Politikë

Rama: PD një zog dykrenar, por jo një shqiponjë! Akademitë e Barinjve janë në gjithë botën! Basha flet për aleanca të fshehta kundër Vettingut në politikë: Shoh si shkelet syri ekraneve

8 Nëntor 2021, 17:32| Përditesimi: 8 Nëntor 2021, 22:38

  • Share

TIRANË- Miratimin e aktit normativ e paraprinë debate mes opozitës dhe mazhorancës. Kryetari demokrat Lulzim Basha, akuzoi kreun e qeverisë se e ka rritur borxhin publik, në favor të një grushti njerëz që përfitojnë nga pushteti. Por kryeministri Edi Rama, solli në vëmendje se rritjen e borxhit e diktuan dy fatkeqësi.

Rama tha se PD e la borxhin publik 74%, ndërkohë që nuk kishte as epidemi dhe as tërmet. Shefi i maxhorancës pohoi se është e vërtetë se sot borxhi është më i lartë se 74%, por ka një pse. Sipas tij, pse-ja lidhet me faktin që kur socialistët e gjetën 74% e ulën në 63 % dhe në momentin kur flasim sot kanë ndodhur dy ngjarje shumë të rënda që kanë krijuar nevojën imediate për të marrë borxh, tërmeti dhe pandemia.

Ndërkohë në Kuvend Basha foli për aleanca të fshehta kundër Vettingut të politikanëve, e ndërsa kryeministri Edi Rama nuk ka lënë pa thumbuar Bashën, mbi situatën e PD-së. Rama bëri dhe një krahasim duke thënë se PD-ja është një zog dykrenarë, por që nuk i ngjan kurrsesi një shqiponje. Rama foli edhe për ngritjen e Akademive të Barinjve, që u sulmua nga opozita, duke thënë se Akademi të tilla ekzistojnë në të gjithë botën. 

Nga ana tjetër, Kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Demokratike, Alfred Rushaj, ka propozuar që të shtyhet për seancën tjetër ngritja e komisionit  të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore.

'Propozoj ta heqim nga rendi i ditës ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore, dhe ta kalojmë në seancën tjetër.'- tha Rushaj. Si rrjedhojë, kërkesa e tij u dakordësua në Kuvend.

Ora 20:48
'Akademia e barinjve', Korreshi: Nuk e specifikuat kush do merret me dele e kush me dhi

 

Deputeti demokrat Saimir Korreshi ka komentuar me ironi Akademinë e barinjve, që u prezantua më herët nga ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca.

"Gjatë javës së kaluar kjo qeveri miratoi një ligj dhe na promovoi një akademi, vetëm nuk na specifikoi cili do të merret me dele dhe kush me dhi. Ligji i bashkëqeverisjes është si një papuçe leshi e veshur në behar, sepse rri ngushtë me normat kushtetuese. Ligji krijon problematika lidhur me disa parime kushtetuese, përkatësisht me ndarjen e pushteteve. Ky ligj, duke u maskuar, synon praktikisht vendosjen e tyre në pushtetin ekzekutiv.

Nga ana tjetër ligji krijon agjencinë dhe koordinatorët e saj, që pothuajse ndërhyjnë në funksionet kushtetuese. Ligji që miratohet me shumicë të thjeshtë bie në kundërshtim me ligjin që miratohen me shumicë të cilësuar. Po kështu jam shprehur në komision që kjo çorape leshi është e grisur, sepse kjo agjenci ka që nga viti 2017 që ekziston sipas një VKM. Rezultatet janë 183 mijë ankesa dhe 1800 zgjidhje, domethënë një dështim total. Ka bërë vetëm një vrimë në ujë dhe tregon se sa e dështuar është kjo qeveri. Kjo agjenci do të marrë në interpelancë çdo ministër. Ndërkohë që fermerët në trevën e Myzeqesë e më gjerë janë të gjithë në rrugë.

