Ditën e sotme u mblodh Këshilli i Legjislacionit ku u diskutua mbi kërkesën e Partisë Demokratike për shkarkimin e Lindita Nikollës nga posti i kryeparlamentares. Mbledhja ka nisur në orën 11:00 dhe është zhvilluar pa praninë e mediave, gjë që ka sjellë reagimin e opozitës, e cila ka akuzuar kolegët e mazhorancës për mungesë të transparencës.
Pavarësisht kërkesës së Partisë Demokratike për shtyrjen e seancës së sotme për shkak të masës së përjashtimit që u mor në Kuvend ndaj disa deputetëve të PD-së, mbledhja ka vijuar. Në përfundim të mbledhjes, deputetët Dhurata Çupi dhe Saimir Korreshi kanë dhënë një deklaratë për mediat ku kanë bërë me dije se ishte lexuar vetëm raporti i Partisë Socialiste mbi kërkesën për shkarkimin e Nikollës. Raporti i opozitës nuk është lexuar dhe nuk është votuar në këshill, për shkak se deputeti Gazment Bardhi i cili ishte relatori i PD për këtë çështje, është përjashtuar nga Kuvendi për 10 ditë. Dhurata Çupi tha se përjashtimi i Bardhuit kishte qenë i qëllimshëm që mazhoranca të arrinte të kisthe shumicën e votave për ta zhvilluar mbledhjen me dyer të mbyllura pa praninë e medias. Ajo tha se kërkesa e tyre do të ndiqej në të gjitha institucionet e nevojshme, duke mos përjashtuar edhe gjykatën Kushtetuese.
“Këshilli i legjislacionit u vu në lëvizje për shkak të kërkesës së 28 deputetëve të opozitës për shkarkimin e kryeparlamentares lidhur me zhvillimet në seancën e 26 janarit. Mbledhjen nuk keni mundur ta ndiqni pasi nuk është lejuar as prania e gazetarëve. Këtë mbledhje debatuam dhe nuk lejuan që kamerat dhe mbledhja të jetë në transparencë. Pasi Këshilli i Legjislacionit mbylli punimet, Bardhi u përjashtua për 10 ditë nga seanca plenare e rradhës. Ata përjashtuan Bardhin në mënyrë që me votën e kartonit të vendosnin që mbledhjet të mos ishin live dhe diskutimi të mos ishte publik dhe që raporti të mos lexohej nga Bardhi”-tha Çupi.
Ndërkohë, pritet që të hënën të prezantohet raporti i PS mbi mbledhjen e zhvilluar në Këshillin e Legjislacionit sa i takon kërkesës së PD për shkarkimin e Nikollës nga posti i kryeparlamentares. Korreshi dhe Çupi u shprehën se me përjashtimin e 9 deputetëve të opozitës nga Kuvendi, i ishte hapur rruga miratimit të raportit që do të prezantohet nga PS.
Ndërkohë lidhur me kërkesën për shkarkimin e Nikollës, të mërkurën Kreu i Grupit parlamentarë të PS, Taulant Balla tha se kjo kërkesë nuk qëndron dhe nuk do të pranohet.
"Këta mund të kërkojnë edhe shkarkimin e qeverisë, shpërndarjen e parlamentit. Kërkesa të pafundme. Por e para është që nuk gjej qoftë dhe një argument të vetëm që të kërkosh shkarkimin e kryetares së Kuvendit, në kushtet kur kryetarja në seancën e fundit plenare, ka zbatuar rregulloren e Kuvendit. Rregullorja përcakton qartë se si disponon me vendimmarrje, kur bllokohet foltorja e Kuvendit. Në kushtet kur Kuvendi i Shqipërisë e ka të pamundur që të përmbushë detyrimet, në këtë rast është miratimi i rendit të ditës. Në kushte e deklarimit, një pjesë e deputeteve thanë se s’do të ketë punime normale. Kuvendi do e bëjë të qartë. Asnjë lloj kërkese e kësaj forme nuk mund të miratohet dhe nuk mund të merret në konsideratë. Do mundohemi që diskutohet do zhvillohen. Në këtë frymë do vijojnë përpjekjet për të vijuar punën normalisht. Deputetët që thyejnë rregulloren shpresojmë që mos të marrin pjesë në seancat plenare. Shpresojmë që në 2 shkurt Kuvendi t’i kthehet normalitetit. Por situata që është krijuar është qesharake", tha Balla.
