Besimtarët katolikë e protestantë kremtojnë Pashkën, urojnë krerët e shtetit dhe politikës! Imzot Arjan Dodaj: Të fryjë një fllad i ri në shoqëri! Mesazh edhe për politikën

9 Prill 2023, 07:26| Përditesimi: 9 Prill 2023, 15:05

  • Share

TIRANË- Besimtarët e krishterë dhe protestantë, kremtojnë sot Pashkët, momenti më i madh në kalendarin liturgjik të Kishës Katolike dhe kishave të tjera të krishtera që shënon ringjalljen e Jezu Krishtit pas kryqëzimit. Besimtarët u mblodhën sot në kishat katolike për të marrë pjesë në meshë dhe u lutën për më shumë, paqe, mbarësi e shëndet. Krerët e shtetit dhe politikës kanë uruar të gjithë besimtarët në këtë ditë të veçantë.

Në fjalën e tij Imzot Arjan Dodaj, i cili drejtoi meshën në Katedralen Shën Pali në Tiranë, tha se kjo ditë duhet të jetë një ditë për më shumë shpresë e paqe ndërsa përcolli edhe një mesazh për politikën.

“Ne jemi të thirrur të jemi arsye shprese, të jemi kripa e tokës, drita e botës. I ringjalluri është i pranishëm në jetën tonë çdo herë që përsërisim fjalët e tij. Të lusim zotin që të fryjë një fllad i ri në shoqërinë tonë, duke filluar nga institucionet  e politikës, drejtësisë, të kemi një fllad të ri për të bërë të mirën dhe mos u mundur nga hija e së keqes. Qoftë kjo një pashkë paqeje, për të gjithë vendin tonë, vëllezërit e motrat e sëmurë, të varfrit, të rinjtë e fëmijët dhe të gjithë ata që presin gjeste bamirësie”, tha ai.

Mbrëmjen e kaluar, në të gjitha kishat katolike të vendit u mbajt mesha e shenjtë e vigjiljes të Pashkëve, me ritet përkatëse. Ndërkohë, besimtarët që nuk ishin mbrëmë të pranishëm, morën sot pjesë në meshat në kishat katolike. 

Një ditë më parë besimtarët katolikë iu drejtuan kishës për të marrë bekimin e ushqimeve. Në shportën që do të përmbajë tryeza e së dielës së Pashkës, nuk mungon Buka e Pashkës, një shishe vere, pak djathë dhe hudhra të njoma që simbolizojnë ardhjen e pranverës si dhe veza e kuqe, simboli i ringjalljes së Krishtit dhe ripërtëritjes. Festimet e Pashkëve nisin me meshën e madhe të së shtunës mbrëma dhe përfundojnë me drekën tradicionale të së dielës. Të gjithë mblidhen rreth tryezës nën refrenin e kësaj dite festive që është:  “Krishti u ngjall, vërtet u ngjall”.

Ndërkohë, mbrëmjen e së premtes besimtarët katolikë kremtuan ritualin “Udha e Kryqit”. Në sheshin ‘Nënë Tereza’ në Tiranë u organizua për herë të parë procesioni i ‘Udhës së Kryqit’ njësoj si në Vatikan. “Udha e Kryqit” vjen me 14 ndalesa dhe në secilën prej tyre besimtarët bëjnë lutje dhe përkujtojnë mundimet e Jezusit. E premtja para Pashkës, shënon ditën e kryqëzimit të Krishtit dhe vuajtjeve të tij me kryqin mbi shpinë. 

Pashka (ose pashkët) është kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik të Kishës Katolike Romake dhe të kishave të tjera të krishtera që kremtojnë Ringjalljen e Jezusit të Nazaretit ndodhur, sipas Besëlidhjes së Re, tre ditë pas vdekjes së tij në kryq. Java para Pashkëve është quajtur Java e Shenjtë, dhe ajo përmban Tri Ditët e Pashkëve, që përfshijnë Të Enjten e Shenjtë, që përkujton Darkën e Fundit, Të Premten e Shenjtë, që përkujton kryqëzimin dhe vdekjen e Jezusit. Në krishterimin perëndimor, Sezoni i Pashkëve, fillon të dielën e Pashkëve dhe zgjat shtatë javë, duke i dhënë fund me ardhjen e ditës pesëdhjetë.

