Enkeleid Dobi, trajneri i KF Teutës dhe Ivan Gvozdenovic, trajneri i AF Elbasanit

Sport

Sot AF Elbasani - Teuta, Gvozdenovic: Jemi më të fortë se durrsakët! Dobi: Të mos bëjmë gabime

27 Shtator, 11:49| Përditesimi: 27 Shtator, 12:05

  • Share

Këtë të shtunë në orën 19:00 në "Elbasan Arena", AF Elbasani dhe Teuta do përballen për raundin e pestë në Superligë. Vendasit mbajnë kreun me dhjetë pikë dhe nuk kanë asnjë humbje në katër takimet e para, ndërsa Teuta me gjashtë pikë ndodhet në pozitën e pestë.

Dueli sheh përballë dy skuadra që luajnë në sulm dhe dy trajnerët, Ivan Gvozdenovic i AF Elbasanit dhe Enkeleid Dobi i Teutës kanë shpalosur idetë e tyre për takimin.

Serbi Gvozdenovic e sheh ekipin në vendin e parë dhe tregon se skuadra e tij është më e fortë se Teuta.

"Atmosfera para ndeshjes me Teutën është shumë e mirë. Lojtarët janë të fokusuar dhe të motivuar, çdo ditë kemi punuar intensivisht për të përgatitur skuadrën. Megjithatë, duhet të theksoj se gjithçka vendoset në fushë. Aty do t’i tregojmë të gjitha aftësitë tona dhe mënyrën se si mund të kontrollojmë lojën. Ne kemi besim tek grupi dhe tek mentaliteti i tyre fitues.

E shoh skuadrën si një grup të fortë dhe të balancuar. Kemi ekuilibër nga faza sulmuese dhe ajo mbrojtëse dhe kjo na jep siguri. Secili lojtar di rolin e tij dhe është i përqendruar në atë që duhet të bëjë. Çdo ndeshje është një mundësi për të treguar karakterin tonë, për të luajtur me pasion dhe për të dhënë maksimumin", tha mes të tjerash Gvozdenovic.

Nga ana tjetër, Enkeleid Dobi kërkon fokusim nga të tijtë dhe shmangien e gabimeve.

"Gjithmonë një seri pozitive ka domethënien e vet. Ajo tregon se lojtarët janë në linjën e duhur dhe kjo është një motivim shtesë. Ne e kemi thënë gjithmonë që rezultati është më i rëndësishmi dhe kur ai vjen, padyshim që rrit besimin. Pres një fokusim jashtëzakonisht të madh, stabilitet dhe natyrisht vazhdimësi në performancë. Po të ekzistonte një çelës i thjeshtë, gjithçka do ishte më e lehtë. Por në futboll çelësi është gjithmonë i njëjtë, ekipi që bën më pak gabime, del fitimtar", tha Dobi.

AF Elbasani vjen nga fitorja 1-0 kundër Partizanit, ndërsa Teuta nga barazimi 1-1 kundër Vllaznisë.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e shkarkoi, a duhet Erion Veliaj ta ankimojë në Kushtetuese?