Lamtumirë Moikom Zeqo, fjalimi prekës i djalit: Amaneti i tij s'u përmbush! Ku je tani babi? Si ike kështu? Meta: Ishte misionar (VIDEO)

20 Qershor 2020, 08:21| Përditesimi: 20 Qershor 2020, 17:13

  • Share

TIRANE- Njerëz të thjeshtë, të kulturës, artit, politikës, miq edhe bashkëpunëtorë të një jete, pavarësisht pandemisë COVID- 19 i dhanë lamtumirën e fundit Moikom Zeqos. Në atriumin e Muzeut Historik Kombëtar, portreti i Moikom Zeqos në një fotografi dhe disa piktura të tij, u rrethuan nga qindra kurora dhe tufa me lule.

Përkrah bashkëshortes, Lidës, që i qëndroi pranë në ditë të vështira, gjendeshin vajzat edhe djali, Epidami. Ky i fundit, e quan ikjen nga jeta e të atit jo vetëm të parakohshme, por edhe të papërmbushur amanetin e tij për një Shqipëri më të mirë

“Amaneti i babit nuk është përmbushur, babi kërkonte një Shqipëri më të mirë. Shqipëria e babit është një Shqipëri që ndoshta, e kishim apo se kemi pasur asnjëherë, por që do të ishte mirë ta kishim një ditë”, shprehet djali, Epidam Zeqo.

Mes muzikës klasike, që luante një kuartet qarqesh, miqtë e tij, që e njohën nga afër shkruajtën, por edhe u shprehën për mediet, për kontributin e pashlyer që Moikom Zeqo ka lënë në letërsi, arkeologji, politikë, pikturë edhe në publicistikë

 “Ishte një personalitet që mund të kalonte menjëherë me lëvizjen demokratike në fillim të viteve 90, por nuk e bëri këtë gjë, se mohoi bindjen edhe karakterin e tij, që ishte i majtë. Por ai padyshim që ishte një i majtë me bindje të forta demokratike edhe këtë e tregoi gjatë gjithë jetës së tij", thotë Presidenti i vendit, Ilir Meta.

“Moikom Zeqo mbetet një njeri që më shumë sesa i mori, i dha Partisë Socialiste”, shprehet Pandeli Majko.

“Jeta e tij ja ka vlejtur shumë jo vetëm për të, por edhe për të gjithë ne. Jo vetëm për ne, por për të gjithë brezat që do të vijnë”, thotë Albin Kurti.

 “Nuk u vlerësua, për fat të keq, nga politika jonë ashtu siç e meritonte. Kjo është një sëmundje e politikës sonë që njerëzit e ditur të të gjitha fushave, jo vetëm të kulturë që i lënë pas dore”, tregon Pëllumb Xhufi.

“Ka qenë një ndër penat më të shkëlqyera. Ishte poeti i përmasave të mëdha dhe ka një poezi elitare që ngjanë me poezinë e Lorkës. Por aq sa është elitare, është edhe kozmopolite”, shprehet studiuesi Bedri Islami.

Shkrimtari edhe poeti Moikom Zeqo u lind në Durrës. Kreu studimet e larta për Gjuhë Letërsi. Punoi si redaktor në revistën Drita, ndërsa në Plenumit të Katërt, u dërgua në Rrogozhinë për shkak të kritikave për poezi hermetike dhe trajtimin e temave historike. Gjatë kësaj periudhe ai do t’i përkushtohet arkeologjisë. Zeqo është edhe një nga përpiluesit e programit të Partisë Socialiste. Pas rënies së diktaturës, në vitin 1991 emërohet ministër i Kulturës. Kontributi i tij   është edhe si deputet i kësaj partie nga viti 1992-’96. Nga viti 1998 deri në 2006-ën drejtoi Muzeun Historik Kombëtar. Është autor i 100 botimeve letrare. Ndërsa, gjatë viteve të fundit ndonëse pa punë në institucionet shtetërore, ka qenë një ndër zërat më kritik ndaj çështjeve kombëtare. U shua në moshën 71-vjeçare pas një sëmundje të rëndë.

Ora 15:05
Fjalimi prekës i djalit të Moikom Zeqos: Ku je tani babi? Si ike kështu? Realizova ëndrrën, por humba tim atë!

Djali i Moikom Zeqos, Epidami ka mbajtur një eulogji prekëse për të atin përpara përcjelljes për në banesën e fundit pas homazheve te Muzeu Kombëtar. "Kjo nuk është një eulogji standarte. Im atë është një figurë unike, sui generis, pra aspak standarte (edhe pse i thjesht dhe i kuptueshëm). Sa më mungon o babi! Ku je tani babi? Si ike kështu në mënyrë të pakthyeshme? Po Pandorës të vogël c’farë ti them unë tani, ku ti them iku gjyshi që ajo e ka pikë të dobët dhe e ka shumë xhan xhan? Tani e thërras gocën BABI; ke uri babi; të lexojmë librat e gjyshit babi vogël? Kam veshur sot të njëjtin kostum që kisha në dasmën time në vitin 2015.