Shqiptarja.com dhe Report Tv ju uron të gjithë besimtarëve katolikë, Gëzuar Pashkën!

Ora 12:53
Pashkët katolike, Begaj uron besimtarët nga katedralja e Rrëshenit: Gëzuar, është një ditë paqeje, harmonie e mirësie

 

Presidenti i Republikës Bajram Begaj zgjodhi Mirditën, simbolik e katolicizmit ne Shqipëri për t’ju uruar të gjithë besimtareve Katolik Festen e Pashkës. Në mesazhin e tij nga katedralja e Rrëshenit, Begaj tha se ringjallja e Jezu Krishtit është një ngjarje mjaft e rëndësishme pasi e mira triumfon ndaj te keqes.

‘Qoftë kjo ditë një kohë ringjalljeje e shpresës, e paqes dhe harmonisë në të gjitha familjet tuaja, në shoqërinë tonë e në botën e trazuar ku jetojmë. Pikërisht sot është dita që duhet të risjellim në vëmendje se e mira mund të triumfojë ndaj së keqes, shpresa ndaj pesimizmit. Ne të gjithë duhet të punojmë që të kemi dritë përpara errësirës. Kënaqësi që jam sot këtu,” tha Presidenti në prononcimin e tij. 

I shoqëruar nga Imzot Gjergj Meta, Presidenti Begaj vizitoi gjithashtu shtëpinë e motrave vinçenciane.

Ora 12:27
Pashka Katolike, qytetarët për Report Tv: Më shumë shëndet e mbarësi për shqiptarët

 

Qytetarët kanë uruar të gjithë besimtarët e krishterë dhe protestantë për festën e Pashkës. Përmes mikrofonit të Report Tv ata uruan për më shumë shëndet e mbarësi. Ata treguan edhe gatimet për drekën e pashkëve.

“Gëzuar të gjithëve, mbarë e mirë. Karakteristike është të mos mungojnë vezët e bekuara. Ne gatuajmë drekën e pashkëve, bukën e bekuar, vezën djathin dhe i hamë sot për drekë.

Urime të gjithë shqiptarëve për pashkët dhe ringjalljen e Krishtit.

Dua të uroj të gjithë shqiptarët gëzuar Pashkën, më shëndet, bekime paçim gjithmonë ne si popull. Festa e pashkëve është shumë e rëndësishme për ne pasi me ngjalljen e Krishtit jeta e mund vdekje. E zhvillojmë këtë ritual në kishën e Laçit, ishte hera e parë që u bë në Tiranë. Ishte një emision i bukur.

Sot do hamë mish qengji, vezët e pashkëve”, u shprehën ata për Report Tv.

Ora 12:19
Pashkët Katolike bëjnë ‘bashkë’ politikanët, Meta, Alibeaj e Veliaj në Katedralen Shën Pali në Tiranë

 

Festa e Pashkës ka bërë ‘bashkë’ politikanët të cilët në këtë ditë kanë qenë të pranishëm në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, pas mbajtjes së meshës.

Të pranishëm ishin kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta me bashkëshorten Monika Kryemadhi, kreu i PD-së, Enkelejd Alibeaj, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Ndërkohë, u vunë re edhe figura të tjera si deputetja demokrate Oriola Pampuri, apo deputetja socialiste Mimi Kodheli.

Ora 12:12
Meta me Kryemadhin në Katedralen Shën Pali në Tiranë, uron besimtarët: Kjo ditë na fton të gjithëve për të bërë mirë

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi ishin në Katedralen e Shën Palit në Tiranë. Të dy uruan besimtarët katolikë për më shumë paqe e mirësi.

