Dita evropiane e përkujtimit të viktimave në sistemet totalitare! Alibeaj: Dekomunistizim i plotë! Lustracioni?! Nuk ka kuptim pa hapjen e plotë të dosjeve

23 Gusht 2022, 10:27| Përditesimi: 23 Gusht 2022, 18:21

  • Share

Sot është Dita Europiane e Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare, e njohur si Dita e Shiritit të Zi në disa vende, e cila zhvillohet në 23 gusht. Në këtë ditë ndërkombëtare përkujtohen viktimat e ideologjive të sistemeve totalitare, specifikisht regjimeve komuniste si stalinizmi, nazizmi dhe fashizmi.

Nga burgu famëkeq i Tepelenës, ku mori pjesë në një aktivitet në kuadër të ditës evropiane të përkujtimit të viktimave të sistemeve totalitare, kreu i grupit të PD, Enkelejd Alibeaj foli për një nevojë urgjente të dekomunistizimit, ndërsa tha se lustracioni nuk duhet të përdoret si mjet lufte politike. Ai kërkoi dekomunistizim të plotë, dhe jo nisma ligjore të segmentuara.

'Nuk kemi bërë aq sa duhet por mjaftueshëm për të nxjerrë mësimet tona se cfarë duhet bërë që dekomunistizimi të jetë proces i plotë, i tillë që të shkëpusë përfundimisht shoqërinë shqiptare nga trashëgimia komuniste, i tillë që të plotësojë edhe kërkesat minimale të demokracisë funksionale dhe shtetit të së drejtës.'-tha Alibeaj.

Si kreu i grupit parlamentar të PD, Alibeaj paralajmëroi një vjeshtë intensive për të kërkuar në parlament dekomunistizimin e plotë, teksa përballë tij ka një presion të vazhdueshëm nga grupi i Berishës për ta zëvendësuar në shtator.

Ndërkohë deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, në një status në Facebook ka përkujtuar këtë ditë, teksa shton se 23 gushti nuk mund të mbetet thjesht një datë përkujtimore në kalendarin e një vendi si Shqipëria. Tabaku thotë se Partia Demokratike, përmes grupit të PD-së në Kuvend ka dorëzuar nismën ligjore që që mundëson pikërisht të kujtuarit të së djeshmes, të reflektuarit mbi të dhe të pastrimit si një metodë për të hedhur tej tranzicionin.

Të dënuarit me vdekje dhe të zhdukurit gjatë diktaturës komuniste
Në periudhën 1944 – 1991, mbi 6.000 persona u ekzekutuan në Shqipëri me ose pa urdhër të gjykatës (kryesisht me pushkatim ose varje) dhe trupat e tyre nuk iu kthyen pothuajse asnjëherë familjeve të tyre për varrim. Sipas Instituti të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) në Shqipëri, 5.577 burra dhe 450 gra u dënuan me vdekje dhe u vranë.

Ka edhe raporte të shumta ku thuhet se të burgosur politikë vdiqën në burgjet apo kampet e punës si rezultat i torturave apo shkaqeve të tjera si për shembull, vetvrasje. Edhe në këto raste trupat nuk i ktheheshin familjes, sepse në regjimin komunist trupi i të dënuarit mbetej në dispozicion të shtetit gjatë gjithë kohëzgjatjes së dënimit edhe në qoftë se ai vdiste. 

Lista e personave të dënuar me vdekje për motive politike, gjatë regjimit komunist, përfshihen në veçanti intelektualë, politikanë, tregtarë, pronarë tokash dhe klerikë. Dënimi me vdekje vazhdoi të zbatohej në Shqipëri edhe pas rënies së regjimit komunist, por vetëm për krime të zakonshme. 

Ora 18:18
Dita Evropiane e Përkujtimit të viktimave të regjimeve totalitare, Meta: Ditë kujtese, homazhi por edhe aktualiteti që na thërret për lirinë

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta lka ndarë në Facebook një mesazh për ditën evropiane të viktimave të regjimit totalitar. Sipas Metës 23 gushti është një ditë kujtese, homazhi por edhe aktualiteti na thërret për lirinë dhe angazhimin e përbashkët për ndalimin e autoritarizmit. a

‘Në Ditën Europiane të përkujtimit të viktimave të regjimeve totalitare dhe autoritare nderojmë sot me respekt dhe përulje jetët e pafajshme të martirizuara në emër të lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor.