Mos e trumbetoni sikur po jepni shumë lekë për bujqësinë. Kjo është situata që ju premtoni, miratoni dhe nuk e dini as vetë se sa do të shkojë deri në fund. Thatë që do të vijoni me mbështetjen e eksporteve, por nuk keni vendosur asnjë iniciativë për eksportuesit që janë aset kombëtar dhe marrin përsipër risqe. Përpos të tjera plehrat kimike i keni dyfishuar. Mos premtoni, miratoni, por shikoni te akademia, sepse dekania ka atje vetëm kopsht zoologjik, sepse me fjalët tuaja e keni dështuar këtë sektor”, tha Korreshi.

Ora 20:04
Miratohet akti normativ për ndryshimin e Buxhetit 2021, 74 vota pro dhe 49 kundër

Parlamenti ka miratuar ndryshimet në buxhetin e vitit 2021 për eurobondin. Akti normativ u miratua në Kuvend me 74 vota pro, teksa mori 49 vota kundër. Sipas mazhorancës se qëllimi kryesor rishikimit të buxhetit është përballimi i krizës energjetike, si pasojë e rritjes së menjëhershme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Ora 19:23
'Vetëm për poezinë s'ka akademi', Flutura Açka përplaset me Ramën: Më vjen keq që merreni me gjëra personale

Deputetja e PD-së Flutura Açka i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, pas fjalimit të tij në foltoren e Kuvendit. Açka tha se për sa kohë të jetë në Kuvend nuk do të flasë me personat lidhur me profesionet e tyre, por vetëm duke iu drejtuar si institucion, duke shtuar se ai nuk do të mmerret me gjëra personale.

Edi Rama: Vetëm për poezinë s’ka akademi

Flutura Açka: Mos merr me ne

Edi Rama: Me kë të merrem po  nuk u mora me ju. Unë për ju vij këtu. Atje jashtë nuk ka njeri që mund ta bësh për budalla, ju keni menduar se i bëni për budallenj. Sa herë që keni dashur ti bëni për budallenj jeni zgjuar të hënën në mëngjes keni thënë boo na i vodhën prap. Ska asnjë problem. I kam shqiptarët në kontakt çdo orë dhe çdo ditë.

Açka: Sa të jem në këtë sallë unë asnjëherë nuk do diskutoj për profesionin që kemi. Do të flasim këtu si institucion. Më vjen keq që kryeministri merret me gjëra personale

Ora 19:21
Braçe zbulon se ka qenë në zyrën e Sali Berishës në kohën kur ishte kryeministër: Po habi e madhe... ja për çfarë i jam lutur

 

Ish-zv.kryeministri Erion Braçe ka zbuluar se ka qenë në zyrën e Sali Berishës, kur ai drejtonte vendin, për një arsye, që t’i lutej që t’i linte energji elektrike Beratit më shumë se 4 orë. Kjo erdhi pas akuzave për energjinë elektrike nga ana e opozitës.

“Në këtë sallë kemi edhe opinione të ndryshme për borxhin, por diferencën e bëjnë faktet, unë ju dëgjova me vëmendje, por që të thoni se që nga viti 2006 Shqipëria nuk ka pasur ndërprerje dritash, më vjen keq, ose nuk keni qenë këtu, ose keni pasur një zgjidhje alternative, në 2007 nga Tropoja deri në Konispol ka pasur 4 orë drita dhe personi që ju flet i lutej kryeministër të aso kohë ne zyrën e tij, habi e madhe që isha në zyrën e tij, që t’i bënte nga 4 orë drita në 4, dhe për të mos ta vazhduar më pastaj, nga Malësia e Madhe në Lezhë, 6 herë rresht”, tha Braçe.

Ora 19:14
Grida Duma me tone të ashpra Nikollës: Duhet t'i kishe ndërprerë fjalën Ramës, na foli me përçmim

Deputetja e PD-së Grida Duma i është drejtuar me tone të ashpra Lindita Nikollës sot në Kuvend, duke kërkuar që ajo t'i ndërpresë fjalën kryeministrit kur ai u drejtohet me përçmim deputetëve të PD-së.

