Ibrahimaj për Report Tv: Biznesit të vogël i garantojmë pagat e punonjësve deri në maj, për biznesin e madh kredi të garantuar nga shteti (VIDEO)

1 Prill 2020, 18:02| Përditesimi: 1 Prill 2020, 20:04

  • Share

TIRANE - Qeveria me paketën mbështetëse financiare për situatën e krijuar nga COVID-19 garanton deri në muajin maj shlyerjen e pagave të punonjësve të mbetur pa punë në bizneset e vogla të mbyllura me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë. Në një intervistë me Skype për Report Tv, drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj tha se për biznesin me xhiro nga 0-14 milionë lekë (mbi 30 mijë tatimpagues dhe mbi 60 mijë të punësuar në total) do të garantohet shlyerja e pagave për të gjithë punonjësit e mbetur pa rrogë nëpërmjet procedurës së vetëdeklarimit nga punëmarrësi. Përmes ekranit të Report Tv ajo apeloi të bëhet kujdes në aplikim duke mos bërë asnjë gabim në numrin e llogarive të punonjësve ku do të derdhen pagat, pasi kjo do të sillte vonesa të panevojshme. (KETU - APLIKIMI për mbështetje)

Ndërkohë, sa i përket biznesit me xhiro mbi 14 milionë lekë, drejtoresha e tatimeve tha se është arritur dakordësi me bankat e nivelit të dytë në Shqipëri, që të japin kredi me interes preferencial të garantuar nga shteti. Nëse pandemia do të zgjasë edhe pas qershorit, muaj kur qeveria e ka të garantuar mbështetjen me pagë për muajin maj, zonja Ibrahimaj tha se qeveria ka gati planin B, i cili konsiston në "mbështetje të formave të ndryshme jo vetëm për këtë fashë që po flasim sot", por pa dhënë më shumë detaje për kategoritë e reja që do të përfitojnë mbështetje.

Drejtoresha e përgjithshme e Tatimeve Delina Ibrahimaj në intervistën në edicionin qendror të lajmeve në Report Tv u shpreh se deri tani kanë aplikuar 3300 biznese për të përfituar nga paketa ekonomike që ka hyrë sot në fuqi.

Gjithashtu drejtoresha e Tatimeve Delina Ibrahimaj deklaroi për Report Tv se nëse një biznes ka mbyllur aktivitetin sipas urdhrit të qeverisë (kategoritë e përcaktuara) nuk do të paguajë sigurimet për punonjësit për sa kohë aktiviteti është mbyllur dhe në këtë mënyrë nuk do të jenë të detyruar që të largojnë të punësuarit, pasi deklarimet e tyre në sistem për këtë periudhë do të jenë zero. Paga minimale 26 mijë që do të marrin punonjësit e prekur nga kriza përfshin edhe sigurimet, që për këtë periudhë pezullimi do i paguajë shteti.

VIDEO/Intervista e plote me Drejtoreshën e përgjithshme e Tatimeve Delina Ibrahimaj 

Ora 18:55
Ibrahimaj: Bizneset e mbyllura nuk do të paguajë sigurimet e punëtorëve

Drejtoresha e Tatimeve Delina Ibrahimaj u shpreh për Report Tv se nëse një biznes ka mbyllur aktivitetin sipas urdhrit të qeverisë (kategoritë e përcaktuara) nuk do të paguajë sigurimet për punonjësit për sa kohë aktiviteti është mbyllur dhe në këtë mënyrë nuk do të jenë të detyruar që të largojnë të punësuarit, pasi deklarimet e tyre do të jenë zero. "Nëse tatimpaguesit do të zgjedhin të vazhdojnë të paguajnë sigurimet gjatë plotësimit të formularit online duhet të klikojnë te një kuti ku specifikohet që do të vijojnë të paguajnë dhe nëse vijojnë të paguajnë do i paguajnë në bazë të deklarimeve në bazë të afateve në fuqi. Nëse tatimpaguesit kanë pezulluar aktivitetin de facto nga data 10,12 apo 20 mars bazuar te urdhrat e ministrit dhe nuk duan t'i paguajnë  detyrimet e sigurimeve shoqërore se nuk kanë aktivitet, do të kenë një kuti në aplikimin online dhe kontributet e të punësuarve të tyre do të jenë të deklaruara zero për sa kohë biznesi do të jetë i pezulluar dhe nuk do të jenë të detyruar që të largojnë të punësuarit, por deklarimet e tyre do të jenë zero' tha ajo.

