Sot Krishtlindje, mbahet mesha e besimtarëve ortodoksë dhe katolikë në disa qytete! Më pak qytetarë se vitet e tjera, respektojnë masat anti-COVID

25 Dhjetor 2020, 08:32| Përditesimi: 25 Dhjetor 2020, 15:06

  • Share

Sot besimtarët e krishterë festojnë Krishtlindjet, por ky vit ka ardhur ndryshe. Kjo për shkak të situatës dhe kufizimeve të krijuara si pasojë e koronavirusit.

Këtë mëngjes po mbahet mesha e besimtarëve ortodoksë në katedralen "Ngjallja e Krishtit" me rastin e festës së Krishtlindjeve.

Ndryshe nga vitet e tjera, këtë herë ka një numër të vogël besimtarësh të cilët po ndjekin meshën brenda ambienteve të katedrales, kjo për shkak dhe të masave anti-COVID.

Meshën e mban kryepeshkopi Anastas Janullatos, i cili sapo është kthyer nga Greqia pasi fitoi betejën me koronavirusin. Nga pamjet, shihet se ai ka vendosur maskën për t'u mbrojtur.

Ditën e djeshme është mbajtur dhe mesha e besimtarëve katolikë në katedralen e Shën Palit nga Kryeipeshkvi i Kishës Katolike në Shqipëri, Imzot George Frendo, i cili teksa tregoi historinë e shokut të dhomës me COVID, vuri theksin te dashuria për familjen.

Aktualisht janë në fuqi masat kufizuese që nuk lejojnë grumbullimet më shumë se 10 persona si dhe ora policore e cila fillon më 20:30.

Ora 15:51
Kryemadhi: Mos kini frikë, përtej situatës që po kalojmë kjo Krishtlindje do të jetë e shenjtë

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, përmes një postimi në rrjetin e saj social Facebook ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë për festën e Krishtlindjeve.

Ajo përmes urimit të saj i thotë të gjithë qytetarëve shqiptar të mos kenë frikë dhe se përtej situatës që jemi duke kaluar kjo Krishtlindje do të jetë e shenjtë.

 

 

Ora 12:06
Krishtlindje/ Ceremoni edhe në kishën e “Shna Ndout” në Laç, besimtarët: Lutje për të kaluar këtë situatë pandemie

Të shumte ishin besimtarët që kremtuan në këtë mëngjes Krishtlindjen në kishën e 'Shna Ndout' Në Laç.

Shumë ia janë drejtuar këtij vendi të shenjtë. Të ardhur nga qytete të ndryshme të Shqipërisë besimtarët tregojnë se lutjet e tyre shkojnë më së shumti për tejkalimin e kësaj situate të vështire që po kalon vendi si shkak i pandemisë COVID-19.

Ora 10:59
Kremtohet Krishtlindja edhe në Vlorë, besimtarët mblidhen në kishën 'Shën Theodori'

Me rastin e Krishtlindjeve, besimtarët ortodoksë të Vlorës janë mbledhur në kishën Shën Theodori.

Mesha është drejtuar nga At Kostandin Prifti, i cili në mesazhin e tij ka folur për më shumë harmoni, paqe, shëndet dhe lumturi.  Të shumtë kanë qenë edhe besimtarët të cilët kanë ndezur qiri dhe janë lutur për ditë më të mira.

Për besimtarët ortodoksë ky vit është krejtësisht ndryshe nga viti i kaluar teksa besimtarëve ju ka munguar mesha e orës 00:00 për të cilën ata shprehen se e kanë kremtuar në banesën e tyre duke ndezur qiri dhe duke u lutur. Besimtarët japin dhe mesazhet e tyre për më shumë begati, harmoni dhe mbi të gjitha shëndet.

Ora 10:32
Krishtlindjet në Berat/ Me maska e distancë nga njëri-tjetri, besimtarët ndjekin meshën në katedralen 'Shën Dhimitri'

Mëngjesin e sotëm është zhvilluar mesha e besimtarëve ortodoksë në Berat me rastin e Krishtlindjeve.

Mesha është mbajtur në katedralen e "Shën Dhimitrit" e cila ndodhet në qendër të qytetit të Beratit ku besimtarët kanë ndezur qirinj.

Në mungesë te Mitropolitit të Kaninës hirësisë së tij Ignatis , meshën e ka prezantuar At Johan Qako.

Besimtarët i janë përmbajtur masave anti-COVID duke mbajtur distancën midis njëri-tjetrit.

Ora 09:37
Festa e Krishtlindjes, Xhaçka uron të gjithë besimtarët: Ditë shprese dhe besimi për të nesërmen që do vijë më e mirë

1603969257_xhackadeklarate26112019Cropped.jpg

Ministrja e Brendshme Olta Xhaçka përmes një mesazhi në Facebook ka uruar të gjithë besimtarëve krishterë me rastin e festës së Krishtlindjes.

Ajo shkruan se ky vit është krejtësisht ndryshe por Krishtlindjet janë një ditë shprese dhe besimi për të nesërmen që do vijë më e mirë e më e bukur.

"Janë Krishtlindje krejt ndryshe, në një sezon festash siç nuk i kemi përjetuar kurrë më parë, në një vit të vështirë që na ka sfiduar e sprovuar të gjithëve si kurrë ndonjëherë. Por Krishtlindjet janë një ditë shprese, një mesazh besimi e kurajo për të nesërmen që do të vijë më e mirë e më e bukur pas kësaj kohe kaq të zymtë. Gëzuar të gjithë besimtarëve! Gëzuar të gjithë shqiptarëve! E një urim nga zemra për të gjithë familjet e efektivëve të Forcave të Armatosura, në veçanti për ata që ndodhen sot në krye të detyrës në misione e përfaqësi të NATO-s jashtë atdheut, larg fëmijëve e të afërmve të tyre" - shkruan Xhaçka.

 

Ora 09:19
Mbahet mesha e Krishtlindjes edhe në Sarandë, besimtarët ndezin qirinj në kishë

Edhe në Sarandë po mbahet mesha e Krishtlindjes në Kishën "Shën Harallambi" në qytet.

Nga ana e përfaqësuesve të kishës janë marrë masa për respektimin e protokollit anti-COVID, duke udhëzuar besimtarët të ndezin qiri dhe më pas të largohen për të mos krijuar grumbullim besimtarët.

E.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?