Me 118 vota pro miratohen ndryshimet kushtetuese, zgjaten afatet e vettingut! LSI abstenon, grupi i Berishës nuk voton! Miratohen edhe komisionet për reformën territoriale dhe atë zgjedhore

10 Shkurt 2022, 07:23| Përditesimi: 11 Shkurt 2022, 06:59

  • Share

Në seancën e Kuvendit pas diskutimeve është votuar shtyrja e afateve të vettingut. Me 118 vota pro Kuvendi miratoi ndryshimet kushtetuese për të shtyrë deri më 31 dhjetor 2024 mandatine  Komisionit të Pavarur të  Kualifikimit (shkalla e parë e vettingut) dhe Komisionerit Publik. Në seancë ku nuk kanë munguar debatet. 

118 votat janë arritur falë votave pro të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, ndërkohë që LSI ka abstenuar ndërsa Berisha ndryshe nga ç'kishte premtuar nuk ka marrë fare pjesë në votim bashkë me grupin e tij. Socialistët u ndihmuan nga votat e deputetëve të Partisë Demokratike të cilët kushtëzuan kartonin jeshil me ngritjen e 2 komisioneve të Posaçme Parlamentare, atë për Reformën Zgjedhore dhe atë për Reformën Administrativo-Territoriale, për të cilat PD ka kërkuar edhe ndryshime kushtetuese. Komisionet e reja u votuan respektivisht me 120 dhe 119 vota pro. Edhe aleatët  e vegjël të djathtë respektuan vendimin e partisë që udhëheq opozitën, duke bashkuar votat pro, ndërsa 3 deputetë të LSI vendosën të abstenonin. Prej saj, rrodhi gjithsesi një votë, nga deputeti i Shkodrës Agron Çela.

Në seancë ku nuk kanë munguar debatet. Palët politike ishin të ndara për frytet e reformës në drejtësi në këto 5 vite e gjysmë implemtim me Partinë Socialiste që e ka konsideruar sukses dhe partitë opozitare që nënvizuar defekte të mëdha sidomos në drejtim të vendosjes së sistemit në kolaps.

Partia Demokratike edhe pse siç e tha edhe kryetari i grupit parlamentar, Alibeaj ' me të drejtë të Zotit do të votonim kundër', vendosi votën pro pasi sipas kryetari Basha kështu i jepet një shans tjetër Vettingut të prokurorëve e gjyqtarëve nën monitorimin ndërkombëtar.

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja deklaroi se zgjatja e Vettingut u pa e nevojshme për shkak se gati 1/3 e subjekteve ende nuk e kanë kaluar filtrin e drejtësisë.

 Sali Berisha e pa si një pakt PD-PS, ndërsa sulmoi ashpër Reformën në Drejtësi, ndërkohë që kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ngriti dyshime për një marrëveshje të përsëritur si ajo e majit të 2017 Rama-Basha. Ndërsa kryetari i grupit Parlamentar socialist tha se nuk ka një marrëveshje të fshehtë mes PD dhe PS.

Kritika pati edhe nga radhët e vetë socialistëve. Ish ministri dhe kryehartuesi i reformës në drejtësi Fatmir Xhafaj foli për mungesë besueshmërie.

Seanca u ndoq nga përfaqësuesit e selive diplomatike në Tiranë që bënë thirrje vazhdimisht edhe për këtë hap në kuadër të Reformës në Drejtësi, të cilës ata i dhanë bekimin gati 6 vite më parë. Kujtojmë se i gjithë komuniteti ndërkombëtar ushtroi presion që zgjatja e afateve të vettingut të votohej. SHBA dhe BE përmes një deklarate të përbashkët i bënë thirrje deputetëve që të votojnë të gjithë pro këtyre ndryshimeve. Ata nënvizuan se reforma në drejtësi po jep rezultate dhe edhe falë saj vendi ka bërë shumë përparim. Të njëjtin mesazh dha edhe ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë, Peter Zingraf.

Në qershor të 2022 Komisionit të Pavarur të Kualifikimit njohur si vetingu në shkallën e parë, i skadonte afati, në një kohë që kanë mbetur më shumë se 300 gjyqtarë dhe prokurorë që nuk i janë nënshtruar ende procesit të verifikimit për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Afati i këtij institucioni ishte 5 vite, për shqyrtimin e figurës së afro 800 subjekteve, gjë që nuk u arrit në kohë. Tashmë KPK do të ketë mandat deri më 31 dhjetor 2024 ndërsa shkalla e dytë e vettingut, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka mandat 9 vjeçar dhe vijon punën deri në vitin 2025. 