(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)
Zbardhet raporti i Partisë Demokratike, që kërkon shkarkimin e Lindita Nikollës nga posti i saj i kryeparlamentares. Një raportin e firmosur dhe dorëzuar në Kryesinë e Kuvendit, nga 25 deputetë demokratë jepen disa pika mbi të cilat referohet kërkesa e tyre. Sipas PD-së, Nikolla nuk ka respektuar procedurat parlamentare, duke shkelur kështu Kushtetutën, me mohimin e të drejtës së fjalës për opozitën.
Pjesë nga raporti dhe argumentet e PD
IV. ANALIZA LIGJORE
13. Kushtetuta e Shqipërisë ka sanksionuar si një ndër parimet themelore, në pjesën e saj të parë se “Shqipëria është Republikë parlamentare” (shih nenin 1, pika 1). Ky parim është një tregues i fortë i rëndësisë që ka institucioni i Kuvendit për Republikën tonë, i cili mishëron në vetvete një prej tre pushteve të sistemit të qeverisjes, përkatësisht pushtetin legjislativ (shih nenin 7). Pikërisht për shkak të kësaj rëndësie, kushtetutbërësi i ka dedikuar një pjesë të vecantë normimit të Kuvendit, i cili përbëhet nga katër krerë dhe 21 dispozita (shih nenet 64 – 85).
14. Në Kreun III “Organizimi dhe Funksionimi”, Kushtetuta ka përcaktuar disa prej rregullave themelore për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Kuvendit (shih nenet 74 – 80). Rregulla më të detajuara lidhur me organizimin dhe funksionimin e Kuvendit përcaktohen në Rregulloren, e miratuar nga shumica e të gjitha anëtarëve (shih nenin 75, pika 2). Ndër të tjera, Kushtetuta ka parashikuar në nivelin e autoriteteve kushtetuese, Kryetarin e Kuvendit, i cili zgjidhet dhe shkarkohet nga Kuvendi (shih nenin 75, pika 1). Ky i fundit ka një sërë të drejtash dhe përgjegjësish, disa prej të cilave të normuara nga Kushtetuta, dhe pjesa më e madhe nga Rregullorja e Kuvendit.
15. Konkretisht, Kushtetuta ka përcaktuar se Kryetari i Kuvendit kryeson debatin, drejton punimet, siguron respektimin e të drejtave të Kuvendit dhe të anëtarëve të tij, si dhe përfaqëson Kuvendin në marrëdhëniet me të tjerët (shih nenin 76, pika 1). Kompetenca më të detajuara janë parashikuar në Rregulloren e Kuvendit. Përkatësisht, Rregullorja parashikon se Kryetari i Kuvendit përfaqëson Kuvendit, siguron respektimin e të drejtave të Kuvendit dhe anëtarëve të tij. Ai kujdeset për zhvillimin e veprimtarisë parlamentare, në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Në përputhje me Rregulloren, Kryetari u jep fjalën deputetëve dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, drejton dhe moderon në mënyrë të paanshme debatet, siguron rendin në seancë plenare, cakton rradhën e votimeve dhe njofton rezultatin e tyre (shih nenin 7, pikat 1 dhe 2).
16. Megjithëse, Kryetari i Kuvendit zgjidhet me votat e shumicës parlamentare, për shkak të detyrave dhe përgjegjësive që ai ushtron, Kushtetuta dhe Rregullorja imponojnë një sjellje të paanshme dhe të pavarur në mënyrën e ushtrimit të funksioneve të Kryetarit të Kuvendit, duke siguruar zhvillimin e rregullt të veprimtarisë parlamentare dhe respektimin e të drejtave të deputetëve. Nëse Kryetari i Kuvendit do të shndërrohej në mbrojtës të shumicës parlamentare që e ka zgjedhur, atëherë ai do të devijonte nga roli që Kushtetuta dhe Rregullorja i ka dhënë.
