KOSOVË-Pas 10 ditësh fushate në Kosovë, dita e sotme shënon zyrtarisht ditën e heshtjes parazgjedhore, pasi nesër më 14 shkurt do të përcaktohet përmes votës së qytetarëve qeveria e re.
Në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare marrin pjesë 28 subjekte politike, prej tyre, 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare. Të gjitha partitë garojnë për 120 vende në parlament.
Zgjedhjet parlamentare në Kosovës zhvillohen në të gjithë territorin e vendit dhe këtë vit, ndryshe nga çdo herë tjetër do të mbahen pa ndihmën e OSBE-së e cila ka qenë e pranishme në zgjedhjet lokale që prej vitit 2013, por për shkak të pandemisë, ato do të organizohen plotësisht nga KQZ-ja.
Por përse erdhën këto zgjedhjet e parakohshme në Kosovë?
Pas një kërkese-padie, nga kreu i partisë Lëvizje Vetëvendosje, Albin Kurti lidhur me votën e deputetit, Etem Aridi e cila ishte vendimtare për krijimin e Qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti, Gjykata Kushtetuese e Republikë së Kosovës, e shpalli atë të pavlefshme. Kjo u bazua në argumentin se nuk kishte legjitimitet për të votuar pasi ai është dënuar më parë me vendim të formës së prerë nga Gjykata dhe një gjëe e tillë në bazë të Kushtetues Kosovare është e ndaluar.
Si pasojë presidentja në detyrë Vjosa Osmani, pas vendimit të formës së prerë shpërndau parlamentin dhe caktoi datën e re të zgjedhjeve, e cila është 14 shkurti.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar Listën Përfundimtare të Votuesve brenda dhe jashtë Kosovës për zgjedhjet e 14 shkurtit, ku të drejtë vote kanë 1,794,862 qytetarë. 143 mijë e 6 votues më pak se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019. Numri i Qendrave të Votimit në të gjithë Kosovën është 888, me gjithsej 2 mijë e 382 vendvotime.