'Ai është i gjithi një karikaturë e demokracisë, duhet të ishte aty e të dëgjonte. Sa herë që del një deputet i opozitës ju ja merrni fjalën. Kam dëgjuar 7 fjalime të kryeministri që e trajtoni si më të barabartë se të barabartët, mos e trajtoni si eprorin tuaj dhe pranoni të jeni vartëse. Që ti drejtohet deputetëve të opozitës në emër të profesionit duke përçmuar ju duhet t'ja ndalonit fjalën. Ju duhet ta ndalonit'- tha Duma.

Ora 18:56
Rama për Akademinë e Barinjve: Janë në gjithë botën, një formim për t'i adaptuar me kohën e re

Kryeministri Edi Rama, nga foltorja e Kuvendit ka komentuar edhe propozimin e ministres së Bujqësisë, në lidhje me hapjen e akademisë së Barinjve. Rama tha se këto janë akademi në gjithë botën dhe se nuk flasim për kuptimin e fjalës 'akademi' siç kuptojnë ato (Duke ju drejtuar deputetëve të PD-së)

'Akademitë e barinjve, akademitë e peshkatarëve, e fermerëve janë të gjithë botën. Nuk janë ashtu siç e kuptoni ju, janë hapësira formimi që u ofrohen të gjitha kategorive të njerëzve që punojnë në sektor të ndryshëm. Mos qeshni me vete, këtë flet vet qesh vetën, e keni si linjë partie. Të kalojmë prapë tek kjo akademia e vogël që po zhvilloj unë këtu me ju. Burri i huaj thotë që ‘jam profesor ekonomie”. Unë jam piktor, por për shkak të detyrës unë dëgjoj dhe mësoj. Edhe zhgarravis. S'ka asnjë problem ca problemi kemi me zhgarravinën ti duhet të shqetësohesh për imazhin e zhgarravinës që i jep publikut. Mos u shqetëso për zhgarravinën por njerëzit duhet të shqetësohen për formën e zhgarravinës që marrin kur flasin. I thoni vetes të djathtë për inereci por s'keni lidhje fare.'- tha Rama.

Ora 18:45
Rama thumbon Bashën: PD si një zog krenar me dy koka që përpëlitet, por jo shqiponjë

 

Kryeministri Edi Rama thumbon Lulzim Bashën për situatën në PD.

“Borxhi është më i lartë dhe ka një pse, dhe kjo lidhet me faktin se midis momentin kur 74%  e kemi unë në rreth 60%, kanë ndodhur tërmeti dhe pandemia, që kanë çuar në nevojën imediate për të marrë borxh, borxhin që ju u latë shqiptarëve ishte 74% dhe nuk kishte as tërmet e as pandemi, kur flisni ju për ato që flisni, është vërtetë për t’u admiruar është guximi që ju harroni se nuk keni ardhur nga hëna dhe as nuk keni ardhur në Shqipëri ditën që nisi kjo legjislaturë, ju keni qenë këtu, protagonistët e qeverisjes i keni këtu në të dyja krerët e zogut që përpëlitet se tani është e formalizuar që PD është një zog 2 krenar që përpëlitet, por jo shqiponjë, nuk e di se kujt do i ngjaj në fund, por jo shqiponjës”, tha Rama.

Ora 18:43
'Rusia mbështet Serbinë për të shkaktuar konflikte në Ballkan' Mediu thirrje qeverisë: Të marri masa dhe të raportojë në NATO! Rama mbështet nismën

Në fjalën e tij deputeti Fatmir Mediu u ndal tek problematikat në rajon ku tha se se Moska ka një skenar të përgatitur për të mbëshetur Serbinë për të rifilluar një konflikt të dytë. Mediu tha po ashtu se Rusia po i mëson Serbisë metodologjinë e dominimit Rajonal. Më tej ai tha se ato po përpiqen që të provojnë konflikte ndëretnike brenda Kosovës. Mediu shtoi se ne duhet të hapim sytë dhe të gjykojmë së bashku për interesin tonë kombëtare. Deputeti Mediu kërkoi që Shqipëria të adresojë këtë problematikë në NATO, të miratojë një rezolutë për njohjen e krimeve serbe në Kosovë, si dhe deputetët e të gjithë krahëve politikë të bëhen bashkë për këtë të mirë kombëtare.

