Politikë

Rama: Duam drejtësi europiane, jo ruse! 24 masa te Bujqësori pa gjyq! Fitorja e Gëllçit? Në Strasburg nisi numërimi mbrapsht për Shqipërinë, pa PS s'ka hetime 'VIP'

26 Shkurt, 07:19| Përditesimi: 26 Shkurt, 15:07

  • Share

TIRANË- Mazhoranca socialiste është e qartë në qëndrimin e saj, për mbështetjen pa ekuivok për reformën në drejtësi, por duke kërkuar nga ajo standarde europiane dhe jo ruse. Duke komentuar 24 masat e sigurisë të lëshuara për stafin e universitetit Bujqësor të Tiranës, kryeministri Edi Rama tha se në mbledhjen e grupit të PS se janë masa pa gjyq, ndërsa ndërhyrjen e SPAK e krahasoi me atë të antimafias në fshatin e Corleones. Kjo lëvizje e SPAK, sipas Ramës është e tepruar dhe e gabuar, që vjen si goditje kur Bujqësori është në një proces historik reformimi.

“Gjëja e parë që mua më ka shkuar në mend kur kam marrë këtë lajm, është se çfarë do të mendojnë partnerët austriakë kur ta dëgjojnë 24 veta masë sigurie, një numër marramendës për një çështje që ka dy apo tre vjet dhe që s’ka asnjë lloj flagrance, s’ka asnjë lloj arsyeje për të krijuar këtë goditje për një institucion të arsimit të lartë”, tha Rama.

Në Kamëz do bëhet universiteti i Vjenës. Si i shpjegohet austriakëve që merren 24 masa a thua se u fut në fshatin e Corleones. Këto i bën prokuroria antimafia në Itali”, u shpreh Rama.

Në dëgjesën ku mori pjesë edhe rektori i universitetit, Fatbardh Sallauku, Rama iu përgjigj kritikave se takimi u bë në shkelje të Kushtetutës. Kreu i qeverisë tha se nuk ka asnjë strategji elektorale për të penguar hetimet, se është PS ajo që ngriti reformën në drejtësi dhe se pa të në vendin tonë nuk do të kishte hetime VIP.

"Nuk është strategji elektorale për të minuar asnjë hetim. Rektori nuk u ftua për të ngritur flamurin e pafajësisë, për 24 persona që janë marrë në masë sigurie pa gjyq. Po mos të ishte kjo parti zoti afrim dhe zoti largim s’do shihnin kurrë hetime VIP në Shqipëri. 

 Këta thonë tani, thoshin gjithmonë e solli Amerika këtë, po tani që Amerika ka dalë nga rreshti, kush është garanti i drejtësisë së re, Afrimi apo Largimi?", tha Rama . 

Më foton e ‘Zonjës Drejtësi’ në duar dhe duke përmendur rastin e ish drejtorit të RTSH Gëllçi që fitoi në Strasburg, pasi GJEDNJ e cilësoi të paligjshme mbajtjen e tij në paraburgim, Rama i bëri të qarta kufijtë.

“Kjo zonja i ka sytë me gjak dhe për këtë kemi arritur të shohim arsyetim gjykatësish që thonë me shkrim: populli kërkon një dënim të madh për x apo y, sepse populli ka mosbesim. Ky është fundi, kjo është gjuha e Vladimiroviç Putinit. Nuk është gjuha e Evropës. I keni parë ju si përfundojnë të dënuarit përpara xhamave në Rusi? Epo ajo lloj drejtësie kurrë këtu. E kemi parë ne atë film. Për ne, për PS-në, Gjykata dhe SPAK rrojnë 1000 vjet dhe nuk u vjen e keqja nga ne. Mos t’i ndjekin mediat sikur janë parti politike, të ndërpresin marrëdhëniet me gazetarët specialë, të mos furnizojnë miletin me sekrete hetimore, të mos bëhen redaksi. Të mos sillen sikur janë redaksi gazetash, portalesh, kanalesh. Të bëjnë punën e tyre”, tha Rama. 

Mes kritikave të shumta për përdorimin e masës arrest me burg pa kriter, kryeministri Rama nuk harroi të sillte në vëmendje fitoren në Strasburg të ish-drejtorit të RTSH dhe tha se dje në Strasburg ka nisur numërimi mbrapsht për Shqipërinë për masat e sigurisë. 

"Dje ka filluar një numërim mbrapsht për Shqipërinë në Strasburg për masat e sigurisë. Nuk është ndonjë shkencë se sa do të shkojë fatura për ata që do të mbahen në burg derisa të dalin nga gjyqi. Kjo nuk ka lidhje me drejtësinë racionale dhe nuk është komuniteti i torturës", vijoi Rama. 

Rama theksoi se "paraburgimet me një të rënë të lapsit dhe këto netorizimet nga gjykatësit, si pranoj më dhe skam për ti pranuar më."

Një mesazh e kishte edhe për opozitën, për të cilën thotë se qëllim ka zhbërjen e drejtësisë së re.

“Këneta e shikon SPAK si shpresën e vetë për të luftuar PS-në dhe ardhur në pushtet, këneta kënetë është, zhabat-zhaba, por SPAk siç është shpresë të bëhet krenari kombëtare, Gjykata Speciale siç është shpresë të bëhet krenari kombëtare, duhet të jenë vende të shenjta të drejtësisë, ku s’duhet të ketë hije Sigurimi Shteti dhe Kremlini”, vijoi Rama.

Teksa socialistët zhvillonin mbledhjen dhe dëgjesën me rektorin e UBT Sallaku, organizata 'Qëndresa Qytetare' zhvilloi një protesta para Kryesisë së Kuvendit.

Ora 11:36
'Të kapnin në rrugë dhe të zhduknin trupin', Rama ndalet te rasti i Gëllçit dhe komenton kohën e Berishës: S'e kam pranuar kur s'isha askushi, jo më sot që jam kryeministër

Kryeministri Edi Rama u ndal tek vendimi i Strasburgut për rastin e Thoma Gëllçit. Ai u ndal edhe tek drejtësia në kohën kur Sali Berisha ishte president, duke theksuar raprezaljet e Policisë si dhe zhdukjet e trupave të kundërshtarëve si rasti i Remzi Hoxhës etj.

“Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, dëgjojeni çfarë ka thënë për dënimin e ish-drejtorit të RTSH. Për të cilin unë nuk kam marrë kurrë përsipër të komentoj nëse është i fajshëm apo i pafajshëm. Por atje në Strasburg ku Europa ka marrë përsipër të mos na lerë të rrëshqasim drejt Moskës, thonë: Autoritetet shqiptare nuk kishin prova se zoti Gëllçi mund të arratisej. Autoritetet nuk shqyrtuan masa më të lehta sigurie si bllokimi i pasaportës, arresti i shtëpisë etj.

