TIRANË-Pas gati 10 orësh seancë parlamentare, Kuvendi ka miratuar me 76 vota pro dhe 34 kundër raportin e mazhorancës për Komisionin hetimor të inceneratorëve. Ndërkohë që raporti i opozitës i paraqitur nga Jorida Tabaku është rrëzuar me shumicë të cilësuar duke mos marrë as votat e vetë opozitës në kuvend. Raporti i PD-së është rrëzuar me 27 vota pro, 84 vota kundër dhe 0 abstenim.
Nuk dihet ende se si kanë votuar deputetët, por gjykuar nga numri i votave mendohet se grupi i Berishës dhe LSI të kenë votuar kundër raportit të PD për Komisionin hetimor të inceneratorëve, të cilët shpesh kanë hedhur akuza duke e cilësuar si një komision fals që nuk ka për qëllim zbardhjen e të vërtetës.
Hetimi parlamentar për inceneratorët ishte në qendër të diskutimeve në Kuvend ditën e sotme, pasi opozita dhe mazhoranca, lexuan raportin përfundimtar të Komisionit Hetimor për Inceneratorët. Kryedemokrati Lulzim Basha nga foltorja e Kuvendit deklaroi se komisioni hetimor faktoi aferën më të madhe korruptive me plehrat, e sipas tij qeveria ka miratuar brenda 8 orësh 17 vendime për të bërë fshehurazi procedurat për Inceneratorët. Basha u shpreh se një person i vetëm pa asnjë eksperiencë, përveç faktit që sipas tij ka qenë anëtar i bandës së Lushnjes, përfitoi koncesionin për inceneratorët. Tashmë sipas Bashës, topi do të jetë në SPAK.
Por ndryshe nga Basha, ministri Ahmetaj tha se shuma e paguar nga shteti ka qenë vetëm 55 mln euro, ndërsa për Tiranën nuk ka marrë mbështetje buxhetore. Deri në vitin 2013, shtoi Ahmetaj, Shqipëria ishte një mal plehrash. Nga ana tjetër, kryetarja e Komisionit Hetimor për Inceneratorët, Tabaku, tha gjatë fjalës së saj se gjatë veprimtarisë së Komisionit Hetimor u faktua se kompanitë koncesionare nuk kanë pasur kapacitetet financiare për ndërtimin e tre landfilleve dhe inceneratorëve.
Në fillim të seancës plenare deputeti socialist, Erion Braçe është shprehur se qeveria i ka mekanizmat e duhur për të ulur çmimin e naftës, në një kohë kur ajo ka arritur në nivelet maksimale historike, teksa i ka bërë thirrje Autoritetit të Konkurrencës që të mos bëjë sehir. nga ana tjetër, në fjalën e tij në Kuvend, Braçe tha se qeveria duhet të marrë masat sa më shpejt të jetë e mundur që të nxisë prodhimin kombëtar, pasi në të kundërtën përveç rritjes së çmimeve, vendi ynë do të përjetojë edhe një krizë ushqimore.
Kuvendi ka miratuar edhe projektligjet e tjera të parashikuara në rend dite.
1-Akt normativ nr. 1, datë 9.2.2022 “Për disa ndryshime (amendimi i tretë) në tekstin e marrëveshjes për prodhimin e furnizimin, nga dhe ndërmjet PHIZER EXPORT B.V., ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik, miratuar me aktin normativ nr. 3, datë 18.1.2021, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar””.
2-Projektligj "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin Evropa krijuese (2021-2027)"
3-Projektligj "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, për sigurime shoqërore"
4-Projektligj "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për rregullat e regjimit të trafikut lokal të kufirit"
5-Projektligj “Për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve”
Kuvendi nuk ka miratuar raportin e PD-së të Komisionit Hetimor për Inceneratoërt. Raporti ka marrë 27 vota pro, 84 vota kundër dhe 0 abstenim. Kuvendi ka miratuar raportin përfundimtar të PS-së, 76 pro, 34 kundër.