17. Duke u kthyer në rastin konkret, rezulton se Kryetarja e Kuvendit, Znj. Lindita Nikolla, në mënyrë të njëanshme dhe me qëllim mbrojtjen politike të Kryeministrit, në seancën plenare të datës 26.01.2023, ka shkelur një sërë të drejtash të deputetëve të Kuvendit, në shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit. Konkretisht, Kryetarja e Kuvendit, Znj. Nikolla iu ka mohuar deputetëve të drejtën për pyetje, të drejtën për interpelancë dhe të drejtën për të diskutuar lidhur me cështjen e rendit të ditës dhe jashtë rendit të ditës. Në vijim, do të analizojmë shkeljet konkrete të kryera nga ana e kryetares së Kuvendit, Znj. Lindita Nikolla.
18. Shkelja nr. 1: Kushtetuta e Shqipërisë sanksionon të drejtën e cdo deputeti për t’i drejtuar pyetje kryeministrit ose anëtarit të Këshillit të Ministrave (shih nenin 80, pika 1). I njëjti parashikim gjendet edhe në Rregulloren e Kuvendit (shih nenin 90, pika 1). Më tej, Rregullorja përcakton se Kryeministri dhe anëtarët njoftohen për pyetjet e bëra dhe janë të detyruar t’u përgjigjen brenda 3 javëve nga paraqitja e tyre (shih nenin 91, pika 2), në fillim të seancës plenare (shih nenin 92, pika 1). Kushtetuta e Shqipërisë parashikon se kryetari i Kuvendit siguron respektimin e të drejtave të Kuvendit dhe anëtarëve të tij (shih nenin 76). Duke i mohuar të drejtën për pyetje deputetes Znj. Erisa Xhixho, kryetarja e Kuvendit, Znj. Lindita Nikolla ka vepruar në shkelje të rëndë të nenit 76, 80 të Kushtetutës dhe nenit 90 të Rregullores së Kuvendit.
19. Shkelja nr. 2: Kushtetuta e Shqipërisë sanksionon të drejtën e cdo deputeti për të zhvilluar interpelancë me kryeministrin dhe cdo anëtar të Këshillit të Ministrave (shih nenin 80, pika 1). I njëjti përcaktim gjendet edhe në Rregulloren e Kuvendit (shih nenin 96, pika 1). Më tej, Rregullorja parashikon se deputeti, që ka kërkuar interpelancën, i jepet e drejta e fjalës për 7 minuta, dhe pas deklarimit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, deputeti e merr sërish fjalën për 15 minuta (shih nenin 96, pika 5). Kushtetuta e Shqipërisë parashikon se kryetari i Kuvendit siguron respektimin e të drejtave të Kuvendit dhe anëtarëve të tij (shih nenin 76). Duke i mohuar të drejtën për interpelancë deputetes Znj. Ina Zhupa, kryetarja e Kuvendit, Znj. Lindita Nikolla ka vepruar në shkelje të rëndë të nenit 76, 80 të Kushtetutës dhe nenit 96 të Rregullores së Kuvendit.
20. Shkelja nr. 3: Rregullorja e Kuvendit sanksionon se cdo deputet që dëshiron të diskutojë për një cështje të përfshirë ose të papërfshirë në rendin e ditës, duhet të regjistrohet në sekretari para fillimit të seancës plenare. Vetëm kur deputeti nuk është i pranishëm në sallë konsiderohet se ai ka hequr dorë nga diskutimi. Pasi përfundon lista e diskutuese, u jepet fjala kryetarëve ose përfaqësuesve të grupeve parlamentare (shih nenin 46). Deputeti ka të drejtë të flasë për 10 minuta, me përjashtim të rasteve kur është parashikuar ndryshe (shih nenin 48). Kushtetuta e Shqipërisë parashikon se kryetari i Kuvendit siguron respektimin e të drejtave të Kuvendit dhe anëtarëve të tij (shih nenin 76). Duke i mohuar të drejtën e fjalës të gjithë deputetëve që ishin regjistruar për të diskutuar lidhur me cështjet e përfshira ose të papërfshira në rendin e ditës (shih provën nr. 4), kryetarja e Kuvendit, Znj. Lindita Nikolla ka vepruar në shkelje të rëndë të nenit 76 të Kushtetutës dhe nenit 46 të Rregullores së Kuvendit.
