Këtë të enjte (1 maj) në orën 18:00 në "Elbasan Arena" do luhet ndeshja finale e Kupës së Shqipërisë mes Egnatias dhe Dinamos, për edicionin e 73-të të këtij turneu. Rrogozhinasit vijnë si kampionët në fuqi të këtij trofeu, ndërsa Dinamo rigjen një finale pas 15 viteve mungesë dhe shumë problemeve në klub, që e zbritën për shumë vite në Kategorinë e Parë.
Tanimë gjithçka është harruar dhe dy skuadrat do përballen sot në një sfidë që mund të zgjasë më shumë se 90 minuta, pasi në fund trofeu do i shkojë një skuadre.
Në prag të ndeshjes, trajneri i Egnatias, Edlir Tetova tha për mediet se finalet duhen fituar. Ai shtoi se duhet pasur kujdes ndaj Dinamos. Sa i takon lëndimeve, te Egnatia nuk janë në formë Malota dhe Ndreca.
"Në futboll thuhet se finalet duhen fituar dhe duhet të jemi të kujdesshëm te kjo pjesë. Përderisa jemi në finale, janë dy ekipet më të mira, ndaj mendoj që nga të dyja ekipet do të jetë një lojë e kujdesshme.
Dëmtimet? Përveç Malotës dhe Ndrecës, pjesa tjetër e grupit është në rregull. Përderisa jemi këtu me këtë ecuri si në kampionat edhe në Kupë, atmosfera në ekip është shumë e mirë", tha Edlir Tetova.
STATISTIKAT PARA FINALES
Dy skuadrat janë përballur 27 herë në historinë e tyre dhe sonte do të luajnë ndeshjen e tyre të 28-të. Rrogozhinasit numërojnë 14 fitore, ndërsa dinamovitët kanë triumfuar në 4 ndeshje. 9 sfida janë mbyllur në barazim. Sa i përket golavarazhit, Egnatia ka shënuar 33 gola, ndërsa Dinamo 16.
Egnatia e mbylli kampionatin në vendin e parë dhe përveç pjesëmarrjes në “Final 4”, tashmë ka si fokus kryesor finalen e Kupës së Shqipërisë. Kjo është hera e tretë që rrogozhinasit arrijnë në finalen e Kupës, pasi kanë triumfuar në dy edicionet e fundit.
Dinamo rikthehet në finalen e Kupës së Shqipërisë pas 15 vitesh. Një ekip me traditë dhe shumë eksperiencë në këtë kompeticion, dinamovitët kanë fituar 13 trofe të Kupës së Shqipërisë.
Objektivi i Dinamos është të rikthejë Kupën në shtëpi, ndërsa i Egnatias, të vazhdojë të mbrojë titullin dhe të qëndrojë kampione në fuqi.
Komente