Nderojmë gjithashtu dhembjet dhe sakrificat e mijëra të burgosurve, të të mbijetuarve në kampet e vdekjes, si dhe të familjeve të persekutuar dhe të internuara padrejtësisht, simbole të përhershme rezistence dhe qëndrese ndaj së keqes.

Kjo ditë kujtese, homazhi por edhe aktualiteti që na thërret për Lirinë, të frymëzojë angazhimin tonë të përbashkët dhe të pandalshëm për të mos e ndalur luftën ndaj shfaqjeve të sotme të autoritarizmit, në mbrojtje të demokracisë, lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor. ‘- shkruan Meta.

Ora 14:07
Basha përkujton viktimat e komunizmit: Kurrë nuk është vonë për drejtësi

1658394179_basha.jpg

Ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka përcjellë një mesazh në ditën përkujtimore të viktimave të regjimeve totalitare.

“Kurrgjanë mos kjosh i zoti me ba, rrno vetëm për me tregue.” At Zef Pllumit

Ata mbijetuan për t’i treguar shqiptarëve dhe mbarë botës krimet e tmerrshme të komunizmit, vrasjet pa gjyq, persekutimin dhe ndarjen e familjeve shqiptare, vrasjen dhe burgosjet e mendjeve më të ndritura që kishte vendi. Shqipëria do t’ju jetë përjetë mirënjohëse! Por ndërsa mbijetuan ata panë me trishtim se si u lartësuan xhelatët e tyre, vazhduan të kenë pushtet dhe të jenë të paprekshëm. Përjetuan dhimbjen e mos gjetjes së eshtrave të të ekzekutuarve me dhe pa gjyq, zhdukjen e gjurmëve të krimeve dhe emrave të kriminelëve. Kurrë nuk është vonë për drejtësi! Ndarja nga e shkuara totalitare dhe dënimi i saj janë sot imperative për shoqërinë, për paqen tonë sociale, për mbrojtjen e lirisë që është thelbi i idealit tonë europian, dhe për ngadhënjimin e një të ardhmeje më të mirë’, tha Basha.

Ora 11:09
Alibeaj në ish-kampin famëkeq të diktaturës në Tepelenë: Çështja e dekomunistizimit thelbësore

Kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Demokratike, Enkejeld Alibeaj ka marrë pjesë sot në ceremoninë përkujtimore në ish-kampin famëkeq të diktaturës komuniste në Tepelenë. Në fjalën e tij Alibeaj tha se çështja e dekomunistizimit është thelbësore në rrugëtimin 30 vjecar të historise politike dhe shoqërore shqiptare.

Alibeja u shpreh se Partia Demokratike, ashtu siç e kemi bërë me dije publikisht edhe më parë, është e angazhuar për të hartuar një ligj të plotë për lustracionin sipas parimeve të mësipërme, që së bashku me tre iniciativat e depozituara tashmë në Kuvend (hapja e plotë të dosjeve; ndalimi i simboleve komuniste; dhe kujtesa kolektive për kampin e Tepelenës dhe burgun e Spacit), përbëjnë një korpus fillestar me themele për dekomunistizimin, të cilit do t’i qëndrojmë gjer në fund.

Fjala e plotë

Çështja e dekomunistizimit është thelbësore në rrugëtimin 30 vjecar të historise politike dhe shoqërore shqiptare. Për fat të keq ky proces kaq i rëndësishëm  nuk është trajtuar i plotë, në të gjithë dimensionet e tij. Herë pas here segmente të caktuara të dekomunistizimit janë trajtuar edhe me akte apo iniciativa ligjore. Psh le të përmendim shpërblimin e viktimave të komunizmit, genocidin, perpjekjet për hapjen e dosjeve apo dhe tentativat e penguara për lustracionin. Por fakt mbetet që të gjitha këto copëza të rëndësishme janë si te tilla por pa dyshim do të kishin peshë shumë herë më të madhe nëse do të ishin bashkë dhe të harmonizuara. Për fat të keq edhe këto iniciativa pjesore nuk janë cuar deri në fund apo janë penguar apo shmangur nga qëllimi. Jo rrallëherë ka ndodhur që këto nisma të vecanta janë shndërruar në konsum të debatit politik të ditës, duke e humbur vlerën e vërtetë  dhe qëllimin që duhet të kishin: vënien në vend të drejtesisë dhe dinjitetit njerëzor për ata mijëra shqiptarë që u vranë, burgosën, internuan dhe shkatërruar jetën për gati 50 vjet.

