'Sot jemi të lumtur se kemi për kë të qajmë'

17 Janar 2020, 11:35| Përditesimi: 17 Janar 2020, 11:36

  • Share

“Ajo që mua më shqetëson pa masë është që në total shoqëria shqiptare e ka denigruar figurën e artistit, duket sikur nuk i duhet më.

Pas viteve ’90 e këtej duket sikur produkti ynë nuk vlen më në treg.

Unë di shumë njerëz që bëjnë televizion dhe punë të tjera, që jetojnë shumë më mirë se sa më të mirët e atyre që bëjnë art dhe kur them art e kam fjalën për artin e vërtetë dhe jo për show, atë për të vetëquajturin art dhe artist.

Kjo më dhemb dhe kjo do demotivojë jo vetëm gjeneratat që janë artistë, por edhe prindërit që t`i financojnë dhe mbështetin fëmijët e tyre që t`i bëjnë artistë profesionistë të vërtetë, do t`i demotivojë edhe fëmijët vetë për të hyrë në një biznes të dëshpëruar”, -thoshe ti, Xhevdet Feri, në një intervistë të fundit të jetës tënde.

Jo se nuk ke të drejtë… nuk kishe të drejtë. Është e vërtetë që të gjithë ne si shoqëri i kemi dhënë një dorë vulgut, harresës, kemi marrë kot në kotësinë e kësaj kohe.

Ke të drejtë që arti sot nuk është ushqim për shpirtin, siç ishe ti apo shokët e shoqet e kohës tënde për një shoqëri të tërë. Sot arti në shumicë të kohës është biznesi i shëmtuar që shumica e dinë të bukur dhe i bëjnë ‘like’. Nuk duhet mundim të kapësh peshën e idhnimit tënd me këtë realitet kotërish e kotësish.

Tani, të them pse e ke gabim, shumë shumë gabim, kur thua se pas viteve ‘90 produkti juaj nuk vlen më në treg.

Ju, ti i dashur Xhodë, i bukur si pak burra në këto anë, kolegët e tu që i dëgjoj në sfond në “News 24” të nxjerrin mes lotësh e një frymëmarrjeje të dobët, fjalë për ty, ti dhe të gjithë ata si Xhuvani, si Minarolli, që s’jetojnë më, ata që jetojnë e janë bashkudhëtarë, jeni të vetmit që keni vlerë në treg. E di pse?

-Ju jeni të vetmit për të cilët kjo shoqëri qan.

Filmat tuaj janë frazat tona, filmat tuaj janë e vetmja vlerë e kinematografisë shqiptare.

Rolet tuaja janë Hollivudi i vetëm që ka kjo tokë.

Kush ka lexuar si ju? Kush ka pasur modestinë dhe madhështinë tuaj, kush ka pasur fansa si ju?

Ju ishit Instagrami para Instagramit, liria para lirisë.

S’di si i mban toka njerëzit si puna juaj, ashtu siç është dramatike, gërryese, si e mban dhimbjen që disa prej jush po ikin duke marrë me vete mendimin se ne ju harruam, se ne ju tradhtuam e këtu ke të drejtë e pajtohem prapë me ty.

Veç një gjë e di me siguri, se sot jemi ende të lumtur, se kemi për kë të vajtojmë.

G.M./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Konjak: 19/01/2020 15:23

    Zonja Kazhani thot ;-sot ende jemi te lumtur, se kemi per ke te vajtojm .Po mir moj zonja Kozhani ,ndoshta thenia juaj ka ndonje kuptim latent .Une besoj se duhet thene se- sot jemi te hidheruar ,dhe kemi pse te vajtojme -.Ngushllime familjes se zoteri Ferri ;Respekt per artistin me shume vlera artistike .Faleminderit .

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?