‘Territorialja’ në Kuvend/ PD: Reforma e dështuar me kaq sukses, duhen ndryshime! PS: Ka rritur atonominë e Bashkive! Janë rritur investimet (VIDEO)

31 Tetor 2022, 14:45| Përditesimi: 1 Nëntor 2022, 06:57

  • Share

TIRANË- PS dhe PD kanë dalë me 2 raporte për reformën territoriale. Në prezantimin e draftit, deputetja e PD-së, njëherazi bashkëkryetarja e Komisionit të Reformës Territoriale Dhurata Çupi tha se kjo reformë ka dështuar, prandaj duhen ndryshuar e se duhet shtuar numri i bashkive me qëllim që shërbimi të shkojë sa më pranë qytetarëve.

Nga ana tjetër, bashkëkryetarja e Komisionit nga PS, Anila Denaj tha se me anë të kësaj reforme ka pasur një rritje të autonomisë së Bashkive dhe se investimet janë rritur, për pasojë kërkon që harta territoriale të mos ndryshojë. Socialistët deklaruan se në zgjedhjet e ardhshme lokale do garohet me 61 bashki, ndërsa PD akuzoi se maxhoranca po kërkon fitore në tavolinë.

 Decentralizimi i funskioneve ka qenë një nga arritjet e kësaj reforme. Edhe njëherë. Nëse të ardhurat janë rritur me mbi dy herë në totalin e bashkive gjatë këtyre viteve. Investimet me tre herë, ndërsa administrata është me 35 % rënie. Dua të përmend gjithashtu që reforma u shoqërua me disa ligje që ndihmojnë në autonominë lokale”, u shpreh Denaj.

"Ju keni bërë një reformë që bashkitë vënë taksë gjelbërimi në pyll, bashki pa tradita, pa identitetet, bashki të shpopulluara dhe kjo është arsyeja shumë e rëndësishëm pse duhej rishikuar harta territoriale. Bashkia pa përfaqësi. S’ka përfaqësi, s’ka kontroll të kryetarit. Pushteti qendror të atij që është dhe s’është, që fluturon, e kanë shumë larg”, iu përgjigj Alibeaj. 

Në kuadër të kësaj akuze të Alibeajt, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i tha opozitës se duhet të bëhet gati, pasi socialistët do të futen në 14 maj për t’i fituar të 61 bashkitë.

“Jemi bërë gati t’i fitojmë 61 bashkitë në 14 maj edhe Shkodrës se meqë dështoi ky i Foltores nuk ka më”, tha Balla.

Kuvendi u mbyll pas gati 6 orë e gjysmë debat mes palëve, teksa tani më pritet votimi në Parlament në seancën e radhës, ku pritet të “vuloset” fati i Reformës Territoriale, një kohë kur ka mbetur shumë pak kohë nga zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.

Propozimet e palëve
Mazhoranca kërkon që mbetet siç është, 61 bashki dhe 12 qarqe.
PD propozon 33 më shumë, 94 bashki. Në qarkun Berat shtohen 2 bashki, në Dibër 4, në Durrës 2 bashki, në Elbasan 3, në  qarkun Fier 4, Korçës i shtohen 5 bashki, 2, Lezhës 4 dhe Vlorës 4 bashki të reja. Qarku më i madh i vendit, Tirana sipas ekspertëve të PD duhet të ketë 3 Bashki më shumë, Farkë, Dajt e Kashar. I pandryshuar mbetet qarku i Gjirokastrës dhe Shkodra, vendim të cilin e argumentojnë si dëshirë të qytetarëve.  
Në Kuvend është dorëzuar një projektligj nga grupi i Rithemelimit që propozon 97 bashki, por mazhoranca ka theksuar se nuk shqyrton asgjë që mban firmën e Berishës.

Ora 19:07
Koreshi në Kuvend: Po e bëni nga Reformë Territoriale në ‘Territorhale’

 

Deputeti i Partisë Demokratike, Sajmir Koreshi nuk e ka kursyer ironinë sa i përket reformës territoriale. Njësoj si partia e tij ai është i mendimit që duhen shtuar Bashkitë, teksa tha se kjo reforma nga “Territorial” po shndërrohet nga “Territorhale”.