Ora 18:43
Zgjatja e afateve të vettingut, Balla: S'ka marrëveshje okulte, sot fitoi Shqipëria

Kreu i Grupi Parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se deputetët bashkuan sot votat për të votuar pro zgjatjes së afateve të vettingut. Ai hodhi poshtë akuzat e Sali Berishës për marrëveshje të fshehtë mes PS dhe PD.

"Kam qenë besimplotë se do e miratonim sëbashku këtë ndryshim kushtetues, duke mos parë llogoret politike. Të gjithë prokurorët e gjyqtarët duhet të vetohen njësoj. Akuzat ë u thanë për marrëveshje 'over night' i refuzoj me përbuzje, është vetëm ndërgjegjësim i të gjithëve për nevojën për të çuar përpara këtë proces. Ndryshimet janë depozituar që para 4 muajsh dhe kanë marrë proces të gjatë konsultimi. Të gjithë i qëndrojnë qëllimeve të para, të reformës në drejtësi. Vettingu është një element thelbësor për të garantuar një nivel të dukshëm integriteti të magjistratëve. Sot ka më shumë besim te drejtësia sa kishte dje. Mbi 800 subjekte janë fitur në sitën e vettingut, KPK ka dhënë 491 vendime, 183 vendime konfirmimi në detyrë, 273 shkarkimi. Në qershor do të mbeteshin pa përfunduar edhe 300 çështje, që do i kalonin në Këshillin e Lartë Gjyqësorë dhe në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Besoj që një shumicë e madhe e deputetëve ka votuar në mbështetje të këtij ndryshimi kushtetues. Nuk ka asnjë marrëveshje okulte. Sot fitoi Shqipëria.

Ora 18:43
118 vota e vetëm 4 abstenim, votohen ndryshimet kushtetuese për afatet e vettingut

118 vota e vetëm 4 abstenim, votohen ndryshimet kushtetuese për afatet e vettingut

 

Ora 18:35
Alibeaj në Kuvend: Me të drejtë të Zotit vota jonë duhet të ishte kundër vettingut por kemi përgjegjësi për shtetformimin

1644514597_1231024x626.png

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, argumentoi në seancën e sotme plenare votën pro ndryshimeve kushtetuese për zgjatjen e afateve të vettingut.

"Me të drejtë të Zotit do të duhet të votonim kundër. Së pari për koherencë morale, sepse e kemi parashikuar që do të shkonte situata në këtë derexhe. Nëse do të ishim individë do të votonim kundër. Të gjitha këto defekte që e kanë cënuar reformën në drejtësi janë në sytë e shqiptarëve. Por duhet të themi disa gjëra. Drejtori i RTSH është në burg, kryebashkiaku i Lushnjës është në burg, 2 ministra të qeverisë së Ramës janë në burg dhe mesa duket një i tretë pritet. Ky është fakt.

Reforma filloi mbrapsht kur ligjet u votuan në mënyrë të njëanshme. Ç’duhet bërë? Me të drejtë të zotit dhe ndjesi të lartë morale duhet të votojmë kundër se pari për koherencë morale. E kemi parashikuar derexhenë ku do ndodheshim. Por burrnia politike nuk është ajo që i shmanget kësaj Foltoreje. Nuk duhet të bishtojmë. Analet e historisë do të shkruajnë atë që kemi vendosur ne sot këtu. A kemi përgjegjësi publike për shtetformimin? Këtë menduam ne sot, dje dhe pardje? Me të drejtën e Zotit do votonim kundër, por shërbimi që do i bëjmë qytetarëve na detyroi që të vendosim pro, pa asnjë dridhje qerpiku. Media, njerëz do të thotë që shkuar bashkuar votën. Personalisht e pranoj por interesi publik prevalon. Konsiderojmë edhe partnerët tanë që ndodhen aty në lozhe. Ka edhe kosto për ne, e kuptoj. Ju imagjinoj të gjithëve në banaqe. Do e pranojmë edhe këtë për hir të integrimit. Miqtë e mi mbani kokën larg, ne kemi një virtyt që zor se gjendet,”-tha në fjalën e tij Alibeaj.

Ora 17:27
Vettingu/ Deputeti Dashamir Shehi në Kuvend: 3 herë kemi futur duart në Kushtetutë për këtë çështje, asnjëherë se kemi vënë 'gishtin në plagë'

1644510564_Screenshot6.jpg

Deputeti Dashamir Shehi, teksa mori fjalën sot në seancë plenare, u shpreh se ndryshimet kushtetuese për vettingun thjesht bëjnë prekjen e radhës të Kushtetutës por nuk e zgjidhin problemin. Sipas tij asnjëherë nuk janë prekur problematikat e vërteta të këtyre viteve të reformës në drejtësi.