Kjo duket se edhe opozita ka votuar kundër raportit të Tabakut
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka akuzuar Jorida Tabakun sot në seancën plenare, e cila tha se raporti i Komisionit Hetimor për mbetjet ishte 40 faqe.
Balla sapo mori fjalën nga foltorja e Kuvendit deklaroi se Jorida Tabaku gënjeu për raportin kur tha që është 40 faqe, sepse në të vërtetë raporti është 88 faqe.
Balla ka ironizuar Tabakun, duke theksuar se ajo i ka marrë Lulit vesin e gënjeshtarit.
“Znj. Tabaku më fal, por pse gënjen? Sapo thatë që raporti i Komisionit htimor është 40 faqe. E kanë të gjithë përpara dhe po ti numërosh janë 88 faqe nuk janë 40. Tani o është sëmundje ngjitëse kjo puna e sa është ora. Edhe kur e pyet Lulin sa është ora të gënjen.
Tani kur gënjen edhe për numrin e faqeve të raportit, sepse nuk gënjeve për një apo dy faqe, por i hoqe gjysmën.
Tani kur gënjen edhe për këtë si ka mundësi që duhet të të besojmë për gjithë këtë histori që do mbahet mend si Komisioni Hetimor “Duam Plehrat Tona”.
Ngritët një komision ku kërkoni na ktheni plehrat, ku janë plehrat, nuk rrini dot pa plehrat. Natyrshëm që ajo shprehja ‘u mbars mali dhe polli një mi’ është edhe tek raporti që ju gjoja keni paraqitur. Duhet ta ndajmë këtë, Kuvendi do të dalë me një raport, ai që do të miratojë Kuvendi sot.
Në këtë këndvështrim duhet të jetë e qartë që ka ardhur koha që të ndryshojë ligji për komisionet hetimore. Nuk ndodh që Kryetari i Komisionit është Prokurori që pret fletë arreste.
Nuk është e shkruar askund kjo dhe nuk ekziston. Ndërkohë që Kryetari i Komisionit duhet të jetë i pari që të respektojë parimet e prezymimit të pafajësisë, të mos intimidimit të dëshmitarëve dhe e shumë e shumë thyerjeve të tjera të normës parlamentare që ndodhën gjatë këtij komisioni”, deklaroi Balla.
Sipas Ballës, sapo Kuvendi ta miratojë ky dokument i duhet vendosur në dispozicion të gjitha organeve të tjera dhe merita i takon kolegëve të maxhorancës të cilët kanë sjellë para Kuvendit një dokument shterues të, sqarues të arsyeve dhe të objektit real të këtij komisioni hetimor.
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, nga foltorja e Kuvendit i kërkoi SPAK të hetojë 'aferën e inceneratorëve'. Tabaku tha se të gjithë personat që kanë firmosur për këtë 'aferë janë grup i strukturuar kriminal'.
"Buxheti i shtetit ndodhet në një risk të paprecedentë për shkak të vendimeve korruptive. Kompanitë e inceneratorëve kanë përdorur fatura të fryra për impiantin. Inceneratori i Fierit dhe Elbasanit me çelësa në dorë 12 mln janë zhdoganuar 4.5 mln euro dhe 7 mln euro. Kush është përgjegjës për këtë? Janë 23.4 mln euro transferta kapitali nga jashtë. Janë krijuar kompani fiktive që kanë mashtruar me tvsh. 37.8 mln euro janë këto fatura fiktive. I kam kërkuar organit të akuzës të marrë masa kundrejt atyre që kanë pastruar para. Parlamenti ka për detyrë t'ja vendosë faturat dhe librat e shit-blerjes në dispozicion të prokurorisë. Janë marrë kontratat koncensionare dhe janë përdorur si kapital në bankë. Të gjithë e kanë para syve se çfarë ka ndodhur me këtë aferë dhe çdo person që ka firmosur për çdo procedurë, quhet grup i strukturuar kriminal. Kur SPAK të flasë, besoj se qytetarët do gjejnë qetësi", tha ajo.
