Dortmund dhe PSG luajnë sot në orën 21:00 për gjysmëfinalen e parë mes tyre në Ligën e Kampioneve. Dueli i "Iduna Park" është kyç, të paktën për vendasit që luajnë përballë tifozëve të tyre dhe kërkojnë një rezultat pozitiv.
Përpara ndeshjes, për mediet trajneri i Dortmund Edin Terzic ka treguar frikën që ka kundër PSG-së.
"Projekti në Paris filloi me qëllimin për të fituar Ligën e Kampionëve. Ky ka qenë objektivi i tyre kryesor për një dekadë. Ata kanë cilësi të pabesueshme. Nëse duam të fokusohemi në një gjë, atëherë duhet të fokusohemi te topi. Në fazën e grupeve, pamë një lojë shumë të ndryshme kundër Parisit dhe e tillë pritet të jetë edhe kjo e radhës", tha Terzic.
Dy skuadrat vendosen sërish përballë tyre, pasi këtë sezon në Champions ishin pjesë e një grupi, atij F, me Dortmund që e mbylli në vendin e parë me 11 pikë, tre më shumë se PSG që doli nga grupi pasi kishte golavarazh më të mirë se Milani.
Në duelet mes tyre në grup, një duel u fitua nga PSG 2-0 dhe ai i Gjermanisë u nda në barazimin 1-1. PSG nuk ka fituar asnjëherë në "Iduna Park".