Në emër të PD dua të përmend këtu se gjatë këtyre 30 viteve ne kemi ndërmarrë iniciativa të tilla, por këto nisma në mënyrë sistematike janë shuar dhe dekurajuar nga Partia Socialiste si trashëgimtare e Partisë së Punës. Partia Demokratike, që në krijimin e saj e ka pasur mision ndërmarrjen dhe përfundimin e këtij procesi. Edhe vetë historia politike e saj e dëshmon këtë. Nuk kemi bërë aq sa duhet por mjaftueshëm për të nxjerrë mësimet tona se cfarë duhet bërë që dekomunistizimi të jetë proces i plotë, i tillë që të shkëpusë përfundimisht shoqërinë shqiptare nga trashëgimia komuniste, i tillë që të plotësojë edhe kërkesat minimale të demokracisë funksionale dhe shtetit të së drejtës.

Së pari, procesi i dekomunistizimit nuk mund të jetë i fragmentarizuar dhe posacërisht komponenti i lustracionit nuk mund të jetë i vecuar. Lustracioni duhet të shkojë paralelisht së paku me komponentë të tjerë sic janë deklasifikimi i dosjeve, ndalimi i simboleve të komunizmit dhe ngritja e muzeve dhe memorialeve te kujtesës. Vetëm kështu dekomunistizimi shndërrohet në një proces me impakt në shoqëri.

Së dyti, lustracioni nuk mund të bazohet tek hakmarrja, qoftë kjo personale apo për motive politike. Në këto 30 vjet ka qenë pikërisht konceptimi i tij si mjet hakmarrjeje dhe për këtë arsye, ai ka qenë mjet i njëanshëm, që ka gjetur kundërshtim, keqkuptim, moskuptim apo refuzim nga pjesë të tjera të shoqërisë. Nëse ai konceptohet si një nevojë e gjithë shoqërisë shqiptare, një masë proporcionale me nevojën për dekomunistizim të shoqërisë e bashkë me të, edhe të politikës, për t’u shkëputur nga e djeshmja komuniste dhe kjo si një nevojë e gjithëpranuar, vetëm kështu do të ishte e suksesshme.

Së treti, lustracioni nuk duhet konceptuar si mjet i luftës politike, me të cilin kërkohet asgjësimi i kundërshtarëve politikë. Nëse një iniciativë lustrimi bëhet pjesore, me selektivitet, me porosi për emra të përvecëm, pra duke mos u vlerësuar si fenomen parimor, që abstragon nga emrat e përvecëm, ai nuk është asgjë tjetër vecse një praktikë totalitare komuniste e aplikuar në një sfond në dukje të demokracisë. Ne nuk jemi dhe nuk do të jemi për fasadat, aq më pak për fasadat që thelbin e kanë të korruptuar.

Së katërti, lustracioni duhet konceptuar dhe zbatuar duke respektuar shtetin e së drejtës. Do të ishte dështim një proces lustracioni me dënime kolektive, pa analizuar masën e fajit individual, pa i dhënë të drejtën e mbrojtjes atyre që iu adresohet, pa i dhënë të drejtën publikut të njihet me dosjet e sigurimit të shtetit dhe më gjerë, e realizuar nga trupa që nuk japin garanci pavarësie, apo që nuk realizohet sipas një procesi publik dhe pa i njohur të drejtën e ankimit në gjykatë. Një proces i tillë me këto mangësi do të ishte dështimi i radhës dhe paaftësi për të tejkaluar të shkuarën komuniste.

Së pesti, procesi i lustrimit duhet të jetë i gjithëpranuar. Ne kemi bindjen se nëse plotësohen kushtet e mësipërme, një proces ligjor lustrimi mund të jetë i gjithëpranuar nga shoqëria dhe politika, e cila ka detyrën që të veprojë sipas nevojave dhe në shërbim të shoqërisë.

Partia Demokratike, ashtu sic e kemi bërë me dije publikisht edhe më parë, është e angazhuar për të hartuar një ligj të plotë për lustracionin sipas parimeve të mësipërme, që së bashku me tre iniciativat e depozituara tashmë në Kuvend (hapja e plotë të dosjeve; ndalimi i simboleve komuniste; dhe kujtesa kolektive për kampin e Tepelenës dhe burgun e Spacit), përbëjnë një korpus fillestar me themele për dekomunistizimin, të cilit do t’i qëndrojmë gjer në fund. Në ditët në vazhdim do tju njohim dhe me detaje me konkrete të punës sonë në këtë drejtim.