"Po të ishte një çështje edhe më e thjeshtë nuk do të ishim lodhur kaq pak. Ne e kemi nga kaq shumë Kushtetutën e Shqipërisë, dhe besoj se edhe kjo do të aprovohet pas 2 vitesh do vijmë serish këtu. Ne e kemi votuar Kushtetutën 140 deputetët, të gjithë me dëshirën e mirë për të ndryshuar diçka në një sektor jetik.

Të rregullojmë disa defekte të këtyre 6 viteve dhe që janë haptazi. Vettingu ka qenë selektiv, dhe këtë e kuptojnë të gjithë. Tjetër është vonesa. Një drejtësi e vonuar është një drejtësi e munguar. Shqipëria ka 5-6 vite që kanë mbetur në dorë të një qeverie.

Nga ana tjetër ne nuk mund ta largojmë gjykatën shumë nga njerëzit. Dhe kjo ndodh sepse s'ka më gjykatës. Dhe kjo është derivat i kësaj reforme. Kthehemi flasim pas 6 viteve dhe nuk vëmë gishtin në probleme. Dhe kjo nuk është serioze për një Kuvend që ka ndërhyrë deri tani 3 herë në Kushtetutë për këtë çështje", tha Shehi.

Ora 17:19
FOTO/ Basha kavalier me Tabakun, Pampuri e ‘shqetësuar’ me Alibeajn! Ministrat e PS ‘qajnë hallet’ kokë më kokë! Çfarë s’u pa në Kuvend

Ashtu si në çdo seancë ka parapaskena në Kuvend ku nuk shihen nga syri i kameras por nuk ‘u shpëtojnë’ fotove që bëhen nga salla. Ja disa nga momente më pikante nga seanca e sotme në Kuvend.

Ora 17:00
6 marsi, Korreshi: Patronazhistët kanë zbritur në terren me formularët, po kërcënojnë qytetarët në Lushnjë për t’i dhënë votën PS

Deputeti demokrat Saimir Korreshi nga foltorja e Kuvendit dhe se reforma në drejtësi nuk ka prodhuar asgjë, ndërsa reforma territoriale ka rritur kostot për qytetarët. Korreshi e vuri theksin edhe tek zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, ku tha se patronazhistët kanë zbritur në terren me formularin dhe se po kërcënojnë qytetarët e Lushnjës që t’i japin votën PS-së.

“Sa për reformën territoriale një paçavurë e madhe, i keni hequr dhe keni kthyer në një centralizim të jashtëzakonshëm, ku kryetari i bashkisë merret edhe me kanalin vaditës. I ftoj dhe deputet e Lushnjës, ka pas 2 bashki dhe 14 komuna, u përthithën vetëm në 2 bashki. Sot njësitë administrative janë kthyer në gjendje civile dhe patronazhiste për efekt elektoral. Administratorët janë kthyer si polic bashkiak që ruajnë ndonjë punëtor ndërtim ta kapin pa leje. Për një vulë do shkosh të takosh kryetarin e bashkisë jo më për leje ndërtimi. Reforma territoriale do zvogëlonte kostot, i trefishuat punonjësit nëpër njësitë administrative. Kanë zbritur me formuarin e patronazhistëve, po mbledhin të dhënat çdo punonjësi, njësia administrative është në shërbim të zgjedhjeve lokale. Orar pa ora jeni në shërbim të kësaj pune, po bëni presion dhe po rrisni punësimet. Reformat në drejtësi s’ka prodhuar asgjë, si reforma territoriale që njerëzit hallakaten gjithë ditën se nuk e dinë ku janë zyrat e shtetit”, tha Korreshi.

Ora 16:38
Monika Kryemadhi tregon se partia iu 'përça': Agron Çela votoi pro vettingut, unë abstenoj

LSI ka qenë e 'përçarë' për votimin e ndryshimeve kushtetuese për vettingun. Monika Kryemadhi ka deklaruar se LSI nuk ishte kompakte në votimin ndryshimin kushtetuese. 

"Të shkëputemi një herë e përgjithmonë nga shitja e votës së qytetarëve nga problemet personale. Një godinë e tillë nuk është e shenjtë pasi falsifikohet firma e ish kryetarit të kuvendit që shkojnë në gjykatë kushtetuese. Dhe vetingu do të jetë peng i një ore sepse sistemi i drejtësisë është kapur nga qeveria shqiptare. Agron Cela votoi pro nuk ka arsye përse mos votojë kur PD ndryshoi mendje PD-në, Unë kam, votuar pro për reformën zgjedhore, abstenim për organeve të vetingut", tha Kryemadhi jashtë sallës së seancës plenare.