Ora 18:36
Ibrahimaj thirrje bizneseve: Mos largoni punonjësit, gjendja e përkohshme

Drejtoresha e Tatimeve u shpreh se në rastin që biznesi është hapur dhe i punësuari zgjedh që të qëndrojnë në shtëpi duke mos shkuar në punë nuk përfiton nga paketa e ndihmës."Nëse bizneset janë të hapura të punësuarit nuk përfitojnë. Përfitojnë vetëm ata që janë detyruar me urdhër të ministrit të shëndetësisë. Të tjerët nuk përfitojnë. Uroj që bizneset të mos largojnë të punësuarit nga puna se është situatë e përkohshme" tha ajo.

Ora 18:30
Biznesi ul pagat? Ibrahimaj: Kontrollet i kemi pezulluar, e shikojmë vetëm pas 20 prillit

E pyetur çfarë ndodh nëse bizneset kanë shkurtuar pagat për punonjësit në këto momente për shkak të situatës, pra nëse kontrata është më e lartë dhe ata marrin më pak, drejtoresha e Tatimeve u përgjigj duke thënë se 'Kjo është pjesë e punës, e informalitetit të cilin ne në punën tonë mundohemi ta luftojmë. Nuk kemi një masë të deklarimit të pagave për muajin mars, pasi listë-pagesat deklarohen në 20 prill. Nuk kemi një informacion nëse janë ulur pagat në muajin mars, do ta kemi pas datës 20. Nëse deklarimet nuk do të jenë reale nuk kemi mundësi të verifikojmë në terren pasi kontrollet janë të pezulluara për shkak të situatës".

Ndërkohë referuar numrit të personave që kanë humbur punën apo që janë çregjistruar nga sistemit i sigurimeve shoqërore, Ibrahimaj u shpreh "Ne jemi duke monitoruar situatën dita ditës, të dhënat e largimeve nga sistemi i sigurimeve shoqërore janë shumë dinamike dhe operative, janë të dhëna që jo domosdoshmërish janë të besueshme dhe i atribuohen vetëm kësaj situatë. Më 20 prill do ta kemi kur është data e list-pagesave dhe deklarimit të sigurimeve shoqërore, që janë edhe të biznesit të madh edhe të vogël, atëherë do kemi një pasqyrë. Të dhënat e largimeve janë të dhëna dinamike, çdo muaj ka lëvizje të mëdha hyrje daljesh në tregun e punës, nuk do të ishte një shifër reale sot".

Ora 18:28
Si të aplikoni për pagën e luftës? Ibrahimaj: Kujdes gabimet, ndiqeni këtë rregull

Drejtoresha e Tatimeve u kërkoi të gjithë atyre personave që për shkak të mbylljes së biznesit me xhiro 0-14 mln lekë përfitojnë nga paga e luftës të nxisin pronarin që të plotësojë kërkesat te Tatimet sa më parë dhe me shumë kujdes për të shmangur gabimet. "Unë i bëj thirrje të punësuarve që janë pjesë e kësaj kategori të kontaktojnë pronarët e bizneseve dhe ti nxisin në plotësimin e kërkesave sa më parë. Uroj që aplikimi të mos ketë gabime, nëse do të ketë ne do i kontaktojmë përsëri tatimpaguesit dhe problemeve, por i bëj thirrje të gjithëve që të bëjnë shumë kujdes që të mos ketë vonesë' tha Ibrahimaj.