"Në mesazhin e kemi të qartë, e kemi nga Gjergj Fishta, Bajram e Pashkë i kemi bashkë, jam i lumtur që ditëlindja e Monikës qëlloi në këtë ditë të bekuar të Pashkës, në këtë ditë ringjalljeje, në këtë ditë kanë të rëndësishme që na fton të gjithëve për të bërë mirë", tha Meta.

Teksa uroi besimtarët, Kryemadhi bëri edhe një batutë duke thënë se sot i ka rënë Ilir Metës me vezën e Pashkëve.

"Doja të uroja të gjithë shqiptarët në këto ditë pashkës, miqësia e begatia mbizotëroftë në familjet e tyre. I rashë sot Ilir Metës me vezët e pashkëve", tha Kryemadhi. 

Ora 11:21
Pashkët katolike, Balla uron nga Lushnja: Të mësojmë të gjithë nga kjo festë! Paqja mbizotëroftë

 

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka uruar të gjithë besimtarët katolikë për festën e Pashkës.

“Dua t’ju uroj me zemër besimtarëve se, festa e Pashkës është një festë shumë e bukur. Ajo simbolizon dashurinë dhe sakrificën për Zotin dhe njeriun. Të mësojmë të gjithë nga kjo festë. Paqja mbizotëroftë. Të sjellim sa më shumë mirëkuptim e punë. Festa e Pashkëve është një mesazh për ne politikanët që të punojmë më shumë në të mirën e përbashkët në dobi të qytetarëve.”- thotë Balla.

Ora 11:09
Dom Gjergj Meta uron besimtarët katolikë: Gëzuar Pashkën, Krishti u ringjall

 

Dom Gjergj Meta ka uruar të gjithë besimtarët katolikë dhe protestantë për Pashkën.

"Sot është e diela e pashkës dhe simboli më domethënës më shprehës i mëngjesit të Pashkës , është pikërisht varri bosh. Gratë dhe dy shekuj më pas shkojnë tek varri dhe shenja e parë që ata takojnë është pikërisht që ky varr është bosh. Varri është shenja e dekompozimit, kundërmimit. Është një simbol i fuqishëm, por varri bosh në mëngjesin e pashkëve do të thotë se Krishti nuk është aty, ai është ringjallur. Kam menduar në këto ditë kreshmës dhe pashkës për shumë varre të hapura, të ekzistencave të palumtura, varret të zemrave të vrara nga humbja e njerëzve të dashur, të ekzistencave të palumtura, varre të shkaktuara nga ekzistenca të nëpërkëmbura nga padrejtësi sociale, nga sistemet e korrupsionit, nga ata që përpiqen të shfrytëzojnë të tjerët, pasuritë e të tjerëve, kam menduar për varret e luftërave të ndryshme që janë të hapura sot nëpër botë. Shenja që ne jemi në pashkë do ishte që këto varre të ishin bosh. Do doja që në këto ditë pashke të dëgjoja zërin e fuqishëm të Krishtit që thotë çohu o ti që i përgjumur, ti që je ndër të vdekur çohu dhe jeto. Sa do doja që këto varre të ishin bosh. Të dashur miq në këtë të dielë pashkës dëshiroj t’iu uroj gëzuar pashkën, Krishti u ngjall, vërtet u ngjall.

Ora 10:40
Pashkët katolike, besimtarët marrin pjesë në meshën në Katedralen e Shën Palit, Imzot Arjan Dodaj: Të fryjë një fllad i ri në shoqëri, sidomos në politikë

Në Katedralen Shën Pali në Tiranë u mbajt mesha e shenjtë për të gjithë besimtarët katolikë e protestantë. Besimtarët u mblodhën për t’u lutur për më shumë shpresë e shëndet.

Në fjalën e tij Imzot Arjan Dodaj tha se kjo ditë duhet të jetë një ditë për më shumë shpresë e paqe ndërsa përcolli edhe një mesazh për politikën.