“Çfarë shërbimi i ofroni fshatit se pas orës 17 të kalon njëri afër e të fut gishtat në sy e të qërron. Marrin bashkinë e Lushnjës qa transporti i ofron. Transport jo shkolla jo, se nuk ju vjen më radha se fshatrat më të largëta të Lushnjës të kenë shërbim. Pjesa dërrmuese e Lushnjës është pa kanale vaditës. Duhet të shkosh në fshat me traktor, kjo është reforma territoriale këto janë shërbimet. Shtuan radhët e SH-ve që ka bashkia. Ujësjellësi, në sport në të gjitha vrull me patronazhistë. Asnjë lloj shërbimi, vërtetimet e Njësive i njeh njeri, opingat njeh. Nga reformë territoriale po e çoni në reforme territorhale. Plehrat gjoja të inceneratorit atje në Fier janë grumbull, inshalla nuk vjen vera shpejt. Atje është bërë mos o Zot, Lushnja ndizet nga një sërë aromash, dihet të jemi bashkë të dëgjojmë atë erën e peletave. I djegim plehrat nëpër kazanë. Shyqyr që vjen ndonjë pari në Lushnjë. ne aq detyrim kemi me plehrat, por i djegim i biem shkurt. Një që të vijë nga Kolonja duhet të harxhojë 3 mijë lekë, se nuk ka urban. Të vijë të marrë atë recetën, dhe ne themi; kemi reformë. A pika, mirupafshim.”, tha Koreshi.

 

Ora 18:51
Sula në Kuvend: Bëtë kryebashkiakë trafikantët e gangsterët, sollët në pushtet njerëz që u grisen brekët hoteleve, ju të lini kopilin në derë

 

Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula ka hadhur akuza kundrejt socialistëve. I pranishëm në Kuvend, Sula tha se PS-ja ka futur në bashki trafikantë droge e gangstera.

"Kemi problematika të mëdha në lidhje me pjesën financiare, kemi bashki me vështirësi, dëgjova kolegët që bëjnë krahasimin me përpara vitit 2015 më kohën e tanishme, Ju i bëni këto llogari si Enver Hoxha me kohën e Zogut. U fol këtu për kryetarët e bashkive, por mirë mo, ato trafikantët e drogës e gangsterat kush i futi? Ne i futëm? Njërit iu grisën brekët atje në hotel, kjo pra është gjendja e bashkive. Këto po na tregoni? Ju jeni shumë të rrezikshëm, të lini kopilin në derë,"- tha Sula. 

Ora 17:00
“Jemi bërë gati”, Balla: Më 14 maj do fitojmë 61 bashki! Propozimi i PD-së s'ka sens

Teksa u ndal të fliste për Reformën Territoriale, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i tha opozitës që të përgatiten sepse në 14 maj, socialistët do të futen për të fituar të 61 bashkitë.

“Jemi bërë gati t’i fitojmë 61 bashkitë në 14 maj edhe Shkodrës se meqë dështoi ky i Foltores nuk ka më”, tha Balla.

Ai tha se propozimi për të “copëzuar” Bashkitë, nuk është një propozim i duhur.

“Po marr propozimin që keni bërë për bashkinë Lunik. Duhet të nisemi nga disa parime dhe mendoj se parimi themelor do kishte qenë “A ka qenë më parë bashki?” Kjo do s’kualifikonte disa propozime. Të copëtosh Vlorën në 3 pjesë nuk më duket një propozim që bën sens. Por nuk është kjo çështja”, tha Balla.

Ora 16:55
Alibeaj në Kuvend: PS s’do të ndryshojë hartën territoriale se do të fitojë zgjedhjet në tavolinë siç bëri në 2014

 

Deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj në fjalën e tij në Kuvend tha se PS-ja nuk kërkon që të ndryshojë hartën territoriale pasi kërkon që të fitojë zgjedhjet në tavolinë, ashtu siç ka bërë në 2014.