Më falni nëse behëm përsëritës, sepse e kam parë filmin kur te ndalonin në rrugë dhe të merrnin në pyetje. Kur të humbtë trupi pa gjurmë, kur s'kishtë as Europë, Amerikë e ligj që të mbronte të drejtat e njeriut. E kam parë çfarë ndjen njeriu kur i thonë hajde pak me ne dhe pastaj të del një hetues e të bën presion. Dhe s’e kam pranuar kur kam qenë askushi me duar në xhepa, e jo më sot që jam kryeministri i Shqipërisë”, tha Rama para Grupit të PS.

Ora 10:25
Rama: SPAK është kthyer në redaksi portalesh, kanalesh dhe parti politike që po e shfrytëzon këneta! Po intimidohet nëna me dy fëmijë, ‘o zhyt ata, o zhytu vetë’!

Kryeministri Edi Rama kërkoi nga drejtësia një pushtet të pavarur dhe jo që i ngjante institucioneve lindore, duke e krahasuar me ato në Rusi, por e denjë për një vend që aspiron BE-në.

Kreu i qeverisë solli në vëmendje edhe një detaj befasues, ku u shpreh se ka informuar edhe Ministrin e Drejtësisë për intimidimin e një nëne me dy fëmijë, që i bëhet presion gjatë marrjeve në pyetje që të pranojë nën kërcënim dëshminë për “të zhytur ata, ose të zhytet vetë”.

Ai theksoi se Drejtësia duhet t’i ngjajë “zonjës me peshore e sy të mbyllur” dhe jo vetëm asaj me shpatën e kënetës (e ka fjalën për opozitën), që në një krah thotë se do e shkrijë drejtësinë dhe nga ana tjetër bën denoncime publike dhe letra anonime duke përdorur SPAK për të goditur PS-në.

Kryeministri hodhi kritika të forta ndaj SPAK dhe GJKKO, duke u kujtuar që të bënin punën e tyre dhe të mos reagonin për çdo gjë ndaj tij dhe mazhorancës, duke publikuar statistika, por të merreshin me provat dhe goditjen e korrupsionit.

Ai e krahasoi SPAK si një strukturë që aktualisht po i ngjan redaksive të lajmeve, portaleve, kanaleve televizive me gazetarë specialë që tundin dosjet me kërcënime dhe jo një institucioni të pavarur që do të bëjë drejtësi, siç personifikohet në stemën e saj (zonja me peshore dhe shpatë).

Madje nuk hezitoi ta krahasonte Prokurorinë dhe Gjykatën Speciale me një parti politike në këto momente, të cilën “këneta” po e shfrytëzon për qëllimet e saja.

Fjala e plotë e Ramës për SPAK, GJKKO dhe intimidimin e një nëne:

Tani ndodh që bufi, zhabat, vemjet, insektet, kërminjtë, gjinkallat, zhapikët, këtë shpatën që ia kemi dhënë kësaj zonjës së drejtësisë e shohin si të vetmen armë për të na goditur ne, të na sulmojnë, goditur dhe larguar nga detyra. Si shpjegohet që nga një anë kërkojnë t’i presin kokën, nga ana tjetër i çojnë çdo ditë nga letrat anonime te letrat publike për të na goditur ne, zonja i ka veshët katër, ndjek mediat, ca thotë kanali dhe portali, se zonja ndjehet se ka një shpatë që duhet të presë kokat majtas e djathtas të të gjithëve, që populli të dojë vetëm zonjën. Këtë drejtësi të kësaj zonjës këtu e kanë bërë jakobinët, por këtu në Shqipëri jo, këtu jo, zonja duhet të mbylli sytë, gjykatësi dhe gjykatëset të mbyllin sytë, të mos shohin kush është ai apo ajo, të ndajnë shapin nga sheqeri dhe të jetë kjo zonja këtu. Nëse duam t’i lëmë gjeneratave të tjera një drejtësi të pavarur, profesionale dhe garantë e lirive dhe të drejtave të njeriut. Pra me sytë mbyllur, shpatën në dorë dhe peshoren për të vënë në ekuilibër, hamendjet, indiciet, akuzat, provat dhe të gjitha me radhë. Thënë të gjitha këto kam një sugjerim për prokurorët e SPAK-ut.

Meqë merren me deklarimet e mia, të bëjnë punën e tyre, t’i dëgjojnë këto që ne themi, që unë them, si kritika dhe shqetësime kritike, për ne dhe nga ne nuk i vjen e keqja dhe as shqetësim nga ne SPAK-ut. Dhe të mos i ndjekin mediat sikur janë parti politike, e të ndërpresin marrëdhëniet me gazetarët specialë, nuk kam gjë me gazetarët se bëjnë punën e tyre, të mos furnizojnë miletin me sekrete hetimore, të mos sillen si redaksi portalesh e kanalesh, por të bëjnë punën e tyre. Sa herë, kurdoherë, kudoqoftë, që do kapin korrupsion, atë shpatën ta hapin krahun me të gjithë forcën. Korrupsion ama, korrupsion, nuk kemi ngritur Gjykatë Speciale e Prokurori që të bëjë Gjykatën Administrative, ILDKPI, gjykatësin e prokurorin e kështu me radhë, por i kemi ngritur si armë të fuqishme për të luftuar korrupsionin, para nesh, mbrapa nesh, lart poshtë, kudoqoftë, me prova, me respekt për të drejtat e njeriut, me fakte dhe të mos kundërshtojnë sikur janë parti politike, mos të merren me shifra e statistika, ato dalin në fund, ajo që duhet të garantojnë është që fajtorët të shkojnë në burg dhe të pafajshmit të mos traumatizohen. Kjo është arsyeja që unë dhe ne flasim, s’kemi asnjë arys tjetër.
Meqë e nisëm me dëgjesën, Klotilda goli herën e kaluar dhe ne dëgjuam, ne nuk i thamë asaj se është e pafajshme apo se s’ka prova, por ama ne nuk mund të bëjmë sikur nuk kuptojmë kur kryetarja e Ligjeve e merr vesh nga televizori se është e hetuar dhe e akuzuar, nuk mund ta pranojmë ne se SPAK është redaksi lajmesh e me gazetarë që tundin dosjet dhe që japin lajmin se janë të akuzuar. Nuk pranojmë ne që njerëzit të merren në pyetje pa dijeni, të mos marrin avokatin, të intimidohen.

