Politikë

Shqipëri-Kosovë në Elbasan/ Rama: 110 vjetori i Pavarësisë na gjen me abetaren e unifikuar në të gjitha trojet! Shqiptarët të studiojnë, punojnë e dalin në pension në të dy anët e kufirit (VIDEO)

26 Nëntor 2021, 07:19| Përditesimi: 26 Nëntor 2021, 19:07

  • Share

Nga Elbasani kryeministrat Edi Rama dhe Albin kurti përsëritjen qëndrimin e 2 qeverive, të Shqipërisë dhe Kosovës, se marrëdhënia mes 2 vende është speciale dhe kësaj duhet t'i përgjigjet edhe niveli i bashkëpunimit.

Në nisje të mbledhjes së përbashkët të 2 qeverive në Elbasan fjalën i pari e mori Kryeministri Rama, i cili tha se gjithçka po bëhet për të shkuar drejt një tregu të përbashkët, ku shqiptarët të jetojnë, studiojnë, punojnë dhe të dalin në pension në të dyja anët e kufirit. Rama dha edhe lajmin e mirë se vitin e ardhshëm do të bëhet gati një abetare e unifikuar për të gjitha trojet shqiptare.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e quan detyrë të lartë bashkëpunimin dhe mbrojtjen ndaj njëri-tjetrit. Ai tha se rruga e rritjes së bashkëpunimit dhe afrimit duhet të jetë më e shpejtë.

Rama në mbledhje prezantoi edhe protokollin e bashkëpunimit mes dy qeverive për krijimin e sekretariatit ndërkoordinues. Ky mekanizëm do të monitorojë zbatimin e marrëveshjeve. Bazuar në këtë protokoll, sekretariati ka për detyrë të informojë në mënyrë periodike dhe të prezantojë analizën e progresit të zbatimit të marrëveshjes së lidhura mes palëve. Më pas do të informojë në kohë reale zyrat përkatëse lidhur me problematikat që shfaqen për marrëveshjen apo përmbushjen e angazhimeve. Sekretariati koordinues, bashkëpunon ngushtësisht dhe koordinon aktivitetin institucional të të dyja palëve jo vetëm në nivelin ministror, por edhe në nivelin e organizatave apo shoqatave që kanë ndërveprim të angazhuar mes dy vendeve.

Kjo është mbledhja e 7 e përbashkët e dy qeverive, ndërsa mbledhja e parë u zhvillua më 11 janar të vitit 2014. 15 marrëveshje pritet të firmosen sot mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë gjatë mbledhjes së përbashkët që do të zhvillohet në Elbasan.

Mes marrëveshjeve që u firmosen janë ajo për heqjen e lejeqëndrimit të përkohshëm për qytetarët e të dy vendeve, njohja e sigurimeve shoqërore dhe për lehtësira të ndërsjella në procedurat doganore të hyrje/daljes së mallrave.

Marrëveshjet e përbashkëta të nënshkruara:

1. Protokoll bashkëpunimi ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për krijimin e Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar.

 Nënshkruesit: Z. Edi Rama dhe Z. Albin Kurti

2. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e lehtësirave të ndërsjella në procedurat doganore dhe/ose të kontrollit të hyrje/daljes së mallrave.

Nënshkruesit: Z.Edi Rama dhe Z.Albin Kurti

3. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për lehtësimin e procedurave dhe kushteve për marrjen e leje qëndrimit të përkohshme.

Nënshkruesit: Z. Bledar Cuci dhe Z. Xhelal Sveçla

4. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për rregullat e regjimit të trafikut lokal të kufirit.

Nënshkruesit: Z. Bledar Cuci dhe Z. Xhelal Sveçla

5. Marrëveshje ndryshuese e Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës) –Krushevë (Dragash) midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.

 Nënshkruesit: Z. Bledar Cuci dhe Z. Xhelal Sveçla

6. Marrëveshje për sigurime shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.

 Nënshkruesit: Znj. Delina Ibrahimaj dhe Z .Hekuran Murati

7. Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Republikës së Kosovës për ndërtimin e lidhjes hekurudhore Durrës-Prishtinë.

 Nënshkruesit: Znj. Belinda Balluku dhe z. Liburn Aliu

8. Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Republikës së Kosovës në fushën e njohjes dhe njësimit reciprok të diplomave, certifikatave dhe gradave shkencore të lëshuara nga institucionet e arsimit të lartë dhe institucione të tjera të autorizuara.