Kur erdhe në Londër për dasmën dukej që ishe i sëmur - kishe leukemi kronike. Luftove për pesë vite si askush - sa krenar jam për ty o ba! Ti Moikom je këtu me ne përjetësisht! Ne të gjithë duhet t’ia përciellim gjeneratës së re këtë dritëuri për të shpëtuar Shqipërinë nga gjëndja toksike në të cilën ndodhet. Moikomi veshi shumë kapele profesionale (edhe kapele republike) gjatë jetës së tij: nga notar - peshkatar - punëtor hekurudhor - shkrimtar - redaktor - mësues - arkeolog - arkeologu i parë nënujor shqiptar - Ministrër i Kulturës - Deputet - piktor - Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar. Por karriera e tij profesionale, ndryshe nga ajo letrare dhe publicistike, ishte shumë e shkurtër në krahasim me karrieren e të tjerëve që i këndojë politikës ose e mbajnë gojën mbyllur.

Ai meritonte shumë më tepër! Ah, sa shumë meritonte Moikomi kur ishte akoma gjalle! Sa dritëshkurtër politika! Mendoni se një komb mund të ndërtohet ose të mbahet i bashkuar pa idealizëm? Pa De Radën e Naimin dhe pa Migjeni e Moikomin? Pragmatizmi është zgjidhja e vetme, thoni ju? Kujdes! Mos harroni se duhet një gjeneratë për të unifikuar një komb, dhe dy gjenerata për t’a zhdukur atë. Moikom punoi vetëm për të mirën e madhe të kombit shqiptar dhe të njerëzimit, dhe jo për interesat e tij personale apo edhe familjare. Misioni i tij ishte të ndikonte tek njerëzit përmes dijes. Moikomi i mrekullueshëm gjithnjë ofronte një perspektivë unike në çdo debat për cdo temë: nga gjuhësia dhe arti deri tek ekonomia dhe gjeologjia. Eshtë e vërtetë që një komb mund të kuptohet si agregat i miliona njerëzve. Por një komb në fakt përkufizohet vetëm nga një group i vogël individësh. Im atë është më i frytshmi midis tyre.

Pse Moikom nuk u bërë pragmatik si ne të tjerët? Pse e ktheve familjen në Shqipëri në vitin 1997 nga SH.B.A. kur të gjithë po largoheshin nga Shqipëria? Mendove se do të shpëtoje këtë vend? Sa ide naive por e mrekullueshme dhe kuptim-plotë në të njejtën kohë. Sa shpresëdhënëse por shpresëmarrëse. Po unë, Epidamn Zeqo? Ndoqa ëndrrat e mia vetëm për t'u zgjuar në një makth. Mora Green Kartën Amerikane - realizova ëndrrën e të gjithëve - por humba tim atë! Oh mërgim, si e ndave çdo familje shqiptare! Sa shumë dramë shkaton, sa shumë dhimbje, dhe sa shumë pishmane.

Duhet të përqendrohemi tek gjërat që kanë vërtetë rëndësi si familja e shëndeti dhe natyra e dritëuria. A do të lexohet vepra e Moikomit nga brezi i ri? Familja ime dhe mbështetësit e shumtë të Moikomit do të sigurojmë që kjo të ndodhë. Të rijntë dhe të vjetrit duhet të bëhen më të mirë në mënyrë që Shqipëria të shërohet. Duke lexuar Moikomin forcohet vetëdija kombëtare dhe njerëzore. Ku është tani Moikomi? Ku je babi im? Në parajsën e mbushur me re të bardha? Jo, Moikomi është duke punuar cdo ditë si përherë - Moikomi është Ministri i Përjetshëm i Kulturës Shqiptare, Europiane, dhe Botërore. Ai është kujdestari fisnik i Bibliotekës Njerëzore. Amen".

Ora 12:30
Djali mes lotësh tregon amanetin e Moikom Zeqos: Nuk u përmbush, donte një Shqipëri më të mirë

Djali i Moikom Zeqos u shpreh sot se amaneti i të atit nuk u plotësua. Epidami tha se amaneti i babait të tij ishte një Shqipëri më e mirë. "Vdekja zakonisht bashkon njerëzit, ndoshta edhe ata që ishin ndarë më parë. Amaneti i babit, vlerësoj varrimin  shtetëror, babi e meritonte. Por amaneti i babit nuk është përmbushur, babi kërkonte një Shqipëri më të mirë.