Kam njoftuar Ministrin e Drejtësisë për një rast tjetër të një nëne me dy fëmijë, që intimidohet, i thuhet ta pranosh se do e hash më keq nëse nuk e pranon, më keq se ata që mbron dhe duhen zhytur. Më fal, po kostot a duhet t’i kemi parasysh këto, se çfarë paguajnë shqiptarët për të gjithë këtë përpjekje, dhe hallall, është normale, kur paguan prokurorë më shumë se presidenti dhe gjykatës më shumë se deputeti do i kërkosh një standard, se nuk shkon. Në fund të fundit na ka zgjedhur ky popull dhe si të zgjedhur këto janë detyrat tona. Nuk kompleksohem unë fare se çfarë thonë afrim-largimët dhe këneta. Këneta e shikon SPAK si shpresën e vetë për të luftuar PS-në dhe ardhur në pushtet, këneta kënetë është, zhabat-zhaba, por SPAk siՎ është shpresë të bëhet krenari kombëtare, Gjykata Speciale siç është shpresë të bëhet krenari kombëtare, duhet të jenë vende të shenjta të drejtësisë, ku s’duhet të ketë hije Sigurimi Shteti dhe Kremlini. E kam për metodat, e kam bindje se vetëm kështu do ndërtojmë një urë ndërveprimi dhe murin e ndarjes së pushteteve. Aty janë pushtet i pavarur, por edhe ky është i pavarur, Ekzekutivi, e boll është hyrë në kufijtë e pushtetit ekzekutiv, boll janë traumatizuar punonjësit e administratës me thirrje, presione, ftesa e gjithfarë të tjerash. Duhet të luftojë korrupsionin. Duhen të jenë me analiza dhe ekspertiza ndërkombëtare, jo me abuzime tenderash e korrupsion dhe përfundon te shpërdorimi i detyrës.

Njerëzit nuk janë domate e kavie, por janë njerëz. Nëse ka dike që mendon për njeriun dhe respektin ndaj tij është PS-ja. Të tjerëve u uroj një zhytje thellë e më thellë në kënetë. Edhe për forcimin e SPAK, drejtësisë, gjykatës e standardeve, shqiptarët do dinë se çfarë mendojnë dhe çfarë do vendosin. Çfarë mendimi ka për betejën politike dhe betejat tona. Ne kemi dashur pavarësinë, kemi heshtur për 5 vjet. Tani pavarësia është e provuar. Tani duam profesionalizëm dhe integritet demokratik të çdo procesi. Dëgjesat do vazhdojnë të bëhen për të gjithë personat që duan të shprehen, të flasin, të atyre që intimidohen dhe kërcënohen, jo të atyre të tjerëve, por ata që duhen dëgjuar. Jo për ata që kërkojnë varje në litar, përgjakje, se duan kënetën prapë në pushtet e ta çojnë Shqipërinë në gropë, e as për instanca të tjera që nuk ekzistojnë, këtu. Ne jemi partia të gjithëve, hakun të gjithave, pavarësia e drejtësisë dhe kjo është PS-ja”.

Ora 10:18
'Të dënuarit në Rusi përfundojnë pas xhamave', Rama: Kjo lloj drejtësie kurrë këtu! Zonjën Drejtësi e solli në këmbë PS

 

Kryeministri Edi Rama ka nxjerr në tavolinë gjatë fjalës së tij një foto të simbolit të drejtësisë, Zonja Drejtësi, duke thënë se në Shqipëri atë e solli në këmbë PS.

Ai theksoi se të dënuarit në Rusi përfundojnë përpara xhamave dhe kjo lloj drejtësie nuk do të ndodhë kurrë këtu.

“Kam sjellë këtu me vete diçka. Këtu është Zonja e Drejtësisë kështu e kanë cilësuar shumë vite më parë ata që kanë vënë themelet e civilizimit tonë. Barra e provës i takon akuzuesit dhe jo të akuzuarit. Shekuj pas shekujsh derisa erdhi dita, drejtësia është kuptuar kështu, me sytë e mbyllur, qoftë nga anët ku janë prokurorët dhe të akuzuarit. Ky imazh do të ishte skulpturë para reformës në drejtësi, e shtrirë kjo zonja me bufin e kënetës me bretkosa dhe vemje. Këtë e zonjë e ngriti PS në këmbë dhe këtë shpatën e ngriti pushteti ekzekutiv, që ia dorëzoi që pas 1912.

Kjo zonja i ka sytë me gjak dhe për këtë kemi arritur të shohim arsyetim gjykatësish që thonë me shkrim: populli kërkon një dënim të madh për x apo y, sepse populli ka mosbesim. Ky është fundi, kjo është gjuha e Vladimiroviç Putinit. Nuk është gjuha e Europës. I keni parë ju si përfundojnë të dënuarit përpara xhamave në Rusi? Epo ajo lloj drejtësie kurrë këtu. E kemi parë ne atë film.

Çfarë ka ndodhur dhe ndodh sot? Si shpjegohet që nga një anë kërkojnë t’i presin kokën dhe nga ana tjetër çdo ditë i çojnë nga denoncimet publike dhe zonja i ka sytë me gjak”, tha Rama.

Ora 10:08
Fitorja e Gëllçit/ Rama: Ka filluar numërimi mbrapsht për Shqipërinë në Strasburg për masat e sigurisë

 

Kryeministri Edi Rama u shpreh se 24 masat e sigurisë në Universitetin Bujqësor tronditën një universitet të tërë dhe familjet e tyre. Ai theksoi se ka filluar numërimi mbrapsht për Shqipërinë në Strasburg, referuar edhe fitores së një ditë më parë të Thoma Gëllçit në Strasburg. 

"Ne nuk përcaktojmë prokuror dhe gjyqtar dhe nuk ofrojmë asnjë model negativ. Modelet negative janë aty kanë 5 vjet. Keni parë sesi drejtuesi i SPAK është kërcënuar, keni parë si prokurori kryesor është sulmuar kafshërisht. Nuk e di ku kanë qenë këta që po mbrojnë SPAK dhe drejtësinë nga ne. Nuk e di në cilin kapitull të historisë së Shqipërisë historianët Afrim Largim kanë parë ndonjë rast tjetër le të na e tregojnë. Këta thonë tani, thoshin gjithmonë e solli Amerika këtë, po tani që Amerika ka dalë nga rreshti, kush është garanti i drejtësisë së re, Afrimi apo Largimi?