Nënshkruesit: Znj. Evis Kushi dhe znj. Arbërie Nagavci

9. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe tregtare.

 Nënshkruesit: Z. Ulsi Manja dhe Znj.Albulena Haxhiu

10. Kalendari i përbashkët Kulturor Vjetor Shqipëri-Kosovë, për vitin 2021-2022.

Nënshkruesit: Znj. Elva Margariti dhe Z.Hajrulla Çeku

11. Marrëveshje për bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës në fushën e trashëgimisë kulturore dhe muzeve.

Nënshkruesit: Znj. Elva Margariti dhe Z. Hajrulla Çeku

12. Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e bujqësisë ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës.

Nënshkruesit: Znj. Frida Krifca dhe Z. Faton Peci                                                                       

13. Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve të Republikës së Kosovës.

Nënshkruesit: Znj.Ogerta Manastirliu dhe z. Hekuran Murati

 

 

Ora 14:32
Rama pas marrëveshjes me Kurtin: Mirë BE nuk i integron delet tona, por e tepërt të mos e bëjmë ne me njëri-tjetrin

Gjatë takimit të përbashkët të zhvilluar me përfaqësuesit e bizneseve të Shqipërisë dhe të Kosovës, kryeministri Edi Rama foli për marrëveshjen e ndërsjellë të certifikatave veterinare dhe fito-sanitare. Rama nuk e kurseu humorin ku tha se është e tepërt që të mos integrojmë delet e njëri-tjetrit, ndërkohë që BE nuk na i integron.

“Më në fund njohja e ndërsjellë e certifikatave veterinare dhe fito-sanitare. Mirë problemi që kemi me BE-në që nuk na i integron delet tona, por që ne mos integrojmë delet e njëri-tjetrit? Dhe për të çuar delet nga Shqipëria në Kosovë, apo Kosova në Shqipëri të kemi të njëjtin problemi siç kemi për të çuar në BE kjo është pak si e tepër. Natyrisht është edhe një burim humori me Albinin. Por është një humor nga e keqja, por tani e kemi hequr nga rruga. Me njohjen e ndërsjellë të certifikatave veterinare të gjitha produktet shtazore do jene me regjim të liberalizuar. Nëse e merr në Kosovë certifikatën ajo do jetë e vlefshme edhe në Shqipëri”, tha Rama.

Ora 12:33
Pusulla që e detyroi Ramën të mbyllte mbledhjen: Me diktatorin negociohet, me këta jo

Mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive Kosovë dhe Shqipëri, Kryeministri Rama 'u detyrua' ta ndërpriste për shkak të një 'pusulle' që i erdhi në dorë me ‘vërejtje’ me shkrim nga protokolli, ku e kujtonte se ishin vonë.

Rama me batutë tha duke mbyllur fjalën e tij: "Thotë një fjalë që kush është ndryshimi midis diktatorëve dhe shefave të protokollit. Me diktatorët edhe negociohet. Mora këtë pusullën nga protokolli dhe më thanë të që nxitojmë se jemi prapa me orën. S’po zgjatem. Jam i bindur që nëse do të kemi një vullnet që nuk na mungon, por edhe organizmin e ri me sekretariatin që sot kemi miratuar në funksion të plotë. Dhe nëse ministrat nga të dy anët, do të jenë të hapur dhe të angazhuar për të bashkëpunuar me sekretariatin, do të kemi këto rezultate dhe jo me vonesa".

Ora 11:39
Ministri i Kosovës nuk e fsheh lumturinë: Kam qenë në shkollë me Evis Kushin, do pijmë kafe me shokët dhe shoqet

 

Ministri i Infrastrukturës dhe Kosovës, Liburn Aliu, edhe një herë tjetër e ka përmendur rastësinë e bukur që ka qenë shok klase me ministrin e Arsimit në Shqipëri, Evis Kushi.

Në fjalën e tij sot në në mbledhjen mes dy qeverive, foli për marrëveshjet që do të nënshkruhen mes dy vendeve, Aliu tregoi se sot do të mblidhet për të pirë kafe me shokët e klasës!

