te 14 shkollat e reja që hapëm përgjatë një viti. E dini mirë se sa hijshëm u qëndrojnë ato shkolla të reja e plot dritë emrave të Lasgush Poradecit, Qazim Turdiut, Vaçe Zelës, Kristo Frashërit, Hasan Voglit.
E kemi bërë tashmë premtimin dhe do ta mbajmë: shumë shkolla të reja do të hapim në vijim.
Të tjerë prej jush kanë mundësinë e drejtpërdrejtë të vërtetojnë se vëmendja jonë është e njëjta, si për shkollat e qendrës dhe ato të periferisë. Kuptohet nga shkollat “Feti Fanaj”, “Agron Hysenlliu”, “Myrvete Peza”, “Murat Toptani”. Për ne s’ka rëndësi “ku”, por “kujt” ia ofrojmë përkushtimin. Dhe ata janë nxënësit, të gjithë njëlloj të vlefshëm, si për ju, edhe për ne.
Të gjithë bashkë keni mundësinë ta vërtetoni se shkollat e Tiranës nuk janë më godina, dyert e të cilave hapen në mëngjes e mbyllen me zilen e orës së fundit të mësimit. Shkollat, sot, janë Qendra Komunitare, ku koha e qëndrimit mbi libra vijon me veprimtari sportive, kulturore, shoqërore… ashtu siç është më e mira për nxënësit. Siç këshillonte Linkolni, i cili mëtonte që mësuesi t’i mësonte të birit jo vetëm librat, por edhe jetën.
Tashmë e dini se Tirana është Kryeqyteti Evropian i Rinisë. Qendër graviteti e atyre kryeqytetarëve që ende ju i mbani për dore për t’i udhëhequr nëpër rrugët më të mira, ku duhet të ecin. Ja pra, sa shumë arsye kam të këmbëngul se jemi një skuadër e me të njëjtin përkushtim shohim në të njëjtin drejtim.
Të dashur mësues,
E kujtoni mirë, me siguri, përgjërimin Linkolnit baba për kolegun tuaj. “Ai fëmijë është i vogël dhe i mirë, ai është biri im”, - i shkroi ai. Unë do t’ia ndryshoj pak fjalët, por jo thelbin:
Ata fëmijë janë të vegjël, të tjerë janë të rinj. Janë të mirë. Janë fëmijët tuaj, fëmijët tanë. Dhurojuni më të mirën! Mua, më keni në krah. Gëzuar 7 marsin!
Erion Veliaj
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me mësues dhe pedagogë me rastin e 7 Marsit. Në fjalën e tij, Basha tha se sot kjo nuk është një tryezë feste, kjo sepse sipas tij arsimi ka degraduar.
“Sot nuk jemi rreth një tryeze feste. Fakti është se nuk mund të jemi sepse situata në vend që të vijë duke u përmirësuar ka ardhur duke u përkeqësuar. Në vend që mësuesve tu ofrohet përmes reformave kushtet dhe të ngrihen në piedestalin ku e meritojnë. Pagat e mësuesve shqiptarë kanë zbritur në nivelet më të papranueshme me të gjitha vendet e rajonit. Këto janë probleme shumë të mëdha që kanë ardhur duke u rënduar gjatë viteve të fundit. Ka munguar dhe vazhdon të mungojë përputhja e fjalëve me veprat. Mësuesit shqiptarë mbeten më të diskriminuarit”, tha Basha.
Presidenti Ilir Meta ka uruar festën e 7-Marsit me një fotografi të rralë nga Mësonjëtorja e parë Shqipe.
Ai ka shprehur mirënjohje për veprën e tyre të ndritur dhe suksesin në misionin fisnik të përçimit të dijes, vlerave qytetare dhe kombëtare.
“Gëzuar 7 Marsin për të gjithë mësuesit, pedagogët dhe profesorët shqiptarë!
Mirënjohje veprës tuaj të ndritur dhe suksese në misionin fisnik të përçimit të dijes, vlerave qytetare dhe kombëtare.”, shkruan Meta.
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka uruar mësuesit në ditën e 7-Marsit.
Ajo shkruan se ndër shekuj arsimtarët e vendit kanë afruar kombin tonë me dritën e dijes, duke promovuar ndërkohë vlerat më të mira, e duke nxitur një botëkuptim europian e perëndimor për brezin e ri.
Ajo shprehet se mësuesit janë aseti më i vyer për përgatitjen e fëmijëve dhe rinisë tonë për të ardhmen, politika dhe shoqëria duhet të bëjë më tepër për mësuesit, mësueset dhe çdo arsimtar, që sot meritojnë paga më të larta, kushte më të mira pune dhe status më të lartë në shoqëri.