Ora 16:14
Zgjatja e afateve të vettingut, nis votimi në Kuvend

Pas votimit në parim, deputetët në Kuvend po votojnë për propozimin e maxhorancës për ndryshimet kushtetuese, për zgjatjen e afateve të vettingut. Votimi po kryhet me votë të fshehtë.  

Ora 15:57
Vettingu/ Kryemadhi në Kuvend, dyshime për vendimin e Bashës: Të mos votojmë nga frika e prokurorëve belg! Mos kemi një 17 maj të dytë?

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi, hodhi dyshime të forta për ndërrimin e çuditshëm sipas saj të mendjes së Lulzim Bashës për të votuar vettingun. Ajo përmendi marrëveshjen e 17 majit por edhe frikën nga prania e prokurorëve belg në Tiranë.

"Jemi të vetëdijshëm se siç kanë ngritur zërin organizata dhe partnerët strategjikë për të gjithë çështjen e impemementimit të reformës në drejtësi. A po marrin shqiptarët drejtësinë e vërtetë apo po shtohen dosjet. Procesi i vettingut është një element që duhet të vazhdojë.

Në shkurt 2018 grupi i LSI propozoi një afat të tillë për shtyrjen e afateve të vettingut por me arrogancë u hodh poshtë dhe nuk i pranua të futej as në rendin e ditës. Jo më kot dua ta theksoj se edhe në Këshillin e Legjislacioni LSI ka marrë pjesë në mbledhje 4 muaj rresht dhe ka bërë oponencë. Kolegët demokratë nuk morën pjesë asnjë ditë. Ndaj më bën të dyshoj që kjo do t'i shërbejë drejtësisë apo 17 majit?

Si ndryshoi ky vendim ik menjëhershëm pa qenë në asnjë mbledhje, në asnjë lloj konsultimi. Analizat profesionale janë të domosdoshme për të gjithë ne. E dimë shumë mirë që vendimet politike janë të rëndësishme por duhet të ketë një lloj morali. Imoraliteti politik po i detyron shqiptarët të ikin nga Shqipëria. Do të kemi vendime si të 17 majit që gdhihemi me ministra të Edi Ramës apo për një konsensus si ai i 140 votave? Ne e kemi mekanizmin zhbllokues që të vazhdojmë edhe nëse mbaron afati i vettingut. Ne ende nuk e dimë sa do të zgjasë. Të mos votojmë as nga frika e prokurorëve belg, as nga frika kur kujtojmë kolegët tanë që janë në burg", tha Kryemadhi.

Ora 15:34
Berisha deklaron edhe një herë votën kundër vettingut, debat me Felajn për kohën! Noka: Jepi kohën time

Ish-Kryeministri Sali Berisha teksa ka bërë atë që ai e quan bilancin e vettingut deri tani, duke akuzuar se shqiptarët kanë humbur të drejtën për gjykim të drejtë, deklaroi votën kundër.

"Në këtë sallë dhe jashtë saj kam paralajmëruar Edi Ramën për këtë katastrofë. Është përpjeklur që të lajë duar për çdo gjë duke fajësuar të huajt. Kam mbrojtur interesin e qytetarëve. Përgjegjësia për këtë reformë është e Edi Ramës dhe grupit që e mbështeti. U përzgjodh me qëllim përdorimi i Vettingut me metodën lart-poshtë. Është e njohur si metodë destruktive, shkatërrimtare. Një kryeministër që pranon që vendi i tij të mbetet pa shtet ligjor

U mbajt Sokol Sadushi i cili kishte blerë apartament nga një person që nuk dihet se ku i kishte gjetur paratë. U mbajt Sokol Sadushi që deklaronte dhuratën 20 mijë euro të gjyshes për fëmijët. Kur një tjetër gjyqtare thoshte se babai i dha 20 mijë euro dhe i kishte dhënë nga rroga nuk besohej se ishte e djathtë. Një tjetër u përzu se nuk kishte deklaruar një gasoniere nga viti 1994.

Pasojat e vettingut janë katastrofale. Shqiptarët e kanë humbur të drejtën të kenë një proces gjyqësor të drejtë. Shqipëria u bllokua për integrimin 3 vite për shkak të mungesës së gjykatave. Janë me mijëra dosje në gjykata që qytetarët presin vendim, shumë shkojnë në botën tjetër pa marrë drejtësi.  Qytetarë që sjeni me socialistët, dosjet tuaja në gjykata i shqyrton ish-gruaja e Edi Ramës", tha Berisha, kur drejtuesja e seancës i ndërpreu fjalën pasi i mbaroi koha.