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri duke folur në Kuvend për raportin e Komisionit Hetimor për impiantin e mbetjeve urbane tha se, Komisioni hetimor ishte qesharak.
“Akuzat e ngritura qoftë për qeverinë por edhe ndaj personit tim, pata mundësinë t’i çmontoj në mënyrë të qetë para komisionit hetimor. Në fund ky komision prodhoi një fletë rrufe politike dhe i shndërroi kolegët deputetë në prokurorë, të cilët ngritën akuza qesharake duke e çmontuar dhe kauzën e tyre politike, që mendonin se e kishin ngritur mirë”, tha ai.
Gjiknuri vuri në dukje se raporti që ka përgatitur ky Komision, tregon qartë që e kanë bërë copa copa njerëz të ndryshëm të cilët janë nxitur të prodhojnë një trakt politik, ndërkohë që nga ana tjetër, ato vepra pavarësisht nga akuzat që janë ngritur, nuk mund t’ju mohohet vlera e tyre.
“Emri im është futur qëllimisht nga kreu i Partisë Demokratike për të njollosur emrin e Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, sepse roli im është minimal dhe i papërfillshëm”, deklaroi ai, teksa vuri në dukje se “ai Komision u ngrit sfond i zhvillimeve të tjera politike nga PD .Dilni këtu dhe thoni është dhënë një koncesion i fshehtë nga Gjiknuri për 25 vjet, ndërsa aty ka një shkresë një autorizim të qartë me bazë ligjore. Trakti që prodhoi ai Komision provojë falsitetin e gjithë akuzave dhe dështoi dhe sfondin për të cilën e zhvilluat, për t’i dhënë oksigjen një partie që fatkeqësisht po shkërmoset përditë dhe nuk ju vlejti as për fushën e 6 marsit”, deklaroi Gjiknuri.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka bërë me dije se pas raportit të opozitës për inceneratorët, do të kallëzoj në SPAK një sërë zyrtarësh, të cilët sipas tij nuk duhen gjykuar të ndarë, por si një grup të strukturuar kriminal.
"Do të përgatisim në kallëzim për grup të strukturuar me në krye kryeministrin, në sytë e shqiptarëve janë para një prove të madhe, di që e kanë të vështirë për shkak të presionit, se është nga ato afera që kanë rrëzuar qeveri, është bashkim i të korruptuarve është një grup i strukturuar kriminal. Ky është një krim i shumëfishtë dhe për këtë duhet mbajtur përgjegjësi, ky është një test i jashtëzakonshëm, mbështetje për SPAK, por për një hetim të plotë, jo i disa individëve, por si grup i strukturuar kriminal. Ndaj siç do e dëshmojmë dhe me kërkesën që do niset brenda ditësh, duam të besojmë e që SPAK do e trajtoj jo si një aferë të izoluar, por grup i strukturuar kriminal, kjo qeveri e rrëzuar moralisht, ekonomikisht, ne kemi një vizion, për ta nxjerrë vendin nga kriza, përtej interesit dhe besimit tonë se ne dimë dhe duam ta bëjmë vendin një vend më të mirë për të jetuar, e vetmja që e ndal këtë është presioni politik ndaj SPAK dhe e kanë nisur, është detyra jonë të qëndrojmë në krah të SPAK, paguheni me taksat e shqiptarëve me paga shumë të larta, fitojeni këtë besim, bëni këtë akt që do jetë një kontribut i jashtëzakonshëm, ku ka pasur akuza, por pa përgjegjës, ne do të vëzhgojmë nuk do jemi indiferencë, por nuk do pranojmë që 430 mln euro të degjenerojnë në procese të shkëputura dhe me ndonjë kurban", tha Basha.
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, teksa i është përgjigjur Lulzim Bashës për fjalimin e tij në Kuvend për inceneratorët shpjegoi edhe çfarë ndodhi sipas saj në zgjedhje e 6 marsit.
