Homazhet sot për Giorgio Armanin

Bota

Sot dhe nesër homazhet në Milano për Giorgio Armanin! Mijëra njerëz në radhë për t’i dhënë lamtumirën e fundit ikonës së modës

6 Shtator, 09:40| Përditesimi: 6 Shtator, 09:58

  • Share

Itali – Në Milano sot po mbahen homazhet në nder të ikonës së modës, Giorgio Armani, i cili u nda nga jeta në moshën 91-vjeçare më datë 4 shtator.

Në qytetin e tij të zemrës, ku jetoi dhe punoi për më shumë se gjysmë shekulli, në Milano, që në orët e para të mëngjesit janë krijuar radhë të gjata të njerëzve për t’i dhënë lamtumirën e fundit stilistit. Homazhet po mbahen në Armani/Teatro, në selinë e shtëpisë së modës.

Kryetari i Bashkisë së Milanos, Beppe Sala, u shpreh se është plotësisht dakord me përfshirjen e emrit të Giorgio Armanit në Famedio, vendi i nderit për qytetarët më të shquar të Milanos në varrezat monumentale të qytetit.

“Është gjëja e parë që duhet bërë. Besoj se është më se e denjë. Me miratimin e familjes, do ta përfshijmë këtë vit”, tha Sala para gazetarëve.

Homazhet do të zhvillohen gjatë gjithë fundjavës, pra të shtunë dhe të dielë, nga ora 09:00 deri në orën 18:00. Por ka disa rregulla. Për të respektuar atmosferën solemne dhe privatësinë e familjes, është rreptësisht e ndaluar të bëhen foto apo video, si brenda ashtu edhe jashtë ambientit.

Pas homazheve gjatë fundjavës, trupi i pajetë i Giorgio Armanit do të përcillet për në banesën e fundit të hënën, më 8 shtator, në një ceremoni krejtësisht private, sipas dëshirës së tij.

Vetëm një numër shumë i kufizuar personash, rreth njëzet vetë, do të jenë të pranishëm. Vendi i ceremonisë nuk është bërë publik.

Të gjitha dyqanet e grupit Giorgio Armani do të qëndrojnë të mbyllura gjatë ceremonisë, në shenjë respekti.

V.GJ /r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me propozimin e Ramës për heqjen e depozitave të ujit nga pallatet?