“Kjo do të ishte e një rëndësie të veçantë. Po nënshkruajmë këtë memorandum në Elbasan, ku kam qenë në shkollë me Evis Kushin dhe mbase mblidhemi për të pirë kafe me shokët tanë të klasës dhe kjo ma shton gëzimin e këtij nënshkrimi”, u shpreh ministri Aliu.

Ora 11:22
Hekurudha Durrës-Prishtinë, ministrat e Infrastrukturës së Shqipërisë dhe Kosovës: Nxit ekonominë e dy vendeve  

Dy ministrat e Infrastrukturës, ajo e Shqipërisë Belinda Balluku dhe a i Kosovës, Liburn Aliu e cilësoi ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë një nxitje të ekonomisë për të dy vendet dhe akses më të madh të qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës për të lëvizur.

Liburn Aliu: Kjo hekurudhë është shumë i favorshëm krahasuar me linjat e tjera duhet të shtohen edhe element që  lidhin koridorin blu dhe i gjithë ky qarkullimi i  mallrave do të bëhet nga Shqipëria në Kosovë dhe më pas me vendet rreth e qark, kjo ka rëndësi.  

Belinda Balluku:  Të alokojmë fondet për këtë studim fizibilieti për hekurudhën Durrës-Prishtinë. Hekurudhat janë mënyra e transportit më eficente dhe më miqësore ndaj ambinetit. Kjo hekurudhë do të nxis dhe rrisë volumin e tregtisë mes dy vendeve tona. Porto Romano do jetë një nga portet më të mëdha dhe modern, ku Kosova është vendi që Shqipëria ka pasur rritje të eksportit të mallrave me 48.2 % . Porti ekzistues kthehet në një nga marinat më të mëdha në Mesdhe, ku do të jetë edhe një portë turizmi për të shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës. hekurudha do të lidhe edhe portin e ri të Durrësit me Prishtinën duke i dhënë akses të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Ora 11:21
Kamera në pikat kufitare Shqipëri-Kosovë, që makinat të mos ndalohen! Asnjë kontroll dhe pengesë për datën 28 nëntor

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, gjatë mbledhjes së përbashkët mes dy qeverisë Kosovës dhe Shqipërisë, bëri me dije se është dhënë porosi në pikat e kalimit kufitar me Kosovën që të mos ketë asnjë kontroll e asnjë pengesë për kalimet e automjeteve.

“Sa i takon flukseve që do jenë të mëdha e jo të zakonshme duke përfshirë dhe festën kombëtare të datës 28 ku lëvizja do jetë me një fluks të shtuar kemi dhënë porosi në dy anët e kufirit që mos ketë kontrolle e asnjë pengesë për qarkullimin e shtetasve për periudhën e fundjavës së gjatë që krijon festa e 28 nëntorit”, tha ministri i Brendshëm.

Nga ana tjetër ministri, tha se përpara fillimit të sezonit të ardhshëm veror, në kufi me Kosovën do të vendoset një sistem kamerash që do lexojnë përmes targës të dhënat e automjetit pa pasur nevojë që ato të ndalojnë.

‘Nga ana tjetër, nuk është pjesë e marrëveshjes, por me kërkesë të kryeministrit të Shqipërisë dhe Kosovës, kemi marrë masat dhe nuk do të presim sezonin e verës sidomos në pikën kryesore të kalimit mes vendeve tona, kemi rënë dakord me ministrin e Brendshëm të Kosovës që do të vëmë një sistem kamerash në kufi dhe qarkullimi do të bëhet pa ndalim dhe kamerat do të regjistrojnë çdo gjë përsa i përket identitet të makinës që kalon përmes leximit të targës dhe çdo gjë do të jetë automatike pa pasur nevojë fare të ndalojë në kufi. Kemi bërë edhe planin e punës dhe do të jetë shumë më shpejt sesa fillimi i sezon. Çdo gjë do të jetë automatike.- u shpreh Çuçi.

Ora 11:09
‘Hiqeni këtë lejen 5 vjet, mos ta heqim me votë këtu’, Rama kërkesë ministrave të Brendshëm: Është pengesë psikologjike

Një nga marrëveshjet e nënshkruar sot mes dy qeverive Shqipëri-Kosovë,  është edhe ajo për lejeqendrimet ku të gjithë shtetasit e Kosovës do të mundë të marrin lejen pesëvjeçare të qëndrimit në Shqipëri vetëm me një aplikim të thjeshtë dhe e anasjellta.