“Ne jemi të thirrur të jemi arsye shprese, të jemi kripa e tokës, drita e botës. I ringjalluri është i pranishëm në jetën tonë çdo herë që përsërisim fjalët e tij. Të lusim zotin që të fryjë një fllad i ri në shoqërinë tonë, duke filluar nga institucionet  e politikës, drejtësisë, të kemi një fllad të ri për të bërë të mirën dhe mos u mundur nga hija e së keqes. Qoftë kjo një pashkë paqeje, për të gjithë vendin tonë, vëllezërit e motrat e sëmurë, të varfrit, të rinjtë e fëmijët dhe të gjithë ata që presin gjeste bamirësie”, tha ai.

Ora 10:13
Katolikët kremtojnë Pashkët në Lezhë, Ipeshkvi Vitale: Njerëzit të jenë më afër kishës të cilën e ka themeluar Jezusi

 

Me qirinjtë e lutjes në duar, që simbolizojnë dritën e përjetshme, të krishterët në Lezhë kanë kremtuar pashkët. Qindra besimtare ju bashkuan ritualit fetar të ringjalljes së Jezu Krishtit, që u mbajt mbrëmjen e së shtunës në katedralen e Shën Nikollit.

Në fjalën e tij para besimtareve ipeshkvi i Dioqezes së Lezhës Monsinjor Otavio Vitale, ju bëri thirrje njerëzve e kryesisht burrave që të jenë me afër kishës të cilën e ka themeluat Jezusi.

Pas meshës së shenjtë e cila zgjati deri në mesnate besimtaret ju  drejtuan shtëpive të tyre me dritën e jetës dhe mesazhin Krishti u ringjall. Pashka është festa me e madhe e kalendarit liturgjik të Kishës Katolike dhe të kishave te tjera te krishtera, te cilat festojnë Ringjalljen e Jezusit, sikundër e tregon Besëlidhja e Re.

Ora 09:43
Pashka Katolike, Presidenti Bajram Begaj: Gëzuar për të gjithë besimtarët katolikë

1679916250_WhatsAppImage20230327at12.17.421.jpeg

Presidenti Begaj ka uruar të gjithë besimtarët gëzuar Pashkën katolike.

‘’Gëzuar Pashkët për të gjithë besimtarët katolikë!

Shpresa, dashuria dhe jeta e gëzueshme që frymë e Pashkëve përcjell bekoftë jetën tuaj!’’- shkroi Begaj.

Ora 09:30
Besimtarët katolikë kremtojnë Pashkën, Meta: Mesazhi i ringjalljes që kjo festë sjell, uroj të jetë ringjallje dhe e Shqipërisë sonë

1681025434_3363783635648261454703766413838621535746858n.jpg

Kreu i PL-së, Ilir Meta ka uruar të gjithë besimtarët katolikë dhe protestantë për festën e Pashkëve.

“Të gjithë besimtarëve katolikë dhe ungjillorë ju uroj nga zemra, Pashkë të Bardha!

Qofshi të gëzuar pranë familjeve e më të dashurëve tuaj.

Mesazhi i ringjalljes që kjo festë sjell, uroj të jetë ringjallje dhe e Shqipërisë sonë, në të gjitha aspektet.”- shkroi Meta.

Ora 09:09
Nikolla uron besimtarët katolikë për Festën e Pashkëve: Paqja le të përshkojë jetët tona

1672337852_1656924479linditanikolla11068x12301.jpg

Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, ka uruar besimtarët katolikë për Festën e Pashkëve

“Ringjallja e Krishtit është mesazhi i fuqisë së jetës mbi vdekjen, i rrezes së dritës mbi tunelin e errësirës, i bekimit të dashurisë mbi mallkimin e urrejtjes, i paqes mbi luftën, i ngadhënjimit mbi mungesën e shpresës. Thirrja dymijëvjeçare “Paqe për ju” nuk është vetëm një mesazh fetar dhe as vetëm kristian, por një mesazh universal dhe njerëzor, për paqe, dashuri, pajtim e përdëllim! Thirrja e Pashkëve për paqe le të përshkojë jetët tona, familjet tona, vendet tona! Gëzuar Pashkët, gjithë besimtarëve katolikë!”, shkruan në urimin e saj Kryetarja Nikolla.