"Ishin dy shokë, Luli dhe Saliu! Luli që hipi mbi plehun dhe i duk vetja i fortë, Saliu që hipi mbi Lulin dhe sërish mbeten një minorancë në këto zgjedhje. Ky është thelbi i rrenave. Tani që jemi në këtë epilog, e nisim nga prologu. Ky komision hetimor u pranua nga ne edhe pse kur një çështje është në hetim ajo nuk mund t'i nënshtrohet një hetimi parlamentar.
Qytetarët e kuptojnë shumë mirë se ky komision hetimor dhe dhunimi i hapur i të drejtave provuan mungesën e dëshirës së opozitës për të zbardhur të vërtetat. A mund të jetë e interesuar një opozitë që vetë personat që ka ftuar për ta ndihmuar i akuzon si prokurore publike qesharake. A mund të jetë e interesuar për të vërtetën kjo opozita kur përfundimet e Komisionit Hetimor janë po të njëjtat që i ngriti. Qeveria u përgjigj për të gjitha pyetjet. U vumë në dispozicion të komisionit", tha Spiropali.
Nga foltorja e Kuvendit, kryetari i Partisë Demokratike foli për hetimin e Komisionit për Inceneratorët. Basha tha se brenda 8 orësh qeveria ka miratuar 17 vendime për të bërë fshehurazi procedurat për Inceneratorët duke i dhënë mundësinë dikujt të garojë pa garë.
“Je keni dëgjuar me dokumente fakte prova që ne kemi disponuar. Janë mbledhur tre shokë. Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe parafolësi (Arben Ahmetaj). Kanë shkuar te kryeministri i kanë thënë është ky biznesmeni i plehrave. Gjërat kanë shkuar fjollë duke hedhur poshtë investimin e qeverisë gjermane dhe banka botërore. E kanë parë reagimin publik të Partisë Demokratike dhe pastaj kanë procedura në fshehtësi. Si e tregon fakti që brenda 8 orëve kanë miratuar 17 vendime. Që t’i jepet dikujt pa garë mundësia të garojë. Dhe pastaj me një skemë krejt tjetër i njëjti person përfitoi 23 mln euro me Inceneratorin e Fierit. Burra 60-vjeçarë në komision nuk e shpjegonin dot pse kanë hedhur firmën”, tha Basha.
Basha u shpreh se është e pamundur ta bëjë këtë një person i vetëm pa asnjë eksperiencë përveç faktit që sipas tij ka qenë anëtar i bandës së Lushnjes.
“Një aferë që në tërësi është gdhehur në kokat e çdo shqiptari. 430 mln euro. Shqiptarët e kanë kuptuar. A ka mendje që të mos e kuptojë këtë çështje. Është e pamundur që një njeri i vetëm pa asnjë përvojë përveç asaj që ka pasur si anëtar i bandës së Lushnjes. Papritur u bë zgjidhësi i madh i problemit të plehrave në Shqipëri. Pse ka krijuar dhjetëra kompani”, deklaroi ai.
Në Kuvend po diskutohet për raportin e Komisionit Hetimor për Inceneratorët, ku foli edhe ministri Arben Ahmetaj. Ahmetaj tha se deri në 2013 Shqipëria ishte një mal plehrash. Sipas Ahmetajt, shuma e paguar nga shteti ka qenë vetëm 55 mln euro, ndërsa për Tiranën nuk ka marrë mbështetje buxhetore.