'Evropa po flasin me shqetësim çdo ditë për një skenar të përgatitur në Moskë dhe të inskenuar nga Serbia për të nisur një konflikt të dytë. Prezenca ushtarake serbo-ruse, tregojnë që po përgatiten skenarë për një konflikt të mundshëm. Mbështetja me ndihma ushtarake nga ana e Rusisë për Serbinë duhet të jenë alarm i fortë. I vetmi vend që ka reaguar në Ballkan është Kroacia. Po ashtu përfaqësues të parlamentit ballkanik ngrenë shqetësimin për një konflikt në Ballkan. Ky nivel tensioni kthehet në një kërcënim real. Nuk ka dyshim që kjo është kriza me e rrezikshme që nga viti 1995. Ndarjet në Ballkan nuk janë ekonomike dhe nuk zgjidhen duke parë aspektin ekonomik, ata janë sa fetare, historike dhe gjeopolitike. Shqiptarët kanë pasur një avantazh të madh, mbështetjen e SHBA-së. Rusia po i mëson Serbisë metodologjinë e dominimit Rajonal. Po përpiqen që të provojnë konflikte ndëretnike brenda Kosovës. Duket se balancat kanë ndryshuar, ndaj duhet që ne të gjykojmë të gjithë së bashku për interesin tonë kombëtar. Kjo çështje duhet adresuar në NATO. Qeveria të nxjerrë një rezolutë që dënon krimet e Serbisë ndaj Kosovës- tha Mediu.

Më kërkesën e Mediu u dakordësua edhe kryeminisri Edi Rama.

'Hyn edhe çështja që ngriti zoti Mediu që të flisnim në një gjuhe. Nuk po zgjatem në këtë pikë, por nëse zoti Mediu merr një nismë për të organizuar një nismë të përbashkët të PD-së dhe të PS-së, unë garantoj që do të marr pjesë pa kërkuar as se kush do të vijë as se kush s’do të vijë.'- tha Rama.

Deputeti Fatmir Mediu gjatë fjalës së tij në Kuvend, u shpreh kundër eurobondit. Mediu tha se është absurde që vendi ynë të marrë borxh për të larë borxh.

'Do votoj kundër. Sepse nuk mund të pajtohem me faktin që të marrin borxh për të larë borxh. Qeveria ka rrënuar financat publike në një kohë afatagjatë. Do të votoj kundër këtij eurobondi.'- tha Media.

Ora 18:35
Vettingu i politikanëve, Basha flet për aleanca të fshehta: Shoh si shkelet syri ekraneve, asnjë s’na ndal

1636389514_Screenshot1.jpg

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha foli sërish nga Kuvendi për Vettingun në Politikë, një propozim i tyre, teksa tha se është shumë i vendosur për ta çuar përpara këtë nismë. Basha foli edhe për aleanca të fshehta mes atyre që nuk e duan këtë nismë. 

