Dembele dhe Yamal, dyshja që garon për 'Topin e Artë'

Sport

Sot ceremonia e 'Topit të Artë'/ Dembele është në avantazh, Yamal i qëndron pranë! Ç'ndodh në rast të votave të barabarta

22 Shtator, 10:26| Përditesimi: 22 Shtator, 15:56

  • Share

PARIS - Sot në orën 20:00 në 'Theatre du Chatelet' të Parisit do zhvillohet ceremonia e 'Topit të Artë'. Ousmane Dembele i PSG-së dhe Lamine Yamal i Barcelonës janë favoritët. Paçka se sot në 20:00 luhet dueli mes Marseille dhe PSG-së, Dembele do jetë prezent në ceremoninë që me gjasë do e kurorëzojë si më të mirin e sezonit që lamë pas.

Sa i përket rregullores, mësohet se në rast se dy futbollistë do të kenë numër votash të njëjtë, atëherë çmimi i shkon lojtarit, i cili ka marrë më shumë vende të para nga votimet. Nëse edhe në këtë aspekt ka barazim, atëherë diferencën e bëjnë vendet e dyta. Nëse edhe pas këtij listimi do të ketë përsëri barazi atëherë, do të jenë vendimtare vendet e treta.

Pas ceremonisë së vitit të kaluar, u vendos një rregull i ri

Fituesi nuk njoftohet paraprakisht. Kryeredaktori i 'France Football', Vincent Garcia, ka thënë se ai është i vetmi që e di emrin e fituesit. Në listën e kandidatëve janë 30 futbollistë, por favoritët kryesorë janë Ousmane Dembele (PSG) dhe Lamine Yamal (FC Barcelona). PSG-ja do të përfaqësohet nga një delegacion me 40 persona edhe pse thuajse në të njëtën orë në Marseille skuadra do të luajë “Klasiken” e madhe të Francës përballë OM.

Kriteret dhe votat

Trofeu këtë herë jepet bazuar në performancat e një sezoni të plotë, jo më sipas vitit kalendarik. Elementët kolektivë dhe trofetë janë në plan të dytë, përballë performancës individuale, talentit dhe sportivitetit.

Numri i votuesve është ngushtuar. Për meshkujt votojnë vetëm 100 gazetarë nga 100 kombet më të mira sipas renditjes së FIFA-s (nga 170 më parë), ndërsa për femrat janë 50 votues.

Ceremoninë do ta drejtojë Ronaldinho, i cili gjithashtu do të dorëzojë çmimin e fituesit. Përveç 'Topit të Artë', do të ndahen edhe çmimet për portierin më të mirë, golashënuesin më të mirë dhe futbollistin më të mirë të ri.

'Topi i Artë' jepet që nga viti 1956. Lionel Messi e ka fituar plot tetë herë, rekord absolut, ndërsa Cristiano Ronaldo e ka marrë pesë herë.

Të nominuarit për çmimet e vitit 2025:

Nominimet për fituesin e 'Topit të Artë 2025': Ousmane Dembele (PSG), Giggi Donnarumma (PSG, Man. City), Jude Bellingham (Real Madrid), Desire Doue (PSG), Denzel Dumfries (Inter), Serhou Guirassy (Dortmund), Erling Haaland (Man. City), Viktor Gyokeres (Sporting Lisbone, Arsenal), Achraf Hakimi (PSG), Harry Kane (Bayern Munich), Khvicha Kvaratskehlia (Napoli, PSG), Robert Lewandowski (Barcelona), Alexis Mac Allister (Liverpool), Lautaro Martinez (Inter), Scott McTominay (Napoli), Kylian Mbappe (Real Madrid), Nuno Mendes (PSG), Joao Neves (PSG), Pedri (Barcelona), Cole Palmer (Chelsea), Michel Olise (Bayern Munich), Raphinha (Barcelona), Declan Rice (Arsenal), Fabian Ruiz (PSG), Virgil van Dijk (Liverpool), Vinicius Junior (Real Madrid), Mohamed Salah (Liverpool), Florian Wirtz (Leverkusen, Liverpool), Vitinha (PSG), Lamine Yamal (Barcelona).

Nominimet për trajnerin më të mirë: Antonio Conte (Napoli), Luis Enrique (PSG), Hansi Flick (Barcelona), Enzo Maresca (Chelsea), Arne Slot (Liverpool).