“Mos ndryshimi hartës, njollë e zezë e këtij raporti. Ju s’keni raport, raport ka vetëm PD. Ju s’gjeni dot një arsye se përse e pranuat këtë komision 6 muaj më parë. Nëse që në atë kohë kishit marrë parasysh se nuk do ndryshonit asgjë. Ky është autogol që thua z. Ministër, që ju ngritët komisionin për të parë ecurinë e reformës territorial, ndërsa ju paguheni për këtë, për ta monitoruar. Ju keni bërë një reformë që bashkitë vënë taksë gjelbërimi në pyll, bashki pa tradita, pa identitetet, bashki të shpopulluara dhe kjo është arsyeja shumë e rëndësishëm pse duhej rishikuar harta territoriale. Shqiptarët nga periferia po afrohen drejt qendrës dhe të tjerët nga qendra largohen jashtë. Bashkia pa përfaqësi. S’ka përfaqësi, s’ka kontroll të kryetarit. Pushteti qendror të atij që është dhe s’është, që fluturon, e kanë shumë larg.

Niveli i demokracisë shihet nga pushteti vendor. Gjepura janë të tjerat, drejtësia, pavarësia, jo! Niveli i respektimit të individit është niveli vendor. Sa peshë, sa zë, sa rëndësi ka individi tek kryetari bashkisë. Ky është virtyti i një reforme territoriale.

Zonja Denaj tha se kjo ishte një arritje e z. Rama, kjo fakton  se ishte e njëanshme… Ndoshta dhe ne kemi faji se nuk ishim në tryezë, por ju i kishit votat. Reforma territorial është moment historik në shtetformim. Atëherë ja mohuat shqiptarëve, sot nuk po ja u jepni. Ne kemi kërkuar korrigjim të defekteve, sepse vetëm kështu ecën para kjo gjë…

E fundit, mos ja fshehim njerëzve, e kuptoj fare mirë se përse sot s’gjeni dot alibi, ka vetëm një arsye, se përse ju s’pranoni ridimensionim të territoriales, ju atë e bëtë në 2014 për të fituar zgjedhjet në tavolinë”, tha Alibeaj.

Ora 16:40
Propozimi i PD për ‘Territorialen’, ministri i Brendshëm: Drafti shumë i cekët për të dalë në përfundimin që duhet ndryshim i hartës

 

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka deklaruar se nuk është e nevojshme ndryshimi i hartës territoriale, pasi kjo sipas tij është e mjaftueshme që shërbimi të shkojë të qytetarët.

“Edhe ky komision nuk e prishi traditën e daljes me dy raporte pas mbarimit të mandatit dhe dua të përpiqem që të jem sa më racional pasi për të thënë të vërtetën me dëshirën dhe përpjekjen për të dalë nga xhaketa e ministrit. Keqardhje për raportin e Çupit se ka moskoherencë mes asaj që merr dhe tenton të bëj raporti në analizë me konkluzionin, raporti ishte negative, sikur asgjë nuk ka funksionuar, dhe nga ana tjetër bën një propozim, ku mban 85% të bashkive që ekzistojnë sot, të paktën të thuaje që ka pasur vështirësi dhe problem në implementim dhe të thoshte se mund të funksiononte më mirë, do doja që të ndaleshim me arritjet e ecurisë së reformës deri ditën e sotme se ka bërë një raport shumë realist, duke sjellë statistika, fakte dhe duke bërë rekomandime që do na vlejnë të gjithë, që do jem përgjegjës që në atë pjesë që më takon për t’i shtyrë përpara, nuk mund të ndihem mirë kur shoh se çfarë rezultatesh ka sjellë reforma territorial, duke i krahasuar me atë abstragim, kur thonim që do i shërbejë vendin për disa arsye, kam qejf. Drafti shumë i cekët për të dalë në përfundimin që duhet ndryshim i hartës territoriale”, tha Çuçi.

