TIRANË- E sotmja është dita e Ringjalljes së Krishtit për të gjithë besimtarët katolikë dhe protestantë në të gjithë botën. Mbrëmë në të gjitha kishat katolike të vendit u mbajt mesha e shenjtë e vigjiljes të Pashkëve, me ritet përkatëse.
Duke filluar nga ora 23:00 mbrëmë nisi mesha në Katedralen e Shën Palit në kryeqytet. Kjo është mesha e parë që zhvillohet në mesnatë pas 2 vitesh nën masat e pandemisë së COVID-19. Besimtarë të shumtë kanë mbushur Katedralen në kryeqytet për të ndjekur meshën e shenjtë.
Pashka (ose pashkët) është kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik të Kishës Katolike Romake dhe të kishave të tjera të krishtera që kremtojnë Ringjalljen e Jezusit të Nazaretit ndodhur, sipas Besëlidhjes së Re, tre ditë pas vdekjes së tij në kryq.
Java para Pashkëve është quajtur Java e Shenjtë, dhe ajo përmban Tri Ditët e Pashkëve, që përfshijnë Të Enjten e Shenjtë, që përkujton Darkën e Fundit, Të Premten e Shenjtë, që përkujton kryqëzimin dhe vdekjen e Jezusit. Në krishterimin perëndimor, Sezoni i Pashkëve, fillon të dielën e Pashkëve dhe zgjat shtatë javë, duke i dhënë fund me ardhjen e ditës pesëdhjetë.
Ndërkohë që Kreu i kishës Katolike në Shqipëri, Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkvi Metropolit Tiranë Durrës, teksa përmendi të gjitha sfidat që jemi ndeshur vitet e fundit si tërmetin, pandeminë dhe luftën, ai bëri thirrje për të dashur edhe më shumë jetën në këto kohë të vështira.
Ne meshën e zhvilluar paraditen e sotme në Katedralen e Shën Palit kanë qenë të pranishëm edhe personalitet të politikës në vend. Ndërkohë që është parë të jetë e pranishme edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në vendin tonë, Yuri Kim.
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi me të bijën, ish-deputeti Tom Doshi, ish-ministri I Brendshëm Sandër Lleshaj, deputetja Mimi Kodheli etj, kanë marrë pjesë gjithashtu në meshën e sotme teksa më pas kanë qenë në një koktejl të organizuar nga Kisha Katolike.
Tom Doshi është një ish-deputet i Kuvendit të Shqipërisë që është shpallur ‘Non grata’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për këtë arsye ka qenë shpresh subjekt i deklaratave të ambasadores amerikane Yuri Kim, e cila me ngulm ka kërkuar që ai të mos ishte më pjesë aktive në politikën shqiptare.
Por ndonëse ‘non grata’ i ka ndarë, Zoti i ka bashkuar Doshin dhe Kim. Ata janë parë sot të pranishëm në Katedralen e Shën Palit në Kryeqytet teksa kanë marrë pjesë në meshën e zhvilluar me rastin e Pashkëve, meshë e drejtuar nga kreu i Kishës Katolike në vendin tonë, Imzot Arjan Dodaj.
Arqipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit, kreu i Kishës Katolike në Shqipëri, Imzot Arjan Dodaj ka dhënë mesazhin e tij në meshën e së dielës në Katedralen e Shën Palit me rastin e ditës së Pashkëve.
Dodaj foli për luftën në Ukrainë që është në ditën e 53-të të saj duke thënë se Krishti është ringjallur dhe i ka dhuruar jetën të gjithë refugjatëve, të dëshpëruarve që kanë braktisur vendin e tyre për shkak të pushtimit të forcave ruse.
"Në Shtëpinë e Zotit nuk ka nga ata që thonë unë jam më i mirë dhe ky është më pak i mirë se unë. Ju thotë Jezusi jeni vëllezër të gjithë, e keni vetëm një mësues, Krishtin, e një Hyjin Qiellor.