Ora 18:27
Drejtoresha e Tatimeve: Deri tani asnjë biznes i falimentuar nga koronavirusi

Delina Ibrahimaj deklaroi në Report Tv se deri tani nuk ka asnjë biznes të falimentuar për shkak të situatës nga koronavirusi. Keni një shifër të bizneseve që mund të kenë falimentuar? "Jo deri tani nuk ka një numër biznesesh që kanë falimentuar për shkak të situatës dhe situata ka vetëm 20 ditë që ekziston dhe uroj që të jetë ky numër sa më i reduktuar prandaj qeveria po i mbështet që të mos shkojnë në faliment' tha ajo.

Ora 18:18
Drejtoresha e Tatimeve: Pas qershorit nëse zgjat pandemia kalojmë në planin B (DETAJET)

Drejtoresha e Tatimeve Delina Ibrahimaj thotë se qeveria i ka marrë masat që të shlyhen pagat e punëtorëve që kanë mbetur pa punuar si pasojë e mbylljes së bizneseve që nuk lejohet të ushtrojnë aktivitetin tregtar gjatë situatës së COVID-19,deri për në muajin qershor, kur është e garantuar dhënia e pagës së muajit maj.

Por nëse situata me pandeminë do të zgjasë, Ibrahimaj thotë për Report Tv, se do të kalohet në planin B, që përfshin mbështetje jo vetëm për fashën e atyre që përfitojnë nga paketa aktuale 100 milionë euro.

"Unë uroj që situata të mos zgjasë më shumë se 3 muaj për arsyen e parë, atë shëndetësore, do ishte tragjike që situata të zgjaste aq shumë. Në varësi të ecurisë qeveria ka menduar një plan b të situatë siç është deklaruar më parë dhe nga kryeministri Rama do ketë mbështetje të formave të ndryshme jo vetëm për këtë fashë që po flasim sot", tha drejtoresha e Tatimeve.

Ora 18:18
Drejtoresha e Tatimeve për Report Tv: Nuk kemi ndarë bizneset në të madh e të vogël! Ata me më shumë se 14 mln lekë do marrin kredi me shtetin garant

Drejtoresha e Tatimeve Delina Ibrahimaj tha se qeveria nuk ka bërë ndarje mes biznesit të madh dhe të vogël për shlyerjen e pagave të punonjësve të mbetur të papunë, pasi është vendosur të mbështeten të gjitha ato biznese nga 0 deri në 14 milionë lekë.

Nuk ka kategorizim të biznesit të madh, të vogël, për çështje tatimore i konsiderojmë të ndryshme në bazë të tatimeve, nuk kemi ndarje të biznesin e madh e të vogël. Janë ata që vlerësuar që nuk kanë kapacitetet dhe nuk kanë të ardhura për të përballuar një mungesë aktiviteti për një muaj apo 2 muaj", tha Ibrahimaj.

Drejtoresha e Tatimeve sqaroi për Report Tv, se garancia sovrane tek bankat e nivelit të dytë lidhet pikërisht për të mbështetur biznesin e madh, ku shteti del garant për kreditë e dhënë nga bankat në mënyrë që biznesi i madh të shlyejë pagat e punonjësve. Për këtë çështje, edhe kryeministri Edi Rama tha sot, se është arritur dakordësia me bankat e nivelit të dytë, pas një videokonference që mbajti me krerët e bankave.

"Janë duke u menduar paketa të tjera për të mbështetur forma të tjera biznesesh, siç është ajo e garancisë sovrane, që bizneset e mëdha të marrin pranë bankave, një kredi me normë interesi preferciale ku do të ketë garanci të vendosur nga qeveria.  Në fakt mbështetja që qeveria është duke dhënë është për biznesin 0-14 mln lekë, për ata që janë më larg qeveria është duke përgatitur paketën për kredinë, garancinë sovrane, që do të mund të kërkojnë pranë bankave me normë prefernciale për të pasur mundësi për të paguar stafin", tha drejtoresha e Tatimeve.

Ora 18:14
Ibrahimaj: Ata që janë në të zezë s'përfitojnë! Supozojmë të jenë pjesë e paketave të tjera

Të gjithë personat që punojnë në të zezë dhe tani janë mbyllur brenda për shkak të situatës së koronavirusit nuk do të përfitojnë nga paketa e parë ekonomike e qeverisë. Megjithatë, Delina Ibrahimaj dha një dritë shprese, kur tha se ne supozojmë që punonjësit në të zezë dhe familjarë të tyre të jenë pjesë e paketave të tjera që është duke implementuara nga qeveria.

