Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka bërë një reagim nga qelia ndërsa janë bërë 100 ditë nga arrestimi i tij. Në një postim në rrjete sociale, Veliaj thotë se ndalimi i tij i padrejtë vazhdon dhe se po pengohet që të ushtrojë detyrën si kryetari i zgjedhur i bashkisë së Tiranës.
“Shumë të dashur miq, Sot bëhen 100 ditë nga burgimi im pa asnjë justifikim të arsyeshëm. Ndalimi im i padrejtë dhe arbitrar vazhdon, megjithëse nuk jam akuzuar për asnjë vepër penale. Si pasojë, po pengohem forcërisht nga ushtrimi i detyrave të mia si Kryetar i zgjedhur, me votë masive 3 herë, i Bashkisë së Tiranës.”, shkruan Veliaj.
Pavarësisht kësaj sfide, Veliaj thekson se mbetet i palëkundur, duke shtuar se do të vijojë të ndjekë rrugët ligjore për të siguruar lirimin.
"Vazhdimi i këtij paraburgimi nuk përbën vetëm një sulm ndaj meje dhe familjes sime, por është edhe një ndërhyrje e panevojshme dhe joproporcionale në përmbushjen e detyrave publike, që më janë besuar nga qytetarët e Tiranës. Pavarësisht burgimit mbetem i papërkulur. Çdo ditë që kalon, ma forcon edhe më shumë vendosmërinë. Angazhimi im ndaj Tiranës, ndaj jush, ndaj demokracisë, sundimit të ligjit dhe të ardhmes së Shqipërisë mbetet i palëkundur. Do të vazhdoj të ndjek të gjitha rrugët ligjore për të siguruar lirimin tim, në mënyrë që të vazhdoj t’i shërbej qytetit tonë të mrekullueshëm si kryebashkiaku juaj. Me mall dhe dashuri për secilin prej jush!”, përfundon Veliaj.
Një ditë më parë, kryebashkiaku bëri rekurs në Gjykatën e Lartë kundër masës shtrënguese arrest në burg. Rekursi është ndaj vendimit të fundit të Apelit të GJKKO, e cila la në fuqi vendimin e shkallës së parë. Veliaj u arrestua në shkurt nën akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Postimi i Veliajt
Komente