Ndërkohë që Flamur Noka nga vendi me duar bënte me shenjë që Berisha të merrte edhe kohën e tij. Felaj iu përgjigje se kjo nuk lejohet nga rregullorja.

Ora 14:07
Kuvend/ Vetëm kur flet Berisha, përfaqësues të SHBA krejt 'sy e veshë', u përkthejnë çdo fjalë  

 

Zgjatja e mandatit të organeve të vettingut është tema që po diskutohet këto momente në seancën e Kuvendit.Në Kuvend kanë mbërritur edhe përfaqësues të ambasadës amerikane në Tiranë si dhe të ambasadës së Bashkimit Evropian. Ata janë të pranishëm për të parë nga afër votimin e deputetëve për zgjatjen mandatit të vettingut.

Përfaqësuesit e ambasadës së SHBA, vetëm kur flet Berisha i përkthehet fjalë për fjalë e gjithë deklarata se çfarë ai thotë në Kuvend

Ora 13:58
Berisha i nxjerr videon Bashës dhe përplaset me Salianjin: Marrëveshjet vijojnë nën rrogoz, ndërprisni seancën! I përgjigjet deputeti: Je përgjegjës që Rama ka kapur drejtësinë

Lufta brenda PD-së ka shpërthyer edhe në Kuvend, teksa po diskutohet për zgjatjen e afateve të vettingut. Sali Berisha është përplasur me Ervin Salianjin. Berisha i tha Salianjit se ato e kanë firmosur marrëveshjen, mos të mbajnë peng kot mikrofonin. Nga ana tjetër Berisha nxori edhe një video të Bashës steka kërkonte të mos votohej vettingu. Salianji i tha se ai është përgjegjës që Edi Rama kapur drejtësinë.

Berisha: Nëse vazhdohet të mashtrohen qytetarët në mënyrën më të paskrupullt për një reformë që i privoi ata nga e drejta themelore e një procesi të drejtë, nëse vazhdohet të lyhen e të lëpihen dështime të tilla të tmerrshme, faturën e të cilëve e paguajnë qytetarët. Nëse me fjalë të sipërfaqshme dhe me përdorim mikrofoni, ndërkohë që vazhdojnë marrëveshjet nën rrogoz mes kreut të Meduzës dhe Lul Bravës, kjo seancë duhet të ndërpritet menjëherë, sepse është një hipokrizi e madhe. Këtu flitet për një proces që u përdor nga kreu i Meduzës me Argaçin e tij si armë e tmerrshme. Kjo ka sjellë sot një katastrofë që do të paktën 20 vite për t’u riparuar.

Salianji: Nëse do të kishim mundësi për ta ndërprerë votimin dhe për të rikthyer gjithë procesin, edhe unë do të votoja. Nëse ka dikë që duhet të jetë përgjegjës në këtë sallë për dështimet e reformës në drejtësi, padiskutim që jo ne që nuk kemi qenë për ta votuar, por përgjegjës të drejtpërdrejt për cdo centimetër që kontrollon Edi Rama të reformës në drejtësi duhen gjetur te ajo pjesë që e ka votuar me 140 vota. Një pjesë e deputetëve janë aty sot, duke thënë se kjo i shërben Edi Ramës. Me cfarë ta luftojmë Edi Ramën, me mullinjtë e erës? Po pse sot kërkohet, kur jemi në një situatë ku nuk ka marrëdhënie një pjesë, për faj të dikujt a dikujt tjetër ,me SHBA, të zhysim gjithë PD-në? Cila qenka kjo arsye madhore dhe cili është interesi i PD, ku asgjë nuk është bërë pa mbështetjen e Amerikës. Duhet t’i themi të vërtetat siç janë. Nëse ka përgjegjës për kapjen e drejtësisë nga Edi Rama, është pikërisht parafolësi.

Berisha: Që ta dish ti, e di por të intereson gjysma e pengut dhe gjysma e bravës, ka qenë marrëveshje që ligjet organike do të votoheshin me konsensus.

Ora 13:44
“Pa br*kë i gdhiu dita dhe zengjinë i zuri nata”, Gjekmarkaj: Vettingu i rëndësishëm për ta shkëputur reformën në drejtësi nga ahengu i familjaritit të qeverisë

Deputeti i PD-së, Agron Gjekmarkaj ka argumentuar votën e tij pro Vettingut, duke thënë se kjo është shumë e rëndësishme për të shpëtuar reformën në drejtësi nga kapja.