"Që parlamenti, qeveria dhe institucionet e tjera që u përkasin qytetarëve, të punojnë për familjet shqiptare, për problemet e vogla dhe të mëdha që shqetësojnë çdo ditë njerëzit e këtij vendi, duhet të mos jenë strehë për ata që kanë abuzuar me besimin e qytetarëve dhe që janë pasuruar në kurriz të tyre, duke marrë vendime dhe ulur e ngritur kartonat në shërbim të krimit apo oligarkisë, në dëm të familjeve shqiptare. Padyshim e di, që kjo nismë e shumëpritur nga qytetarët, nga disa anatemohet si drakoniane. Shoh edhe se si po shkelet syri ekraneve mes atyre që duken të pangjashëm në tip, por janë të ngjashëm në halle. I shoh teksa po saldojnë edhe aleanca të fshehta e publike, të diktuara nga frika që ju ngjall përballja me atë që i kanë bërë këtij vendi, të dëshpëruar për të ruajtur status quo-në dhe ekuilibrat e vjetër. Por rendi i gjërave ka ndryshuar njëherë e përgjithmonë. Prandaj kundërshtarët e vettingut në politikë do të jenë një pakicë e papërfillshme, pasi të paktë janë përfituesit nga abuzimet që kryejnë ata që kthyen jetën e shqiptarëve në makth. Ndërsa të shumtë, në fakt shumicë absolute janë të gjithë ata shqiptare e shqiptarë që përfitojnë nga fundi i makthit të korrupsionit dhe krimit të lidhur me politikën.

Ora 18:01
Socialisti ngacmon Bashën: Hajde të hënën në këtë ‘Foltore’, jo te tjetra dhe trego pse buxheti në 2013 ishte më i vogël se tani! Bëhuni gati për 2029, se 2025 iku kështu si jeni

 

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla i ka kthyer përgjigje kryedemoraktit Lulzim Basha, i cili akuzoi qeverinë lekët e buxhetit të shtetit shkojnë për oligarkët pranë qeverisë. Balla e ka ngacmuar për ‘Foltoren’ e Berishës.

“I them Bashës të vij të hënën tjetër të marrë fjalën, në këtë seancën në këtë foltore, në mungesë të foltoreve të tjera, si ka mundësi që Shqipëria në 2013 kishte një buxhet më të vogël se sot, kjo është se në krye të këtij vendi është një qeveri e përgjegjshme, që mbledh të ardhura, që i ndan prioritet. Bëhuni gati për 209, 2025 iku kështu si jeni”, tha Balla.

Ora 17:50
Basha në Kuvend: PPP çmenduri me lekët e shqiptarëve, shkojnë për njerëzit e lidhur me qeverinë! Zgjidhja që ne ofrojmë, vettingu në politikë

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha gjatë fjalës së tij në Kuvend tha se keqqeverisja ka shkatuar largimin e shqiptarëve nga vendi. Basha tha se qeveria ka marrë borxh këto 8 vite më shumë se të gjitha qeveritë të marra së bashku. Basha tha më tej se miliardat e lekëve shkojnë për një grusht njerëzish të lidhur me qeverinë. Kreu i PD-së tha se zgjidhja që ofron PD është vettingu politik, në këtë mënyrë sipas tij do të pastrohet politika nga korrupsioni.

'Dy ditë më parë pak kujt mund t'i ketë shpëtuar një lajm mbi përgjigjen sesi kryeministri u përgjigj sesi mund të frenohet ikja e shqiptarëve. U lexua qartë mesazhi i tij se nuk ka forcë që të ndalojë largimin e shqiptarëve. Për të është e pamundur të ndalohet kjo katastrofë kombëtare që po ndodh nga jugu në veri nga lindja në perëndim. Po mbyllen shkolla, të rinjtë dhe të reja që ikin çdo ditë, studentë që nuk duan të kthehen.

Përgjigjen e ketij që ulet prapa, këtij që ndër rekordet e zeza në drejtim të vendit ka arritur të shënojë edhe renditjen e Shqipërisë përpara Sirisë në luftë civile të Asadit, sa i përket numrin e azilkërkuesve në Europë, e keni. Jo vetëm me fjalë, sic është shprehur pak ditë më parë, por edhe me vepra.