Ora 16:35
Drafti i PS për ‘Territoriale’, Denaj: Me këtë hartë është konsoliduar autonomia e bashkive, janë rritur investimet

 

Bashkëkryetarja e Reformës territoriale, Anila Denaj, u shpreh se me Reformën Territoriale të realizuar nga qeveria e Partisë Socialiste, ka konsoliduar më tej autonomia financiare e bashkive. Denaj prezantoi draftin e PS-së ajo tha se investimet janë realizuar 3 herë më shumë se viti para reformës.

 “Reforma Administrative Territoriale ishte e domosdoshme. Konsolidimi i njësive është një proces i vazhdueshëm që kërkon angazhim të të gjithë aktorëve. Do të fillojmë me financat, ku reforma ka arritur konsolidimin financiar. Shpenzimet totale të pushtetit vendor janë rritur në 57 miliard lekë në vitin 2021 ose mbi 50 % më shumë. Mund të qëndroni deri në fund zoti Sula dhe të dëgjoni argumentin. Nga 6500 këshilltarë në 1500. Investimet janë realizuar në mbi tri herë më shumë nga viti para reformës. Jam e bindur që do të ketë diskutime të mëtejshme. Decentralizimi i funskioneve ka qenë një nga arritjet e kësaj reforme. Edhe njëherë. Nëse të ardhurat janë rritur me mbi dy herë në totalin e bashkive gjatë këtyre viteve. Investimet me tre herë, ndërsa administrata është me 35 % rënie. Dua të përmend gjithashtu që reforma u shoqërua me disa ligje që ndihmojnë në autonominë lokale”, u shpreh Denaj.

Ora 15:47
Propozimi i PD për ndarjen e re territoriale me 33 bashki më shumë, ja ndikimet që do të sjellë

 

Bashkëkryetarja e Komisionit të Reformës Territoriale, Dhurata Cupi ka folur në Kuvend për raportin e propozuar nga PD duke treguar ndikimet që do të sjellë ndarja e re territorial me 94 bashki, 33 më shumë se sa janë aktualisht.

Çupi thotë se popullsia mesatare do të ulet nga 75.000 në 32.000 për njësi vendore; sipërfaqja mesatare ulet nga 471 km2 në 315 km2 për njësi vendore; të ardhurat pritet të pësojnë një rritje graduale e të ardhurave nga taksat bujqësore; shpenzimet do të mbajnë në rastin më minimal trendin që kanë bashkitë sot me njësitë administrative; numri i të zgjedhurve vendor rritet nga 61 kryetarë në 94 kryetarë, numri i këshilltarëve rritet nga 1607 në 2114.

Lista e bashkive të propozuara nga PD:

Qarku Berat, bashkitë Shpirag (Sinjë, Velabisht dhe Terpan (Polican), Otllak, Berat, Kuçovë, Dimal, Skrapar, Polican.

Në Qarkun Berat propozojmë të shtohen 2 (dy) njësi vendore nga (5) që ka sot.  126.294 banorë/4.5% e popullsisë

Qarku Dibër, bashkia Maqellarë- (Maqellarë), Kastriot (Kastriot, Fushë Cidhen, Sllovë dhe Kalaja e Dodës), Lurë (Lurë, Arrëz, Zall Dardhë dhe Rec), Shupenzë (Shupenzë, Gjoricë Ostren, Trebishtë), Dibër, Bulqizë, Mat, Klos.

Në qarkun Dibër propozojmë të shtohen 4 (katër) njësi të reja vendore nga (4) që ka sot.

Qarku Durrës, bashkia Ishëm (Sukth, Ishëm, Manëz), Fushë Krujë (Bupq dhe Nikël), Durrës, Shijak dhe Krujë.

Në Qarkun Durrës propozojmë të shtohen 2 (dy) njësi të reja vendore  nga (3) që ka sot.

