FT/ Tirana 3-0 Partizani (Zharmuni 19', 41' (p), Ernest 69' (p) )
TIRANË - Pas dy vitesh e gjysmë dhe pikërisht në momentin më të duhur për ta, Tirana ka mposhtur Partizanin në derbin e kryeqytetit me rezultatin 3-0. Për javën e 33-të të Superligës ishin bardheblutë që siguruan tri pikë të arta në "Arenën Kombëtare" duke lënë zonën e ftohtë, megjithatë mbeten në "vallen" e mbijetesës. Heroi i takimit ishte Zharmuni me dopietë në minutat 19-të dhe 41, si edhe Ernest.
DUELI - Ndeshja nisi me afro 10 mijë tifozë në shkallët e stadiumit. Tirana e cila para këtij dueli mbante vendin e fundit ishte më kërkuese dhe dominoi fushën. Duhej minuta e 19-të që në zhvillimet e një goditjeje dënimi, sfera të stampohej në traun e portës së mbrojtur nga Alban Hoxha dhe në kthim francezi Zhamruni nuk e pati të vështirë ta ndalte në rrjetë me kokë.
Festë bardheblu në stadium dhe motivim për djemtë e Bledi Shkëmbit. Fill pas pësimit të golit, Skënder Gega reagoi dhe largoi Mintongon për t'i bërë vend Gjergji Kotes. Paçka se të kuqtë nisën ta merrnin veten, Zharmuni ishte i pandalshëm dhe në minutën e 41-të i bëri të gjitha vetë. Kontrolli i bukur i topit, driblimi i rivalëve dhe pasimi në zonë u ndal me dorë nga mbrojtësi Ismajli; teksa arbitri Juxhin Xhaja nuk hezitoi të akordonte 11 metërsh, miratuar edhe nga VAR.
Nga penalltia Zharmuni nuk gaboi dhe qetësoi tifozët në tribuna dhe Shkëmbin në stol. Pjesa e parë u mbyll me këto shifra, ndërsa fraksioni i dytë nisi me Eleke e Semeben në fushë për të kuqtë, në vend të Bintsuka e Osmanllari.
Sfida vijoi me raste për Tiranën, ndërsa gjithçka u "vulos" nga gafa e Sembene. Pasimi i gabuar në prapavijën e Partizanit u shfrytëzua nga Ernest, që dribloi Alban Hoxhën dhe u ndal me faull në zonë nga gardiani i të kuqve. Tjetër penallti dhe Ernest e ndal sferën në rrjetë. Në fundin e sfidës, në të 88 minutë Albers Keko i Partizanit shënoi një supergol nga afro 30 metra, por që u anulua nga VAR për pozicion jashtë loje.
Pas dhjetë sfidave pa fitore në derbi, Tirana ia del dhe merr tri pikë jetike. Hera e fundit që bardheblutë provonin triumfin në derbin kundër Partizanit ishte më 2 tetor të vitit 2022, kur Xhixha shënonte dy herë. Këtë sezon tre ndeshjet e para mes tyre kanë përfunduar barazim.
Pas këtij suksesi, Tirana me 35 pikë ngjitet në pozitën e tetë duke lënë pas Teutën dhe Laçin, teksa Partizani me 47 pikë mban vendin e katërt që të dërgon në "Final 4", zonën që të lejon garën për titullin kampion, por me vetëm një pikë para AF Elbasanit.
Sfida e radhës për Tiranën është në udhëtim, kundër rivalëve direkt të Skënderbeut. Nga ana tjetër Partizani pret kampionët në fuqi dhe kryesuesit e Egnatias.
Komentet e rëndësishme:
90+5' Mbyllet 3-0 ndeshja në kryeqytet.
88' Keko shënon një supergol nga afro 30 metra, por VAR e anulon për pozicion jashtë loje.
72' Ernest i dëmtuar i bën vend Voglit te Tirana.
68' GOOL! Sembene e katranos me pasimin, aty ku Ernest përfiton dhe driblon Alban Hoxhën, me portierin që e ndal me faull në zonë. Ernest nuk gabon nga penalltia dhe e dërgon rezultatin në 3-0.
46' Nis pjesa e dytë, Partizani hedh në fushë Eleke dhe Sembene në vend të Bintuska dhe Osmanllari.
45+3' Mbyllet 2-0 pjesa e parë.