Nominimet për portierin më të mirë: Alisson Becker (Liverpool dhe Brazil), Yassine Bounou (Al-Hilal dhe Marok), Lucas Chevalier (Lille dhe Francë), Thibaut Courtois (Real Madrid dhe Belgjikë), Gianluigi Donnarumma (PSG dhe Itali), Emiliano Martinez (Aston Villa dhe Argjentinë), Jan Oblak (Atletico Madrid dhe Slloveni), David Raya (Arsenal dhe Spanjë), Matz Sels (Nottingham Forest dhe Belgjikë), Yann Sommer (Inter dhe Zvicër).

Nominimet për talentin më të mirë U-21: Pau Cubarsi (Barcelona dhe Spanja), Ayyoub Bouaddi (Lille), Desire Doue (PSG dhe Francë), Estevao Uillian (Chelsea dhe Brazil), Dean Huijsen (Real Madrid dhe Spanjë), Myles Lewis-Skelly (Arsenal dhe Angli), Rodrigo Mora (Porto dhe Portugali), Joao Neves (PSG dhe Portugali) Kenan Yildiz (Juventus dhe Turqi).

Ora 15:53
Nga Di Stefano, te Cruyff, Beckenbauer e Platini! Të gjithë fituesit e 'Topit të Artë', rekordi mbahet nga Leo Messi

Sot në Paris bota e futbollit do mësojë fituesin e 'Topit të Artë', me tifozët që janë të ndarë mes Ousmane Dembele (PSG) dhe Lamine Yamal (Barcelona). Trofeu më i rëndësishëm në aspektin individual jepet prej vitit 1956-të dhe edicioni i këtij viti është i 70-ti, teksa vetëm në vitin 2020 për shkak të Covid-19 ky trofe nuk u akordua.

Lionel Messi me tetë trofe mban rekordin, ndjekur nga Cristiano Ronaldo me pesë trofe. Në listën e gjatë të fituesve ka emra si Alfredo Di Stefano, Lev Yashin, Eusebio, Bobby Charlton, Franz Beckenbauer, Karl-Heinz Rummenigge, Kevin Keegan, Johan Cruyff, Michel Platini, Marco Van Basten, Roberto Baggio, Ronaldo 'Fenomeni', apo Zinedine Zidane.

Të gjithë fituesit e trofeut të 'Topit të Artë':

Fituesit e 'Topit të Artë' ndër vite
Ora 15:27
Yje pa 'kurorë', 10-të legjendat e futbollit që s'e fituan dot 'Topin e Artë'

Sot në mbrëmje bota e futbollit do mësojë fituesin e Topit të Artë 2025, ku gara më e fortë është mes Ousmane Dembele të PSG-së dhe Lamine Yamal të Barcelonës.

Tifozët janë të ndarë për emrat, ndërsa lista e ngushtë për këtë çmim individual prestigjioz përfshin 30 futbollistë që kanë bërë më mirë në sezonin 2024-25. Me diskutimet që do vijojnë më shumë pas vendimit, më poshtë po përmendim disa nga legjendat e futbollit që nuk e kanë fituar 'Topin e Artë'.

1. Thierry Henry

Në vitin 2003 humbi ndaj Pavel Nedved, por dominonte Premier Leaguen me Arsenalin dhe më vonë shkëlqeu me Barcelonën. Shpejtësia, teknika dhe golat e tij e bënë të pakrahasueshëm. Për shumë, ai është lojtari më i madh që nuk fitoi kurrë 'Topin e Artë'.

2. Andres Iniesta

Shkëlqeu në vitin 2010 kur Spanja fitoi Kampionatin Botëror, por u ndal nga Messi. 'France Football' madje kërkoi falje që nuk e shpërbleu. Gjithsesi, Iniesta ka mbetur simbol i lojës së pastër dhe gjeniut të heshtur.

3. Xavi Hernandez

Tri herë radhazi përfundoi i treti (2009-2011), duke qenë truri i Barcelonës dhe Spanjës. Me pasimet dhe vizionin e tij, ndryshoi mënyrën si shihej futbolli. Shumë e konsiderojnë mungesën e 'Topit të Artë' për të si “fyerje për lojën”.

4. Steven Gerrard

Në vitin 2005, pas finales së famshme të Stambollit, përfundoi i treti. Kapiteni i Liverpoolit ishte simbol i lidershipit dhe vendosmërisë. Messi e quajti lojtarin më të mirë të Anglisë, ndërsa Thierry Henry tha se meritonte "Topin e Artë" atë vit.