Vetëm PS, askush tjetër. Kur shpifin në emër të mbrojtjes së demokracisë dhe drejtësisë bëjnë të njëjtin dëm që bëjnë edhe këto masat e sigurisë. Dje ka filluar një numërim mbrapsht për Shqipërinë në Strasburg për masat e sigurisë. Nuk është ndonjë shkencë se sa do të shkojë fatura për ata që do të mbahen në burg derisa të dalin nga gjyqi. Kjo nuk ka lidhje me drejtësinë racionale dhe nuk është komuniteti i torturës. Ne nuk duam të torturohen. Më mirë 10 të pafajshëm jashtë se sa një në burg. Edhe të marrësh 24 masa sigurie dhe të trondisësh një universitet të tërë, prindër të tërë dhe ti japësh një shqelm një marrëveshje që unë si lypës kam shkuar te Universiteti i Vjenës për tju lutur hajdeni ta bëjmë një universitet në Shqipëri, që të kenë mundësi në 2030 që të studiojnë dhe të marrin një universitet të Vjenës. Sot e gjithë ditën ai zotëria punon si rektor dhe është vënë në dispozicion edhe pse doli në pension. Edhe në Kamëz do bëhet Universiteti i Vjenës”, tha ai.

Ora 10:04
Rama për masat te Bujqësori: A thua se SPAK u fut në fshatin e Corleones, këto i bën vetëm antimafia në Itali

 

Duke kometuar masat e sigurisë të Bujqësori, Rama thotë se si do u shpjegohet austriakëve që merren 24 masa a thua se u fut në fshatin e Corleones. Rama tha se këto i bën prokuroria antimafia në Itali.

“Nuk është rasti që jemi problem për komunitetin e torturës. Nuk mund të jemi krenar për këtë. Më mirë 10 të fajshëm jashtë se 1 i pafajshëm në burg. Drejtësia nuk mund t’i bjerë më qafë askujt pa lidhje. Të marrësh 24 masa sigurie, të tronditësh një universitet të tërë dhe t’i japësh një shqelm një marrëveshje të bërë. Kam shkuar unë si lyps te shkallët e universitet të Bokus. Më tha je i pari kryeministër që vjen këtu, ju luta hajdeni në Shqipëri të bëjmë një universitet austriak. Sot ai zotëria që ishte rektor punon për universitetin tonë.

Në Kamëz do bëhet universiteti i Vjenës. Si i shpjegohet austriakëve që merren 24 masa a thua se u fut në fshatin e Corleones. Këto i bën prokuroria antimafia në Itali”-u shpreh Rama.

Ora 09:56
Strasburgu i dha të drejtë, Rama lexon vendimin për Gëllçin: Nuk kishte prova që mund të arratisej! Drejtësia të jetë e pavarur, jo të marrë njerëz nga rruga e t’i paraburgosë

Kryeministri Edi Rama dha mbështetje të plotë për pavarësinë e Drejtësisë edhe në vijim, por kërkoi respektimin e standardeve që përkojnë edhe me ato juridike europiane, duke bërë një krahasim edhe me rastin e ish-drejtorit të RTSH-së, Thoma Gëllçi, që fitoi gjyqin në Gjykatën e Strasburgut.

Teksa shtoi se nuk komenton fajësinë apo pafajësinë e personave, kreu i qeverisë vuri në dukje problematikën e politikës penale të ndjekur nga GJKK-SPAK për zyrtarët, kryesisht masat shtrënguese të arrestit me burg, kur mund të aplikohen edhe masa më të lehta.

Ai tha se për 5 vite PS heshti edhe kur arrestoheshin zyrtarë të lartë të saj për hir të pavarësisë së Drejtësisë së re, por kohët e fundit nuk mund të heshtin më. Ai tha se edhe ish-drejtori i RTSH-së sipas Strasburgut ishte mbajtur në paraburgim duke kapërcyer çdo argument juridik e penal, pasi ai nuk përbënte as rrezikshmëri, as ishte i arratisur dhe për më tepër ishte treguar bashkëpunues.

Rama shtoi se marrjen e njerëzve në rrugë me furgon dhe presioni me hetues gjatë marrjes në pyetje e paraburgimet “nuk i kishte pranuar edhe kur ishte vetë qytetar me duar në xhepa, dhe jo më tani që është kryeministër”.

Fjala e Ramës për debatin mbi Drejtësinë dhe pafajësinë e Gëllçit në Strasburg:

"Nëse sot ka luftë totale, për ta forcuar drejtësinë, për ta bërë të pavarur, nëse sot erdhi dita për të treguar çfarë është drejtësia e pavarur, kjo është vepra jonë dhe e askujt tjetër. Prandaj më 11 Maj duam një mandat shumë të fortë, sepse duam që këtë dritare të hapur në rrethana historike me BE ta shfrytëzojmë dhe brenda 2030 të bëhemi anëtarë të BE, më 2027 mbyllim negociatat.

Sepse dje Gjykata e Strasburgut, e Të drejtave të Njeriut, shikoni ça ka thënë për ish-drejtorin e RTSH-së, unë nuk marr përsipër për të thënë nëse është apo s’është i fajshëm, sepse ai e ka bërë procesin, kjo është çështje tjetër, nuk them për këdo që mund të ketë abuzuar apo futur duart në xhepat e të tjerëve, ama them për atë që shprehet Europa, për të mos e lënë drejtësinë të rrëshkasë, por për ta bërë të barabartë.

Autoritetet shqiptare nuk kishin prova se Gëllçi mund të arratisej nga Shqipëria, dorëzimi i tij ishte i vullnetshëm, sepse ishte kthyer nga jashtë vendit dhe u vu në dispozicion. Kjo tregon një mungesë të qasjes profesionale.

Unë e kam parë vetë kur të marrin në rrugë dhe kur s’kishte as afrima as largima, as kanale e portale, as kushtetutë dhe as ligj, e kam parë se çfarë ndjen njeriu e fusin në furgon i thonë hajde pak me ne, e çojnë atje dhe e marrin në pyetje me një hetues që i bën presion. S’e kam pranuar kur isha person me duar në xhepa, e jo më tani që jam kryeministër i Shqipërisë.

Kam ardhur këtu me një mision, që nga 1912, për t’i dhënë pavarësinë drejtësisë, bashkë me ju këtu dhe ju e dini, për herë të parë kemi hequr duart nga drejtësia, pasi 5 vite me radhë kemi thënë nuk komentojmë asnjë proces, asnjë vendim të drejtësisë. Dhe unë kur e shoh, se për fat të mirë ose të keq jam pak më i gjatë se të tjerët, që kam parë se kjo metodë në sistem është gabim, se ja si vjen puna, paraburgimi mbeti pa u vlerësuar nëse faktorët e paraburgimit ishin të vlefshëm dhe gjykatat nuk morën vlerësimin e duhur, duke kontribuar me një zgjatje të paraburgimit".