'Shqipëria në 2013 ishte katandisur në mal plehrash. Kjo mazhoranca e sotme nisni një pastrim të territorit të ambientit që nuk ka përfunduar akoma. Impiantet janë aty dhe vazhdojnë të punojnë. E pavërteta më e madhe, shifra se janë vjedhur 430 mln euro. Shuma e paguar nga buxheti i shtetit është 55 mln euro, e faktuar nga ato që kanë dalë nga thesari i shtetit. Koncesioni i Tiranës nuk ka pasur nevojë për mbështetje buxhetore. Qeveria ka bërë transferta në mbështetje të bashkisë së Tiranës për menaxhimin e mbetjeve. Ju kuptoj kur godisni politikisht, prisnit të shkrihej mazhoranca, por nuk ndodhi. Unë mezi prisja atë komision që të thotë të vërtetën siç është.'- u shpreh Ahmetaj
Në seancën e sotme plenare në Kuvend, kryetarja e Komisionit Hetimor për Inceneratorët Jorida Tabaku është ndalur tëk afera e inceneratorëve. Gjatë fjalës së saj Tabaku theksoi se kompanitë koncensionare, siç rezultojnë nga dokumentet zyrtare, nuk kanë pasur kapacitetet financiare për ndërtimin e tre landfilleve dhe inceneratorëve. Tabaku tha se nga sot SPAK ka përpara një raport me mbi 100 faqe dhe se shqiptarët presin drejtësi.
‘Kompanitë që kanë fituar kontratat koncensionare për ndërtimin e landfill+incenerator në Elbasan, Fier dhe Tiranë, nuk kanë pasur asnjë përvojë në fushën e përpunimit dhe incenerimit të mbetjeve urbane. Nga sot, SPAK ka përpara tij një raport mbi 100 faqe, mbi 60 orë dëgjesa publike të këtyre funksionarëve të lartë dhe jo vetëm. Prej kohësh, shqiptarët presin drejtësi që në një farë mënyre iu është mohuar, prej kohësh qytetarët presin të shohin nga ju rezultat për atë që u është premtuar. Tani është koha juaj të na jepni rezultatet për të cilat shqiptarët por edhe partnerët tanë strategjikë ju kanë krijuar dhe ju sponsorizojnë.
Çështja e inceneratorëve nuk është një çështje jashtëzakonisht e vështirë, por dhe në qoftë e tillë falë këtij Komisioni Hetimor që kam drejtuar me gjithë energjinë dhe seriozitetin që i takon Parlamentit është thjeshtuar aq shumë saqë shumë shqiptarë e kanë të qartë. Sytë janë nga ju! Jeni ju tanimë në sitën e provës jo për t’i provuar opozitës të drejtën apo mazhorancës gabimin! Nuk është kjo arsyeja përse jeni krijuar! Ju duhet t’i tregoni shqiptarëve që të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe mos të shndërroheni si gardiani i portës së ligjit në tregimet e Kafkës. Ka ardhur koha të na tregoni se nga çfarë stofi jeni! Shqiptarët po presin!’- tha Tabaku.
Tabaku tha se komisioni hetimor faktoi se grupi i strukturuar kriminal i mori padrejtësisht taksapagueseve shqiptarë shumën e 430 mln euro.
‘Në dhjetorin 2013 një vendim i qeverisë krijoi një komitet Ndërministror të përbërë nga zëvendës ministra që do të ishte hapi i parë për krijimin e terrenit për veprimtarinë e këtij grupi të strukturuar kriminal që si qëllim kishte vetëm që me anë të mashtrimit, duke krijuar situata të pavërteta, duke shfaqur shenja të qarta të korrupsionit në çdo strukturë qeverisëse të përfshirë, abuzimit me detyrën dhe pastrimit të parave që i janë marrë padrejtësisht taksapagueseve shqiptarë shumën e 430 mln euro
Grupi strukturuar kriminal 430 mln euro nuk mund të ishte kaq i suksesshëm nëse në mesin e tyre nuk do të kishte të përfshirë nivelet më të larta të politikës dhe shtetit, duke filluar nga kryeministri Edi Rama, ministrat Ahmetaj, Gjiknuri dhe Koka, sekretarët e përgjithshëm Agaci dhe Bllako, kryebashkiakët Veliaj, Sejdini dhe Subashi, dhe një zinxhir të tërë zyrtarësh publikë, që me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë lejuar vjedhjen galopante të parave të shqiptarëve.’- tha Tabaku.