“E vështirë që të jesh i ndershëm me fakte. Paqja sociale kërkon disa kushte themelore. Të gjitha këto në shtetin shqiptar kanë qenë shpesh kundër. Ata i kanë parë që bandat i grabisin natën, i vjedhin ditën, i shkelmojnë dinjitetin, t’iu mbyllin gojën dhe t’i shkretojnë atdheun. Shqiptarët i kanë parë këta hajdutë që të pasurohen, të bëhen ministra, kryetarë bashkish. I kanë parë se si pa brekë i gdhiu dita dhe zengjinë i zuri nata. Nëse ka diçka që e rrezikon drejtësinë pas korrupsionit është injoranca. Çka kjo reformë s’po e zgjidh. Vettingu ka në objektiv materien. Ça vlere ka një gjyqtar dhe injorant? Ne nuk kemi asgjë për të fshehur, dhe e votojmë shtyrjen e vettingun me kërkesën permanente që ONM të shtojë presionin pozitiv për të nxjerrë procesin nga ahengu i familjaritetit të qeverisë, nga kushërinjtë, tezet dhe hallat, nga diferencat regjiloze dhe krahinore, ta nxjerrë nga pilotimi. Do jetë e vështirë, pasi kjo maxhorancë, kushërirë e parë me komunizmin dhe vetvetja, nënë e abuzimeve, nuk kërkon drejtësi. Opozita është këtu me qirinj drite dhe i fryjnë na të gjitha anët. Sot flitet shumë për ish-ministër që dënohen disa vite pasi kanë lënë detyrën. Tolerohen dhe iu jepet mundësia që të krijojnë distancë, por është më mirë se sa ic. Drejtësia duhet të shoh pushtetin, inceneratorët, ministrat, kryeministrin, pasi servilizmin s’ka ende instrument për ta hetuar”, tha Gjekmarkaj.

Ora 13:30
Berisha-Spiropalit: Antimafia është në veprim, s’e mbron dot Skëndërbucin tënd! Ministrja: Nuk le burrë e grua pa marrë në gojë

Në Kuvend ka pasur debate mes Sali Berishës dhe Elisa Spiropali, ku nuk kanë munguar akuzat e ndërsjellta.

Berisha tha se kryeministri Rama, të cilin e etiketon si kreu i Meduzës, tha se anftimafia është në veprim dhe se ai nuk mund të mbrohet më.

"Kreu i Meduzës, nuk ndodhet këtu sepse Don Agaci me gjeneral Lisin ishin si mishi me thoin dhe kur i vura epitetin ‘dhurat madhi’ kisha parasysh aferën si e lumturoi gjeneralin Don Agacio. Antimafia italiane hap pas hapi po ecën me vendosmëri drejt kreut te Meduzës, dhe ai nuk mund të ishte sot këtu në sallë, se e dinte. Dhe nuk e mbron dot as t’i Skëndërbucin tënd tani. Antimafia është në veprim" tha Berisha.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i ministres Spiropali, e cila e konsideroi ish kryeministrin si përgojuesin më të madh të trevave shqiptare.

“Je përgojuesi më i madh i këtyre trevave. Nuk ke lënë burrë, grua, fëmijë, të vjetër e të ri pa marrë nëpër gojë këtu, apo në çdo foltore që të ka dalë përballë. Dhe po duket që po e mbyll ashtu si të takon, pa nder, pa lavdi, vetëm me pahir” tha Spiropali.

Ora 13:28
Grida Duma: Disa ‘trekëndësha’ janë ende të paprekur, i forti gjithëmonë i shpëton drejtësisë

Deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma nga foltorja e Kuvendit se në të gjitha hallkat e sistemit në Shqipëri ka nepotizëm dhe se askush nuk beson të drejtësia. Sipas Dumës, disa trekëndësha dhe katërkëndësha apo më shumë janë akoma të paprekshëm.

‘Pa drejtësi nuk ka as mirëqënie dhe as identitet. Tek drejtësia kryqëzohen të gjitha. Cila drejtësi ekziston në ekonominë shqiptare?! Nuk ka drejtësi, prandaj nuk ka garë. Në të gjitha hallkat e jetës shqiptare bëhet me nepotizëm, në çdo hallkë ka nepotizëm. Nuk beson askush tek gjykatat shqiptare. Kjo drejtësia që keni thënë ju, jo vetëm që vonon, por edhe harron të vonojë. Nëse e nisët me atë cinizmin se fshatarët do të quhen qytetarë, nuk u quajtën dot as fermerë. Ju që jeni bërë miliarderë. PD është këtu për të ndërtuar kapitalin e ndershëm. Që kur të vij e majta ju ta rishpërndani. Pa ardhur kjo forcë në pushtet nuk arrini kurrë të krijoni atë kapitalin e më pas ju ta rishpërndani. E vetmja gjë që përcakton ligjësitë është drejtësia. Në fakt në këtë vend nuk ka kufij ku ne mund të merremi vesh. Disa nuk preken trekëndëshat, katërkenëdashat apo më shumë janë të paprekshëm. Forca e kategorisë së të fortit është cilësuar në model social. Ky është vetëm një kapitull i nisjes së drejtësisë ku jeni fshehur duke thënë se PD nuk e do.’- tha Duma.