Ora 08:29
Pashka Katolike, Basha uron besimtarët: Ringjallja e Krishtit të jetë dita për më shumë shpresë dhe besim

Ish-kreu i demokratëve, Lulzim Basha ka uruar besimtarët për festën e Pashkëve. Basha shkruan se kjo ditë e Ringjalljes së Krishtit të jetë dita e ngjalljes së shpresës dhe besimit.

"Të dashur besimtarë katolikë dhe ungjillorë, ju uroj nga zemra Pashkë të bekuar! Për shumë vjet gëzuar këtë ditë të shenjtë që kremton triumfin e jetës mbi vdekjen, të shpresës mbi të keqen, të dritës mbi errësirën, të së drejtës mbi padrejtësinë! Lutemi që kjo ditë e ngjalljes së Krishtit të jetë dita e ngjalljes së shpresës dhe besimit tek një e nesërme më e mirë dhe e sigurt, nën mbrojtjen dhe drejtimin e Zotit fuqiplotë", shkruan Basha. 

Ora 08:15
Rama uron besimtarët katolikë: Gëzuar Pashkën! Ringjallja e Krishtit, dita që celebron dashurinë e pafundme dhe sakrificën për njeriun

Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë besimtarët katolikë për pashkët.

“MIRËMËNGJESI dhe me ditën e Ringjalljes së Krishtit, që celebron dashurinë e pafundme dhe sakrificën për njeriun, ju uroj gëzuar Pashkën Katolike”, shkruan Rama.

Ora 07:34
Pashka Katolike, besimtarët kremtojnë lindjen e Krishtit në Kishën 'San Luca' në Kuçovë

Besimtarët katolikë të Kuçovës  kanë kremtuar mesnatën e djeshme Pashkët. Në qarkun e  Beratit dhe Kuçovës janë rreth  300 familje katolike të cilat janë bashkuar në Kishën “San Luca” në qytetin e Kuçovë, ku edhe është mbajtur Mesha e Shenjtë e Pashkëve.

Mesha e shenjtë e Pashkëve, më e rëndësishmja në kalendarin e krishterë për vetë simbolikën e ringjalljes është mbajtur nga Prifti Giuseppe Tossi,i cili ka drejtuar lutjen e traditës sipas liturgjisë,me lutje ndaj Zotit dhe duke respektuar të gjitha ritet e kësaj feste.

Mesnata solli për besimtarët katolikë Kuçovë lajmin e gëzuar se “Krishti u ringjall”,e bashkë me të u ngjall edhe shpresa për botën. Mesha e shenjtë u ndoq nga qindra besimtarë katolikë, të cilët ishin mbledhur brenda ambienteve të Kishës Katolike në Kuçovë, duke u lutur në një nga ditët më të rëndësishme të kalendarit të krishterë, për paqe dhe jetë më të mirë.

Në përfundim të Meshës së Shenjtë, besimtarët katolikë  uruan njëri-tjetrin për më shumë paqe dhe dashuri në familjet e tyre, ndërkohë që përcollën edhe në urimet e tyre për të gjithë besimtarët katolikë.

 Besimtarët pas lutjeve kanë ndezur qirinj që simbolizon dritën e shpresës më pas janë përshëndetur me njeri tjetrin duke uruar paqe mirësi dashuri për njeri tjetrin. Besimtarët kanë uruar pashkë të mbara me fjalën Krishti u ngjall vërtet i ngjall.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Buda: 09/04/2023 12:00

    Shqiptaret po cmenden nga mesazhet hipokrite te politikaneve; nje shpikje alla-shqiptare, qe nuk ndodh ne vendet e zhvilluara demokratike te botes. Politikane-larg duart nga festat fetare dhe popullore!

    Përgjigju
  • Lgdhddi: 09/04/2023 11:51

    Arjan dodaj krye hajdut me cizme ti merr leket nga xhepi

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?