41' GOOL! Zharmuni bën heroin dhe shënon dopietë te Tirana. Pasi futet bukur në zonë, pasimi i tij ndalet me dorë në zonë dhe Xhaja akordon penallti. Nga 11 metra francezi tregohet i saktë.
22' Skënder Gega nuk pret, largon Mintongo, në fushë Gjergji Kote për Partizanin.
19' GOOL! Zharmuni kalon Tiranën në avantazh. Në zhvillimet e një goditje dënimi sfera stampohet në traun e portës dhe në kthim Zharmuni me kokë e ndal në rrjetë.
1' Nis ndeshja me topin e parë shkelmuar nga bardheblutë.
Pragndeshja
FORMA - Tirana vinte nga katër ndeshje pa fitore dhe sfida e fundit u humb me përmbysje 2-1 me AF Elbasanin. 32 pikë kishin bardheblutë pas po kaq javësh, duke vuajtur fundin e ftohtë. Nga ana tjetër Partizani ka koleksionuar 47 pikë dhe mban vendin e katërt, ndërsa vinte nga dy fitore radhazi që pas emërimit në stol të Skënder Gegës.
STATISTIKAT - Sfida e sotme ishte e 178 mes tyre në histori, me bilancin që anon nga ana e të kuqve. Nga viti 1947 deri më 2025 në të gjitha kompeticionet dy skuadrat janë përballur 178 herë, me Partizanin që ka 73 fitore, kundrejt 48 të Tiranës; ndërsa 57 ndeshje janë mbyllur në barazim. 237 gola ka shënuar Partizani në derbi, ndërsa Tirana 192.
PAK HISTORI - Përballja e parë mes Tiranës dhe Partizanit është luajtur më 30 mars 1947. “Demat e Kuq” fitonin 8-0, duke sigluar edhe fitoren më të thellë deri më tani në derbi.
38 vite më vonë, më 22 shtator 1985, Tirana do kundërpërgjigjej duke e mundur 7-3. Rezultati më i thellë i sezoneve të fundit është ai 28 shkurtit të vitit 2020, kur bardheblutë fitonin me shifrat 5-1. Më 1 mars 2008, kur të kuqtë drejtoheshin nga Hasan Lika, fitonin në “Qemal Stafa” me shifrat 4-1.
Interesant është fakti se nga viti 2006 deri në 2025, janë luajtur 52 ndeshje për llogari të Superligës dhe Partizani ka fituar 22 prej tyre. Në barazim kanë përfunduar 21 ndeshje, ndërsa 9 herë ka triumfuar Tirana.
Formacionet zyrtare:
Tirana: Selmani, Vera, Mici, Kola, Dembele, Përgjoni, Soler, Smaçi, Ndreca, Zharmuni, Ernest Trajner: Bledi Shkëmbi
Partizani: Hoxha, Preka, Domgjoni, Osmanllari, Buxhelaj, Ismaili, Mintongo, Taipi, Padstrelau, Bintsuka, Keko Trajner: Skënder Gega
Renditja pas 33 raundesh:
Pas fitores 3-0 në derbin kundër Partizanit, për mediet foli edhe presidenti i Tiranës, Refik Halili. Ky i fundit u ndal te forma e keqe e këtij sezoni dhe premtoi se ekipi do ngrihet në nivele të larta. Ai tha se ndoshta i gjithë presioni për Tiranën u bë për stadiumin e ri "Selman Stërmasi" që u miratua pak ditë më parë. Halili la të kuptohet se ai u sulmua pikërisht për stadiumin e ri, duke dëmtuar edhe klubin e futbollit.
“Fitorja në derbi - Të flasim për vazhdimësinë tani, të shohim çfarë do të bëjmë. Shpresojmë që skuadra të ecë përpara, ju përgëzoj të gjithëve për interesimin ndaj këtij klubi. Është gëzim shumë i madh që kryeministri miraton ndërtimin e një stadiumi, kur vjen puna mediat sportive ngado nuk thanë asnjë koment që ky është një gëzim i madh se kryeqyteti do bëhet me stadium të ri.
Mbijetesa - Sa i përket ekipit dhe pjesës së futbollit, ne kemi qenë në një gjendje jo të mirë në rezultate. Nuk dua të ankohem, përgëzoj çunat, shpresoj që në të ardhmen të dalim nga kjo baltë që jemi zhytur të gjithë bashkë, nga unë e deri te i fundit.