Ora 10:42
Tabaku: Regjimet totalitare i kthyen njerëzit në krijesa pa ndërgjegje! 23 gushti, si reflektim dhe pendesë!

1657441566_tabaku.jpg

Në ditën Europiane e Përkujtimit të Viktimave të regjimeve totalitare dhe autoritare, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, thotë se 23 gushti nuk mund të mbetet thjesht një datë përkujtimore në kalendarin e një vendi si Shqipëria.

Tabaku shkruan se Partia Demokratike, përmes grupit të PD-së në Kuvend ka dorëzuar nismën ligjore që mundëson pikërisht të kujtuarit të së djeshmes, të reflektuarit mbi të dhe të pastrimit si një metodë për të hedhur tej tranzicionin.

Ka ardhur koha që ne të hyjmë në tokën e premtuar duke i dhënë fund tranzicionit, shkruan Tabaku, e e duke u pastruar shpirtërisht përmes kujtesës, reflektimit dhe pendesës.

‘Asnjë shoqëri nuk mund të ketë sukses nëse nuk ka guximin të kujtojë, reflektojë dhe pendohet. Ka ardhur koha të dëshmojmë para fëmijëve tanë se kemi vullnetin ta çojmë këtë reflektim dhe pendim një hap më larg.’- nënvizon deputetja demokrate.

Reagimi i plotë:

23 Gushti si reflektim dhe pendesë!

Dita e përkujtimit te viktimave të regjimeve totalitare (komunizëm dhe nazizmi) nuk mund të mbetet thjesht një datë përkujtimore në kalendarin e një vendi si Shqipëria. Që për gati 50 vjet u rrënua në të gjithë dimensionet e saj nga një prej diktaturave më të egra komuniste. Për nga numri i viktimave, të të internuarve dhe atyre që u persekutuan në raport me popullsinë, shqiptarët përjetuan terrorin e ngjashëm me stalinizmin, ku vuajtjet dhe terrorit nuk i shpëtuan as ata që fizikisht nuk ishin në burgje apo internime. Dhe është e qartë që një shoqëri e mbrujtur për dekada me terror ka nevojë për pendesë dhe reflektim për t’iu  rikthyer vlerave të një shoqërie të zhvilluar që jeton me respekt të tashmen dhe ndërton me themele të forta të ardhmen për brezat që vijnë.

Por a ja kemi dalë ne të gjithë të kalojmë këtë sfidë? Për fat të keq na duhet ta pranojmë se megjithëse kanë kaluar 3 dekada nga rënia e komunizmit ende e shkuara jonë përdridhet dhe na del përpara nesh. Ajo shpërfaqet në forma të ndryshme, diku ajo na del në mes të ditës në formën e një protreti në një ditë përkujtimore të njëanshme, më tej shfaqet si arrogancë ndaj dhimbjes dhe përvuajtjes së atyre që u dergjen burgjeve, internimeve apo diktatit të njollës në biografi.

Shqipëria komuniste, një vend që vrau deri dhe Zotin (me të sajën) ishte një skëterrë që nuk mund dhe nuk duhet harruar. Për sa kohë ne i kthejmë shpinën asaj aq më shpesh dhe aq më shumë ajo përballet me ne duke na dalë përpara.

59 mijë shqiptarë të internuar në kampe të tmerrshme pune dhe në Gulagët e modelit sovjetikë janë historia e gjallë dhe e prekshme që edhe pse shumëkush mendon që do të harrohet ajo rron.

34 mijë shqiptarë të dënuar në burgjet e komunizmit shumicën e historive të tyre ka mbetur e heshtur në skëterrën e dhimbjes.

6027 shqiptarë të vrarë dhe pushkatuar nga regjimi komunist në 5 dekada të qeverisjes prej tij.

308 shqiptarë u dëmtuan mendërisht në burgjet e regjimit komunist duke kaluar në çmendi të plotë apo dhe duke u eksperimentuar me to.

984 shqiptarë vdiqën brenda në ato burgje të vrarë në tentativë për arratisje apo dhunuar mizorisht nga regjimi.