Kryeministri Edi Rama, u kërkoi dy ministrave që ta heqin këtë 5 vjeçar dhe të mos vendosin një pengesë.

Rama: Një pyetje kam se gjithmonë e kam këtë kuriozitet sesi funksion racionalja e një ministri të Brendshëm, pse e bëni këtë lejen 5 vjet prsh. Do martohen njerëzit dhe pas 5 vitesh do të vijnë prap tek ju që të konfirmojnë që janë bashkë, pse nuk e hiqni këtë 5 vjeçarin? E marrin lejen për tu martuar nga familjarët përkatës, ju njoftojmë se jeni martuar. Në këtë njoftim ju jepni lejen e qëndrimit e pse duhet të vijnë sërish pas 5 vitesh.

Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Svelça: Në rastin që ju përdorët, patjetër që nuk do të ketë nevojë, dmth për shembullin e martesës. Leja e 5 vjeçarit do të vlejë për studentët, për të punësuarit. Atij do t’i zgjatet leja, nuk nënkupton heqje.

Rama: Hiqeni këtë, leje pse e mbani. Është pengese psikologjike. Pasi nëse e heqim në votë, do të dilni në minorancë ju të dy.

Çuçi: S’ka nevojë për votë, se i shtojmë një zero dhe e bëjmë 50 vjet.

Ora 10:53
Ministrat e qeverisë ‘Kurti’ mbërrijnë në mbledhjen mes dy qeverive në Elbasan me furgon

1637920786_1637920023Screenshot1.jpg

Ministrat e qeverisë së Kosovës, kanë mbërritur në Elbasan me furgon, për mbledhjen e sotme të përbashkët mes qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës. Siç shihet nga pamjet, ministrat e qeverisë ‘Kurti’ kanë vendosur që të përdorin mjet me kosto të lirë transporti.

Ora 10:40
Rama kërkesë ministrave: Marrëveshjet mos të mbeten vetëm në letër, janë prioritet dhe në krye të agendës së të gjithëve

Kryeministri Edi Rama u tregua i vendosur që të gjitha marrëveshjet e nënshkruara mes Shqipërisë dhe Kosovës të mos mbeten vetëm në letër, por të jenë prioritet dhe në krye të agendës së ministrave.

‘Koordinimi ngushtësisht mes nesh është themelor dhe besoj se këto marrëveshje që firmosim sot kanë një karakteristikë që nuk janë marrëveshje të radhës që rrezikojnë të mbesin në kalandat greke, kur i thonë, por janë të bazuara në arritjen e një përfundimi të përbashkët. Duhet të zbatojmë me shpejtësi ato masa që janë të qarta, nga të gjitha dakordësitë në letër të kalohet në një realitet tjetër në terren, hapësira e përbashkët të jetë realisht një hapësirë e përbashkët. Ajo që sot në finalizojmë, është krijimi i sekretariatit koordinues qeveritar i cili do të jetë një ndjekës në detaje, i cili do të raportojë pranë dy zyrave të kryeministrave për çdo mënyrë që haset rrugës, pasi duhet shpejtësi për të arritur rezultatet. Nuk ka qenë asnjëherë problemi politik.

Dua të theksoj diçka që me Albinin e kemi gjetur si emërues të përbashkët, të vullnetit për të ekzekutuar ato që vendosim. Sot nuk jemi në një mbledhje që ka gjithmonë peshën e vet simbolike, por përtej sot me vjen mirë që jemi në një mbledhje punësh konkrete të materializuara në punë konkrete, është prioritet që gjithçka që kemi vendosur të jetë në krye të agendës së punës së të gjithë ministrave përkatës, për të mos lejuar që në rrugën e zbatimit këto fjalë të nënshkruara të mbeten fjalë.’- tha Rama.

Ora 10:39
Rama: Do rrisim numrin e konsullatave të përbashkëta, linjëzojmë politikën e jashtme

Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria dhe Kosova do të linjëzojnë politikën e jashtme dhe të sigurisë duke rritur numrin e  konsullatave të përbashkëta.