21. Arsyetimi i përdorur nga ana e Znj. Nikolla dhe përfaqësuesve të shumicës parlamentare se kjo sjellje anti-Kushtetutë dhe anti-Rregullore, u imponua nga kaosi i shkaktuar në seancën plenare, është po ashtu një qëndrim që vjen në kundërshtim me Rregulloren. Konkretisht, kjo e fundit ka parashikuar se në raste të tilla, Kryetari i Kuvendit pezullon seancën dhe nëse pas rifillimit, kaosi vazhdon, atëherë Kryetari e mbyll seancën. Kuvendi duhet të mblidhet në seancën plenare më të parë me të njëjtin rend dite (shih nenin 66). Në rastin konkret, nuk rezulton që Znj. Nikolla të ketë pezulluar apo mbyllur seancën, duke konsumuar një tjetër shkelje të Rregullores.
22. Të njëjtat shkelje, kryetarja e Kuvendit, Znj. Lindita Nikolla i ka konsumuar edhe në seancën plenare të datës 02.02.2023, duke iu mohuar deputetëve të drejtën për interpelancë me kryeministrin (shih nenin 80, pika 1 të Kushtetutës; nenin 90 pika 1 të Rregullores), dhe të drejtën për të diskutuar lidhur me cështjet e përfshira apo të papërfshira në rendin e ditës (shih nenin 46 dhe 48 të Rregullores së Kuvendit). Karakteri i përsëritur i këtyre shkeljeve tregon që nuk kemi të bëjmë me një rast të izoluar, por me një qëndrim të formësuar nga Znj. Nikolla, sa i përket drejtimit të Kuvendit në mënyrë të njëanshme dhe në shkelje të të drejtave të deputetëve. Në këto kushte, kërkesa për shkarkimin e saj, në mbështetje të nenit 114, pika 4 të Rregullores së Kuvendit, është plotësisht e bazuar dhe duhet miratuar nga Kuvendi.
PROCEDURA PARLAMENTARE
23. Pas konstatimit të fakteve të sipërmendura, studimit të së drejtës së aplikueshme dhe një analize ligjore të kujdesshme, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka konkluduar se Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Znj. Lindita Nikolla ka konsumuar shkelje të rënda të Kushtetutës, përkatësisht neneve 76, 80 të Kushtetutës dhe neneve 46, 66, 90 dhe 96 të Rregullores së Kuvendit. Për këto arsye, me shkresën nr. 347 prot., datë 31.01.2023, i është drejtuar Kuvendit të Shqipërisë me një kërkesë për shkarkimin e Kryetares së Kuvendit, Znj. Lindita Nikolla.
24. Pas dorëzimit të kësaj kërkese, Shërbimet e Kuvendit kanë njoftuar për zhvillimin e mbledhjes së Këshillit të Legjislacionit në datën 08.02.2023, me rend dite: “1. Shqyrtimi i kërkesës së 1/5 së deputetëve të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike “Për shkarkimin e Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Znj. Lindita Nikolla”. 2. Caktimi i relatorëve.”.
25. Në mbledhjen e datës 08.02.2023, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Z. Enkelejd Alibeaj, në emër të përfaqësuesve ka parashtruar kërkesën, duke renditur faktet, bazën ligjore, shkeljet e pretenduara dhe kërkesën për shkarkim të Kryetares së Kuvendit, Znj. Lindita Nikolla. Në tërësi, Z. Alibeaj ka konkluduar se kërkesa përmbush të gjitha elementët nga pikëpamja formale, por edhe përmbajtësore. Nga ana e pakicës parlamentare, kanë diskutuar deputetët Znj. Dhurata Cupi, Z. Saimir Korreshi dhe Znj. Greta Bardeli, të cilët kanë mbështetur kërkesën dhe përfundimet e saj.