Shqipëria e babit është një Shqipëri që ndoshta e kishim dhe nuk e kemi pasur asnjëherë dhe do të ishte mirë ta kishim një ditë dhe babi, Moikomi, luftoi gjithë jetën ta pasuronte kulturalisht Shqipërinë. Amaneti i tij nuk ishte varrimi i tij, realiteti, ishte sot, jo nesër, ishte Shqipëria, por edhe njerëzimi. Unë nuk ndihem mirë, jam i lumtur që është një figurë që bashkon politika, familje dhe nuk ndan, por është një ditë zie" tha ai.

Shumë kontribute të tij janë lënë përgjysmë dhe tani i takon djalit ta përmbushë këtë amanet. I pyetur nga gazetarja e Report Tv Valeria Dedaj se cilat do të jenë hapat e djalit të tij, ai tha "Faleminderit Valeria, ti ke qenë një marrëdhënie interesante me babain, ke bërë më shumë intervista ti me babin, se unë. Unë njihja Moikomin që unë nuk e njohët dot, ju njihni një Moikom tjetër.  Mona Lizën babai e botoi, donte ta ribotonte, të gjitha librat do të botohen dhe deklaroj këtu se do të krijohet fondacioni Moikom Zeqo trë botojë veprën e plotë por edhe të ndihmojë letërsinë shqiptare" tha ai.

Ora 12:04
Homazhet për Moikom Zeqon, Meta: Ishte misionar, nuk mohoi bindjet, personalitet i rrallë

Presidenti Ilir Meta gjatë homazheve e cilësoi Moikom Zeqon si një misionar, që mbrojti historinë, kulturën dhe trashëgiminë kulturore shqiptare. Kreu i shtetit tha se Zeqo ka dhënë një kontribut të vyer.

"Moikom Zeqon kam pasur fatin ta njoh nga afër në momente tepër të vështira dhe të mësoj prej tij mjaft. Zeqo është nga ata njerëz të cilët për njohuritë për dijet në fushat nga më të ndryshmet janë shumë të rrallë, aq më tepër për një vend si i yni, por edhe më të rrallë e bën, fakti që ai njohuritë e tij i vuri në shërbim të kauzave më të mëdha kombëtare, publike dhe gjithmonë në shërbim të së vërtetës. Sot po lexoja një shkrim të Spiro Dedes, dhe ai e kujtonte si 50 vite më parë ndërsa Zeqo kishte ca përfyturime që dukeshin si imagjinare, shokët e tij habiteshin dhe më të drejtë thoshte se nuk shihnin.

Si misionar që ishte, ai kishte një përfytyrim dhe një vështrim largpamës, ai gjithmonë u vendos në anën e duhur të historisë dhe kjo është arsyeja që të gjithë dinë se kanë humbur dicka nga vetja e tyre. Ishte një personalitet që dha shumë më tepër sesa mori nga shoqëria. Është një personalitet që për atë kontribut që ka dhënë, mbrojtjen që i ka bërë historisë dhe kulturës dhe për atë vështrim kritik që kërkonte gjithmonë një Shqipëri më të drejtë më humane. Ai do të mbetet një personalitet frymëzues në të ardhmen"  tha ai.

1592646432_META22.jpg

Meta kujtoi edhe kontributin e Zeqos në partinë Socialiste. "Moikom Zeqo mund të kalonte menjëherë me Lëvizjen Demokratike por nuk mohoi bindjet, sepse ishte i majtë, por me bindje të forta demokratike dhe këtë e tregoi, ishte ndër kontribuesit e hapjes së PS-së dhe mbështetjes së të rinjve si unë, Majko dhe shumë të tjerë për të bërë një transformim të së majtës dhe kjo ndodhte në momentet më të errëta të së majtës në vitet 1991. Edhe brenda familjes politike qëndroi një personalitet si vetvetja, si rrallë të tjerë, kritik  dhe parimor, personalitet që ishte problematik me cdo lloj pushteti, por i dashur dhe adhuruar nga njerëzit" tha ai.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Tutu: 20/06/2020 13:05

    Moikomi u prehte ne paqe... keto fjalimet me duken si komedia e Cajupit Pas vdekjes... a e dinte deshiren e Moikomit nena jote mor djale kur i vinte kazmen Durresit..., po ju me cfare parash u shkolluat jashte... te pakten mos na e peshtyni genjeshtren ne surrat....Moikomi qe nje intelektual i le uar qe i beri hysmet jetes dhe familjes se vet...mos ja zhvleftesoni edhe ato vlera njerezore qe kishte realisht.. me vjen keq qe iku i ri nga kjo bote... u prehte ne paqe...!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?