Ora 09:55
Rama: Ata që thonë iu futën të gjithë ministrat në burg, të numërojnë mirë, i ka bërë Luli analfabetë aritmetik

 

Rama iu përgjigjet kritikëve që thonë se i ka të gjithë ministrat në burg, duke iu thënë me ironi se Luli i ka bërë analfabetë aritmetik

“Nuk e di kur e pyeta rektorin se për çfarë shume bëhet fjalë, më tha nën 300 milionë të vjetra. Më pas dhe më shumë, rektori thotë se nuk e di se nga kanë dalë më shumë, por kaq janë projektet për të cilat dy vjet ka lënë telefonin në SPAK. Nuk i kthejnë telefonin, nuk është person fare në hetim. I kanë dhënë dhe letrën për të kandiduar për rektor. Mund të jetë edhe ai që mund të dalë fajtor, por nuk mund të nisemi nga ideja se çdo person është i fajshëm dhe i takon autoritetet të tregojë pafajësinë e vet. Sepse Evropa që ne duam ka një parim tjetër: Çdo person është i pafajshëm dhe i takon autoriteteve të tregojnë fajësinë e tij. Kështu që me shumë keqardhje për z Afrim, dua t’i them se kjo parti nuk merr rolin e gjykatës, prokurorisë, s’ka për ta marrë kurrë. Sa të jetë kjo parti, prokurorët dhe gjykatësit mund të bëjnë punën e tyre të pavarur, por ama nuk jemi shurdh memec. I kemi vënë në dispozicion trupin tonë, organizmin e PS sallës së operacioneve kundër korrupsionit. Atyre që thonë se u futën të gjithë ministrat në burg, iu them numëroni mirë se iu ka bërë Luli analfabet aritmetik. 12 vjet në qeveri, 60 e kusur ministra, dy janë nga mandati i parë të dënuar, një është akoma në paraburgim pa gjyq por është i fajshëm apo jo e vendos gjykata dhe një tjetër është në arrati. Gjithçka që ndodh është vepër e kësaj force këtu. Nëse sot ka një luftë frontale për të forcuar drejtësinë, për ta bërë profesionale dhe evropiane, përveçse të pavarur dhe nëse sot erdhi dita të na tregojnë ne se çfarë është drejtësia e pavarur, kjo është vepra jonë dhe e askujt tjetër. Prandaj me 11 maj duam një mandat shumë më të fortë sepse duam që këtë dritaren e hapur në këto rrethana historike për Evropën dhe ne ta shfrytëzojmë dhe në 2027 mbyllim negociatat dhe brenda kësaj dekade të bëhemi anëtarë të BE edhe për shkak se kemi krijuar një drejtësi të pavarur dhe evropiane.”, u shpreh Rama.

Ora 09:47
Rama: S’ka strategji për të penguar drejtësinë, pa PS s’do kishit hetime VIP

 

Pas dëgjesës me rektorin e Universitetit Bujqësor, kryeministri Ram iu përgjigjet kritikëve duke thënë se PS s’ka asnjë strategji elektorale për të penguar hetimet, por po kërkojnë një drejtësi me standarde europiane.

Shoh një përpjekje të madhe për të errësuar një të vërtetë që nuk duhet ta luajë topi, kjo parti, kjo shumicë qeverisë, jemi të vetmit garantë të reformës në drejtësi, të institucioneve të reja të drejtësisë. Kur kam bërë me dije këtë dëgjese me rektorin, ka pasur një sërë reagimesh dhe kam dy reagime që i kam këtu me vete. Njëri është një reagim nga Afrim Krasniqi. I cili akuzon për shkelje Kushtetuese dhe ligjore.

Përgjigje për të gjithë ata që kërkojnë pa pushim vetëm represion, ndërkohë që ajo që ne kërkojmë dhe luftojmë është një drejtësi e pavarur dhe evropiane. Nuk e di ku e gjejnë që flasin për strategji elektorale për të minuar hetimet e drejtësisë, një strategji që tashmë njihet, paraqet zoti Afrim një fakt si fantazi t

Nuk është strategji elektorale për të minuar asnjë hetim. Rektori nuk u ftua për të ngritur flamurin e pafajësisë, për 24 persona që janë marrë në masë sigurie pa gjyq. Po mos të ishte kjo parti zoti afrim dhe zoti largim s’do shihnin kurrë hetime VIP në Shqipëri. Po të mos ishte kjo parti, kjo shumicë qeverisë, Zoti afrim zoti ‘Largim’, s’do shihnin kurrë një forcë politike në pushtet e cila vullnetarisht vendosmërisht me patriotizëm ka tërhequr duart nga kontrolli i pushtetit të drejtësisë dhe ka pranuar që në trupin e vet të bëhen të gjitha eksperimentet e sallës së operacionit kundër korrupsionit.

Ora 09:41
Rama: Ku ishin “Afrimët dhe Largimët” kur kërcënohej familjarisht kreu i SPAK! Po tani kush e mbron drejtësinë kur Amerikanët kanë ikur? Vetëm PS-ja

 

 

Kryeministri Edi Rama mbajti fjalën e tij para grupit parlamentar të PS-së pas dëgjesës me rektorin e Universitetit Bujqësor të Kamzës, teksa iu përgjigj një mesazhi të Afrim Krasniqit, duke rrëzuar pretendimet e tij për goditjen e drejtësisë nga mazhoranca.

Kreu i mazhorancës u shpreh se “Afrimët dhe Largimët” heshtën kur kreu i SPAK kërcënohej nga familja dhe personalisht (sulmet e Berishës) dhe nuk bënë asnjë reagim.

Madje iu referuar fakteve historike se PS është partia e parë që në kaq vite reformë nuk reagoi për arrestimet apo hetimet e e një ministri dhe të sulmonte drejtësinë.

Ai theksoi se PS do vijojë ta mbështesë Drejtësinë, sidomos tani që Amerikanët janë larguar për arsyet e tyre, duke akuzuar kundërshtarët se kanë nisur të bëjnë hetime të veçuara dhe akuza pa vend.