Por të gjitha sa më lart mund të mbeten thjesht evidenca statistikore nëse nuk ja dalim t’i ngulisim në mendje më të rinjve se shifrat jane jetë te ndërprera dhe jo statistika. Janë jetë të shkatërruara të qytetarëve të pafajshëm. Që thjesht mendonin ndryshe dhe për këtë paguan një faturë të lartë. Kjo është tragjedia jonë kombëtare për të cilën duhet të flasim sa më shpesh. Ta kujtojmë me sa më shumë  vërtetësi për t’i kujtuar vetes, bashkëqytetarëve por sidomos më të rinjve se ky komb ka kaluar përmes një diktature. Gjurmët e së cilës janë ende prezente dhe shërimi mund të vijë veç nga e vërteta dhe perballja me të pa kompromise.

Ka shumë rrugë për të arritur deri këtu. Dhe një nga to është nevoja e një muzeu kujtese pikërisht në ato vende ku kanë vuajtur dhe janë persekutuar mbi 34 mijë shqiptarë. Sepse një nga mënyrat për të gjetur paqe nga dhimbja që të ka shkaktuar një sistem gjakatar është të mësosh nga e shkuara që ajo mos të përsëritet në forma të  tjera, më të  sofistikuara por që kanë te njëjtin qëllim.

Ngritja e muzeve të tillë është hap i rëndësishëm për të kujtuar dhe mësuar më të rinjve dhe mënyrat se si një shtet diktatorial arriti të mposhtë dhe të mbajë të burgosur një popull të tërë. Dhe mënyrat ishin të shumta. Shteti totalitar komunist kishte ndërtuar një rrjet të sofistikuar informatorësh dhe një agjenci kriminale si Sigurimi i Shtetit që të menaxhonte jetën e njeriut të ri. Kjo strukturë ishte hallka kryesore e mekanzimit mbi të cilin funksiononte makineria shteterore e diktaturës komuniste. Ndaj sot është esenciale që shqiptarët të kenë një libër të hapur me dosje të hapura për të gjithë qytetarët. Më mirë vonë se kurrë thotë një fjalë e urtë- dhe kjo jo si shenjë hakmarrje ndaj atyre që kanë qene pjese e kesaj hallke djallezore dhe gjakatare por si një përgjegjësi qytetare ndaj atyre që kanë mbi shpinë përgjegjësinë për vrasjen, burgosjen dhe internimet për mijra shqiptarë të pafajshëm.

Regjimet Totalitare i kthyen njerëzit në krijesa pa ndërgjegje, siç na mëson dhe Arendt, por ka ardhur koha që Shqipëria të përballet me këtë të vërtetë duke mësuar nga gabimet e saj. Nuk mund të qëndrojmë pengu i frikës ndaj të shkuarës, as hijeve që e përndjekin atë nga pas për të frenuar të ardhmen.

Vetëm kështu, një shoqëri e shëndetshme mund të kërkojë lustracionin e vendit nga një epokë e shoqëruar me përzierjen që nuk bëri vetëm se zgjati pafund tranzicionin. Prandaj Lustracioni i kryer siç duhet është rruga që një shoqëri e shëndoshë duhet të përballet me të tashmen dhe të ndërtojë të ardhmen.

Oferta që Partia Demokratike përmes grupit të PD në kuvend ka dorëzuar që në fillimet e Gushtit është ajo që mundëson pikërisht të kujtuarit të së djeshmes, të reflektuarit mbi të dhe të pastrimit si një metodë për të hedhur tej tranzicionin.

Nuk mund të lë pa përmendur një leksion të qartë nga besimet Abrahamike ku historia e Hebrenjve që dolën nga Faraoni u shoqërua me 40 vite në shkretëtirë si shenjë e një pastrimi të thellë nga totalitarizmi dhe idolatria e Egjiptit faraonik.  Ka ardhur koha që ne të hyjmë në tokën e premtuar duke i dhënë fund tranzicionit dhe duke u pastruar shpirtërisht përmes kujesës, reflektimit dhe pendesës.

Asnjë shoqëri nuk mund të ketë sukses nëse nuk ka guximin të kujtojë, reflektojë dhe pendohet. Ka ardhur koha të dëshmojmë para fëmijëve tanë se kemi vullnetin ta çojme këtë reflektim dhe pendim një hap më larg.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?