Cilësia - Unë e di shumë mirë që skuadra brenda ka futbollistë shumë, shumë, shumë të mirë dhe këtë e kam bindje. Në një takim që kam pasur me skuadrën u kam bërë të ditur se unë vitin e ardhshëm do të vazhdoj bashkëpunimin, kuptohet duke pasur disa lëvizje në skuadër. Do të ishte kënaqësi të vazhdoja bashkëpunimin me ta, pa lëvizur asnjë lojtar, por vetëkuptohet që në të ardhmen do të bëjmë edhe ndryshime me shpresë që të vazhdojmë kështu siç bëmë edhe sot.
A jam pjesë e stadiumit të ri? Për të dhënë një përgjigje nuk më dalin as 50 orë, kam shumë gjëra për të thënë për klubin, futbollin, kampionatin shqiptar. Në ditët në vazhdim mund të flasim shumë gjëra, mund të them që një gjë që unë jam pjesë e brendshme e stadiumit.
E di që nuk ju intereson në përgjithësi shumë njerëzve, për atë stadium është bërë ndoshta edhe kjo zallamahi e madhe që nuk ka pushuar. Unë jam pjesë e stadiumit, ju përshëndes, urojmë e jam i bindur që do të ecim përpara dhe klubi do të shkojë në majat shumë të larta në vitet e ardhshme", tha Refik Halili.
Tanimë janë mësuar edhe formacionet zyrtare të derbit mes Tiranës dhe Partizanit, i cili luhet sot në orën 20:00 në "Arenën Kombëtare" në Tiranë.
Formacionet zyrtare:
Tirana: Selmani, Vera, Mici, Kola, Dembele, Përgjoni, Soler, Smaçi, Ndreca, Zharmuni, Ernest Trajner: Bledi Shkëmbi
Partizani: Hoxha, Preka, Domgjoni, Osmanllari, Buxhelaj, Ismaili, Mintongo, Taipi, Padstrelau, Bintsuka, Keko Trajner: Skënder Gega
Tifozët e Tiranës dhe Partizanit kanë mbërritur në "Arenën Kombëtare" në mënyrë të organizuar. Nga drejtime të ndryshme dhe të shoqëruar nga policia për të shmangur përplasjet, "Tirona Fanatics" dhe "Guerrils" kanë marshuar me këngë, flakadanë dhe sigurisht të shara kundër rivalëve.
Për shumë minuta kryeqyteti është "trazuar" dhe trafiku ka ngecur pasi një numër i madh tifozësh ultras tanimë janë në stadium.
Komisioni i Arbitrimit në Federatën Shqiptare të Futbollit ia ka besuar Juxhin Xhajës drejtësinë në derbin mes Tiranës dhe Partizanit. Arbitri që mban stemën e FIFA do mbajë rregullin në një duel ku pritet një "luftë" e fortë sportive. Arbër Zalla dhe Rejdi Avdo do të jenë asistentët e tij. Florjan Lata do të jetë arbitri i katërt, në VAR do të jetë Kreshnik Bajramaj, ndërsa në AVAR do të jetë Emanuela Rusta.
Derbi i sotëm është shumë i vlefshëm për Tiranën, me bardheblutë që renditen të fundit në Superligë dhe vetëm tri pikët i bëjnë punë katër javë para fundit të sezonit. Tirana përballë ka një pengesë të madhe, Partizanin, në derbin numër 178 mes tyre në histori.
Sipas medieve, presidenti i Tiranës, Refik Halili ka akorduar 2 milionë lekë të rinj për fitoren. Formë motivimi kjo që ka ndodhur thuajse para çdo derbi.
Përpara derbit mes Tiranës dhe Partizanit Report Tv mëson se janë 8 mijë biletat e shitura deri tani, ndërsa në stadium pritet të jenë deri në 10 mijë tifozë. Ky është një numër shumë i ulët në krahasim me sfidat e tjera. Nëse sezone më parë kur Tirana ishte pritëse numri i tifozëve ishte pranë kapacitetit maksimal (22 mijë), sot gjysma e stadiumit do jetë bosh. Formula e Superligës, gara me ndeshje që rezultati duket i paracaktuar dhe forma e Tiranës ka bërë që interesi për sfidën më të rëndësishme në Shqipëri të zbehet.
Komente

ia ka lene vete partizani,,,i ka ardhur keq. .
PërgjigjuU dhien demat,shkoni mbyturi në lumin e lanë.
Përgjigju