"Gëzuar Ditën e Mësuesit Shqipëri!
Ndër shekuj, arsimtarët e vendit kanë afruar kombin tonë me dritën e dijes, duke promovuar ndërkohë vlerat më të mira, e duke nxitur një botëkuptim europian e perëndimor për brezin e ri.
Përulemi sot me mirënjohje ndaj të gjithëve, atyre që janë sot në krye të misionit, si edhe ndaj atyre që janë në pension.
Kontributi juaj mbetet i përjetshëm për Shqipërinë tonë!
Dita e Mësuesit, duhet të na kujtojë se ndërsa ata janë aseti më i vyer për përgatitjen e fëmijëve dhe rinisë tonë për të ardhmen, politika dhe shoqëria duhet të bëjë më tepër për mësuesit, mësueset dhe çdo arsimtar, që sot meritojnë paga më të larta, kushte më të mira pune dhe status më të lartë në shoqëri.", shkraun Kryemadhi.
Në videon paraqiten mësues nga shkolla të ndryshme të Tiranës të cilët shprehin fjalë zemre për profesionin e tyre që e shohin si mision dhe rëndësinë e tij për një komb.
“Mësuesit janë simbol i humanizmit, simbol i ndriçimit të mendjes! Gëzuar të gjithë mësuesve të mi, mësuesve fisnik në këtë ditë të rëndësishme të nderimit të figurës së tyre.”, shprehet një mësuese.
“Ky urim shkon për mësuesit që profesionin e bukur të mësuesisë e kanë shndërruar në mision.”, thotë një tjetër.
“Ky profesion është i bukur dhe plotë sfida, nëse e zgjidhni duhet të jeni nxënës të mirë gjithë jetën.”, tha një profesor.
“Urimi shkon për të gjithë mësuesit brenda dhe jashtë Shqipërisë.”, u shpreh një mësues.
Kjo ishte mënyra që zgjodhi Rama të uronte mësuesit në ditën e tyre të shënuar.
“Mirëmëngjesi dhe me urimin për të gjithë mësuesit e mësueset në ditën e tyre të shënuar, ju uroj të gjithëve një javë të mbarë.”, shkruan kryeministri.
/ALMAH/,keshtu ka qene gjithmone.Me kujtohet kur ishim ne 8-vjecare u sillnim lule,kartolina,por dhe ndonje shishe te vogel me parfum,corape,buzekuq,etj.Me kujtohet nje incident,duhet te kem qene ne kl-5,ose me lart:Ne ate kohe, na vinin studentet e gjuheve te huaja per te bere praktiken.Tek ne kishte ardhur nje vajze e re per te bere praktiken e anglishtes dhe ajo u pelqye shume nga e gjithe klasa,sepse nuk ishte e zakonshme ne menyren e mesimdhenies,nese kishte dhe dicka speciale qe se kishin mesuesit dhe praktikantet e tjere,nuk e di,por kur erdhi 7 Marsi,nxenesit me te mire vendosen t'i benin vizite ne shtepi me rastin e festes(ne ate kohe beheshin vizita dhe ne shtepi,por nuk e di nese e vazhdojne akoma kete tradite).Ishte hera e pare dhe e vetme qe u vendos t'i shkohej per urim nje praktikanteje.Klasa u perca deri ne zenke e debat te ashper,sepse nxenesit me te mire donin te shkonin te praktikantja,kurse pjesa tjeter te mesuesja kujdestare.Ate mbasdite e gjithe klasa u mblodh ne oborrin e shkolles dhe fjale te ashpra e te shara u shkembyen midis dy grupeve ne nje perpjekje te fundit per unifikim,por nuk u arrit asgje.Keshtu dy grupet u ndane dhe nje pjese vajten te mesuesja kujdestare,kurse te tjeret te praktikantja.Une zgjodha grupin e praktikantes,sepse atje vajten nxenesit me te mire.Me kujtohet qe i cuam lule dhe nje komplet gotash likeri-rakie te shoqeruar me nje de-kanter nga ato qe shiteshin ne kohen e Xhaxhit,kaluam nje mbasdite shume te kendeshme ne shtepine e praktikantes.Ajo u tregua shume miqesore dhe e sjellshme me ne.Besoj se dhe vete eshte habitur,akoma pa u diplomuar dhe i erdhen nxenes per 7 Marsin!Kur e kujtoj tani,me vjen per te qeshur,por kane qene kohera te bukura.Megjithate sot dua t'i uroj te gjithe mesuesit,aktive dhe ne pension :Gezuar festen!
PërgjigjuSot mesueset ishin ngarkuar plot me canta te mbushura me dhuratat e nxeneseve,si nuk ju vjen turp,kane te drejte te marrin vetem nje lule
Përgjigju