26. Nga ana e deputetëve të shumicës parlamentare, kanë diskutuar deputetët Znj. Etilda Gjonaj, Znj. Klotilda Bushka, Z. Fatmir Xhafaj dhe Znj. Ermonela Felaj, të cilët kanë mbajtur qëndrim se kryetarja e Kuvendit, Znj. Lindita Nikolla nuk ka konsumuar ndonjë shkelje, e për rrjedhojë kjo kërkesë duhet rrëzuar. Sipas pretendimit të tyre, sjellja e Kryetares së Kuvendit u imponua nga sjellja e disa deputetëve të pakicës parlamentare. Megjithatë, Znj. Gjonaj dhe Z. Xhafaj kanë pranuar se edhe deputetëve të shumicës parlamentare, iu mohua e drejta e fjalës (shih fq. 15; 27 të procesverbalit). Në përfundim të mbledhjes, jancë caktuar relatorët, përkatësisht Z. Bardhi dhe Znj. Gjonaj. Nga ana e drejtueses së mbledhjes, Znj. Felaj është shprehur se kërkesa përmbush kushte formale të paraqitjes me 28 firma dhe duhet t’i shkojë deputetëve, të cilët do të shprehen me votë të fshehtë (në të njëjtën mënryë që zgjidhet Kryetarja e Kuvendit). Mbledhja e rradhës është caktuar ditën e premte, datë 10.02.2023.
VI. KONKLUZIONE
27. Në vijim të fakteve dhe rrethanave të cështjes, të drejtës së aplikueshme dhe jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, analizës ligjore dhe procedurës parlamentare të ndjekur, është e qartë se Kryetarja e Kuvendit, Znj. Lindita Nikolla ka vepruar në shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, duke iu mohuar deputetëve, në mënyrë të përsëritur, të drejtën për pyetje, të drejtën për interpelancë dhe të drejtën për të diskutuar për cështjen e përfshira apo të papërfshira në rendin e ditës. Ndryshe nga sa parashikon Rregullorja, ajo nuk ka pezulluar apo eventualisht mbyllur seancën, me qëllim vendosjen e rregullit, por ka proceduar me votimin e projektligjeve dhe projektvendimeve, pa asnjë diskutim.
28. Prandaj, duke pasur parasysh sa më sipër, në mbështetje të neneve 75, pika 1 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe nenit 114, pika 4 të Rregullores së Kuvendit, jemi të mendimit se kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Znj. Lindita Nikolla duhet shkarkuar nga detyra, pasi ka kryer shkelje të rëndë dhe flagrante të neneve 76, 80 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe neneve 46, 66, 90 dhe 96 të Rregullores së Kuvendit. Një vendimmarrje e ndryshme do të legjitimonte përdhosjen e parlamentarizmit dhe minimin e funksionimit demokratik të Kuvendit. Deputetë, që nuk arrijnë të mbrojnë të drejtat e tyre kushtetuese, është e vështirë të besohet se mund të shndërrohen në garantin e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve.
Ka përfunduar mbledhja e Këshillit të Legjislacionit të mbledhur për kërkesën e Partisë Demorkatike ku kërkohet shkarkimi i Lindita Nikollës nga posti i kryeparlamentares. Në një deklaratë për mediat, deputetja e PD, Dhurata Çupi tha se në mbledhje u lexua vetëm raporti i Partisë Socialiste ndërsa nuk u lexua raporti i PD sepse deputeti Gazment Bardhi u përjashtua nga Kuvendi për një afat 10 ditor.
“Këshilli i legjislacionit u vu në lëvizje për shkak të kërkesës së 28 deputetëve të opozitës për shkarkimin e kryeparlamentares lidhur me zhvillimet në seancën e 26 janarit. Mbledhjen nuk keni mundur ta ndiqni pasi nuk është lejuar as prania e gazetarëve. Këtë mbledhje debatuam dhe nuk lejuan që kamerat dhe mbledhja të jetë në transparencë. Pasi Këshilli i Legjislacionit mbylli punimet, Bardhi u përjashtua për 10 ditë nga seanca plenare e rradhës. Ata përjashtuan Bardhin në mënyrë që me votën e kartonit të vendosnin që mbledhjet të mos ishin live dhe diskutimi të mos ishte publik dhe që raporti të mos lexohej nga Bardhi”-tha Çupi.
Në përfundim ajo tha se do të ndiqeshin të gjitha alternativat e mundshme për të adresuar kërkesën e tyre për shkakrimin e Nikollës.