Ora 13:04
Berisha: Jam pro investimeve amerikane, por të bëhen me tender të hapur

Sali Berisha ka nxituar që të flasë sërish nga foltorja e Kuvendit ku është shprehur se ai është pro investimeve amerikane, por sipas tij duhet të bëhen me tender të hapur.

‘Kreu i Meduzës nuk ndodhet këtu, sepse don Agaçio dhuratmadhi dhe Gjeneral Lisi ishin si mishi me thoin. Dua të shpreh një mirënjohje antimafias italiane e cila po ecën me vendoshmëri drejt kreut të Meduzës. Antimafia italiane është në veprim. Për Skavicën ti je fajtori numër një i projektit për mbytjen e të gjithë tokave pjellore të Dibrës. Unë jam pro investimeve amerikane, por të bëhen me tender të hapur.’- tha Berisha.

 

 

Ora 12:35
VIDEOLAJM/ Basha i kalon nga mbrapa në kuvend, Berisha e sulmon: Armiku më i madh është ai që të rri pas shpine, dil përpara

Një episod i pazakontë ka ndodhur sot para Kuvendit. Sali Berisha po jepte një intervistë për mediat në oborrin, ku pas tij ka kaluar Lulzim Basha, i cili po futej një seanca. Berisha nuk e kaloi pa një batutë, ku e cilësoi si "armiku që i rri pas shpine".

"Armiku më i madh është ai që të rri pas shpine, prandaj dil përpara", tha Berisha.

Ora 12:27
Berisha kundër ndërtimit të Skavicës: Po u vjedh tokat dibranëve! I përgjigjet Manja: Më dukesh si një zë që vjen nga bota e përtejme

Sali Berisha është përplasur në Kuvend me ministrin e Drejtësisë Ulsi Manjën. Berisha tha se ai po denatyralizon Dibrën në kuadër të projektit të Skavicën, pasi banorëve po u merren tokat. Berisha u bëri thirrje dibranëve që të ngrihen dhe të mbrojnë tokat, ndërsa kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla i ndërpreu fjalën. Nga ana tjetër Ulsi Manja tha se nuk bën replika me zëra që vijnë nga bota vjetër.

Berisha: Pse mbahet sekret vettingu i Sokol Sadushit, vettingu i Ervin Kukës, vettingu Ilir Pandës, mbi çbazë përveç se shpellës së mafies. Cili është roli yt në denatyralizimin e Dibrës me hidrocentralin e  Skavicës. A ndjek përgjegjësinë për shuarjen nga faqja e dheut të shuarjes se gjitha tokave të dheut. Çfarë marrë veshje ke bërë ti. U bëj thirrje dibranëve  të ngrihen dhe të mbrojnë tokat e tyre.

Manja: Kur flet ti dhe këkon llogari për Dibrën më dukesh si zë i vjetër që vjen nga bota e përtejme. Dibranët janë në hallin dhe në punën e tyre dhe më 6 mars do të flasin vetë dibranët të zgjedhin më të mirin. Për replikë nuk replikoj me zëra që vijnë nga bota vjetër.

Ora 12:26
Ministri i Drejtësisë: Shtyrja e afatit të vetingut deri më dhjetor 2024

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja tha se afati i shtyrjes së vettingut do të jetë deri në dhjetor 2024, ndërsa mbeten ende mbi 300 subjekte për t'u rivlerësuar.

" Rezultatet e procesit të vetingut janë të prekshme. Për vettingun nuk ka më kthim pas, jemi në fund të këtij procesi, pavarësisht vonesave që ka paraqitur ky proces. Mbeten mbi 300 subjekte për t'u rivlerësuar, 60 % e subjekte kanë dalë nga sistemi. Konsiderojmë një kohëzgjatje të arsyeshëm duke caktuar një afat konkret mbarimit të vetingut që është dhjetori 2024", tha Manja.

