E çmuara Tinka, po të kërkojnë të të gjejnë; që në mëngjes po të kërkojnë. E ku dinë këta se ti jeton në një lagje popullore të Tiranës, diku shumë afër meje. Edhe po nuk të gjetën, sot do të të shajnë…
Pardje u shava unë dhe dy kolegë të mi. ‘Ti që shkruan ashtu, do ta shikosh në 25 prill kur do të vërshojnë demokratët; e ku do të futesh’, ishte njëra sharje.
Dje u shanë, kam përshtypjen, të gjithë. ‘Zonja e parë’ deklaroi mbajeni mend çfarë mund të mbani mend, se në 25 prill ‘do të fshihen të gjitha, godinat dhe ligjet që janë deri më sot’. Edhe ish-shefi i SHISH, ndihmës i presidentit, kërcënoi sot se “gjithçka po mbahet shënim!’.
Para pak ditësh kanë telendisur Robert Ndrenikën, kanë prekur Dritëro Agollin në varr si ‘patriarku i këtyre’. Edhe Nënë Terezën nuk do ta kishin kursyer.
… Po ku do të fshihemi, e dashur Tinka; përveçse në popull ku jemi në atë lagje të vobektë? Ti e theve qelqin e gastares ku zakonisht rrinë butë-butë artistët e druhen të thonë ndonjë fjalë për fatet e kombit. Ti the sot në mëngjes se ‘kur përballemi me kohët më të vështira, Shqipërisë i duhet Edi Rams, ai nuk ndalet kurrë. Ai lufton për ne dhe punon për Shqipërinë si askush tjetër”.
A qenka mëkat dhe zor i madh për të thënë të vërtetën kur pakica nuk ta do atë të vërtetë?
Kjo qenka më e vështira, të flasësh ndryshe nga pakica. Pakica ka guxuar këto ditë të shajë disa personalitete të kombit që kanë dalë ‘nga gastarja në fushë’ për të thënë një fjalë orientuese për kombin. Për politikën tonë post ’90 është hera e parë që ndodh të dalin artistët e mëdhenj kombëtarë; ndoshta edhe pse është hera e parë që pakica i frikëson dhe i rrezikon të gjithë.
Pakica politike kësaj here është ish- pushteti në periudhën më të zezë kombëtare të 3 dekadave të fundit. Edhe pse pakicë, ata shtiren si sundues, shajnë shumë, kërcënojnë shumë dhe frikësojnë shumë. Tirania e pakicës është më e tmerrshmja edhe në demokraci. Kjo është e njohur botërisht. Një nga etërit e Amerikës, James Medison (president i 4-t dhe shkrues i Kushtetutës) “ndërtoi në Kushtetutë një seri mekanizmash ftohës që synonin të frenonin formulimin e fraksioneve të pasionuara, për të siguruar që shumicat e arsyeshme do të mbizotëronin”, venë re sot mendimtarët e kohës.
Duke e afruar këtu ku po ndodhin ngjarjet:
Pse e ka të vështirë Tinka Kurti të thotë atë që s’i pëlqen pakicës?! Sepse e ka shpallur ‘të ndaluar, ose të erdha në 25 prill) që të thuash fjalët e duhura për Edi Ramën që po lufton për të shpëtuar jetë njerëzish. Pakica që po shqyhet e lutet ‘ishalla vdesin sa më shumë’, do të të shajë pse flet mirë për të mirën e njeriut. Në maxhorancë jetojnë elitat dhe shpresat- ja kjo është.
Çfarë qenka më e egra: Të flasësh ndryshe nga pakica!
Kjo pakicë, ka mbetur pakicë sepse ka bërë dëme me shumicë kundër njeriut dhe kundër vendit. Ky është vitalitet i kombit, që zullumin e pakëson në minorancë. Më parë ka qenë pushtet dhe shkaktar i luftës, i vrasjeve, i përçarjes së kombit, i korrupsionit, i grushteve të shtetit, i mizerabilitetit urban. Vitaliteti i kombit matet me atë që të keqen e vet ta mbajë në frè. Tinka Kurti, Robert Ndrenika, Rexhep Qosja…, veçse këtë po bëjnë, po u thonë njerëzve ‘kini mendjen’. Atë që bëri dikur Barush Spinoza, filozof Duch i viteve 1600 e ca. Një kohë si kjo jona do të ketë qenë edhe ajo. Ai doli në rrugë, vuri përpara stolin e okulistit dhe nisi tu pastronte syzet kalimtarëve. Ai s’ishte okulist, por syzet për realiteti duhen pastruar në kohët më të vështira.
Tinka Kurti, e adhuruara e kombit, që në mëngjes ka marrë sharje; deri në mbrëmje sa të mbyllet ‘banaku i pastrimit të syzeve’, kushedi se sa…