5. Gianluigi Buffon

Portieri legjendar ishte shumë afër në 2006, por çmimi shkoi te Fabio Cannavaro. Buffon shpesh konsiderohet më i miri i gjeneratës së tij dhe lojtari që meritonte më shumë vlerësime. Ai vetë e quajti mungesën e 'Topit të Artë' për Iniestën padrejtësinë më të madhe.

6. Frank Lampard

Në vitin 2005 u rendit pas Ronaldinhos dhe ishte një nga mesfushorët më produktivë të kohës. Shënoi dhe asistoi në nivele të jashtëzakonshme, duke u bërë lider i Chelseat.

7. Zlatan Ibrahimovic

Me 11 nominime, Zlatan ishte gjithmonë mes më të mirëve. Por mungesa e trofeve madhorë me klube dhe Suedinë ia pamundësoi çmimin. Ai vetë e quajti Topin e Artë “politik” dhe pretendoi se ishte më i miri në botë.

8. Andrea Pirlo

'Profesori' i mesfushës fitoi Kupën e Botës dhe Ligën e Kampionëve, por nuk u rendit kurrë më lart se vendi i pestë. Inteligjenca e tij e lojës u vlerësua nga të gjithë, përfshirë Xavin dhe Giggi Buffonin. Megjithatë, modestia e tij shpesh e mbajti larg vëmendjes.

9. David Beckham

Në vitin 1999 ishte shumë afër, por mbeti i dyti. I njohur si ikona më e madhe e futbollit anglez, Beckham shënoi epokën me pasimet dhe harkimet e tij të sakta. Pa fitore të mëdha ndërkombëtare, ndikimi i tij mbeti më shumë simbolik se i trofeshëm.

10. Raul Gonzalez

Në vitin 2001, shënoi më shumë në La Liga dhe Ligën e Kampionëve, por çmimin e fitoi Michael Owen. Raul ishte simbol i Real Madridit dhe kapiten shembullor, megjithatë bashkëlojtarët si Luis Figo, Zinedine Zidane dhe Luis Nazario da Lima Ronaldo ia zbehën shanset. Edhe me Spanjën nuk pati fat në turne të mëdha.

Ora 13:35
Real Madridi bojkoton ceremoninë e 'Topit të Artë'

Real Madridi nuk do të marrë pjesë sot në ceremoninë e 'Topit të Artë'. Presidenti i 'Galaktikëve, 'Florentino Perez i informoi organizatorët për bojkotin, bën me dije 'The Athletic' në Londër.

Ky rebelim ndodh për të dytin vit radhazi, me madrilenët që mbetën të keqardhur një vit më parë pasi fitues u shpall Rodri i Manchester Cityt dhe jo sulmuesi i tyre, Vinicius Junior.

Ora 13:00
Studimi statistikor i CIES/ Lamine Yamal fiton 'Topin e Artë', Dembele i 7-ti

Pak orë para ceremonisë së 'Topit të Artë' 2025 në Paris, dilemat për fituesin e trofeut më prestigjioz individual në futboll janë më të nxehta se kurrë.

Sipas një studimi të “CIES Football Observatory”, bazuar në analizën e detajuar të 100 lojtarëve më të mirë të fushës sipas gjashtë kritereve (lojë ajrore, mbrojtje tokësore, ndërtim, orkestrim, depërtim, asistime dhe finalizim), fituesi do të ishte Lamine Yamal, ylli i Barcelonës dhe i kombëtares spanjolle. Pas tij Kylian Mbappe (Real Madrid) dhe më pas Pedri (Barça).

Megjithatë, surpriza më e madhe është pozicioni i Ousmane Dembele. Sulmuesi francez i PSG-së, i cili ka realizuar 35 gola dhe ka dhuruar 16 asistime në të gjitha garat, shihet si favorit kryesor për trofeun real.

Por, sipas renditjes së CIES, ai gjendet në vendin e 7-të, pas emrave si Virgil van Dijk (Liverpool), Michael Olise (Bayern) dhe Mohamed Salah (Liverpool).

Renditja e lojtarëve më të mirë në fushë sipas CIES:
  • Lamine Yamal (Barça)
  • Kylian Mbappe (Real)
  • Pedri (Barça)
  • Virgil van Dijk (Liverpool)
  • Michael Olise (Bayern)
  • Mohamed Salah (Liverpool)
  • Ousmane Dembele (PSG)
  • Joshua Kimmich (Bayern)
  • Achraf Hakimi (PSG)
  • Vinicius Jr (Real)
S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e re nis punën, besoni se do përmbushë pritshmëritë e qytetarëve?