Të zhveshur prej këtyre ndjenjave e kategorive që shpesh herë na hedhin në zemër, mendje e në shpirt rrjetet sociale e mediat e të veshur me ndjenjat e Jezusit, i cili u lan këmbët të gjithë dishepujve pa dallim, atëherë vendosemi dhe ne në mendësinë e Krishtit të ringjallur në këtë Pashkë, për të bërë Pashkë e në Pashkët e këtij viti marrim vetëdije akoma më shumë se në vitet e kaluara të distancës që është mes britmave të gëzimit që shpallin Krishti është ringjallur nga të vdekurit e të gjithëve i ka dhuruar jetën dhe lajmeve të dhimbshme të luftës, të refugjatëve, të dëshpëruarve që me miliona kanë braktisur vendin e tyre në pak javë e që tingëllojnë me një mesazh tjetër, me mesazhin e hidhur të vdekjes.
Ndjejmë nevojën e këtij lajmi që na dëshmon se në të vërtetë vdekja nuk është faza finale e ekzistencës tonë njerëzore", tha imzot Arjan Dodaj.
Arqipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit dha mesazh paqeje duke thënë se të gjithë duhet ta nisin pajtimin e kërkimin e faljes nga vetja duke bërë që bota të shihet në një perspektivë tjetër.
"Pra Krishti është garantuesi i dinjitetit të njeriut në çdo situatë e kundër çdo dëftimi të së keqes. Shën Gregori nënvizonte, është shfaqur një brezni tjetër, një jetë tjetër, një ndryshim i vetë natyrës sonë. Ti je në këtë botë, por nuk je i kësaj bote.
Ti je kalimtar si të gjithë të tjerët, por për jetën e pasosur je për të dhënë dritë, vlera, pasuri, pajtim e paqe, të mos e pretendojmë këtë jetë, mos pretendo pajtim nga të tjerët, por ji ti pajtimi që pretendon. Mos kërko falje nga të tjerët, por jepe ti faljen që pretendon e mirëkuptimin dhe do të shohësh që bota që të rrethon është krejt një perspektivë tjetër", tha Imzot Arjan Dodaj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka uruar besimtarët e krishterë për festën e Pashkës.
“Në një ditë të bekuar si kjo, ju uroj PASHKË TË GËZUAR”, shkruan Veliaj.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim ka uruar mëngjesin e sotëm besimtarët për festën e Pashkëve.
“Në Pashkë, ne festojmë triumfin e jetës mbi vdekjen, të mirës mbi të keqen, shpresës mbi dëshpërimin. Zoti na bekoftë të gjithëve. Gëzuar Pashkët”, shkruan Kim në rrjetet sociale.
Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka uruar të gjithë besimtarët që sot kremtojnë pashkët.
“Të nderuar besimtarë që kremtoni sot Ringjalljen e Krishtit, ju uroj nga zemra Gëzuar Pashkët! Kjo ditë e shenjtë, simbol i ringjalljes së shpresës, uroj të ndriçojë mendjet dhe forcojë shpirtrat tuaj me besimin se do të kapërcejmë sfidat dhe vështirësitë e shtuara në jetët e familjeve shqiptare, për të ndërtuar së bashku një të ardhme më të begatë. Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja! Zoti e bekoftë Shqipërinë”, ka shkruar Basha në Facebook.
Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ka uruar besimtarët katolikë për festën e Pashkëve.
“Gëzuar Pashkët katolike! Gëzuar këtë ditë, simbol të ringjalljes! Sot më shumë se kurrë, pas dy vitesh të vështira e në një botë të trazuar, kemi nevojë për shpresën tek e ardhmja që simbolizon kjo ditë e shenjtë”, shkruan Xhaçka.
Kryeministri Edi Rama e ka nisur mëngjesin ditën e sotme me një urim për besimtarët katolikë të cilët festojnë Pashkët.
“Mirëmëngjesi! Gëzuar Pashkët Katolike”, shkruan Rama.
gezuar pashket! mbizoteroft paqa, harmonia, dashuria ne familjet tuuaja!
Përgjigjugezuar te gjithe besimtareve
PërgjigjuShendet dhe miresi paçi te gjithe besimtaret katolike
PërgjigjuJu urojme dhe ne gezuar pashket te gjitheve besimtareve katolik
PërgjigjuKush eshte e mira dhe kush eshte e jeqja ne kete mes ?
Përgjigju