"Është e pamundur për administratën për të identifikuar dhe të verifikojë vërtetësinë e fjalëve të tyre dhe nëse do të deklarohet tani. Punëmarrësit të bëjnë të gjitha hapat e duhura për t'u deklaruar. Mbështetjen do të marrësh vetëm nëse je i regjistruar. Për këtë kategori bashkë me ndihmën ekonomike, VKM që ka dalë parashikon të dyfishojë pagesën e papunësisë dhe pagesën e ndihmës ekonomike. Ne supozojmë që punonjësit në të zezë dhe familjarë të tyre të jenë pjesë e paketave të tjera që është duke implementuara nga qeveria".

Ora 18:13
Paketa hyri sot në fuqi, drejtoresha e Tatimeve: Punëtorët do të paguhen edhe për marsin

Sot hyri në fuqi paketa ekonomike, ndërsa drejtoresha e Tatimeve Delina Ibrahimaj u shpreh për Report Tv se punëtorët që janë në shtëpi për shkak të mbylljes së aktivitetit do të paguhen edhe për marsin. Pra tani në prill, do të marrin pagën e marsit dhe kështu në vijim për tre muaj. "Ne për këtë arsye, ndihma filloi nga data 1 prill, kur janë datat kur të punësuarit do të marrin pagat. Në prill do të shpërndahet paga e marsit, në maj e prillit dhe në qershor paga e munguar e majit. Uroj që kjo situatë të mos zgjasë, ne kemi marrë masat për tre muaj" tha ajo.

Ora 18:13
Drejtoresha e Tatimeve: Në prill do të shikojmë efektin real të koronavirusit në ekonomi

Efektet e vërteta në ekonomi nga koronavirusi do të ndihen në muajin prill. "Në mars pagesat ishin të ulëta dukshëm, 70-80% të masës së paguar krahasuar me vitin e kaluar. Prilli do të jetë akoma më shumë me aktivitet të reduktuar. Në prill do të shikojmë situatën reale të ekonomikë dhe aty do të shikojmë efektin e vërtetë që ka kjo situatë në ekonomi" tha Delina Ibrahimaj në Report Tv.

Ora 18:06
Ibrahimaj për Report Tv: Deri më tani 3300 biznese dhe 505 të vetëpunësuar kanë aplikuar për të marrë pagat për marsin

Drejtoresha e Tatimeve, Delina Ibrahimaj tha se deri më tani kanë aplikuar në portalin e taksave për të përfituar pagat për periudhën që kanë qenë të papunë, 3300 biznese dhe 505 të punësuar.

Në një intervistë për Report Tv, Ibrahimaj tha se në prill do të shpërndahet  paga e munguar e muajit mars, por bëri apel që aplikimet të bëhen të sakta me numra të saktë të llogarive bankare ku do të kalojnë edhe pagat për punëonjësit.

"Nga sot në portalin e taksave është shfaqur pyetësorë në të cilin të gjithë tatimpaguesit mund të aplikojnë. 3300 tatimpagues kanë aplikuar dhe 505 të punësuar, që do të mbështeten nëse aplikimet do të jenë të suksesshme. Bizneset duhet të jenë të mbyllura me urdhër të ministrisë së shëndetësisë.  Sipas VKM-së kemi 10 ditë kohë për ti kthyer një përgjigjem, megjithatë mendoj që përgjigjja jonë të jetë më e shpejtë.  Siç është anonçuar dhe më parë kjo ndihmë financiare do ti kalojë të punësuarve, është e rëndësishme të plotësohen të dhënat e llogarisë bankare për çdo të punësuar. duhet të jenë të kujdesshëm se pasaktësia do të shkaktojë vonesa në kalimin e parave. Masa e ndihmës është e barabartë me pagën e minimale 260 mijë lekë të vjetra që do ti kalojë direkt në llogari të punësuarve, nuk ka ndalesa", tha drejtoresha e Tatimeve për Report Tv.

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?