"Në vitet e fundit kemi bërë përpjekje për të linjëzimin e politikave tona të jashtme dhe të sigurisë dhe sot kemi kuadrin ligjor për të rritur numrin e përfaqësive diplomatike të përbashkëta. Tani jemi në kushtet kur realisht kemi një mundësi që të hapim më shumë hapësira që shërbimet konsullore të Shqipërisë e Kosovës të zhvillohen ne godina të përbashkëta për qytetarët tanë jashtë dhe është një racionalizimi i shpenzimeve. Në këtë mënyrë paguajmë më pak për të hapur hapësirat dhe të mund të financojë më shumë për të zhvilluar aktivitete në funksion të mbajtjes gjallë të gjithë atyre nevojave që duhen adresuar në pjesën jashtë kufirit e me diasporat tona", tha Rama.

Ora 10:37
Albin Kurti: Bashkëpunimin dhe mbrojtjen ndaj njëri-tjetrit e kemi detyrë të lartë

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur nga Elbasani se Shqipëria dhe Kosova e kanë detyrë bashkëpunimin dhe mbrojtjen ndaj njëri-tjetrit.

"Bashkëpunimin me njëri-tjetrin e kemi për detyre, ashtu si edhe mbrojtjen e njëri-tjetrit. Jemi më shumë sesa 2 shtete për tu shpërqendruar. Duhet ta gjejmë thirrjen e përbashkët. Çdo e mirë e njërit shtet mund të përcillet te tjetri. Duhet të vrapojmë. Qartësia dhe veprimi i përbashkët na udhëzon vetë drejt rrugës. Hekurudha e përbashkët është rritje e rëndësisë së portit më të rëndësishëm të shqiptarëve. Ne jetojmë me fqinjët tanë që kemi të kaluar të përbashkët por edhe do ta ndajmë të ardhshmen. Ne po hapim pika kufitare të përbashkët. Po rrisim bashkëpunimin kulturor. Po rrisim bashkëpunimin në të gjitha fushat. Le të përshpejtojmë hapat e veprimit", tha Kurti.

Ora 10:34
Kurti: Të flasim si diplomatë dhe të punojmë si patriotë! Marrëveshjet që firmosim të gjejnë zbatim

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ha se marrëveshjet që janë firmosur mes dy qeverive duhet të gjejnë zbatim dhe se dy vendet duhet të punojnë si patriot dhe të flasin si diplomatë.

"Unë vij për herë të parë në takimin e përbashkët të qeverisë.  Mandatin e parë si kryeministër e mbajtja 4 muaj dhe këtë kamë bërë 8 muaj,pra jamë duke përparuar.  Të thuash se jemi të lumtur se jemi një komb i ndarë do të ishte marrëzi, të thuash se kemi dy shtete se jemi më të fortë është shkurtpamësi, e të thuash se do të bashkoheshim je nacionalist dhe të thuash se do të bashkohesh në BE do të shqyhesh për diplomat. Le të flasim si diplomat dhe të punojmë si patriot. Integrimi i dy shteteve tona është sa strategjik dhe parimor, numri i marrëveshjeve duhet të shoqërohet me cilësi në zbaritin e tyre. Si patriot duhet ti forcojmë të dy shtete tona, patriotizëm sot është të luftosh krimin, të punosh për lirinë e mediave dhe ekonomi gjithëpërfshirëse", tha Kurti.

 

Ora 10:28
Për 110 vjetorin e Pavarësisë, Rama: Të kemi një abetare të unifikuar mes Shqipërisë dhe Kosovës, e më tej kudo që mësohet shqip

Kryeministri Edi Rama tha gjatë mbledhjes së përbashkët që Shqipëria dhe Kosova, për vitin e ardhshëm, duhet të kenë një abetare të përbashkët e më pas edhe në të gjitha hapësirat ku fëmijët mësojnë shqip.

‘Dëshiroj të ndaj një gjë që e di që do të japë kënaqësi, ne kemi dakordësuar në qeveri, që të punojmë që në vitin e ardhshëm, që është edhe një vit jubilar, të kemi gati abetaren e unifikuar. Prej vitesh tanimë është një libër që bazuar në ligjin e arsimit që ne kemi është trajtuar si tekst, me shumë alternative. Jemi dakordësuar për një abetare, dua ta ndajmë së bashku këtë objektiv që të kemi një abetare unike të gjuhës shqip në Shqipëri e Kosovë, e më tej në të gjithë trojet. Na duhet një punë cilësore, për një libër të shenjtë për të gjithë shqiptarët. Të krijojmë një libër që të jetë i veçantë e me vlerë të caktuar.’- tha Rama.

