Operacioni 'Enigma'/ U arrestuan teksa po drekonin në një restorant në Gjirin e Lalzit, burg për Xhevdet Plakun dhe 5 të tjerët! Për njërin detyrim paraqitje
Xhevdet Plaku dhe 6 personat e tjerë, të cilët u arrestuan dy ditë më parë teksa po drekonin në një restorant në Gjirin e Lalzit, dolën sot para gjykatës së Durrësit. Për 'Akilin' dhe pesë të tjerët u vendos masa 'arrest në burg', për njërin prej tyre detyrim paraqitje dhe ndalim daljeje jashtë vendit.
Dy ditë pasi u arrestuan duke drekuar në një restorant lukzos në Gjirin e Lalzit, kanë dalë para gjykatës së Durrësit Xhevdet Plaku dhe 6 të tjerët. Gjykata ka vendosur 'arrest në burg' për Xhevdet Plakun, Voltan dhe Jugert Xhani, Fatjon Qesja, Oltion Hasani, Flobenc Meçja (Gega) ndërsa për Alfred Hasanajn është vendosur masa "detyrim paraqitjeje" dhe ndalim daljeje jashtë vendit.
Ata u paraqitën sot në gjykatë nën masa të rrepta sigurie me praninë edhe të FNSH. Seanca nisi rreth 1 orë e gjysmë me vonesë për shkak të mbërritjes së Voltan Xhanit dhe Meçjas, të cilët nuk ndodheshin në ambientet e paraburgimit të Durrësit. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura. Policia i zuri ‘mat’ 7 personat teksa po konsumonin një drekë luksoze me peshk dhe krudo, ndërsa 4 prej tyre rezultuan edhe të armatosur.
Xhevdet Plaku, i njohur me nofkën “Kiss” nga Durrësi ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi është arratisur nga burgu i Ankonës në janar të këtij viti. 45-vjeçari ishte dënuar në shtetin fqinj për trafik droge. Ndërsa Flobens Meçja, alias Gega alias Drini nga Shkodra ishte shpallur në kërkim nga SPAK-u prej një viti, si pjesë e dosjes “Plumbi i Artë”. 43 -vjecari akuzohet për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”.
Voltan Xhani është i dyshuari kryesor për organizimin e vrasjes së Elis Rroshkodolit në lagjen “Ahmet Haxhiu” në Shkodër mesditën e 30 gushtit 2024. Sipas policisë, 39 vjeçari, resident në Holandë, ka siguruar armët dhe makinat që u përdorën në vrasje, ndërsa i vëllai, Jugerti e ka përkrahur në krim. Dy vëllezërit janë pronarë të disa bizneseve.
Xhevdet Plaku, ishte shpallur në kërkim nga Interpol Roma pasi Gjykata e Breshias, Itali kishte lëshuar urdhër arresti për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Flobens Mecia alias Gega alias Drini, ishte shpallur në kërkim nga SPAK, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në muajin korrik 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizata kriminale”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”.
Voltan Xhani ishte në kërkim pasi në muajin shtator 2024, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” kryer në bashkëpunim dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”, në funksion të hetimeve për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të vrasjes me armë zjarri të shtetasit E. Rr., ndodhur në Shkodër.
Jugert Xhani ishte në kërkim për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.
Oltion Hasani ishte në kërkim si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”;
Fatjon Qesja ishte në kërkim për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”;
Alfred Hasanaj ishte në kërkim si i dyshuar për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit.”