Ora 12:09
Berisha: Do marrim nismë ligjorë për mbrojtjen e banesave të qytetarëve! Zgjatja e vettingut? Bashkëpunim i pengut me pengmarrësin

Deputeti Sali Berisha tha para Kuvendit se do të ndërmarre një nismë ligjore për mbrojtjen e banesave të qytetarëve shqiptarë. Duke ju referuar protestës së banorëve të ‘5 Majit’, Berisha tha se nuk jam për tu penguar urbanizimi, por tha se jam në mënyrë kategorike kundër shkatërrimit të pronave të qytetarëve pa dëmshpërblimin e plotë të tyre.

‘Do merret nisma ligjore, për mbrojtjen e banesave të qytetarëve shqiptarë. Me praktikës që po ndjek kreu i Meduzës janë qindra mira banesa të pasigurta në Shqipëri. Nuk jam për tu penguar urbanizimi dhe zhvillimit të territoreve, por jam në mënyrë kategorike kundër shkatërrimit të pronave të qytetarëve pa dëmshpërblimin e plotë të qytetarëve. Sipërfaqja e ndërtimit është 490 mijë m2. Nga këto familjet që strehohen nga tërmeti marrin 120 m2 së bashku. 320 familje që banojnë aty nuk do të marrin as 9% të sipërfaqes së ndërtimit. Në çdo zhvillues tjetër u jepet të paktën 25% të sipërfaqes.’- tha Berisha.

Sa i përket votimit për zgjatjen e afateve të vettingut, Berisha u tha se ai do të votojë kundër, dhe tha se ky është një bashkëpunim i pengut dhe pengmarrësin.

‘Është bashkëpunim i pengut me pengmarrësin. Unë i kam shprehur qëndrimet e mia ndaj këtij procesi gjigand politik. Është një proces i flaktë që nuk i beson më shoqëria shqiptare.’- tha Berisha.

 

Ora 10:32
Sot votohet për shtyrjen e afateve të Vettingut, LSI kundër: Farsë për të vazhduar ditët e një drejtësie të kapur

 

LSI do të abstenojë në votimin për zgjatjen e afateve të Vettingut. Sot, deputeti Petrit Vasili ka deklaruar se kjo Reformë në Drejtësi është e kapur.

"Kemi të bëjmë me një krim shtetëror, drejtësia nuk ka lëvizur fare, një drejtësi që do të zbarkonte në Kuvend. Kemi një Kuvend, vazhdimi i farsës së radhës, të një drejtësie të kapur. Farsë për të vazhduar ditët e një drejtësie të kapur", tha Vasili.

Ai u ndal të fliste edhe për takimin e kryeministrit Edi Rama me disa përfaqësues të banorëve të '5 Majit'.

"Ato janë dhunuar, u është rrëmbyer brenda tani është një i pacipë që bën sikur do të bëjë bisedë me ta", tha ai.

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Tosi: 11/02/2022 06:12

    Me kete votimin me te fundit per te ndryshuar kushtetuten me shume gjase do hyjme ne rekordet Guinness! Ndersa ne bote kushtetutat behen te jene te qendrueshme, si na meson dhe eksperienca amerikane, ne Shqiperi, nen "sekspertizen" ambasador-pacavuriste ne fakt duhet ta kete emrin "prostituta". Ose shkurt TUTA! Neser prisni ndonje takim tjeter ku Rama apo Basha apo Berisha apo Meta apo VK, me nje ambasador kushdo do dalin serish dhe te na tregojne se kurverine e kane per nder, sido qe shfaqet.

    Përgjigju
  • Vali: 10/02/2022 21:46

    Po ky valentin preci si ka mundesi akoma qendron.Prokuror me te korruptum e me bigjozgji ska me pas me tirana..

    Përgjigju
  • llogaritari: 10/02/2022 19:44

    118 pro lesh eli 4 vota abstenim bejne 122 parlamenti ka 140.dmth shpellari i vicidollit kopil serbi ka 18 deputete e kuptoni o njerez pse nuk behet Shqiperija? ka akoma njerez qe votojne mallkimin e vendit mbas vitit 1990 ...e qe pjesa tjeter e opozites ka njerez si kryetar lulen salibabalen griden e salibabales elibajgen tabak-halabaken etj etj etj e ed rama do ngordhi km me keta legena kriminele

    Përgjigju
  • KASEM KASAP Rexhep Bule Leka [ kepi ]: 10/02/2022 18:13

    O mor dopjo e dashur o mir Dash sa më je trashur duke hongur paçe derri e tu pi raki manaferi. O e mjera Shqipëri që po pret me dal në drit me dopjo Dashin adash kompket i trash që ka 30 vjet që na tregon si Shqipria demokracin bon. Obobo o lele o e shkreta Shqipëri si ka përfundu me Dashin dru.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?