Fjala e Ramës për çështjen e Drejtësisë:

Kur them për eksperimentet, e kam ,për të gjitha ato që ne kemi heshtur për 5 vjet, sepse e para është pavarësia. Se po të kishim folur ne siç flasim sot, do kishim prishur shumë punë. Ama ne nuk mund të presim që kaq kohë që shoku afriom dhe largim po presijnn, se spak dhe gjykatës speciale që ia dhamë ne besimin, që i kanë marë tani të tjerët pas pilafit. Tani e kemi marrë ne, jemi në fazën e dytë, drejtësi europiane dhe jo ruse.

Ka standarde të panegociueshme, standardet, ne duam të bëhemi anëtarë në BE, jo të çohet një holandez dhe francez, ashtu sic janë çuar e të thonë se shqipëria nuk ka drejtësi dhe që nuk njeh prezumimin e pavarësisë.

Ne nuk përcaktojmë prokurorët dhe gjyqtarët zoti Afrim, ne nuk ofrojmë model negativ, modelet negative janë aty, janë prezentë por nuk e di nëse zoti Afrim ka parë se si kreu i SPAK është sulmuar e kërcënuar familjarisht, dhe ka pasur e ka solidaritetin tonë për ato që i kanë ndodhur, është sulmuar barbërisht, nuk e di ku kanë qenë këta, nuk e di ku kanë qenë këta afrimët dhe largimët? Nuk e di që në kapitullin e Shqipërisë, nga 1912 dhe deri tani kur qeverisim ne, afrimet dhe largimet kanë parë rast tjetër rast të ngjashëm, kam kohë që pres që këta të thonë se ja psh., në 1912, 1920, 2015, 2005, që u mor një ministër u mor nga drejtësia e pavarur dhe partia në pushtet doli dhe sulmoi. Këta thonë Amerika e solli këtë, po tani që Amerika ka dalë nga rreshti, për arsyet e veta, kush është garanti i drejtësisë së re, Afrimi apo Largimi? Vetëm partia Socialiste!” 

Ora 09:26
Arrestet te Bujqësori/ Rama: Abuzuesit të përgjigjen, por drejtësia s’ka përse të bllokojë punën! 24 masa sigurie, çfarë do mendojnë partnerët austriakë

 

Kryeministri Edi Rama komenton 24 masat e sigurisë në mbledhjen e grupit të PS.

Ne nuk mund të japim hapësirë dhe s’mund të bëjmë dëgjesa me persona në hetim, së dytë është mirë ta dinë të gjithë se para se ju të kandidonit për rektor i keni drejtuar një letër SPAK dhe i keni kërkuar të sqarojë për ju nëse ky kandidim do kishte ndonjë pengesë për shkak të statusit dhe përgjigja ka qenë për ju që mund të kandidoni. Të gjithë duhet ta kuptojnë që shqetësimi në këtë rast nuk lidhet me faktet apo fajësinë apo pafajësinë e personave, por lidhet me nxitimin për të deklaruar 24 persona në masë sigurie për një Universitet që është në një kthesë historike dhe që e ka të ardhmen e vet të varur nga një partneritet strategjik me të një ndër universitetet me të vjetra të botës. Gjëja e parë që mua më ka shkuar në mend kur kam marrë këtë lajm, është se çfarë do të mendojnë partnerët austriakë kur ta dëgjojnë 24 veta masë sigurie, një numër marramendës për një çështje që ka dy apo tre vjet dhe që s’ka asnjë lloj flagrance, s’ka asnjë lloj arsyeje për të krijuar këtë goditje për një institucion të arsimit të lartë. Aq më tepër që bëhet fjalë për fonde të kërkimit shkencor, ku nëse ka pasuar abuzime, abuzuesit duhet të përgjigjen deri në fund, por 24 veta në masë sigurie. Kjo besoj është e mjaftueshme sa i përket asaj çfarë tha rektori dhe i gjithë shqetësimi është për të dhënë një mesazh për studentët e partnerët, ndërkohë që drejtësia do bëjë punën e vet, s’ka arsye për të bllokuar punën.

Ora 09:25
Arrestet e SPAK/ Rektori i Bujqësorit: Nuk mbroj askënd dhe nuk komentoj vendimet e Drejtësisë! Kam dhënë telefonin dhe informacionet, por të mbështetet universiteti

Rektori i Universitetit Bujqësor të Kamzës, Fatbardh Sallaku, foli sot në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama. Sallaku e kishte kërkuar vetë dëgjesën publike pas 24 masave të befasishme të SPAK dhe GJKKO për disa tendera në këtë institucion arsimor.

Rektori sqaroi se zgjodhi këtë rrugë ballafaqimi publik për shkak se nuk do donte që mesazhet të keqkuptoheshin apo interpretoheshin, por të dëgjoheshin siç duhej.

Ai mbështeti drejtësinë, duke thënë se nuk i komenton vendimet e gjykatave dhe prokurorisë dhe nuk mbron askënd. Por apeloi që puna e nisur nga Universiteti për reformat dhe projektet me Universitetin e Boku në Vjenë të mos pengohej pasi penalizoheshin stafi akadamik dhe studentët, ku flitet për njohje edhe të këtij arsimi në arenën ndërkombëtare.

Ai gjithashtu pohoi edhe telefonin e tij e ka vënë në dispozicion të SPAK kur i është kërkuar, duke ofruar bashkëpunim dhe informacionin që i është kërkuar.

Gjithashtu bëri thirrje për vijim të reformave dhe që ky hetim të mos prekte anën akademike dhe strategjike.

Fjala e plotë e rektorit Fatbardh Sallaku në grupin e PS:

"Për të evituar çdo lloj keqkuptimi, dua të theksoj se jam këtu në grupin e mazhorancës qeverisëse, nuk është e rastësishme, mund të dilja e zgjidhja e konferencë shtypi e media, por dua që të mos shkëputet asgjë nga konteksti dhe mesazhi të jetë i qartë, sepse kam detyrim për stafin akademik, studentet, prindërit, partnerët, miqtë e kudo operojnë.

E kam marrë vesh nga media, se dje, kam mbledhur edhe asamblenë akademike të Universitetit Bujqësor, kemi sqaruar situatën, që në krye të radhës dua të theksoj faktin se ne nuk komentojmë asnjë vendim të drejtësisë, absolutisht ne besojmë se do ketë një proces të ndershëm, por ajo që unë besoj është se shumica e pedagogëve të mi i përkasin njerëzve të ndershëm, dhe theksoj prapë se asnjë realitet nuk e zhbëjnë atë punë të kolegëve të mi dhe studentëve, në atë që përfaqësojnë.