Ora 10:26
 Rama: Lehtësojmë procedurat doganore për kontrollet e mallrave  

Kryeministri Edi Rama tha se me Kosovës është firmosur edhe marrëveshja për lehtësimin  e procedurave doganore për  kontrollin e mallrave në kalimin doganor.

"Nga ana tjetër jemi shumë të qartë se në dy anët kemi nevojë të përmirësojmë kushtet për hapjen e tregjeve dhe shtimin e ndërveprimit ekonomik e tregtare. Të integrojmë tregjet tona. Sot firmosim marrëveshje për të lehtësuar proceduarat doganore për kontrollit të mallrave që synojnë unifikimin e proceduara të kalimit doganor", tha Rama.

Ora 10:22
Rama: Kemi nisur studim fizibiliteti për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë

Kryeministri Edi Rama tha se dy qeveritë kanë firmosur një memorandum bashkëpunimi për nisjen e një studimi fizbiliteti për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë.

"Bashkëpunimi  për jetësimit të integrimit në BE për të kualifikuar projekte të financuara nga plani i investimeve të BE për projektet që prekin të dy vendet. Pas nisjes punës për hekurudhën Tiranë-Rinas-Durrës tashëm kemi nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për nisjen e një studimi fizibiliteti për hekurudhën Durrës-Prishtinë, është ëndërr e kahershme, sot ne jemi më të lehtësuar se hedhim një hap konkret dhe nga ana tjetër jemi të bindur se në varësi të cilësisë së këtij studimi do të prezantojmë bashkërisht këtë projekt për të aksesuar fonde nga plani evropian i investimeve", tha Rama.

Ora 10:15
Rama: Shqiptarët punojnë dhe dalin në pension ku të duan, hedhim hapa konkretë për tregun e përbashkët Shqipëri-Kosovë

 

Nga Elbasani ku mori pjesë në mbledhjen e përbashkët Shqipëri-Kosovë, Kryeministri Rama tregoi hapat drejt arritjes së një tregu të përbashkët mes 2 vendeve.

"Krijojmë kushte shumë më të favorshme për të dyja anët e kufirit për aksesin në tregun e punës, dhe një tjetër hap për një treg të përbashkët, ku shqiptarët mund të studiojnë, punojnë dhe pastaj të dalin në pension pavarësisht vendit gjeografik ku është. Njohja e sigurimeve shoqërore jep një mesazh të plotë për lirinë e ccdo shqiptari për të jetuar e punuar në të anët e kufirit. Të diplomuarit e universiteteve tona shumë shpejt do të kenë njohje automatike diplomash. Hiqet menjëherë një procedurë burokratike e mbuluar me shkresa", tha Rama.

Ora 10:12
Nis mbledhja e përbashkët, Rama: E sjellim bashkëpunimin e dy shteteve më pranë njerëzve

Kryeministri Edi Rama tha sot në mbledhjen e përbashkët me qeverinë e Kosovës, se me marrëveshjet që do të nënshkruhen sot do të sjellin bashkëpunimin mes dy shteteve me pranë.

‘Do kishim dashur t’ju prisnim me diell. Shpresojmë që ky shi të jetë ogur i mirë. Ky është takimi i 7 i Shqipërisë dhe Kosovës mes dy qeverive. Sot mblidhemi pas dy vitesh, por edhe pasi kemi arritur sidoqoftë kemi një numër të konsiderueshëm gjërash që janë diskutuar e janë vënë në vijë. Një pjesë janë në rrugën e zbatimit, dhe një pjesë janë zbatuar. Ndërkohë sfida e përbashkët është të rrisim zbatueshmërinë e marrëveshjeve dhe të realizojmë një sinergji të plot mes të dyja shteteve në të gjitha fushat. Sot e sjellim bashkëpunim e dy shteteve më pranë njerëzve. Me vjen mirë që sot angazhohemi për hapjen e pikës kufitare në Shishtavec, rregullimin e trafikut lokal të kufirit dhe lejeqendrimin.’- tha Rama.

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ilir metaj: 26/11/2021 16:05

    Murrmjau

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?