Në këto 8 vite Edi Rama ka marrë borxh sa të gjitha qeveritë e Shqipërisë të marra së bashku nga 1991-2013. Nuk shkuan për një sistem arsimor më të mirë, as shëndetësor, as në rroga më e larta, as në pesione dinjitoze. Ku shkuan miliona e miliarda euro borxh. Në këtë shtet të cilësuar të kapur, të cilin DASH e rendit si vendin më të korruptuar këto miliarda shkojnë për një grusht të vegjël njerëzish që janë të lidhur ngushtë me këto që janë ulur mbrapa. 2 miliardë euro për 7 kontrata të reja në PPP që tregojnë se prioritet kanë shpërdorimin e parave të shqiptarëve  duke ja dhënë një grushti njerëzish të lidhur me qeverinë. PPP-të zënë gjysmën e prodhimit të brendshëm bruto. Oligarkët po pastrojnë miliardë euro. Kjo masakër me taksat e shqiptarëve nuk mund të ndalet me fjalë.

Zgjidhja që ne ofrojmë për shqiptarët është vettingu në politikë. Në këtë mënyrë mund të adresojmë që të pastrojmë politikën nga korrupsioni. Një instrument që shërben për pastrimin e politikës dhe njëkohësisht krijon premisat e domosdoshme për rritjen e përgjegjshmërisë së politikanëve në mënyrë të tillë që të mos përfaqësojnë interesa korruptive dhe kriminale, por interesat e qytetarëve.

Duke thyer bashkëpunimin mes politikës, krimit dhe oligarkisë, ne mund të adresojmë realisht krizën e korrupsionit që ka gjunjëzuar shtetin, ka shkërrmoqur demokracinë, dhe po mbyt të ardhmen e Shqipërisë duke e bërë të pajetueshme për shqiptarët.'- tha Basha.

Ora 17:45
Rishikimi i buxheti 2021/ Ministrja e Ekonomisë: Qeveria do të mbështesë me 10 mlrd lekë OSHEE në krizën energjetike!

Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha gjatë fjalës së saj në Kuvend, se kanë ndërhyrë në buxhetin e aktual të këtij viti, për të rishikuar kufijtë e borxhit. Ministrja tha se përmes rishikimit të buxhetit qeveria do të mbështesë OSHEE në krizën energjetike, kjo do të jetë në vlerën 10 mld lekë për vitin 2021. Ibrahimaj tha në vitin 2022 vlerësimet janë për rritje dhe se investitorët e shohin vendin tonë si të qendrushëm.

'Përmes rishikimit të buxhetit qeveria do të mbështesë OSHEE në krizën energjetike, kjo do të jetë në vlerën 10 mld lekë për vitin 2021. Nga ana tjetër rishikimi i buxhetit 2021 vjen për të rishikuar kufijtë e borxhit. Vetëm dy javë më parë miratuam projektligjin për eurobondin. Kjo është hera e 5 që Shqipëria kërkon financim nga tregjet ndërkombëtare. Vlen të theksohet se ne kemi siguruar vlera interesi më të ulëta.

Gjatë vitit 2020 dhe 2021, të gjitha vendet kanë pësuar rritje të borxhit. Kjo vjen në kushtet kur parashikimet ndërkombëtare kanë pësuar ndryshime. Vlerësimet e të gjitha bankave ndërkombëtare thotë që viti 2022 do të ketë rritje. Investitorët e shohin vendin tonë si të qëndrueshëm. Do të doja të theksoja edhe njëherë se qeveria shqiptare ka ndjekur trajektore rënëse të borxhit. Është e rëndësishme të menaxhojmë rënien e borxhit.

Një rrugëtim i tij është nisur nga ana jonë dhe ka pasur rezultat. Rruga është e shtruar dhe janë në fuqi të gjitha mekanizmat e duhura. Përpjekjet tona do të vijojnë të jenë të përqendruara për të patur një borxh cilësorë. Borxhin që kemi sot duhet të jetë më i mirëmenaxhuar. Në krahasim me vendet e rajonit, tkurrja e balancës fiskale është më e larta më rajon. Një objektiv i rëndësishëm mbetet investimi i borxhit.'- tha Ibrahimaj.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?