Shumë kolegë janë pjesë e masave që janë dhënë, që dje ka filluar të pastrojë veten, me fakte dhe vendosmëri, duke zbatuar ligjin. Ajo që unë dua të theksoj, se jo ky debat, por kjo dalje, dhe unë si një rektor i universitetit që nuk punon i izoluar, por një proces që ka nisur para 3 vitesh, fal investimit personal të kryeministrit të vendit, kemi 3 vjet që punojmë me një nga universitetet më të mira në Europë, jemi të detyruar të informojmë partnerët tanë, për reformën e ndërmarrë, në rastin e arsimit të lartë janë të rëndësishme imazhi, marrëdhëniet me partnerët, besimin, sepse bëhet fjalë për një universitet që ka nevojën për të qenë i pranishëm për të bindur të rinjtë të jenë pjesë e këtyre programeve.

Unë jam i gatshëm të shkoj në çdo grupim t’i sqaroj kudo qoftë, të jem i gatshëm dhe i qartë, madje edhe në rrethe.

Dua të sqaroj disa gjëra:

Unë absolutisht nuk mbroj asnjë person që mund të ketë abuzuar, ia lëmë drejtësisë komplet të hetojë operojë, për një proces të ndershëm. Por ajo që dua të evidentoj është fakti se kam besim se Universiteti Bujqësor jo vetëm do ringrihet, sepse kemi pasur goxha sfida të tilla si në vitin 1990, jemi ringritur në 1997 kur u shkatërrua totalisht, pas viteve 2013 e 2015 kur nuk studionte askush në të, e tani jemi futur në një rrugë që është për mua e vetmja që arsimi i lartë mund të funksionojë në Shqipëri. Pra kemi nisur një reformë të thellë që arsimi i lartë të njihet, në mars e arrijmë këtë me universitetin e Bokusë për njohjen e arsimit të lartë, nuk është një program, por ristrukturim total. Nga oferta akademike te menaxhimi administrativ. Mbrëmë kemi folur me koordinatorin e palës austriake për ta përshpejtuar modulin, sepse situata e ndodhur ka nevojë për reagim, për struktura të qëndrueshme, e jam këtu për të garantuar se Universiteti i ka të gjitha vlerat dhe mundësitë. Shqipëria është me fat që ka Universitet Bujqësor, ju e konfirmoni, por kemi nevojë për mbështetje, fjalë të mira dhe qasje, sepse Bujqësia ju e dini shumë mirë se është persekutuar nga imazhi, pasi askush nuk pranon të studiojë për agronom, inxhinier pyjesh etj., por qasja që po bëjmë me universitetin e Bokusë me arsimin e njohur, shndërrimin në qendër rajonale, partneritet, etj., por sot janë realitet, kemi filluar punë. Në mars konkludojmë me reformën e radhës. Do doja që debati të fokusohet këtu, me dorën në zemër. Universiteti Bujqësor nuk është i imi, i mazhorancës, por i Shqipërisë, e ardhmja është këtu, ne kemi nevojë për këtë universitet, kanë nevojë për mbështetje dhe përkrahje, sepse e ardhmja e Shqopërisë është turizmi dhe bujqësia, ne nuk e kemi të ardhmen në industri të rëndë.

Unë nuk e di se çfarë është diskutuar apo ka në këtë çështje. Por puna është e ndarë, stafi akademik që shqyrton çështjet në Senat, studimi i projekteve dhe deri në Bord. Ne kemi një strategji, që në 2030 ky universitet të jetë i ngjashëm me të Bokusë në Vjenë, në çdo hap.

Unë kam qenë subjekt edhe i dhënies së telefonit, absolutisht e kam dhënë, kam qenë bashkëpunues, s’kam asnjë problem, kemi dhënë të gjitha informacionet e kërkuara. Dua edhe njëherë t’ju siguroj dhe garantoj se nuk jam këtu për politikë, me kryeministrin kemi folur edhe para dy-tre ditësh, kemi ndarë koncepte. 

Askush nuk e mendonte se një ditë Universiteti Bujqësor do ulej në tavolinë me të Bokusë, mbi 100 vjeçar, por ne jemi të gatshëm, të mos merremi me anësoren, pro me thelbin. Ky universitet i duhet vendit, ekonomisë shqiptare, stafi dhe prindërit të qetësohen, se në shtator do shkojmë me një ofertë të re akademike.

Shpresoj që personat që janë nën hetim aktualisht të gjejnë të gjitha hapësirat, të gjejnë forcë, të pastrohen, drejtësia të bëjë punën e vetë, të sigurojë çdo lloj informacioni, kam qenë dhe jemi të gatshëm dhe shpresoj që ky proces të mbarojë në të mirën e përbashkët.

Sigurisht nuk është e lehtë, pas një situate të tillë jo të këndshme, por thelbi i çështjes se ky universitet ka nevojë për mbështetje".

Ora 09:20
'Qëndresa Qytetare' protestë para kryesisë së Kuvendit: Qentë le të lehin, SPAK ecën përpara

 

Aktivistët e organizatës 'Qëndresa Qytetare' janë mbledhur sot para kryesisë së kuvendit për të protestuar, ndërkohë që rektori i UBT-së po “rrëfehet” para grupit parlamentar të PS-së pas 24 masave të lëshuara nga SPAK për stafin e universitetit një ditë më parë.

“Qentë le të lehin, SPAK ecën përpara”, shkruhet në një nga pankartat.

“Të akuzuarit për korrupsion i hapet dera e Kuvendit të Shqipërisë për t’u justifikuar dhe mbuluar. Kryeministri i vendit në mënyrë të pracendentë ka bërë për axhendë të vetë luftën kundër drejtësisë. Qytetarët e kësaj Republike për 30 vite sa herë kanë pasur probleme me drejtësinë iu është treguar se duhet të kryejnë të gjitha procedurat për të shkuar nga një shkallë e drejtësisë tek tjetra. Ata që kanë probleme me drejtësinë duhet të paraqiten në organin më të lartë të drejtësisë ashtu si çdo qytetar tjetër”, tha Migen Qiraxhi.

