Paqe dhe mbarësi uruan besimtarët bektashinj në ditën simbol të ëmbëlsisë shpirtërore, festës së Ashures.
Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj theksoi rëndësinë e veprave të mira, sidomos në kohë të vështira si ato që po përjeton sot njerëzimi.
"Pas 10 ditësh Agjërim në nder të 72 martirëve të rënë në muret e Qerbelasë. Është një ditë e veçantë për të gjithë bektashinjtë anë e mbanë botës. Kuptim dhe domethënia e kësaj ëmbëlsire të përbotshme që shtëpia e çdo besimtari bektashi e bekon. Profeti na tregon që Muharremi është një muaj i shenjtë dhe si tillë, mëkatet e kryera gjatë Muharremit peshojnë shumë rëndë dhe veprat e mira shpërblehen më bujarisht.
Ai na inkurajoj të agjërojmë gjatë Muharremit, nderojmë sakrificën e Imam Hysenit i cili la për drejtësi në përpjekje për të përhapur rrugë drejt së vërtetës, demokracisë. Çdo burim uji, bimësi e gjithçka tjetër që ka krijuar zoti është e shenjtë, mos e shpërdoro ujin edhe nëse je pranë një përroi që rrjedh.
Përpjekjet për liri, paqe, demokraci janë detyra tonat sot, por mbi të gjitha të udhëheqësve tanë në botë për paqe. Lutemi që njerëzimi të gjej paqe, mirësi, të pushohen konfliktet dhe luftëra dhe të ecim drejt zhvillimit të demokracisë. Sytë tanë duhet të drejtohen drejt lutjeve ndaj Zotit.
Personi bujar është ai që ndihmon të dëshpëruarit dhe nuk pret ndihmë nga të tjerët. Garoni për vepra të mira, dhe nxitoni të shfrytëzoni mundësi për vepra të mira. Në këtë ditë të shënuar, detyra jonë është të ruajmë njerëzimin, vlerat, familjen, virtytet, mirëqenien shpirtërore dhe mendore. Amaneti i Zotit është i Shenjtë! Zoti na bekoftë të gjithëve!", tha gjatë fjalës së tij Baba Mondi.
Sipas kalendarit të bektashinjve, Dita e Ashures vjen pas dhjetë ditëve zie, të njohura si Matemi, përkujtuar në nder të Imam Hysenit dhe 72 dëshmorëve të rënë në Luftën e Qerbelasë. Kjo ditë simbolizon sakrificën për liri, drejtësi dhe përpjekjet për një shoqëri të emancipuar e të drejtë.
Komente