Teksa po prezantonte raportin përfundimtar të Komisionit Hetimor për inceneratorët në Kuvend, deputetja demokrate u ka tërhequr vëmendjen kolegëve të saj, të cilët siç duket janë përfshirë në një debat mes tyre.
‘Unë u këkroj kolegëve demokratë, ju lutem e di që ka gjëra shumë të rëndësishme për të debatuar, por kjo është puna e Partisë Demokratike për 4 vite.’- tha Tabaku, e cila kërkoi vëmendjen e kolegëve.
Pas zgjedhjeve të 6 marsit, disa deputetë të PD-së i kanë kërkuar Bashës largimin si kryetar i PD-së.
Deputeti socialist Erion Braçe i ka bërë thirrje qeverisë që të marrë masa për të nxitur prodhimin kombëtar, pasi sipas tij nëse kjo nuk do të ndodhë, vendi ynë do të përjetojë jo vetëm krizë çmimesh, por edhe ushqimore.
Erion Braçe: Kërkojë të bëhhet interpelanca. Janë tematike ka një afat me procese konkrete, njëra me burimet ujore dhe nevojën për vaditjen në bujqësi në këtë periudhë dhe sezoni fillon për 20 ditë dhe tjera mbështetje buxhetore, ka problematika që duhet folur këtu në parlament për të përmirësuar dhe ndrequr dhe për t'i ardhur në nevojë njerëzve, planifikoni këto interpelanca sa kohë ka problematika nga njerëzit dhe duhet të ketë një përgjigje nga qeveria, tani jemi në mes të një krize që do jetë edhe krizë ushqimore, që na nevojitet bujqësia kombëtare dhe prodhimi kombëtar tani.
Kryetarja Lindita Nikolla: Janë dakordësjuar më përfaqësuesit të Këshillit të Ministrave për t'u bërë në seancën e datës 17 mars
Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe tha se qeveria i ka mekanizmat për të ulur rritjen e çmimit të naftës në vend.
‘Problemi është çfarë u mjafton njerëzve jo mua. Unë eci dhe në këmbë. Unë mendoj se po, ka mekanizma qeveria për uljen e çmimit të naftës. Unë jam kundër protestës, politika fiskale nuk bëhet në rrugë. Përgjegjësinë sociale për shtresat në nevojë, për bujqit, për shtresën e mesme, duhet ta mbaj shteti, jo tregtarët. Nuk do ti bashkohem protestës së qytetarëve. Ka aty njerëz që kanë dhënë kontribut domethënës në grabitjen e burimeve të gazit dhe naftës. Ka hajdut banal aty dhe ju si pyesni sepse tani bëjnë si civilistë. Me autoritetin e Konkurencës unë kam ndërprerë çdo lloj marrëdhënie. Përgjegjësia është e tyre! Të rritet çmimi nga darka në mëngjes me 40 lekë dhe autoriteti i Konkurencës të rri të bëj sehir kjo është e papranueshme!'- tha Braçe.
SA shume hajdute qe paska shqiperia,,,,nuk po lene leke per asnje gje....
PërgjigjuNga një mal plehrash në një vjedhjesh dhe grabitjesh…!!!
PërgjigjuDuhet ta mendojn mire politikanet situaten sepse kur te ngrihet populli i mori lumi gjith.Nuk ka polici as ushtri qe ndal nje popull kur humbet durimin
PërgjigjuQeveria te ule cmimin ne 1000 leke/litri ,,,ose edi rama te jape doreheqjen....
PërgjigjuTe drejt ka brace ca i paguajm inspektoret e shtetit me mar rrogen nzyra e me bredh nkafe n kafe pse nuk i kontrollojn kastratin gegen etj sa sa nafte kan pas sa nafte moren me sa lek e moren litrin me sa lek po e shesin direkt del abuzimi po sdo tja dij njeri tallin bythen karburantet kurriz tnjerzve
Përgjigju