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Dita: 26/02/2025 15:37

    “Hipokrit e demagog, zemërak me kolegët e vartësit, mjeshtër i aktrimit dhe ironisë, finok në kurthet ndaj tjerëve, i pabesë e hileqar me shokët, pervers e dashakeq si ai etj.” e portretizonte ish gjykatesi dhe sekretari i denuar Vahid Lamaj. Te kuptohemi - jo Ramen por kryetarin jetgjate te partise se tij Enver Hoxha. Por me koherente jane kujtimet mbi zbatimin e ligjit, gjykatat dhe drejtesine: “…Ç’u bë Gjykata, që na dilka mbi Partinë?! Ajo është një organ shtetëror i thirrur pikërisht për të zbatuar vijën e Partisë e jo për t’iu kundërvënë. Vërtet ne kemi thënë, – vazhdoi ai (Enveri) -që gjykatat janë të pavarura, por kjo pavarësi, të kuptohemi drejtë, nuk është absolute. Asnjë organ apo organizëm shtetëror nuk mund të jetë i pavarur nga populli dhe Partia…!” “…dihet që ne e kemi hedhur poshtë si të gabuar teorinë borgjeze të ndarjes së pushteteve. Në vend të saj kemi mbështetur teorinë e drejtë të unitetit të pushteteve. Në këtë prizëm duhet parë e trajtuar edhe pavarësia e gjykatave…” “…Mua më duket se gjykatat po abuzojnë me pavarësinë e tyre për të dhënë vendime në kundërshtim me politikën e Partisë. Po të jetë e vërtetë kjo, Partia duhet të bëjë kujdes dhe të godasë rreptë bartësit e këtyre dukurive. Më kupton, apo jo? “Ligjin e di Gjykata”, na thonë ca juristë. Si e ditka Gjykata dhe nuk e ditka Partia që bën ligjin?! Ç’janë këto teori të plakura që na serviren kështu?!” Por me tronditese eshte kjo si me poshte, a thua pasardhesi Rama ose e ka kopjuar ose i gjenerohet gjenetikisht ne mendje njesoj si Hoxha: “…“Ç’qenka ky ligj, që i lidhka duart Partisë për të ndërmarrë një aksion revolucionar kundër zakoneve prapanike dhe besimeve të kota, si e paskemi aprovuar?! Jo, ky nuk është një ligj i drejtë, të ndryshohet ose të shfuqizohet menjëherë”. E panesueshme. E frikshme. E vertete. Pasoja, eshte testuar njehere dhe dihet.

    Përgjigju
    • Sa gjynah: 26/02/2025 21:10

      Halla ime ishte ashtu si ti. Partizane e PS me fanatizem. Per hironi te fatit nderroj jete dhe tani eshte e varrosur ne Sharre poshte malit me plera qe ka ndertuar Edi Rama e lali Eri e qe e quajn inceneritor. Ty tu befte dita nje mije, me sinqeritet e padsh vec dite te bardha. Veç e quajn fatkeqesi shum te madhe qe njerez me halle te merziten se kan fut nje hajdut me teper ne burg. Keta sjan vec hajdut te sendeve materjale. Po na vjedhin dhe shendetin, dhe jeten por edhe te ardhmen.

  • Raj: 26/02/2025 12:05

    Ky ka perfundu i denum si perfundim pyt avokaturen e shtetit se ndoshta skeni ba mbrojtje fare qe ti jepni leket ose ti vete lexo ca vendimi ka per bechetin ose per shum e shum te tjere qe i hiqni nga puna e fitojn gjyqet me ju si parti

    Përgjigju
  • Qytetar: 26/02/2025 12:05

    Arrestime pa gjyq thote piktori. Eshte vendosje mase sigurie per person ne hetim, o piktor. Behet me vendim gjykate. Kodin e procedures penale e ke miratuar vete ne parlament, nuk ta ka shkruar Dumani.

    Përgjigju
    • Ilir: 27/02/2025 09:26

      Jan per te tjera krime penale, vrasje, plagosje, rezik i madh shoqeror. Sa dite détention provisoire beri Sarkozy ne Fr? Apo Berlusconi ne Itali? Po Trump ne usa? Mos behemi qesharak, koncepti pa gjyq eshte qe gjyqi parashikon konceptin e akuzes dhe mbrojtjes ne disa faza, gjyqet zgjasin dhe jane shteruse. Jo nje lexim 4 ore i dosjes nga nje gjyqtar

    • Qytetar: 26/02/2025 15:52

      O Ilir: Eshte praktike e marre nga vendet e BE-se. Ne Itali quhet custodia cautelare (perdorur gjeresisht gjate Mani Pulite). Ne France quhet detention provisoire. Edhe Gjermania dhe Spanja e perdorin. Nuk eshte arrestim pa gjyq sepse prokurori nuk vendos me koke te vet por duhet te binde nje gjykates per nevojen e mbajtjes ne burg gjate hetimit.

    • Ilir: 26/02/2025 13:43

      Po pra ate po thote, vete e kemi bere gabim dhe vete do ta ndryshojme...ska asnje vend ne bote qe arreston pa gjyq. Shqiperia e beri se kishte emergjence korrupsionin, pas zgjedhjeve do ndryshohet

  • lexues: 26/02/2025 11:41

    dmth kemi nje here gjyq dhe pastaj arrestim??? edi ca thote apo varja

    Përgjigju
  • dine: 26/02/2025 11:31

    Po te shtrengohet laku o felliqesire. E ke frike burgun se e di qe e meriton prandaj lufton SPAK-un e popullit.

    Përgjigju
  • Drejtesia;: 26/02/2025 11:26

    Ik o maskara se Putini eshte 'engjell' para teje!Ti PsykoKriminelKryeminister qe e ke ktyer Shqiperin ne AlbaColumbiStan te duket vetja Evropian?????Ti mbaje mire me diktaturen mafiose sa ta keshe ne dore se fundi dihet si do ta keshe,por mjere populli qe eshte per buken e gojes dhe po emigrojne si ne vitet 90....

    Përgjigju
  • Gjergj: 26/02/2025 09:32

    Kèneta e hajdutèrisè paska ftuar nè "raport" hajdutèt nè terren. Ky stan, vetèm kètè bulmet ka. Rama dridhet e spèrdridhet, bèn tè fortin nè mèngjes para kamerave dhe tuxharin nè darkè,,por ai nuk e ndal dot atè fatin e tij. Kanè vjedhur aq shumè, saqè çdo zè qè pretendon se tè gjithè vidhnin por kryeministri nuk dinte gjè,,,,shkakton vetèm tè qeshura. Ore,,mos i tha njeri kryeministrit NDYRÈSIRÈ? Jo pèr gjè por kur pretendon se tè quajti dikush tè tillè,,,aktakuza e prokurorisè bie. Tè na rruaç o "kryeministèr",,apo je "kryebashkiak",,"kryeprokuror",,,,bashkè me tè gjithè kryebashkiakèt dhe ministrat qè ke nè burg apo janè nèn hetim. U shkofsh pas.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mandarina me pesticide, sa të sigurta janë produktet që konsumojmë?