Politikë

Dita e tretë e rinumërimit të votave për Tiranën, hapen 272 kuti! PD humb 141 vota, PS 129! Edhe Mundësisë i zbriten 7

20 Qershor, 08:56| Përditesimi: 20 Qershor, 15:03

  • Share

Ka hyrë në ditën e tretë procesi i rinumërimit të votave për partitë dhe kandidatët në qarkun e Tiranës. Për sot, procesi nisi në orën 09:00, dhe sipas të dhënave të KQZ, janë hapur 272 kuti nga 1282 në total të qarkut, ku janë konstatuar gabime, por që deri më tani nuk prodhojnë ndryshime në rezultatin e mandateve. 

Nga rinumërimi, sipas të dhënave të deritanishme, PD rezulton se ka 141 vota të pamerituara, ndërsa PS 129, të cilat iu zbriten nga rezultati i numërimit të parë. Këto janë vota të pavlefshme ose vota që i kanë marrë në ‘kurriz’ të partive të vogla. Edhe Nisma Shqipëria Bëhet rezulton se deri më tani ka 12 vota të pamerituara ndërsa Partia Mundësia që po ‘lufton’ për të ruajtur mandatin e dytë, nga rinumërimi deri më tani rezulton të ketë përfituar 7 vota që s'i takonin, që po ashtu i zbriten. Partia Social Demokrate e Tom Doshit humb gjithashtu 10 vota. 

Ndërkohë partive të vogla iu shtohen disa vota, konkretisht Koalicioni i Lulzim Bashës nga rinumërimi merr 5 vota më shumë, 3 vota më shumë shkojnë për koalicionin e Enkelejd Alibeajt.

Për sa u takon kandidatëve, Ilir Alimehmetit të PD, i cili nisi betejën ligjore për rinumërimin me pretendimin se mund t'i kenë marrë vota, në fakt rinumërimi ia ka pakësuar me 21 vota, që i ka marrë padrejtësisht nga numërimi i parë. Tabaku, deri më tani rezulton se ka 4 të pamerituara. Ilir Meta ka gjithashtu 13 vota të pamerituara. 

Edhe në kampin socialist ka pasur humbje votash. Olta Xhaçka, e cila fitoi me një rezultat të ngushtë kundrejt Blerina Gjylametit, rezulton se ka 12 vota të pamerituara. Gjylametit i është hequr 1 nga 11 maji. Rinumërimi ka treguar deri tani se Fatmir Xhafaj ka marrë 60 vota padrejtësisht, Xhemal Qefalia 66 ndërsa Erion Braçes i shtohen 8 vota, që rezulton se ia kanë marrë më 11 maj.

Gazetarja Esiona Konomi raporton se deri më tani KAS nuk ka konsideruar as manipulim apo vjedhje votash, por interpretime subjektive duke marrë në konsideratë se fleta e kësaj radhe ishte e komplikuar. 

Vetëm për qarkun e Tiranës, procesi i rinumërimit sipas KQZ mund të zgjasë rreth 10 ditë, ku në total do të hapen  1282 kuti votimi ose rreth 400 mijë fletë votimi. Pas Tiranës, do rinumërohen 587 kuti të qarkut të Fierit, dhe në fund 360 kutitë e qarkut Durrës (275 kuti brenda vendit + 85 nga diaspora).

Kliko KËTU për të lexuar rezultatet e rinumërimit

Ora 14:38
Rinumërimi/ PS kërkesë KAS: Të quhen vota të vlefshme për kandidatët, edhe kur shenja e votimit është jashtë kutisë

1749628296_kas.jpg

Ndërsa në pallatin e sportit “Fahrie Horti” po rinumërohen votat për qarkun e Tiranës, Partia Socialiste i është drejtuar me një kërkesë KAS mbi votat që po konsiderohen të pavlefshme. Në kërkesën dërguar KAS, PS kërkon që edhe në rastet kur shenja e votimi x ose +, është vendosur jashtë kuadratit në rastin e votës për kandidatët, por është bërë në mënyrë të tillë që e tregon qartë vullnetin e zgjedhësit, të llogaritet si votë e vlefshme. Këtë kërkesë, PS e bazon në një vendim të Komisionit Rregullator më datë 25.04.2025.  

“Subjekti zgjedhor Partia Socialiste e Shqipërisë ka ardhur në dijeni të vendimmarrjes tuaj gjatë procesit të rivlerësimit të votave për zonën zgjedhore qarku Tiranë, nga ku rezulton se fletët e votimit në të cilat shenja dalluese që shpreh vullnetin e zgjedhësit nuk është vendosur brenda kutisë, janë vlerësuar si të pavlefshme nga ana juaj, në kundërshtim me praktikën zgjedhore ndër vite, si dhe kuadrin ligjor.

Referuar vendimit nr. 30, datë 25.04.2025, të Komisionit Rregullator për 'Udhëzuesin punës për Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor dhe Grupet e Numërimit të Votave për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, në rastin kur shenja e zgjedhësit në fletën e votimit nuk ndodhet brenda kutisë që i korrespondon kandidatit përkatës të listës shumemërore, por shenja është bërë në mënyrë të tillë që e tregon qartë vullnetin e zgjedhësit, fleta e votimit konsiderohet e vlefshme.

Sa më sipër, duke qenë se vlerësimi i fletëve të votimit me shënimin si më lart si të pavlefshme, ndikon në numrin e votave të kandidatëve të listës preferenciale të subjektit zgjedhor Partia Socialiste, duke sjellë si pasojë ndryshimin e tyre në tabelën përmbledhëse, siç na ka rezultuar deri në këtë fazë, kërkojmë nga ju respektimin e kuadrit normativ rregullator dhe të praktikës të zbatuar deri më tani gjatë procesit të numërimit dhe vlerësimit të votave”, thuhet në kërkesën e PS.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Çmimet më të larta se në BE, a mendoni se duhet të ndërhyjë qeveria?