Ilir Daja flet para ndeshjes me Jagiellonian - Bialystok, Poloni

Sport

Sot është mbrëmja e Dinamos evropiane, Ilir Daja nga Polonia: Të gjitha energjitë na duhen në fushë, aktivizoj afrimin e fundit

21 Gusht, 08:46| Përditesimi: 21 Gusht, 08:56

  • Share

BIALYSTOK, Poloni - Këtë të enjte në orën 20:15 Dinamo e Ilir Dajës ka një mision të vështirë, por jo të pamundur në Poloni. Në Bialystok, konkretisht në 'Chorten Arena' djemtë që përfaqësojnë Shqipërinë në Evropë luajnë kundër vendasve të Jagiellonias.

Skuadra e Ilir Dajës ka bërë një rrugëtim mbresëlënës deri tani, duke eliminuar rivalë të fortë dhe duke treguar se mund të përballet denjësisht edhe me emra të mëdhenj të futbollit evropian. Kulmi arriti ndaj Hajduk Split, ku dinamovitët fituan 3-1 në “Air Albania”, duke përmbysur parashikimet dhe siguruar kualifikimin historik.

Pengesa e radhës është Jagiellonia, një skuadër me përvojë në arenën evropiane, por aspak e pakalueshme. Dinamovitët synojnë të surprizojnë sërish dhe të hedhin një hap të madh drejt fazës së grupeve, por kjo sot është vetëm ndeshja e parë.

Në prag të sfidës, nga stadiumi ku do zhvillohet ky duel, foli Ilir Daja. Trajneri i Dinamos e nisi fjalën e tij duke kujtuar se Jagiellonia sezonin e kaluar u eliminua në çerekfinalet e Conference League, duke treguar nivelin e rivalëve.

"Po e filloj me një kujtesë afatshkurtër, që Jagiellonia ka bërë shumë mirë vjet në Ligën e Konferencës, ku në dijeni time është eliminuar në çerekfinale. E di që është nga ekipet më të forta të Polonisë dhe bën një futboll të mirë gjatë fazës mbrojtëse dhe në sulm, kjo si meritë e trajnerit dhe stafit të tij. Kanë gjithmonë të pranishëm lojtarin e 12-të, publikun.

Dihet se klubet që dalin deri në “play off”-in e Ligës së Konferencës janë ekipe që e meritojnë dhe një nga këto është edhe Jagiellonia. Pra, përballë do të kemi një ekip të fortë dhe për të bërë ne punën tonë, duhet të sakrifikojmë shumë.

Fjalët e mira nga rivali? E falënderoj kolegun për fjalët që ka thënë. Edhe ne jemi një ekip me histori e traditë në futbollin shqiptar, por që rikthehemi në Europë pas disa vitesh mungesë", tha Daja.

Trajneri më pas u ndal edhe te boshllëku që lënë largimet në sulm të Mandelës dhe Zabërgjës.

"Janë dy lojtarë që kanë qenë golashënuesit tanë më të mirë në sezonin e fundit dhe futbollistë shumë të rëndësishëm për ne. Por, tashmë ne u kemi uruar suksese në klubin e ri ku kanë shkuar në Ukrainë. Ndonëse koha është e shkurtër, duhet të mësohemi se ata nuk janë më pjesë e skuadrës sonë. Së fundmi, kemi bërë një afrim në merkato, që nesër (sot) mund të jetë pjesë e lojës, si në start dhe gjatë zhvillimit të sfidës. Do të mundohemi që sa i përket pjesës së lojës, t’i zëvendësojmë sa më mirë të jetë", vijoi trajneri.

Daja karikon të tijtë duke thënë se të gjitha energjitë duhet të jenë në fushë këtë të enjte.

"Çdo tur ndryshon nga turi tjetër, ashtu siç ndeshjet ndryshojnë nga njëra-tjetra. Hajduku dhe Jagiellonia janë dy ekipe të forta, po se ku dallojë do të preferoja që të mos i citoja, sepse do ta kemi kundërshtar Jagiellonian.

Të gjitha energjitë psikofizike ne i kemi te ndeshja e radhës, jo te e kthimit. Pasi nga kjo varet edhe si do të dalë rezultati. Nëse marrim një rezultat pozitiv, padyshim do të kemi më shumë tifozë. Në të kundërt, mund të ndodhë situatë tjetër", u shpreh 58-vjeçari.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • andi: 21/08/2025 09:37

    Duhet te fitosh per dinjitet Profesor, por dhe ca leke ju duhen

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Agjencitë e Entet Rregullatore do kalojnë në varësi të Ministrive, si iu duket?