Qarku Elbasan, Bashkia Shpat (Shushicë, Gjinar, Zavalinë, Tregan, Gjergjan), Bashkia Bradashesh (Papër, Bradashesh, Funar, Gracen, Labinot Mal dhe Labinot Fushë), Bashkia Lunik (Lunik, Orenjë, Steblevë), bashkia Elbasan, Cërrik, Belsh, Peqin, Gramsh, Librazhd dhe Prrenjas.

Në Qarkun Elbasan propozojmë të shtohen 3 (tre) njësi të reja vendore nga (7) që ka sot.

Qarku Fier, Bashkia Levan (Levan, Frakull, Cakran), Bashkia Dushk (Dushk i Madh, Ballgat, Golem, Hysgjokaj, Karbunarë), Bashkia Ardenicë (Kolonjë, Bubullimë, Fier Shegan, Allkaj dhe Krutje), Bashkia Fratar (Fratar, Selitë, Greshicë, Hekal dhe Kutë), bashkia Fier, Roskovec, Lushnje, Divjakë dhe Mallakastër.       

Në Qarkun Fier propozojmë të shtohen 4(katër) njësi të reja vendore nga (6) që ka sot.

Qarku Korçë, Bashkia Voskopojë (Voskopojë, Voskop dhe Lekas), Bashkia Leskovik (Leskovik, Bermash, Qendër Leskovik), Bashkia Drenovë (Drenovë- Molla- Vithkuq), Bashkia Pojan-(Pojan-Bulgarec), Bashkia Starove (Bucimes-Cerrave-Trebinje-Dardhas), Bashkia Korcë, Maliq, Pustec, Kolonjë, Devoll dhe Pogradec.

Në Qarkun Korcë propozojmë të shtohen 5(pesë) njësi të reja vendore nga (6) që ka sot.

Qarku Kukës, Bashkia Shishtavec- (Shishtavec, Zapod dhe Topojan), Bashkia Bicaj- (Bicaj, Bushtricë, Ujmisht, Kalis dhe Grykë Cajë), Bashkia Kukës, Has, Tropojë.

Në Qarkun Kukës propozojmë të shtohen 2 (dy) njësi të reja vendore nga (3) që ka sot.

Qarku Lezhë, Bashkia Bregu i Matit- (Shënkoll, Zejman dhe fshati Barbullojë e re), Bashkia Orosh- (Orosh, Fan), Bashkia Zadrimë-(Balldre, Dajc, Kallmet dhe Blinisht dhe Ungrej), Bashkia Milot-(Milot dhe Fush Kuqe), bashkia Lezhë, Mirditë, Kurbin.

Në Qarkun Lezhë propozojmë të shtohen 4 (katër) njësi të reja vendore nga  (3) qe ka sot.

Qarku Shkodër, Bashkia Shkodër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Pukë, Fushë Arrëz.

Në Qarkun Shkodër nuk propozohen të shtohen njësi të reja vendore nga (5) që ka sot.

Qarku Tiranë, bashkia Fark- (Farkë, Petrelë, Baldushk, Bërzhitë, Krrabë), Bashkia Kashar-(Kashar, Ndroq, Pezë, Vaqarr), Bashkia Dajt (Dajt, Shëngjergj, Zall Bastar dhe Zall Herr), Bashkia Tiranë, Kamëz, Vorë, Kavajë dhe Rrogozhimë.

Ne Qarkun Tiranë propozojmë të shtohen 3(tre) njësi të reja vendore nga (5) që ka sot.

Qarku Vlorë, Bashkia Kotë (Kotë, Brataj dhe Sevaster), Bashkia Novoselë (Novoselë dhe Shushicë), Bashkia Orikum, Bashkia Ksamil, Bashkia Vlorë, Selenicë, Himarë, Sarandë, Konispol, Finiq dhe Delvinë.

Në Qarkun Vlorë propozojmë të shtohen 4(kater) njësi të reja vendore nga (7) qe ka sot.

Qarku Gjirokastër, Bashkia Gjirokastër, Libohovë, Tepelenë, Memaliaj, Përmet, Këlcyrë, Dropull.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?